Standard.al

Operacioni/ “Kokaina e Xibrakës”, heshtin kolumbianët, asnjë informacion shtesë për akuzën

Alma Çuka

laboratori i drogesEnde asnjë seancë e marrjes në pyetje. Pritet marrja në pyetje brenda kësaj  jave. Në dosje materialet fillestare të Prokurorisë dhe ato të referuara nga autoritetet Gjermane

Dy kolumbianët e arrestuar në 14 janar së bashku me grupin e shqiptarëve, me akuzën e trafikut të lëndës narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ende nuk kanë dhënë versionin e tyre për akuzën. Burime të besueshme nga prokuroria pohuan për Standard se asnjë prej të pandehurve nuk është marrë në pyetje pas arrestimit, ndërsa ajo që po bëhet aktualisht është përpunimi i materialeve fillestare dhe kryerja e veprimeve të mëtejshme, të cilat do të çonin në identifikimin e organizatorëve dhe financuesve të këtij rrjeti të mirëfilltë. Dy kolumbianët sipas burimeve të besueshme nuk kanë folur as në seancën për  caktimin e masë së sigurimit. Para gjyqtarit të gatshëm ata kanë dhënë vetëm gjeneralitetet, ndërsa nuk kanë pranuar të flasin më hollësisht. Prokuroria është në pritje të marrjes së ndonjë informacioni nga të pandehurit. Heshtjen e dy të arrestuarve kolumbian, të cilët tashmë janë nën akuzë si persona përgjegjës për ndihmën që kanë dhënë në veçimin e substancës së lëndës narkotike nga objektet me të cilën transportohej, e konfirmon edhe pala mbrojtëse. Ndërkohë që pritet që brenda kësaj jave dy kolumbianët të merren në pyetje nga akuza në prani dhe të avokatëve mbrojtës.

 

Kokaina

Për laboratorin e Xibrakës dhe trafikun e kokainës nga Shqipëria drejt Gjermanisë ditët e fundit janë duke shkruar edhe mediat Gjermane.  Hetuesit Gjerman kanë pohuar se bashkëpunimi  mes dy vendeve bëri të mundur shkatërrimin e rrjetit më të madh të trafikut të kokainës, ndërsa po hetohet edhe për përfshirjen e personave të tjerë. Një tjetër fakt që përmendet nga mediat gjermane është edhe mënyra se si lënda e parë, kokaina futej në Shqipëri për t’iu nënshtruar më pas përpunimit. Ajo përzihej me substanca të tjera të cilat tashmë janë sekuestruar në laboratorin e Xibrakës. Hetuesit gjerman mendohet se kanë zbuluar që kokaina futej në Shqipëri e lëngshme. Pas kësaj faze, dy kolumbianët e rekrutuar bënin ekstraktimin e saj. Megjithatë të gjitha të dhënat e publikuara deri në këto momente janë në fazën e dyshimeve. Hetuesit Shqiptar të Krimeve të Rënda në bashkëpunim me ata Gjerman  po punojnë për të zbërthyer skemën dhe për të vërtetuar bashkëpunimin midis të pandehurve.

 

Organizatorët

Ndonëse thuhet se akuza po punon për të gjetur organizatorët dhe financuesit e këtij grupi kriminal, arrestimi i nëntë personave duket se është një pjesë e përfunduar e hetimit. Për akuzën, të gjithë personat e përfshirë në trafik janë pjesë e organizatës dhe në këto kushte ata kanë bashkëpunuar për të qenë të tillë. Nga ana tjetër vështirësi është duke u hasur edhe për verifikimin e pasurisë së personave të arrestuar dhe familjarëve të tyre, bazuar kjo në ligjin antimafia. Prokuroria u ka dërguar të gjitha bankave të nivelit të dytë njoftim me emrat përkatës për të verifikuar nëse kanë apo jo pasuri të paluajtshme, apo llogari bankare në emër të tyre. Një dyshim i fortë i akuzës është se të pandehurit ndërsa kanë vepruar të bashkuar, të ardhurat e përftuara nga aktiviteti i paligjshëm t’i kenë regjistruar në emra të tjerë, larg dyshimit.  Në 14 janar gjatë operacionit Xibraka, organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 19.5 kg lëndë narkotike e llojit kokaine  pastër si dhe një sasi jo pak e vogël e dyshuar si përzierës.  Në ditët në vazhdim Prokuroria pret që ekspertët të përcaktojnë qartë se sa mund të jetë sasia e kokainës së pastër në sasinë e përzier.

 

Vendimi/ Mashtroi dhe la peng celularin që i grabiti shokut, dënohet 100 mijë lekë

Mashtrimi është një nga veprat penale më e përhapur në vend pas vjedhjes. Dhjetëra persona dënohen në muaj nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të mashtrimit. Një nga vendimet me këtë objekt është dhënë ndaj shtetasit  Aleks Daci, i cili në dy raste mashtroi shokun e tij, e më pas u largua jashtë vendit për të humbur gjurmët.  Gjykata e dënoi shtetasin Aleks Daci me 100 mijë lekë gjobë. Daci u gjykua në mungesë. Babai i tij ishte i pranishëm në të gjitha seancat dhe mësoi sesi djali kishte mashtruar një person duke i marrë fillimisht një shumë parash dhe më pas telefonin. Këtë të fundit shkon më tej e lë peng në një dyqan celularësh në Durrës në këmbim të 5 mijë lekëve të reja. Sipas gjykatës Aleks Daci veprën e ka kryer në datat 19 dhe 20 shkurt të vitit të kaluar. Fillimisht i pandehuri , thotë  Gjykata i ka kërkuar një shtetasi me emrin Admir një shumë prej 1 mijë lekësh të reja. Një ditë më pas, pikërisht në momentin kur kishte premtuar se do i kthente shumën e parave, i pandehuri i kërkon telefonin për të marrë një person dhe pasi futet në një lokal, zhduket pa lënë gjurmë. Pas asaj dite, i pandehuri vazhdon zinxhirin e mashtrimeve në rrugë të tjera, ndërsa personi i dëmtuar i drejtohet policisë për denoncim. Në caktimin e masës së dënimit, gjykata mori parasysh kërkesën e prokurorit të çështjes Ervin Karanxha.

 

Durrës/ Kapen dy klandestin sirian në një maune, arrestohet drejtuesi i mjetit

Dy shtetas sirianë, të cilët kanë ardhur në mënyrë klandestine në vendin tonë, janë kapur dje nga forcat e policisë, ndërsa në pranga ka rënë një person, në qytetin e Durrësit. Burime nga policia bëjnë me dije se i arrestuari është identifikuar si -48 vjeçari me banim në Tiranë, Agron Karanxha, i cili ishte shofer i linjës së autobusit Athinë-Tiranë. Mësohet se Karanxha ka transportuar dy sirianët nga Athina në Shqipëri, duke i kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës. Ai i ka fshehur klandestinët në autobusin e tij, kundrejt shumës prej 500 euro secili. 48 -vjeçari shqiptar akuzohet për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Bëhet me dije se Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës po heton për ekzistencën e një linje trafiku të klandestinëve nga Athina për në Malin e Zi.

Comments are closed.