Standard.al

Fondacioni “Heritage”: Rritja e barrës së taksave fundosi ekonominë shqiptare

Ervin Kaduku

 ekonomia shqiptare–  Dështojnë reformat fiskale të “Rilindjes”, që marrin një notë të theksuar negative nga ndërkombëtarët. Shqipëria ecën mbrapsht në fushën e lirisë ekonomike, duke kaluar në vendin e 63-të, nga ai i 54-t

Indeksi i fondacionit “Heritage” për lirinë ekonomike në vitin 2015 e renditi Shqipërinë në vendin e 63-të, nga 186 shtete të listuara. Vendi ynë klasifikohet në kategorinë e shteteve me një liri të moderuar ekonomike, me një total prej 65.7 pikësh. Ky indeks llogaritet mbi bazën e 10 kritereve të ndryshëm, të cilët rezultojnë me një të dhënë të përgjithshme.

Në total, vendi ynë ka zbritur 1.2 pikë në indeks, krahasuar me raportin e vitit paraardhës. Performancën më të mirë duket se Shqipëria e ka në drejtim të zbatimit të ligjit. Por dy kriteret kryesore në këtë kategori, e drejta e pronës dhe liria nga korrupsioni i japin vendit tonë një rezultat mjaft negativ, respektivisht me 30 dhe 31 pikë. Referuar indeksit i cili mat të drejtën e pronës, ai ka mbetur i pandryshuar krahasuar me raportin e vitit 2014, ndërsa ai që i referohet lirisë së korrupsionit është regjistruar në rritje të lehtë.

Por, një ndër performancat më negative në këtë raport qëndron në drejtim të lirisë fiskale, e cila është fiksuar në 87.2 pikë, duke shënuar edhe një rënie krahasuar me një vit më parë. Liria monetare duket se mbetet gjithashtu një njollë e zezë për ekonominë shqiptare së bashku me lirinë tregtare, duke shënuar një indeks prej 80 pikësh dhe 87.8 pikësh respektivisht. Pikërisht liria tregtare shënon edhe performancën më të dobët në indeks, pavarësisht faktit se regjistrohet në përmirësim krahasuar me vitin e shkuar.

Raporti i fondacionit “Heritage” vlerëson se ekonomia shqiptare është në duar të sektorit privat, por, gjithsesi, qeveria sipas saj vazhdon të kontrollojë ndërmarrjet kryesore në vend, kryesisht ato në sektorin energjetik.

Në drejtim të tregjeve, fondacioni thekson faktin se sektori i aseteve financiare në vend, mbetet 90% në dorë të sektorit bankar. Kreditë e këqija, në 24%, sipas tij, mbeten një problem që duhet të gjejë një zgjidhje. Sektori bankar në përgjithësi vlerësohet si i mirë kapitalizuar. Për sa u përket rregullatorëve, raporti nënvizon faktin se, pavarësisht reformave të ndërmarra, aspekti burokratik mbetet problem kyç. Të hapësh një ndërmarrje në Shqipëri mund të dojë më shumë se 200 ditë, citon raporti për lirinë ekonomike 2015.

Krahasuar me vendet e tjera të Evropës, vendi ynë zë vendin e 29 ndër 43 shtete. Italia dhe Greqia renditen disa herë më poshtë se vendi ynë në indeksin e përgjithshëm. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria regjistron një rënie në këtë klasifikim,

nga vendi i 54­t në vendin e 63­të.

 

Vërejtjet

Raporti thekson se gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka përparuar në rezultatin e saj të lirisë ekonomike nga 1.7 pikë, me një rritje në gjashtë nga 10 kategoritë e përcaktuara në raport, duke përfshirë lirinë e tregtisë dhe menaxhimin e shpenzimeve publike. Megjithatë, në raportin e vitit 2015, nuk është vijuar tendenca në rritje e lirisë ekonomike.

Dhe sipas raportit kjo rënie vjen për shkak të dobësimit të lirisë në biznes, asaj fiskale dhe në investime. Vlerësimet më të ulëta, Shqipëria i ka marrë në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe të drejtës së pronës.

Raporti bën edhe një panoramë të gjendje ekonomike, duke nënvizuar se ekonomia shqiptare është kryesisht në duar private, por shteti vazhdon të kontrollojë ndërmarrjet kyçe, veçanërisht në sektorin e energjisë.

“Edhe pse investimet e huaja direkte janë rritur gjatë viteve të fundit, niveli i përgjithshëm mbetet ende ndër më të ulëtit në rajon. Reformat e thella strukturore për të diversifikuar ekonominë dhe përmirësuar fleksibilitetin e tregut të punës mbeten kritike për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Të drejtat e pronës dhe liria nga korrupsioni janë të dobët”, – theksohet në raportin e “Heritage”.

 

Qeveria

Qeveria ka rritur normat e saj margjinale individuale dhe korporatave të tatimit mbi të ardhurat. Tatimit mbi të ardhurat është tani 23 për qind, ndërsa ajo ndaj bizneseve është 15 për qind. Arkëtimet e përgjithshme tatimore mbetet 23 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Shpenzimet arrijnë në 28.2 për qind të ekonomisë së vendit, dhe borxhi publik është i barabartë me rreth 70 për qind e të ardhurave.

 

Efikasiteti rregullator

Pavarësisht reformave të fundit, mjedisi i paefektshëm i biznesit ende pengon zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Mesatarisht, nisja e një biznesi kërkon pesë procedura, por marrja e lejeve të nevojshme mund të marrë mbi 200 ditë. Në mungesë të një tregu të punës që funksionon mirë, aktiviteti informal i punës vazhdon. Kontrollet e çmimeve dhe subvencionet qeveritare shtrembërojnë çmimet e brendshme për energjinë elektrike, ujin, produktet bujqësore, dhe transportit hekurudhor.

 

Tregu i hapur

Shqipëria ka një normë mesatare tarifore prej 1,1 për qind tarifor, dhe ka pak barriera jo-tarifore. Promovimi i investimeve të huaja është një qëllim i deklaruar, por ka kufizime mbi pronësinë e huaj të tokës bujqësore. Bankat përbëjnë mbi 90 për qind të totalit të aktiveve financiare të sektorit. Edhe pse sistemi bankar mbetet relativisht i mirë kapitalizuar, kreditë e këqija janë rritur me mbi 20 për qind e të gjitha kredive.

 

Zbatimi i ligjit

Në 2014, Shqipëria u bë një vend kandidat i BE-së, me kusht që ajo të bëjë përparim të mëtejshëm në reformimin e gjyqësorit dhe zbatimit të ligjit për të luftuar korrupsionin e rrënjosur thellë dhe luftën ndaj krimit të organizuar, trafikimit njerëzor, dokumente false, dhe pastrimi i parave. Mbrojtja e pronës intelektuale dhe reale është e dobët, veçanërisht për pronësinë e tokës, sipas fondacionit.

 

Bonot e thesarit, ndryshojnë procedurat dhe adresat e sporteleve

Tregu i bonove të thesarit po shfaq vështirësi në rritje për qeverinë, e cila është në përpjekje për të siguruar borxhin e planifikuar në tregun e brendshëm. Në ankandet e së martës nuk u arrit të sigurohej e plotë shuma e shpallur, si për bonot 12-mujore, ashtu edhe për ato 3-mujore. Nga 15.9 miliardë lekë gjithsej, të shpallura për financim, u siguruan vetëm 13.3 miliardë lekë. Kjo tregon se sistemi financiar dhe sidomos bankat nuk kanë më të njëjtën predispozitë për të rritur investimet në titujt e qeverisë.

Huamarrja e lartë e viteve të fundit ka thithur shumë prej fondeve të lira sistemit bankar. Sot bankat kanë më pak teprica likuiditeti, edhe për shkak të frenimit në rritjen e depozitave. Përmirësimi i ngadaltë i kredisë dëshmon gjithashtu se bankat po marrin më shumë rreziqe në investime me kthim më të lartë, përmes huadhënies për sektorin privat. Pothuajse e gjithë rritja e kredisë për ekonominë ka ardhur në monedhën vendase, fakt që dëshmon se bankat po gjejnë më shumë alternativë në huadhënie.

Ndryshimi i raporteve mes kërkesës dhe ofertës gjatë muajve të fundit, sidoqoftë, ende nuk ka sjellë rritje drastike të interesave. Në ankandet e të martës, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.54%, në rritje të lehtë nga niveli 3.51% i ankandit paraardhës. E papërfillshme ishte edhe rritja e interesave në ankandin e bonove 3-mujore, në 3.23%, nga 3.22% në ankandin e mëparshëm.

 

Rregullat e reja

Këtej e tutje, nuk ka veprime në cash të individëve në Bankën e Shqipërisë për bonot e thesarit apo obligacionet. Duhet të hapësh llogari të posaçme në bankat tregtare. Kështu hiqen kostot e transferimit të parave nga bankat e nivelit të dytë drejt Bankës së Shqipërisë.

Banka qendrore ka eliminuar krejtësisht veprimet me cash në sportelet e saj të bonove të thesarit duke filluar nga data 19 janar 2015, pasi ka vendosur për një sërë ndryshimesh për individët që investojnë paratë në bono thesari. Në një njoftim për shtyp Banka e Shqipërisë njoftoi se, së pari, ka ndryshuar adresën e sportelit të Bankës, por, ç’është më e rëndësishmja, ka ndryshuar edhe procedurat për hapjen e llogarisë së posaçme për bono dhe tërheqjen e interesit.

Sipas njoftimit, duke filluar nga data 19 janar 2015, Banka e Shqipërisë ka aplikuar dy ndryshime në rolin e saj si ndërmjetësuese e investimeve të individëve në bono thesari, duke eliminuar veprimet në cash të individëve.

Sipas BSH-së, tashmë fondet që individët duan të investojnë në bonot e thesarit derdhen pranë bankave tregtare, në një llogari të veçantë, duke shmangur kështu transferimin e tyre për në Bankën e Shqipërisë. Pra, të gjithë ato që duan të investojnë në bono, duhet të kenë një llogari të posaçme në një nga bankat e nivelit të dytë dhe nuk do të bëjnë transferta nga llogaritë e tyre të kursimit. Në këtë mënyrë, ulen kostot e transaksionit të parave, nga llogaria bankare drejt asaj të bonove në Bankën e Shqipërisë dhe kosto e vetme mbetet mirëmbajtja e llogarisë (rreth 150 lekë në muaj) në llogarinë e posaçme në bankë.

Gjithashtu, deri vonë interesat e fituara nga investimi në bono tërhiqeshin në Bankën e Shqipërisë, rreth 7 ditë pas daljes së rezultatit të ankandit, ndërsa tashmë rezultati i investimit (të ardhurat nga interesi), pas mbylljes së ankandit, do të merret në bankën tregtare, ku individi ka llogarinë dhe jo më në sportelet e Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë, kërkesa për pjesëmarrje në ankand përsëri do të vazhdojë të dorëzohet pranë Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë informoi publikun se sporteli i saj në Tiranë për kryerjen e veprimeve me bonot e thesarit është zhvendosur në adresën: Rruga e Dibrës, Kompleksi “Halili”, Kulla A, Kati II. Për informacione të mëtejshme, Banka njofton se individët mund të paraqiten pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë në Tiranë dhe në rrethet Shkodër, Korçë, Lushnjë, Elbasan dhe Gjirokastër.

 

Aeroporti i Dubait, tani më i madhi në botë

 Dubai i dha fund dekadës së sundimit të aeroportit Londër Heathrow, si qendra ajrore kryesore ndërkombëtare në botë vitin e kaluar, nxitur nga rritja e numrit të pasagjerëve në linjën ajrore vendase “Emirates” me flotën e saj, që ka thyer rekord për avionët më të mëdhenj.

Aeroporti ndërkombëtar i Dubait rriti numrin e pasagjerëve 6.1 për qind në 70.5 milionë vitin e kaluar. Pothuajse të gjithë pasagjerët udhëtonin drejt ose nga vende jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas një deklarate të ditës së djeshme, duke e lënë mbrapa Heathrow-n, i cili tërhoqi 68.09 milionë udhëtarë ndërkombëtarë më 2014.

Dubai e ka përdorur vendndodhjen e tij në udhëkryqin gjeografik midis Evropës, Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme për ta pozicionuar veten si bazë për fluturimet ndërkontinentale, me Emiratet tashmë nr. 1 në botë në trafikun ndërkombëtar. Shteti i sheikëve po ndërton një qendër të re në aeroportin Al Maktoum, që një ditë ka të ngjarë t’u shërbejë 200 milionë pasagjerëve, ndërkohë që rritja në Heathrow është penguar nga kufizimet e dy pistave të saj dhe grindjeve politike nëse duhet shtuar një e tretë apo jo.

Megjithatë, riparimet e pistave kanë reduktuar disi kapacitetin e Dubai International me rreth një të katërtën për 80 ditë radhazi gjatë verës së kaluar, duke kufizuar zgjerimin, në atë masë që aeroporti të mos arrinte të ‘mbizotëronte’ shifrën e përgjithshme prej 73.4 milionë pasagjerësh të Heathrow-t, përfshirë edhe 5.3 milionë, të cilët udhëtuan në fluturimet e brendshme.

 

Comments are closed.