Pse fshihen bisedimet e Tiranës me Beogradin?!!!

0
150

Dr. Enver Bytyçi

takimi trepalesh serbi itali shqiperi ne romeShqipëria, Kosova dhe shqiptarët në rajonin e Ballkanit Perendimor nuk janë më në pozitën e favorshme, të cilën e patën para 15, 10 ose 5 viteve. Prishtina bëri tërheqjen e parë përballë ofensivës diplomatike të Beogradit dhe i njëjti proces po ndodh, sot, me Tiranën.

Ndërkaq terri informativ është rritur dhe publiku shqiptar nuk njihet me ato çfarë ndodhin në diplomacinë shqiptare të të gjitha palëve në raport me ruajtjen dhe forcimin e interesave tona në rajon. Shkaqet janë të shumta dhe gjithashtu serioze: Kemi një klasë politike të korruptuar dhe inkriminuar e si e tillë, pa integritetin e legjitimitetin moral për të artikuluar kërkesat dhe interesat nacionale të shqiptarëve.

Javën që lamë pas u takuan në Romë tre ministrat e Jashtëm, ai i Italisë, dhe kryediplomatët e Shqipërisë e të Serbisë. Eshtë kjo një iniciativë e Italisë për të luajtur një rol të caktuar në rikthimin e marrëdhënieve midis Tiranës e Beogradit, si kusht për stabilizimin e rajonit.

Por jo rastësisht në këtë lojë është përfshirë diplomacia italiane. Italia si në kohët e aleancës së saj me aleatët fitimtarë të luftrave dhe në rastin e Luftës së Dytë Botërore nuk ka patur ndonjëherë konflikt me Serbinë e Malin e Zi, sa i pëket pretendimeve territorial të këtyre dy vendeve ndaj Shqipërisë. Konflikti i saj ka qenë me Greqinë për shkak të kontrollit të Otrantos.

Duke lexuar për zhvillimin e ngjarjeve në fillimin e shekullit të XX, kur diplomacia e Fuqive të Mëdha ishte angazhuar në zgjidhjen gjeopolitike gjatë e pas Luftrave Ballkanike, mësojmë se Italia ishte e vendosur vetëm në kundërshtimin e opsionit serb për të marrë një port në brigjet shqiptare të Adriatikut. Ajo nuk pati, madje as, ndonjë kundërshtim të dukshëm për aneksimin e Shkodrës nga ana e Malit të Zi. Aso kohe kishte të tilla takime, bisedime dhe deri marrëveshje e dakordime për ndarje e rindarje territoresh në vendimmarrjen për hartën e re politike të Ballkanit.

Pas një shekulli u duk, dhe ende jam optimist se, “Haka shkoi e do të shkojë tek i zoti”, shkurt se shqiptarët do të kenë të drejtën e tyre të shtetësisë në territoret e tyre.  Por ajo që u arrit pati mbështetjen e SHBA-ve, e cila duket pak e lodhur me intrigat ballkanike. Për të gjithë ata që njohin historinë e vendimmarrjes gjeopolitike për Ballkanin është e qartë se edhe sot, në kushtet e një rendi demokratik europian dhe të integrimeve europiane është e mundur që të diskutohen plane e projekte, të cilat përfshijnë interesat e madje territoret e shqiptarëve. Beogradi e ka bërë gjithnjë të qartë pozicionin e tij për pretendime territoriale në veriun e Kosovës. Dhe kjo përpjekje serbe për territore të reja nxitet nga ideja fikse e gjithmonshme e politikës radikale të Serbisë për “viktimizimin serb”, si  dhe të mitit “të sakrificës sublime” të serbëve “për mbijetesë”. Por nxitet edhe nga etja e Beogradit për të përfituar bie fjala Trepçën në Kosovë, apo pasuritë nëntokësore në të gjithë veriun e Mitrovicës. Analisti i çeshtjeve ballkanike në radion “Europa e Lirë”, Patrick Moore, thoshte para tetë viteve se, “Serbia nuk ka hallin e serbëve në Kosovë, por ajo dëshiron të shtijë në dorë pasuritë nëntokësore të saj”.

Edhe tani gjithçka zhvillohet sipas një skenari serb, pas të cilit mua më duket se diplomacia shqiptare, vetë kryeministri dhe veçmas ministri i Jashtëm,  Ditmir Bushati, po vrapojnë me dëshirë drejt  sakrifikimit të interesave të shqiptarëve dhe “përmbushjes së projekteve serbe në Kosovë e ndoshta edhe në Shqipëri. Por le t’I konkretizojmë këto dilemma:

Së pari: Në Romë tre ministrat e Jashtëm kanë diskutuar për një erë të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ivica Daçiç tha para takimit se, këto bisedime janë të vështira, se për shumë çeshtje shqiptarët dhe serbët kanë pikëpamje të kundërta, por se megjithatë duhet të bisedojmë. Ditmir Bushati nuk na tha asgjë, as para, as pas takimit. Mblidhen tre ministra, njëri prej tyre si ndërmjetës midis dy kryediplomatëve të dy vendeve që kanë mbi një shekull në konflikt. Ata diskutojnë, flasin, drekojnë ose darkojnë së bashku, ndërsa askush nuk merr vesh pse u mblodhën, çfarë u bisedua, cila ishte agjenda e takimit, çfarë pozicionesh kanë palët për diskutimin që është zhvilluar, çfarë pika takimi kishin e çfarë mosmarrëveshjesh u vunë re. Askush, aspak, asgjë nuk tha për këto, sikur çeshtjet e interesit kombëtar janë çeshtje vetëm e dy personave në Shqipëri, kryeministrit e kryediplomatit, qofshin këta edhe “të votuar” nga një milion shuplakëdhënës.

Kjo situatë më çon në idenë se, qeveria shqiptare “ka marrë përsipër zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”, dmth se Rama e Bushati duan të marrin rolin e autorëve të asaj që konsiderohet “kthesë historike në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi”, pavarësisht kostos që kjo ka për interesin kombëtar të shqiptarëve. Po cila do të ishte kostoja e kësaj loje të dyshimtë të diplomacisë shqiptare? Absolutisht humbja e pozicionit strategjik të shqiptarëve në rajon si faktor paqeje, stabiliteti e sigurie, madje humbje të territoreve shqiptare. Ofensiva serbe e dekadës së fundit, si në bisedimet për statusin e Kosovës, si në lobimin kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në opcionet për ndarjen e saj, duke pranuar madje “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” ka tashmë një partner të devotshëm në Tiranë. Ka qeverinë dhe diplomacinë shqiptare. Nëse vërejmë angazhimin e diplomatëve shqiptarë për lobim në favor të njohjes së shtetit të Kosovës, duket qartë se ky angazhim ka rënë në pikën zero, dhe jo pa qëllim.  Lutem Zotit të jem unë i gabuar!

Së dyti, më duhet të kujtoj faktin se thelbi I konfliktit historik midis Shqipërisë dhe Serbisë, nëse përjashtojmë për momentin faktorin Kosovë, ka qenë dalja e Serbisë në Adriatik. Mbretëria serbe e fillimshekullit XX u përpoq ta zgjidhë këtë ambicje të saj me pushtimin e Durrësit, Lezhës e Shëngjinit, ndërsa këmbngulja e Austro-Hungarisë dhe Italisë bënë që ushtritë serbe të tërhiqen nga kjo pjesë e territorit shqiptar. Po ç’lidhje ka kjo me situatën e sotme?! Serbia, duke heq dorë nga përdorimi i dhunës, mesa duket i është kthyer një zgjidhjeje që asokohe Vjena e kishte rakomanduar: Të ndërtonte një hekurudhë nga Beogradi në Shëngjin dhe ta shfrytëzonte portin në fjalë, por me një kusht që pjesa e hekurudhës e ndërtuar në territoret shqiptare si dhe porti të ishin asete të shtetit shqiptar në krijim e sipër. Modeli i rekomanduar ishte marrëveshja e tregtisë së lirë midis dy vendeve.

Duke ditur se në Romë e gjetkë Tirana e Beogradi nuk bisedojnë për kozmetikë e për sport, as për filma dhe modë, atëherë duhet menduar se të dy palët kanë rënë dakord parimisht të ecin, sa mund të ecin, në këto dy linja. Nga njëra anë të mënjanojnë Kosovën dhe institucionet e saj në zgjidhjen e konfliktit, nga ana tjetër të bëjnë të mundur që në kuadrin e tregtisë së lirë e integrimeve rajonale e europiane, t’i mundësojnë Serbisë daljen në Adriatik. Ndoshta Shëngjini nuk do të jetë as projekt i Kosovës, as projekt kinez, por më së shumti projekt serb. Ndërkaq bisedimet e drejtpërdrejta midis Tiranës e Prishtinës nuk bëjnë gjë tjetër, veçse ndajnë tortën me emrin Kosovë, sepse Serbia gjithnjë ka vënë në tavolinë territoret shqiptare, kur ka këmbngulur për bisedime me shqiptarët. Nuk ka pse të mos e ndjekë këtë lloj politike edhe sot. Në funksion të ndarjes së Kosovës dhe bashkimit të pjesës së mbetur me Shqipërinë ishte droni dhe harta etnike e Shqipërisë në Beograd më 14 tetor të vitit të kaluar. Këtij qëllimi i shërbejnë deklaratat nacionaliste e patetike të Edi Ramës më 22 nëntor po në Beograd. Ndërsa sot nuk këmi parë asnjë reagim për deklaratat e Vuçiç në Kosovë. Me këto veprime Rama dëshron të marrë rolin e përfaqësuesit të të gjithë shqiptarëve për “ta zgjidhë konfliktin shqiptaro-serb” me Vuçiçin e mikun e tij, Tadiç.

Kurse gjithçka që shfaqet në qeverinë e Tiranës e të Prishtinës, korrupsioni, krimi i organizuar, perversiteti politik, madje dhe dhuna e organizuar kundër institucioneve është e mirëpritur në Beograd. Të gjitha këto poshtërsi të pushtetit e të politikës në të dy shtetet shqiptare e më gjerë i shkojnë në ndihmë skemës dhe skenarit të Serbisë për t’u imponuar “tashmë në mënyrë paqësore” dhe për të realizuar në dëm të shqiptarëve dhe territoreve të tyre interesat nacionaliste, të pamundura me luftë. Në Kosovë, në vend që protesta të bëhet për Trepçën, opozita lidhet pas një deklarate të një ministri serb, i cili nuk është çudi që e ka plasuar fjalën e tij fyese, pikërisht për të tërhequr vëmendjen nga megapolitika rajonale në dobi të Beogradit. Kurse kryeministri Mustafa nguron që t’i dalë përpara pengimit të skenarëve të tillë derisa e mban atë ministër në kabinetin e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency