Standard.al

Debati për ligjin e Gjykatës së Lartë/ Mazhoranca rrëzon dekretin e Presidentit, PD: Iu dha fund reformës në drejtësi

Gëzim Saliu

 komisioni i ligjeve janar 2015 lsaDebate mes PD-së dhe PS-së, Bylykbashi: Ndryshimi i ligjit, me propozim të deputetëve tinëzarë, shmangët ekspertizën ndërkombëtare. Xhafaj: S’mund të marrë mendimin për çdo ligj

Mazhoranca rrëzoi dje dekretin e Presidentit, i cili ktheu mbrapsht ligjin për Gjykatën e Lartë, akt i cili u cilësua nga demokratët si shkelje e marrëveshjes së arritur më 24 dhjetor. Në mbledhjen e pasdites së djeshme në Komisionin e Ligjeve, nuk munguan debatet mes ligjvënësve të PS-së dhe atyre të PD-së, ku, sipas opozitës, përmes rrëzimit të këtij dekreti mazhoranca mbylli dyert e bashkëpunimit për reformën në drejtësi. “Jemi në rrugë të mbarë, nëse ne sot kthejmë kurs dhe së bashku e ribëjmë për së mbari, përndryshe nuk është gjë tjetër vetëm atentati i fundit ndaj Kushtetutës, i cili synohet të kthejnë Presidentin vulosës së Kryeministrit, por do jemi drejt rrënimit që duhet të ketë një reformë e mirë, e shëndetshme dhe e qëndrueshme në kohë”, – tha Bylykbashi.

 

Debati

Në nisje të mbledhjes, deputeti socialist Armando Subashi paraqiti arsyet se pse dekreti i Presidentit, sipas mazhorancës, nuk duhej pranuar. Në këtë argumentim nuk munguan edhe kritikat ndaj kreut të shtetit, duke i cilësuar argumentet e tij si qesharake. “Arsyeja tjetër që ka kthyer ligjin, dhe këtë më vjen keq ta them, se është shumë qesharake në fakt, ka parë një tek neni 3/2/a dhe thotë bie ndesh me vendimin 40 të Gjykatës Kushtetuese është shprehja “konflikt interesi”. Kjo “konflikt interesi” është pjesë e emërtimit që ka institucioni dhe nuk është kriter shtesë”, – u shpreh ai. Në ndërhyrjen e tij, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, kërkoi që mazhoranca të tërhiqej nga rrëzimi i dekretit, si një hap që, sipas tij, do t’i hapte rrugë reformës në drejtësi. “Për arsye se ne kemi një reformë të drejtësisë, na keni bërë thirrje pa hipokrizi për t’u bashkuar në këtë tryezë, unë mendoj që projektligji të shqyrtohet në tavolinën për reformën në drejtësi”, – tha ai. Ndërkohë, deputeti Bylykbashi e cilësoi si tinëzare përpjekjen e pozitës për të shmangur mendimin e Komisionit të Venecias për ndërhyrjet në ligj, duke u ndryshuar ato me propozim të një grupi deputetësh. “Është e disata herë rresht që ligjet me shumicë të cilësuar nuk vijnë këtu nëpërmjet propozimeve të procedurës standarde që do detyronin opinionin e Venecias, por vijnë thjesht përmes propozimesh deputetësh me vetëm një qëllim, të shmangin mundësinë e marrjes së mendimit të Venecias”, – u shpreh deputeti demokrat. Kjo deklaratë e tij është kundërshtua nga deputetët socialistë, ku përkatësisht kreu i Komisionit të Ligjeve, socialisti Xhafaj e cilësoi si marrëzi marrjen e mendimit për çdo ligj nga ana e Komisionit të Venecias. “Jo çdo ligj që kalon në Parlament duhet të marrë opinionin e Komisionit të Venecias. As Komisioni i Venecias dhe as KiE, ma ka bërë të qartë përfaqësuesi i tij, nuk mund ta marrë përsipër një gjë të tillë. Këto janë marrëzi”, – tha ai. Ndërkohë, Bylykbashi theksoi se për një ligj të tillë, si ai i Gjykatës së Larë, ishte i domosdoshëm opinioni i Venecias.

 

Debati në Kuvend

  1. Subashi: …Arsyeja tjetër që ka kthyer ligjin dhe këtë më vjen keq ta them se është shumë qesharake në fakt, ka parë një tek neni 3/2/a dhe thotë bie ndesh me vendimin 40 të Gjykatës Kushtetuese është shprehja “konflikt interesi”. Kjo “konflikt interesi” është pjesë e emërtimit që ka institucioni dhe nuk është kriter shtesë.
  2. Ristani: Raporti i KE-së thotë se Shqipëria duhet të ndjekë fuqimisht reformën në drejtësi me bashkëpunim konstruktiv mes të gjitha palëve të interesuara duke angazhuar vazhdimisht edhe Komisionin e Venecias. Ne kemi një reformë të drejtësisë, na keni bërë thirrje pa hipokrizi për tu bashkuar në këtë tryezë, jeni angazhuar se do t’i drejtoheni Komisionit të Venecias, KE ju ka kërkuar këtë gjë dhe për këtë unë mendoj që projektligji të shqyrtohet në tavolinën për reformën në drejtësi, sepse është pjesë shumë e rëndësishme e saj.
  3. Bylykbashi: Ligji ka kaluar në mënyrë tinëzare se pavarësisht një detyrimi për imponim publik për t’u konsultuar me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me Komisionin e Venecias për t’iu shmangur kësaj është e disata herë rresht që ligjet me shumicë të cilësuar nuk vijnë këtu nëpërmjet propozimeve të procedurës standarde që do detyronin opinionin e Venecias, por vijnë thjesht përmes propozimesh deputetësh me vetëm një qëllim, të shmangin mundësinë e marrjes së mendimit të Venecias.
  4. Strazimiri: Ne në 2009 guxuam, kemi qenë në këtë tryezë, t’i vendosim kritere Presidentit “tonë” të Republikës, Bamir Topit, lidhur me disa kushte që nuk mund t’i kishte. Pala që sot e konsideron të domosdoshëm këshillimin e Presidentit thoshte atëherë se si guxoni t’i vendosni kritere Presidentit, atë e ka vënë Kushtetuta atje për këtë punë. Kritere, dhe jo emra. Refuzonin kriteret që ne vendosnim ne publikisht dhe këta mbronin emrat që Presidenti “ynë” i Republikës i sillte këtu, sigurisht pa respektuar kriteret.

Ristani kërkon fjalën

Xhafaj: Mos e rihapim diskutimin nga e para, folët dyshe.

Fino: Pse do ia japësh fjalën…

Ristani: Po tre fjalë kam o burrë.

Fino: Respekto rregullat.

Ristani: Nëse do të veproni në të kundërt është qëndrim i qartë që doni që në momentin e parë të prishni marrëveshjen që kemi votuar me konsensus. Kërkojmë konsensus dhe të marrim mendim nga Komisioni i Venecias.

Xhafaj: Mirë more zotëri, kaq pak e dini reformën në drejtësi, 2 nene, një grup këshillimor, kjo është absurde. Nuk besoj kurrsesi që opozita ka vlerësimin se këto dy nene janë reforma në drejtësi në Gjykatën e Lartë. U tha dhe që është në kundërshtim me tryezën që ka iniciuar Presidenti, jo nuk është po kështu, është kur nuk mban njeri shënime në këtë vend, por nuk lexon edhe përfundimet. Në atë tryezë ministri ka deklaruar që ne e shohim të nevojshme ngritjen e grupeve këshillimore dhe askush s’e ka kundërshtuar.

Bylykbashi: Po nuk ishin konkluzione për reformën ato…

Xhafaj: Në atë tryezë janë thënë, është deklaruar.

Bylykbashi: Ministri është i mazhorancës…

Xhafaj: Po nuk keni pyetur Komisionin e Venecias, po i kemi kërkuar zyrës së Këshillit të Evropës të na i mundësojë një gjë të tillë dhe zyra e KiE na ka thënë t’i drejtohemi me shkrim Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së se ashtu kanë procedurat e tyre, pra çdo gjë duhet të hynte në kalendat greke sa kohë që nuk është futur në shtratin normal të diskutimit.

Bylykbashi: Kjo duhet mbajtur shënim, kjo është shumë e rëndë, duhet shënuar.

Ndërhyn Klosi pa mikrofon: Po lëre mo të flasë.

Bylykbashi: Po ti ç’ke Klosi?

Xhafaj: Për ne Komisioni i Venecias është i rëndësishëm për rolin që ka, ndaj kemi kërkuar të bëhet pjesë e një reforme, por jo çdo ligj që kalon në Parlament duhet të marrë opinionin e Komisionit të Venecias. As Komisioni i Venecias dhe as KiE, ma ka bërë të qartë përfaqësuesi i tij, nuk mund ta marrë përsipër një gjë të tillë. Këto janë marrëzi.

Bylykbashi: E ke detyrim.

Fino: Po lëre të flasë more zotëri, ty nuk të ndërhyri ai kur fole.

Bylykbashi: Ti nuk më impresionon. Ta mbyllë ai pastaj ti fol, hajde të lutem!

Xhafaj: Megjithëse nuk doja ta bëja këtë se është jashtë natyrës dhe qasjes sime parlamentare, por e merrni dekretin dhe opinionin e ekspertëve të PD-së, nuk ndryshojnë njëri nga tjetri. Çështja është kush e ka kopjuar njëri-tjetrin, por di që kanë të njëjtin opinion, edhe me gabime ortografike, dhe kjo nuk është serioze.

Strazimiri: Poliagjentë të Presidentit domethënë?

Xhafaj: Ju e keni zakon, i bëni dhe horra bulevardi, bëjeni dhe këtë si të doni.

 

Mungojnë Doshi, Vasili dhe Muçmata, mazhoranca detyrohet të marrë “zëvendësuesin” Lutaj

Në mbledhjen e djeshme, në krahun e mazhorancës mungonin deputetët Tom Doshi, Petrit Vasili dhe Vehxhi Muçmata, gjë e cila “detyroi” të majtën të përfshinte në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve deputetin zëvendësues Pirro Lutaj.

Comments are closed.