Standard.al

Antikorrupsioni/ BE: Ndryshim deklarimit të pasurive, hetim financave të partive. Qeveria: 535 zyrtarë në hetim

Gëzim Saliu

tryeza e korrupsionitRekomandimet e BE-së: Të hiqet çdo formë mbrojtjeje e zyrtarëve të lartë ndaj kontrollit personal dhe banesës, kujdes për llogaritë që fshihen jashtë vendit

Bashkimi Evropian vlerëson se rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Në diskutimin e djeshëm të Projektit për Vlerësimin e Kuadrit Antikorrupsion në Shqipëri, vihej re se rekomandimet e BE-së kërkonin disa ndryshime të rëndësishme në ligjet e vendit që lidhen me masat antikorrupsion. Sipas këtyre rekomandimeve, Kushtetuta duhet ndryshuar për të hequr çdo formë mbrojtjeje apo imuniteti të zyrtarëve të nivelit të lartë nga kontrolli personal apo i banesës. Po ashtu, rekomandohet të bëhen ndryshime në ligjin e deklarimit të pasurisë për të rritur gjobën maksimale, atëherë kur zyrtaret nuk e dorëzojnë deklaratën brenda afateve. Gjithashtu, BE rekomandon që ndalimi i të ardhurave të zbatohet për të gjitha dhuratat mbi një vlere prag të caktuar. Ndërkaq, një tjetër rekomandim lidhet me kërkesën për nisjen e kontakteve mes Agjencisë antikorrupsion dhe njësitë e inteligjencës financiare më të rëndësishme të vendeve të rrezikut, duke marrë si shembull Qipron për të shkëmbyer të dhëna kur llogaritë fshihen jashtë vendit. “Korrupsioni është kriminal dhe imoral. Rezultatet e prekshme në luftën kundër korrupsionit janë element qendror për Shqipërinë për të lëvizur në hapat drejt integrimit. Korrupsioni është një problem që nuk mund ta injorojmë, pasi promovon ndër të tjera pabarazinë ekonomike, ushqen krimin e organizuar, ndalon efiçencën e institucioneve publike”, – u shpreh ambasadorja Vlahutin.

 

Masat

Sipas kreut të njësisë për Shqipërinë në DG NEAR të Komisionit Evropian, zero tolerancë ndaj korrupsionit është çelësi për zhvillimin e vendit. “Përveç angazhimit duhet dhe teknologjia e duhur për të arritur rezultatet e nevojshme. Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit është çështje kyçe në agjendën e zgjerimit dhe një nga shqetësimet kryesore që duhet trajtuar në Shqipëri. Tani është thelbësore të shohim përpjekje bindëse, progres të qëndrueshëm, si dhe rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në këtë fushë”, – tha Maragos. Ndërkaq, në fjalën e tij ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, bëri të ditur dje se së shpejti pritet të miratohet një plan 3 vjeçar që vendet do të ndërmarrin në tri vitet e ardhshme. Sipas ministrit, janë mbi 500 raste të zyrtarëve nën akuzën e korrupsionit, porse Prokuroria, sipas tij, nuk duhet të stërzgjasë procesin e hetimit apo edhe më tej, ta mbyllë atë. “Qeveria do ketë vullnet të palëkundur kundrejt reformës. Ka një numër i madh zyrtarësh të referuar në organet e hetimi, janë 535 të tillë, mes të cilëve një numër i madh zyrtarësh të lartë, për korrupsion. Unë mendoj që hetimi nuk duhet stërzgjatur apo mbyllur, duhet vullnet i plotë nga të gjitha hallkat për të bërë shembull që lufta kundër korrupsionit do të japë fryte. Bërja shembull, ndëshkimi duhet të jetë reflektim i shumë aktorëve jo vetëm qeverisë”, – u shpreh ministri Çuçi, duke pohuar se javën e ardhshme qeveria do të ketë gati paketën antikorrupsion ku pritet të prezantohet një fushatë e madhe kundër Korrupsionit.

 

 Ligji për medaljet/ Fino e kap me kamerat, Xhafaj: Ç’ke më të shkretët, të papirë janë

Në diskutimin e ligjit për medaljet në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti Bashkim Fino shprehu kritika ndaj mënyrës së vendosjes së kamerave në sallë, pasi, sipas tij, pengonin lëvizjen e deputetëve dhe i rrinin mbi kokë. Në debat me kreun e Komisionit, Fatmir Xhafaj, Fino kërkoi që të merreshin masa, ndërsa u largua nga salla në mënyrë demonstrative.

 

Debati
Fino: Siguroju një vend kamerave! Jo këtu, se rrinë deputetët.
Xhafaj: Dakord.
Fino: Si dakord, se na bien në kokë!
Xhafaj: Dakord, kamerat të qëndrojnë pas të ftuarve, madje të vijnë pas meje, Garda le t’i lërë, s’ka problem le të më godasin mua.
Fino: Mirë vazhdoni…
Xhafaj: Po ç’keni more! Këta të shkretët vijnë të qetë, lodhen, të papirë janë, nuk janë agresivë, nuk fyejnë njeri, nuk bëjnë ironi, ju merreni me këta.
Mediu: Çfarë ke me Bashkimin?
Xhafaj: Jo, nuk kam gjë me Bashkimin, ai ka të drejtë se e pengojnë në hyrje-daljet sa kohë që nuk është ndërtuar një sallë që, dreqi e mori, nuk është sallë.
Fino: Kamerat duhet të jenë poshtë fare… (largohet nga salla e mbledhjeve)
Ndoka: Duhet…
…Po prishe more Nard, propozo një ligj si ato të tjerat.
Ndoka: Deshi ta prishte Jozefina po nuk i doli koha.

 Raporti mbi liritë ekonomike/ Basha: Klima armiqësore ndaj biznesit dhe taksat e rritura larguan investimet e huaja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje pas publikimit të raportit të vitit 2014 për liritë ekonomike, i cili e renditi Shqipërinë 9 vende më poshtë në hierarkinë botërore. Sipas kryedemokratit, ky është një lajm që vërteton se qeveria po largon investitorët me politikat e saj fiskale. “Imazhi i vendit eshte demtuar. Investimet e huaja po largohen nga klima armiqesore ndaj biznesit, taksat e rritura, mungesa e konkurences, dhunimi i prones dhe pasiguria ligjore. Goditja e sipermarrjes vendase dhe shkurajimi i investuesve te huaj kane sjelle renien e investimeve ne nivele rekord. Per pasoje mijera shqiptare kane humbur vendet e punes dhe u jane shtuar qindra mijera te tjereve qe kerkojne por nuk gjejne asnje mundesi punesimi. Gjendja ekonomike e njerezve është sot ku thërret qameti. Modeli Rama-Meta i taksave të larta e tarifave të rritura në kohë krize vazhdon t’i varfërojë qytetarët, vazhdon ta zhysë ekonominë”, – tha Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së tha se ky realitet bën thirrje për reflektim të mazhorancës përkundrejt qëndrimeve të saj aktuale. “Shkaktari dhe pergjegjesi numer nje per kete gjendje dyfishon pranine e tij ne ekrane ku si kendez ju kendon suksesve imagjinare te Shqiperise se tij virtuale. E ka kot. Nuk mund ta zhurmoje me klithjen qytetare të përkeqësimit. Nuk mund te shuaje zerin e opozites. Nuk mund ti fshehe konstatimet e perditshme te perkeqesimit nga institucionet nderkombetare. Zeri i qytetarëve, zëri i së vertetës po ngrihet cdo dite e me i forte. Ashtu si dje ne protesten kombetare kunder cmimit te karburantit ne do te jemi ne krah te interesave te qytetareve, ne balle te protestave te tyre. Te enjten qeveria ka shansin te nise korrigjimin e kursit duke anulluar rritjen e takses se qarkullimit dhe duke ulur me 14 perqind cmimin e energjise elektrike sic vete premtoi ne fushate. Ne te kundert do te perballen me forcen e bashkimit te shqiptareve qe refuzojne te trajtohen si kavje, te mashtrohen, te dhunohen dhe te poshterohen nga nje grusht oligarkesh. Durimit te njerezve ju ka ardhur fundi”, – u shpreh Basha.

 

 Takimi me investitorët/ Rama: Miratojmë së shpejti ligjin për turizmin dhe atë për investimet

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje para komunitetit të investitorëve se qeveria do të vazhdojë të marrë masa aktive për lehtësimin e klimës për biznesin. Në takim, kreu i qeverisë bëri të ditur se do të miratohen së shpejti dy ligje të rëndësishme ai për investimet dhe ligji për turizmin. “Qeveria është me e besueshme sepse ne duam të bashkëpunojmë për të mbajtur premtimet tona dhe krijuar një mjedis të përshtatshëm në Shqipëri që është tërësisht i mundur. Na duhet të hartojmë paketa të propozuar nga ju në mënyrë që t’u lehtësojmë punën tuaj dhe rritur bashkëpunimin”, – tha ai. Më tej Rama pohoi: “Programi ynë ekonomik është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore: nga njëra anë vetëdija jonë, që kishte ardhur koha për të kthyer faqen dhe mbajtur përgjegjësi për kthimin e borxheve në sektorin privat dhe nga ana tjetër, bazuar në bindjen tonë që kohë mjaft të vështira për ekonominë mund të kalohen nëpërmjet ndërtimit të partneritetit”.

 

Comments are closed.