Standard.al

Flet Kryeministri/ Rama: Bisedat me Metën lidhur me 21 Janarin. “Xibraka” nuk u zbulua nga gjermanët

rama shqipKryeministri: Mamaja ime ka mundësitë për spital privat, operacion prej 7 orësh. Çfarë është shkatërruar në vite të tëra, nuk mund të japë rezultate të dëshiruara në një kohë të shkurtër

Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi dje se përkundrejt kritikave dhe akuzave lidhur me çështjen e 21 Janarit dhe bashkëpunimit me LSI-në, mazhoranca është e bindur për të gjetur drejtësinë lidhur me këtë çështje. Në një intervistë për emisionin “Shqip” në “Top Channel” të gazetares Rudina Xhunga, kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe lidhur me aksionin në laboratorin e drogës në Xibrakë. Po ashtu, Rama komentoi edhe kritikat për operimin e së ëmës në një spital privat si edhe për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

 

Si ju duket fitorja e Tziprasit?

Zgjedhje e lirë e popullit grek, për shkak të një stërlodhjeje nga politika shumë e shtrënguar monetare dhe besoj edhe nga një klasë politike që u ezauarua, për shkak të krizës që u provokua vetë. Pilafi i madh grek, i gatuar me vite të mashtrimeve statistikore.

 

Mediat kanë bërë publike se për 21 Janarin, një natë para përvjetorit, një përfaqësues i qeverisë ka negociuar deri vonë për marrëveshje për dëmshpërblimin e jetëve të humbura…

Qeveria nuk ka në dorë të përcaktojë një dëmshpërblim që e përcakton gjykata dhe praktikisht familjet do ta çojnë përpara në rrugë gjyqësore. Asnjëherë nuk kanë ardhur të kërkojnë prej nesh shifra të tilla. E vetmja gjë që kërkojnë, është drejtësi, ende sot e munguar për 21 Janarin.

 

Kanë të drejtë shqiptarët të dinë ç’ndodhi atë ditë në zyrë, në Kryeministri?

21 Janari është një krim politik, një krim shtetëror dhe që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet në rrugën e drejtësisë, por është një nga ato krimet për të cilat drejtësia vonon, por nuk harron. Ndihem i neveritur nga komentet e hienave që jetojnë me një formë të ulët të të bërit propagandë apo informacion që në këtë 21 janar i veshën padrejtësisht qeverisë sonë mëkatin që ajo nuk e ka. Mëkatin që ne e kemi harruar 21 Janarin, që nuk po e zbardhim.

 

Nuk i keni bërë asgjë, keni dhënë vetëm pension?

Kjo është e pavërtetë, kjo është doza e deformuar e informacionit. Muaj më parë, MB i është drejtuar Prokurorisë me një kërkesë konkrete për të rihapur çështjen e 21 Janarit.

 

Pra, vetëm të kërkoni?

E nuk jemi as Prokurori dhe as Gjykata, ne mund të kërkojmë. Kemi gjetur një kënd dhe po punojmë edhe nga një kënd tjetër për të angazhuar një studio ndërkombëtare, por ne nuk kemi reshtur së kërkuari rihapjen e çështjes dhe gjykimin e saj me themel për të nxjerrë çdo përgjegjës.

 

A flisni për 21 Jjanarin me z. Meta?

Mund t’ju them se qëndrimi i kryetarit të Kuvendit është ai që është bërë publik, i aleancës, që drejtësia duhet ta zbardhë deri në fund 21 Janarin dhe çdo fajtor duhet të ndëshkohet. Është një përpjekje shumë e ulët për atë që është sot, një pengesë objektive para nesh që është sistemi i drejtësisë që ne kemi. Bashkëpunimi im me Ilir Metën nuk është pengesë për këtë.

 

Institucion është kreu i opozitës, pse nuk e prishni traditën që kundërshtari nuk është armik?

Nuk më ka qëlluar rasti t’i jap dorën, s’do ta kisha problem.

 

Droga e zbuluar në Elbasan ka lidhje me luftën brenda llojit brenda së majtës?

Ne jemi shumë krenarë që nga përfaqësuesit e një vendi të rëndësishëm të njollosur me hijen e vendit që prodhonte drogë ditën për diell dhe pafuqisë për ta luftuar atë, sepse ishin pjesë. E kemi kthyer Shqipërinë në një vend që admirohet nga partnerët për luftën e vendosur kundër krimit dhe kundër drogës në veçanti.

 

Nuk e zbuluan partnerët gjermanë këtë?

Jo, nuk e zbuluan ata. Si mund të ndodhë që të akuzohet një qeveri pse po kap drogën dhe më lejoni t’ju them edhe sikur të ishte e vërtetë që pjesë e atyre që kapen të jenë pjesë e familjes tonë politike, që të jenë pjesë e Parlamentit, do isha krenar që kjo polici nuk fal askënd, por kush i del përpara, ballafaqohet.

 

Çfarë njohjeje keni me familjen e Ilir Hoxhës?

Pyesni sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, atë që fuste duart në kuti, se ai ka qenë avokati i Ilir Hoxhës. Policia u lajmërua nga partnerët në mesin e nëntorit të vitit të shkuar për një person që në gjykimin e tyre merrej me trafik dhe mbi bazën e këtij informacioni kanë zbuluar të gjithë fillin dhe zyrtarisht në mes të dhjetorit bazuar në të gjithë punën u arrit që në një kohë rekord të zbulohet i gjithë rrjeti.

 

Qamil Zela, me 35 mijë lekë të vjetra, u fut në burg si debitor dhe vrau veten nga depresioni?

Kjo është e pavërtetë, është pjesë e një pabesie të madhe në lidhje me të vërtetën. Nuk hyn askush në burg se ka borxhe ndaj kompanisë, në burg, sipas Kodit Penal, shkohet kur e vjedh energjinë. Kur ke borxhe, të pritet. Kushdo që i nënshtrohet një procesi dhe përfundon mbrapa hekurave, kalon përmes prokurorisë dhe gjykatave.

 

Por sistemi jeni ju, ju e futët këtë, që të futesh në burg kur vidhet energjia?

Kemi ndryshuar Kodin, që vjedhja të mos dënohet më me gjobë, por me burg.

 

Është burgu zgjidhja?

Ç’domethënë kjo? Burgun nuk e shpikën ne. Mos bëjnë sjellje penale dhe nuk shkojnë në burg.

 

Po ata që s’kanë mundësi të paguajnë?

Mjaft më me këtë alibi, mjaft më me këtë turp. Për një popull që do bëhet pjesë e BE-së, për të ardhmen e fëmijëve tanë s’duhet thënë më që s’e paguaj dot se s’kam lekë. Pjesa dërrmuese që kanë shkuar prapa hekurave për energjinë janë njerëz me biznese. Sot një nga punonjësit më thotë se më ka ardhur fatura e energjisë 40% më e ulët se më parë. Çfarë ka ndodhur? Të gjithë shkallës i ka ndodhur e njëjta gjë, sepse i janë prerë vjedhjet që i bëheshin sistemit të përbashkët nga lokalet poshtë.

 

Ju personalisht çoni nënën tuaj në një spital privat, s’besoni tek sistemi?

Për fat të mirë, ime më e ka mundësinë të shkojë në spital privat për të bërë një operacion jashtëzakonisht të rëndë, që zgjati 7 orë e gjysmë. Qytetarët që shkojnë në spitalet private, e kanë këtë mundësi. Unë jam në këtë detyrë, për të bërë të mundur që edhe spitalet shtetërore të arrijnë standardet. Çfarë është shkatërruar në vite të tëra, nuk mund të japë rezultate të dëshiruara në një kohë të shkurtër. Sot shërbimi në spitale është shumë më i mirë se ç’ishte 1 vit e gjysmë më parë.

 

Kur ju flisni për spital privat, z. Naço flet për burgje private, flitet për arsim privat. Mos keni ide të tjera të ndryshme me të majtën?

E majta që thoshte që shteti do t’i bëjë të gjitha, ka vdekur. Ne i përkasim asaj të majte që është e majta e Toni Blerit dhe që nisem nga një parim shumë i thjeshtë: jo çdo që është e majtë funksionon dhe nëse diçka që quhet e djathtë funksionon duhet bërë pavarësisht se është e djathtë.

 

Është politike beteja që keni nisur me kreun e Bashkisë së Tiranës?

Bashkia s’ka pasur asnjë kryetar Bashkie që prej vitit 2011. Mjafton të dilni të shihni dhe nuk del asgjë e bërë prej tij, përveç asaj panines jeshile në shesh.

 

Meqenëse nuk folët, nuk po ju pyes as për garën e Bashkisë së Tiranës.

Një gjë është e sigurtë, që në 21 qershor Tirana do ketë kryetar, do rikthehet kryetari apo kryetarja e Bashkisë.

 

Do jetë i PS-së apo LSI-së?

Janë dy parti dhe një fuqi, një aleancë për të transformuar një herë e përgjithmonë vendin.

 

Comments are closed.