Standard.al

Dosja/ Atentati kundër Emiljano Shullazit kalon për hetim te Krimet e Rënda

Alma Çuka

 Emiljano-Shullazi-300x231Dyshohet se atentatorët janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal. Te Krimet kaloi edhe ngjarja e së njëjtës datë, e 5 janarit, tek Rruga e Kavajës

Kur kanë kaluar 20 ditë nga dy ngjarjet e rënda që tronditën kryeqytetin, fatet e zbardhjes së atentateve i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda. Burime nga ky organ bënë me dije se do të jenë hetuesit e këtij institucioni ata që do të bëjnë të mundur hetimin e mëtejshëm të ngjarjes së ndodhur në datë 5 janar në vendin e quajtur Qafa e Kasharit. Në këtë datë, mbeti i plagosur shtetasi Emiljano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani. Vendimi për të kaluar hetimet si pjesë e krimeve të rënda erdhi si pasojë e verifikimeve të shumta që janë bërë gjatë kësaj periudhe dhe faktit se dyshohet që atentati ndaj Shullazit dhe mikut të tij të jetë organizuar nga pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Burime të Krimeve të Rënda thanë për “Standard” se ende nuk mund të flasin për emra konkret, ndërsa shtojnë se po punohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për të gjetur të dhëna konkrete. Aktualisht po punohet mbi provat e sekuestruara në vendin e ngjarjes mbrëmjen e 5 janarit. Janë marrë në pyetje dy të plagosurit. Ndërsa vazhdon të bëhet lidhja mes të plagosurve dhe personave që mund të kenë pasur konflikte të mëparshme me ta. Në të njëjtën gjykatë ka shkuar për hetim edhe dosja që mban brenda fakte të hetimit për ngjarjen e së njëjtës ditë tek Rruga e Kavajës.

 

Veçimi

Bëhet me dije se dy dosjet në fjalë do të hetohen të ndara. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton se ato të kenë lidhje edhe pse pati dyshime të shumta për mënyrën se si është kryer krimi dhe për orarin e dy ngjarjeve në të njëjtën ditë. Hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë qenë në momentin e ngjarjes në rrugën e Kavajës, ku një efektiv policie qëlloi mbi atentatorin duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa mbeti i plagosur. Ndaj efektivit të policisë rëndon akuza e vrasjes me dashje, ndërkohë që nuk u mor parasysh fakti se ai qëlloi mbi atentatorin duke parandaluar një krim të dyfishtë. Fillimisht u aludua se atentatori që mbeti i vrarë të ishte vrasës me pagesë. Por nga hetimet e deritanishme nuk ka të dhëna të reja. Po tek krimet e rënda është duke u hetuar edhe kallëzimi i bërë nga një deputete e djathtë kundër shtetasit Emiljano Shullazi. Dyshohet se Shullazi ka kërcënuar përmes deputetes kreun e Opozitës. Ai i ka kërkuar deputetes të lajmëroi shefin e saj të mos i përmend emrin se ndryshe do të ketë punë me të. Menjëherë pas këtij mesazhi kanë filluar veprimet. Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi mori në pyetje deputeten delegoi materialet policisë për veprime të mëtejshme që lidhen me marrjen në pyetje të personit në fjalë dhe veprime të tjera procedurale.

 

Vendimi/ Apeli rikthen në detyrë ish-nëndrejtorin e Policisë Erzen Breçani

U largua nga detyra në muajin nëntor të vitit 2013, menjëherë pas ardhjes në pushtet të majtëve dhe pas një beteje më shumë se njëvjeçare ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit fiton të drejtën për t’u rikthyer në detyrë. Vendimi për t’u rikthyer në punë mori formë të prerë dje në Gjykatën e Apelit Administrativ Tiranë. Ndërkohë, më parë Breçani fitoi rikthimin në punë edhe nga shkalla e parë e gjyqësorit. Sipas vendimit të Gjykatës, Erzen Breçani duhet të rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit. Apeli Administrativ shfuqizoi urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, për të larguar Breçanin, duke e konsideruar të paligjshëm. Erzen Breçani do të marrë edhe të gjitha rrogat që nga moment i lirimit. 11 drejtorë të tjerë të policisë së qarqeve u liruan brenda tri ditëve.

 

Vetëvrasjet/ Elbasan, Shkodër, Tiranë, dy vetëvriten, një bie aksidentalisht, në gjendje të rëndë

 Një kryefamiljar nga Elbasani i ka dhënë fund jetës në rrethana ende të paqarta. Burime të policisë bëjnë me dije se viktima është një burrë i moshës 40-vjeçare, i martuar dhe me fëmijë. Nga të dhënat e para mësohet se 40-vjeçari në gjendje të rëndë depresive si pasojë e kushteve të vështira ekonomike, i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm, duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit ku jetonte. Pavarësisht çdo ndihme të dhënë, viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra. Një tjetër burrë i moshës 44-vjeçare nga Shkodra i ka dhënë fund jetës. Mbrëmjen e së dielës është gjetur i vetëvarur me litar në ish-banesën e tij të vjetër e cila nuk banohej prej kohësh, në lagjen “Ahmet Haxhija” 44-vjeçari A. B. Burime zyrtare nga policia thanë se nga hetimet e kryera rezulton se kufoma ka një brazdë strangulacioni në qafë me drejtim oblik, karakteristikë e vetëvarjes dhe se dëmtime të tjera nuk ka. Kanë qenë të afërmit ata që kanë gjetur trupin e pajetë, pa mundur t’i vijnë dot në ndihmë. Sipas deklarimeve të tyre dyshohet se viktima ka pasur probleme depresioni. Ndërkohë, një punëtor i moshës 48-vjeçare ka rënë nga lartësia e pallatit ku punonte, duke bërë që të ndodhet në gjendje të rëndë. Hider Hidaj ka qenë duke punuar në një pallat në ndërtim në fshatin Qesarakë të Tiranës, ku ka rënë nga skelat e instaluara dhe ndodhet në gjendje kome në QSUT. Nga ana e uniformave blu ditën e djeshme si përgjegjës për këtë ngjarje u bë arrestimi i Sotiraq Kalaveshit, 56 vjeç, banues në Tiranë, pronari i firmës “Delta 1-S” sh.p.k, i cili u vu në pranga pasi nuk dispononte dokumente të sakta duke mos zbatuar rregullat teknike të ndërtimit. I arrestuari i dytë është Tomor Islami, 51 vjeç, banues në Tiranë, profesioni teknik ndërtimi, pasi dyshohet se nuk kishte zbatuar procedurën teknike për sigurimin e punonjësve në punë. Islami dhe Kalaveshi po hetohen për veprat penale “Shkelje e rregullave në punë” dhe “Punësim i paligjshëm”.

 

 Tiranë/ Shoqërohet në polici i riu, tentoi të futej në Kryeministri

Një djalë i ri rreth moshës 24 vjeç tentoi të futej dje pasdite në mjediset e Kryeministrisë. Burime të komisariatit numër një në Tiranë bënë me dije se një djalë i ri i identifikuar si E. Rada, ka tentuar të futej me forcë në Kryeministri. Punonjësit e Gardës së Republikës e kanë ndaluar të riun, duke bërë edhe shoqërimin e tij në komisariat. Gjatë marrjes në pyetje, i riu është shprehur se nuk ka pasur qëllim për të kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm. Ai ka theksuar se kërkonte të futej në zyrën e Kryeministrit Edi Rama për të kërkuar punë. Pas shoqërimit dhe shpjegimit të situatës, mësohet se i riu është lënë i lirë. Djali, sipas të dhënave të para, është lënë i lirë, pasi është parë se nuk paraqiste rrezikshmëri. Ndërsa familjarët janë shprehur në polici se gjatë kohëve të fundit djali i tyre ka shfaqur shenja paqëndrueshmërie. Në mjediset e Kryeministrisë gjatë pasdites së djeshme është parë edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

 

Comments are closed.