Është një zë pa kompromisin e fjalës, por me gjuhën e lirë të mendimit, poetja Enkeleda Ristani krijon një ajër të pastër poetik, që ndez të vërtetën, përballjen, skizmën e ndrydhjes, duke ndarë botën nga shpirti si një frymë krejtësisht organike me realitetin. Janë të rralla këto ndjeshmëri, të një lirike të ashpër që reflektojnë brezin, kohën duke u kthyer në një sublimitet të shprehjes. Më poshtë, disa poezi të pabotuara të Ristanit e japin të plotë këtë atmosferë estetike edhe duke u angazhuar
***
Ti nuk do të më duash kurrë si atë
Dakord, më thua, por ty të dua si ty,
Me një dashuri të virgjër
Dashuritë nuk janë kurrë të virgjëra, të them
zhvirgjërohen në aktin e parë
të lotëve të ngrohtë
që tenton t’ia rrëkëllesh asaj
me buzët e tua
asaj që nuk jam unë
Fjalët e para
Përkëdheljet e para
Shpikjet e para me gërma të njohura por me kuptime të panjohura
kodime intime
si gjuhë e huaj
që s’mund ta kuptoj askush
rreziku për t’u bërë qesharak nga jashtë
mbushja e rimbushja përsekondëshe që s’ka nevojë për t’u parë
nga brenda
prekja e majëgishtave në lëkurë
kadifeja e pushtë që rrënqethet nga fryma jote
gjithçka që laget
pore më pore
shikimi yt i sfilitur brenda të njëjtës hyrjeje shpellare
Ti që je i njëjti njeri i egër
jo i egër, i butë
por i njëjti sidoqoftë
bën të njëjtat shenja në trup
pastaj vizaton për të rrëfyer më shumë
pastaj toka rrotullohet me sindromën e përhershme
që i është bërë cipë e trashë
dhe pastaj më kot kërkon të shohësh njolla gjaku në çarçafë
u derdhën në sifonin e banjos së kohëve moderne
fshehurazi teje
dhe ti s’je i verbër
por virgjërinë nuk mund ta shohësh më kurrë
Dashuria jote u zhvirgjërua një herë kur nuk e shpike ti
as dashurinë as virgjërinë as zotin as atë
Mbështete kokën tek mua, më thua
kam një anë kraharori të virgjër, gënjen, e kam ruajtur për ty
Dhe unë besoj
Gënjeshtrat janë gjithherë me shtat të bukur
Vishen bukur
Krihen bukur
Ecin bukur
Dhe ndalen në kokën time
Mbi flokët e mia të argjendtë
që nuk kanë mend
veç dëshirë për të vdekur nën gishtat e tu
Ti nuk do më duash kurrë si atë
sepse tani gjithçka është si një akt ripërsëritës
si një akt seksual, e di?
Gjenitalet janë po ato: muskuli yt, e thelluara ime dhe rruga
e lirë para nesh, pas saj…
***
Qytetet u shpikën për t’u rizbuluar
Kush e bënte i pari
e kalonte gojë më gojë
kështu u shpik edhe stafeta
edhe vrapi për të gjetur diç në fund të rrugës
edhe zhgënjimi kur fundi i rrugës nuk ka fund
pastaj udhëkryqet
Të gjitha për tu zbuluar duke u djegur
Kush nuk u dogj nuk mësoi
Pastaj tabelat e para
përjetime të metalta me shigjeta
pastaj përtesa për t’u djegur dhe për të mësuar
tabela të shkruara mbi të parat
me shkrim të shtrënguar
i njëjti tekst
ndryshon vetëm asgjëja e bërë pirg
Kështu u shpikën malet
pastaj malet u ngarkuan mbi shpinë
pastaj shpinat u kërrusën
dhe barqet u thelluan
Dhe lindën detet
kur barqet u mbushën me lot nga pesha e shpinës
dhe detet nisën të pihen
dhe njerëzit nisën të dehen
pastaj këmbët nuk mund t’i mbanin
Dhe nisën të shijojnë dheun
dhe dheu kishte shije molle të kafshuar keq
Kur njerëzit panë këtë u trembën dhe thirrën në kor…
Zoti qeshi me të madhe
sapo kapërceu orgazmën profetike
shpikur më në fund nga njerëzit…
***
Anës Lanës nuk humbet asnjëherë,
edhe kur ke frikë
edhe kur do të humbasësh
Ky barboni qenka simpatik
me flokë të gjatë
Më kanë pëlqyer gjithmonë djemtë me flokë të gjatë
vetëm se paska shumë bagazhe
Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që është shtruar aty
mbi trotuar
mbi këmbë që duan ta shkelin por u vjen ndohtë
Jam një dështake
duhet ta pranoj këtë
Ja e pranova
por asgjë nuk ndodh pas kësaj
Barboni në rrugë është më i qenësishëm
mban frymë aromëmbrëmjeje
Shoh kalimtarë në rrugë
që ecin me shpinë
Asnjë shpinë nuk është e deshifrueshme
as të ndenjurat e tyre nuk janë
as modelet e flokëve
Ecja mbase
kam gjithë kohën e botës tu lexoj ecjet
të flas me to
Ecja ime e papunë është moskokëçarëse
për ecjet e tjera
di ti fshihet frikës se mos ngatërron rrugën
tabelat me drita masin kohën time frymëdal
i rrjedhin edhe shkronjat, edhe numrat
Çdo hap është qindarka të humbura në tabelat e kazinove
që kanë hedhur jetën në lojë
Çfarë di të bëj që të kem fat në lojë?
As fillestaren
E humba fatin e saj që kur nisa të shoh ëndrra me zgjim
Në trotuarin anës lumit nuk ecën askush
Pse, dreqin?
Frika është si errësira
të gllabëron pastaj të prezantohet
Sa shumë trafik mendimesh që i fsheh kaq mirë
dhe prapë udhëtimi im është pa asnjë semafor të gjelbër
Bëka natë barboni flokëgjatë sot
vetëm se ka shumë bagazhe
ndaj i është ulur trotuarit ku hapat e mi i kanë duart bosh…
***
çfarë do bëje ti sikur unë të ikja befas
me dhjetëshen e parë të zogjve shtegëtar?
a do të më bindje ta lija rreshtimin në amullinë
e kujtesës me kthim të gjithmontë
me ikje të përhershme?
ti që flet me zogjtë
këndon me zogjtë
a do të guxoje një ditë tu bëje tekstin e këngës së ardhjes
në festivalin e ndërtimit të foleve
gjithmonë nga e para?
sot është zyrtarisht vjeshtë, i dashur
edhe pse gjethet mbahen akoma mbi degë
me hundën e zverdhur nga inati
për të mos u dorëzuar
unë nuk jam zog
jam vetëm një pupël e përgjakur
që era e rrëzoi poshtë
nga trupi i ikjes
nga trupi i të parit zog
në tufën me trembëdhjetë zogj
që s’kanë atdhe…
***
Mbi trupin e saj shkelën trupa të huaj
Pa kombësi
Ajo nuk foli
Vetëm rënkoi
Perëndoi sytë nga lindja e diellit
Dhe u prish me të vjella stomaku të prishur
Të gjitha orgazmat e saj ishin marifetet e historive
Të stisura me sy të mbyllura
Trupat e huaj ishin një grumbull mishrash të fryrë
Që kërkonin ndihmë
Në detërat e nxehtë të jugut
Një breg kofshësh a barku
Dy ishuj gjinjsh
Dhe uri midis vaktesh
Gjithë pjesa tjetër shkreti mediatike
As lajm, as kronikë e zezë, as reportazh lufte
me të vrarë
Në fushbetejën me marinar të humbur
E shkelën të huajt trupin e saj
Si qentë që dhjenë dëborën e parë
Dhe ajo u prish
Nga mendtë, nga stomaku
A nga shkumëzimi i dallgëve të jugut…
***
kur të kem kohë do të tregoj për një grua
për një qytet dhe për një kurvë
për një tubim feministesh që i drejtonte një burrë
feminist edhe ky sigurisht
për një komunitet homoseksualësh të mbushur me bythën e vet
për miqësitë e shprishura
për interesat që vërtisin botët
për botët të futura në matrioshka të lodhshme
gjithmonë e më zhgënjyese
për kompromiset e zëshme e nënzëhi
madje edhe për ato pa zë fare
për balancat që gjënë më të mërzitshme kanë ekuilibrat
për delirimet e turmave kur ciket ekuilibri e thyhet në mes
për kokëngjeshjet e kokave të të gjitha llojeve
atyre sipër e atyre poshtë
dimensionet e matura me grusht apo të rëna me grusht
kapardisjet e plehut për kokëboshjen e kokoshit
dhe këngën e kokoshit për glasën e mëngjesit
mbi turrën e plehut
do të tregoj për një gomar dhe një qen bir qeni
për sorrën e bardhë që leu pendët në sterrin e natës
dhe hardallosi parlametin e Pyllit të Nëmur
për një kallëp djathi me krimba që nuk ishte sapun
por e shiste djalli me etalonin e vet
edhe për sapunin që sulmon krimbat parazitarë
në vrimat e pambrojtura më
për një burrë të vogël që s’bën pjesë në asnjë nga elitat
psikopatologjike të parritjes dhe për një pijanec
për dalldisjen e shirave kur fërkohen retë
dhe për hënën masturbuese
për gjoksin me lesh përherë të zhuritur të diellit
dhe për spermën e mbetur në penisin e një dashnori
që nga hera e fundit kur kishte bërë seks me gruan
për prishjet pa leje të një femre në shtratin e saj me gjëmba
për komeditë telefonike që në pikë të mëngjesit
me të afërmit provincial
për llogaritë e bëra me gishta
për shkak të teorisë shqisorofilozofike të Lokut
për katedralet dhe xhamitë që adhurojnë zotin kur kanë larë duart
me njerëzit
dhe gjakun e klasifikojnë midis të ngurtës dhe të lëngëshmes
në habitatin naftmbajtës me ngjyrë kanceri
dhe po të mos kem vdekur duke të treguar
do të lutem që me frymën time të mbetur
të shkruash epitafin e fundit mbi gurin e varrit tim kurizdalë:
këtu prehet për pak harrim
njëra nga format e vdekjes së harruar