Standard.al

Terrorizmi dhe krimi/ Kuvendi thërret në seancë dëgjimore Tahirin dhe Ajazin. Braho: Pakti detar do rinegociohet

Gëzim Saliu

 spartak braho“Ngjarjet e Francës kërkojnë një riangazhim drejt strukturave të sigurisë kombëtare të shtetit shqiptar”

Kuvendi do të thërrasë në seancë dëgjimore në nisje të muajit të ardhshëm ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, lidhur me çështjet e terrorizmit dhe rendit publik. Përkatësisht në Komisionin e Sigurisë në datë 2 shkurt do të raportojë Tahiri e ndërsa më datë 10 të po këtij muaji do zhvillohet seanca dëgjimore me Ajazin. Ishte kreu i këtij Komisioni Spartak Braho, i cili bëri të ditur dje rëndësinë e thirrjes së këtyre seancave dëgjimore, duke theksuar se situatat aktuale ka elementë shqetësues sa i përket rendit dhe terrorizmit. Seanca me ministrin e Brendshëm për një raportim normal të tij. Janë disa raportime për të cilat komisioni thërret Ministrinë e Brendshme, Drejtorin e Përgjithshme të Policisë, Shërbimin Informativ, Drejtorinë e Pastrimit të Parave, lidhur me problematikën e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar që është një problematikë… Ka element konkret që mund të gjykohen shqetësuese. Fakti që kemi disa ngjarje të rënda kriminale që lidhen, jo vetëm me zbulimin e arsenalit të madh të prodhimit të drogave, por edhe me ngjarje të tjera siç është përdorimi në aksione kriminale të eksplozivit. Por ju shikoni se ngjarjet e Francës kërkojnë një riangazhim drejt strukturave të sigurisë kombëtare të shtetit shqiptar”, – u shpreh Braho. I pyetu lidhur me valën e shpërthimeve me tritol dhe nëse diçka po çalon në problematikën e sigurisë dhe rendit në vend, kreu i komisionit të Sigurisë u përgjigj duke pohuar: “Jo, nuk besoj se po çalon. Është një dinamikë që po ripërsëritet. Policia ka arritur suksese të rëndësishme në këtë periudhë, por edhe krimi është në ofensivë. Gjykoj që goditjet do të jenë të forta pasi janë marrë të tëra masat për zbulimin e autorëve, por edhe për zbulimin e këtyre grupeve kriminale që shpesh herë veprojnë me porosi për të krijuar këtë situatë”.

 

Greqia dhe deti

Sa u përket zgjedhjeve të zhvilluara në Greqi dhe rezultatit, Braho tha dje se zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë të vështira. “Unë i uroj fitoren e Syrizas dhe të Tziprasit. Ju shtroni problemin nëse cenohet siguria kombëtare, nuk ka asnjë problem”, – u shpreh ai. Ndërkaq i pyetur lidhur me paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe faktit se ka mbetur si një çështje e panegociuar, kreu i Komisionit të Sigurisë tha: “Pakti detar, kushdo që të jetë Kryeministër do të rinegociohet dhe kam përshtypjen se Syriza ashtu si edhe të majtët e tjera, këtë shprehjen radikal nuk e kuptoj se përse është fjala, do të jetë i bindur për këtë rinegociom në interes të zgjidhjes së këtij problemi që nuk është problem shqiptar, por është problem dy palësh. Të dyja vendet kanë interes për ta zgjidhur”.

 

 Mbledhja e grupit të PS-së/ Zbardhen tre emrat e anëtarëve të së majtës në KQZ. Vendimi për dy vendet në Gjykatën e Lartë

Mazhoranca zgjedh tre emrat që do të plotësojnë vendet bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, të drejtuar nga Kryeministri Rama janë konfirmuar emrat me të cilët e majta do të plotësojë vendet bosh në KQZ. Kështu, Denar Biba do rikthehet në postin që mbante para se të jepte dorëheqjen, duke u bërë zv.kryetar i institucionit kryesor zgjedhor. Anëtarja tjetër e përzgjedhur nga PS-së është Edlira Jorgaqi, aktualisht drejtore e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Më parë, Jorgaqi ka qenë propozuar nga ish-presidenti Bamir Topi për anëtare në Gjykatën Kushtetuese, por u rrëzua asaj kohe nga shumica e djathtë. Ndërsa emri i anëtarit të tretë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku është vendosur këshilltari ligjor i Kryeparlamentarit Meta, Gëzim Veleshnja. Në këtë mbledhje, grupi socialist diskutoi edhe dekretet e Presidentit për dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë. PS vendosi që të kundërshtojë në Parlament emrat e Fuat Vjerdhës dhe Markelian Kocës, duke rrëzuar sërish kandidaturat e kreut të shtetit.

 

Comments are closed.