Standard.al

5 minuta makinat fikur/ Basha: Nëse thirrjet s’reflektohen, protestat do të vazhdojnë deri në ndryshimin e qeverisë

basha protesta“Shqiptarët refuzojnë dhe s’pranojnë më të nëpërkëmben e të trajtohen si skllevër të një qeverie që e ka mendjen si e si të mbushë çantat e saj”

Duket se thirrja e demokratëve për ta fikur makinën për 5 minuta u finalizua me sukses. Kjo është përshtypja që krijohet nga fotografitë në rrugë, ku në orën 11:00 shumë prej drejtuesve të automjeteve ndaluan makinën aty ku ishin, në shenjë proteste ndaj çmimit të lartë të naftës. Këtë fakt e përcjell edhe vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që e ndali automjetin e tij dhe doli për të falënderuar personalisht disa prej shoferëve që u gjendën në të njëjtën rrugë në atë moment, në orën 11:00. Lideri i demokratëve, i shoqëruar edhe nga ish-kryeministri dhe deputetë demokratë, falënderoi të gjithë qytetarët anembanë vendit për pjesëmarrjen në protestën simbolike me ndalimin e automjeteve në rrugë në shenjë revolte ndaj çmimit të lartë, që sipas të djathtës, është pasojë e taksave të larta që ka vënë qeveria. Basha paralajmëroi se dita e djeshme ishte dita e parë e “pranverës së protestave për shqiptarët” që refuzojnë politikat qeverisëse të të majtëve në pushtet. Ai tha se qeveria ose të ulë taksat, ose të largohet. “Nëse këto thirrje nuk reflektohen, protestat tona do të vazhdojnë, jo vetëm në ndryshimin e buxhetit, por deri në ndryshimin e qeverisë”, – tha kreu i opozitës. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë uruan “që në ditët në vijim të mos përsëritet një lajthitje e këtillë”, duke e cilësuar protestën si shkelje të lirive të qarkullimit.

 

Basha

Ora 11:00, në rrugët e Tiranës, drejtuesit e mjeteve fikën motorët, duke qëndruar në një vend për 5 minuta. Kreu i opozitës e bashkë me të drejtues të tjerë demokratë, lëvizi me makinë deri në bulevard, derisa shkoi ora 11:00 dhe më pas e fiku makinën në mes të rrugës. Kryedemokrati doli nga makina për të falënderuar personalisht disa drejtues që iu përgjigjën thirrjes së demokratëve. Më pas, nëpërmjet mediave, Basha falënderoi të gjithë shqiptarët që iu përgjigjën thirrjes së javës së fundit për ndalimin e makinave. “Dua të përgëzoj qytetarët shqiptarë anembanë vendit, në Sarandë, në Vlorë, në Fier, në Lushnjë, në Durrës, në Lezhë, në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan, në Dibër, në Kukës, në Gjirokastër, në Berat e kudo, në akset kombëtare, që iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike për të protestuar në mënyrë qytetare, duke fikur makinat e tyre sot në orën 11:00, në shenjë proteste dhe refuzimi të qeverisë “Rama-Meta”, e cila, me taksat e saj, që arrijnë 1008 lekë për çdo litër karburanti, ia ka dalë ta kthejë Shqipërinë në vendin lider të çmimit të karburantit në Ballkan, në Evropë dhe me gjerë, për një popull, të ardhurat mesatare të të cilit, janë tri herë më të vogla se të ardhurat mesatare të Bashkimit Evropian”, – u shpreh kryedemokrati nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku njëherësh paralajmëroi protesta të tjera në javët në vijim, që do të kenë në fokus shtrenjtimin e jetës së shqiptarëve, për shkak të politikave shtrënguese të qeverisë. “E sotmja (dje) është dita e parë e pranverës së protestave për shqiptarët të cilët refuzojnë dhe nuk pranojnë më të nëpërkëmben, të shpërfillen, të trajtohen si skllevër të një qeverie që e ka mendjen si e si të mbushë çantat e saj dhe thesarin e saj me lekët që merr nga xhepat e shqiptarëve, duke futur duart thellë e më thellë dhe në shumë raste, duke u marrë edhe kacidhen e fundit. Ndaj, duke përgëzuar nga zemra të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në këtë protestë, mendoj se e sotmja është një ditë historike. Është dita e protestës qytetare që nuk bëhet për pushtetin e askujt por bëhet për të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve për një qeverisje të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme. Është hapi ynë i parë, të tjerë hapa do të pasojnë për ta vënë këtë qeverisje oligarkike, që e trajton shqiptarin si skllav, si objekt të qeverisjes dhe jo si sovran, para përgjegjësisë ose për t’i treguar vendin”, – tha kreu i opozitës.

 

Taksat

Për demokratët një gjë është e qartë, ose qeveria të reflektojë për kërkesat për uljen e taksave, ose të largohet. “Buxheti nuk është i paprekshëm. Qeveria nuk është e paprekshme. Thirrja jonë është që menjëherë të reflektohet kërkesa e qytetarëve për uljen e taksës së qarkullimit. Menjëherë të rikthehet çmimi i energjisë aty ku ishte dhe të plotësohet premtimi elektoral për ulje të çmimit të energjisë me 16%, ashtu siç u premtua në fushatë. Nëse këto thirrje nuk reflektohen, protestat tona do të vazhdojnë, jo vetëm në ndryshimin e buxhetit, por deri në ndryshimin e qeverisë”, – u shpreh Basha.

 

Protestat

Protestat në vijim do të jenë për të gjitha premtimet e pambajtura të drejtuesve të qeverisë, për çmimin e energjisë, për mungesën e vendeve të reja të punës etj. “Ky është hapi i parë për taksën e karburantit, por është po kështu nisja e protestave për thyerjen e premtimit për uljen e energjisë kur në fakt çmimi i energjisë u rrit. Për thyerjen e premtimit për më shumë vende pune, kur mijëra shqiptarë flaken në rrugë, sepse vendet e punës jo vetëm që nuk janë hapur, por vendet ekzistuese janë mbyllur dhe kërcënojnë të mbyllen. Është fillimi i protestave popullore masive për kërbaçin që po u tregohet shqiptarëve në mënyrë selektive dhe diskriminuese në çështje të tilla si ndërtimet pa leje, kur ndërtimet dhe sarajet e pushtetarëve ngrihen, ndërsa fukarenjtë goditen në pasurinë që kanë vendosur me gjak dhe me djersë, shpesh herë në kushte të vështira. Është protesta për padrejtësitë e mëdha, që Qamil Zelën e trajton si kriminel dhe e lë të vetëvritet në burg për 35 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që deputetët dhe banditët e OSHEE-së, debitorë deri në 205 milionë lekë, gradohen dhe trajtohen si VIP-a nga dyshja Rama-Meta”, – tha Basha.

 

Protesta në rrethe

Thirrjes së demokratëve nuk iu përgjigjën vetëm qytetarët e Tiranës, por edhe ata të rretheve. Për 5 minuta të dy krahët e lëvizjes në autostradën Durrës-Tiranë u bllokuan në shenjë proteste ndaj çmimit të lartë të karburantit. Këtë veprim e ndërmorën në orën 11:00 të ditës së djeshme edhe qytetarët që ishin në lëvizje brenda qyteteve të tyre, si në Vlorë, Sarandë, Fier, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Kukës, Peshkopi etj.

 

Berisha: Edi Rama i pashpresë, shqiptarët pa dallime partiake dolën në protestë

Për ish-kryeministrin, protesta e djeshme ishte një sukses, ku shqiptarët pa dallime partiake iu përgjigjën thirrjes së demokratëve. Sipas Berishës, protesta e djeshme e la Kryeministrin Rama të pashpresë. “Për Edi Ramën është e pashpresë. Aq sa mund të shërohet nga droga aq mund të shërohet nga kjo paralizë, – komentoi Berisha. – Sot qytetaret shqiptarë pa dallime partiake çelën me sukses të plotë sezonin e protestave mbarëpopullore kundër rritjes së taksave të naftës dhe taksave të tjera, kundër rritjes së çmimit të energjisë, tarifave studentore, papunësisë, varfërisë dhe për zëvendësimin e shtetit policor të klikës Rama-Meta me shtetin ligjor”.

 

Qeveria: Urojmë që kjo të mbetet vetëm një lajthitje dhe të mos përsëritet

Menjëherë pas zhvillimit të protestës, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme reaguan duke thënë “se lajthitje të tjera” nuk duhet të përsëriten. Në një deklaratë, zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, tha: “PD dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e lëvizjes në rrugë, qoftë për ndihmën e shpejtë, qoftë për forcat e rendit. Urojmë shumë që kjo e sotmja të mbetet vetëm një lajthitje dhe të mos përsëritet në dëm të lirisë e të së drejtës së njerëzve që dalin në rrugë me makinë për nevojat e punës dhe të drejtës së tyre të përditshme”.

 

Comments are closed.