Grabitja/ Akuzon burrin për dhunë, policia i gjen arsenal armësh në banesë

0
139

Alma Çuka

dhuneArrestohet një 44 – vjeçar në berat. Përveç dhunës në familje, policia zbulon edhe një bazë armësh dhe ikonash të grabitura. Në mesin e sendeve të grabitura edhe objekte të vjetra

Dhunon gruan, por bie në pranga edhe për grabitje të sendeve me vlerë dhe veprave të artit.  Bëhet fjalë për një 44 –vjeçar nga Berati, i cili prej kohësh ishte bërë problem në familje për shkak të dhunës që ushtronte. Por në familjen e shtetasit Ermal Sulka, problemi duket se ishte më i mprehtë. Familjarët e tij të gjendur përballë dhunës fizike dhe psikologjike, kanë vendosur ta kallëzojnë në polici edhe për një tjetër aktivitet të paligjshëm  që ai kryente në qytetin e Beratit.

 

Dhuna

Policia e Beratit bënë me dije se gjatë ditës së djeshme arrestoi për veprën penale dhunë në familje dhe vjedhje të veprave të artit, shtetasin Ermal Sulka. Sipas burimeve të policisë, Sulka është denoncuar në komisariatin e Beratit nga bashkëshortja e tij. Por i arrestuari sipas të dhënave të para nuk ushtronte dhunë vetëm ndaj bashkëshortes, por edhe ndaj familjarëve të tjerë. Në këto kushte, ata ishin të detyruar të kërkonin ndihmën e policisë.  Ndërsa shpjeguan dhunën e vazhdueshme që ushtronte Sulka, familjarët i treguan edhe armët që ai mbante në banesë të fshehura. Familjarët e çuan policinë tek armët nga frika e kërcënimit. Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar policia arriti të gjej një arsenal armësh,  si dhe objekte të shumta me vlerë. Sipas policisë banesa e personit të dyshuar për ushtrimin e dhunës së vazhdueshme në familje, ishte bërë strehë e fshehjes së dhjetëra veprave të artit, për të cilat dyshohet se ishte një veprimtari e hershme grabitje. Policia nuk ka bërë publike listën e sendeve  me vlerë, ndërsa shton se mes tyre  ndodhej një ikonë e ikonostasit të muzeut  “Onufri”. Të gjitha veprat me vlerë sipas policisë dyshohet se janë grabitur në Muzeun Etnografi të qytetit. Në banesë u gjetën dy armë gjahu, një pistoletë dhe dy arka me fishekë. Pas arrestimit, 44-vjeçari pritet të dalë para gjykatës për të caktimin e masës së arrestit. Ndërkohë lidhur me veprat e artit, policia shprehet se do të bashkëpunojë me drejtuesit e Muzeut Etnografik për të përcaktuar ditën e grabitjes dhe vlerat e tyre. Ndërmjet sendeve të grabitura janë edhe disa objekte bakri e bronzi.

 

Rastet

Gjatë ditës së djeshme në të gjitha komisariatet e vendet raportohet për shtatë raste të dhunës në familje. Ndërkohë që ky fenomen vazhdon të mbetet shqetësues për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Gratë i drejtohen policisë për ndihmë, ndërsa nuk janë jashtë kësaj kategorie edhe pjesëtarë të tjerë të familjeve të personave të dhunshëm.

 

Vlorë/ Prangosen dy persona, kapen me gjashtë  kallëpe tritol nga policia kufitare

Sërish tritol në Vlorë. Policia e qytetit bregdetar njofton se gjatë pasdites së djeshme vuri në pranga dy persona  dyshuar si mbajtës të dy kallëpeve tritoli. Personat janë vënë në pranga nga Policia kufitare. Ndërsa akuza ndaj tyre është ajo e prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake. Sipas policisë kanë rënë në pranga shtetasit P.Maze dhe B.Hodaj. Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre tip Wolksvagen paraditen e djeshme  në zonën e Triportit iu gjetën dhe sekuestruan 6 kallëpe tritoli. Materialet lidhur me këta shtetas i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme. Më herët dje, policia e Kukësit ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për plagosjen e një shtetasi kosovar në fshatin Mëzez të Kukësit, në vitin 1999. Por bashkë me zbardhjen e autorëve të ngjarjes, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e njërit prej tyre u gjetën dhe sekuestruan 91 kallëpe eksplozivi. Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Agim Spahia, 37 vjeç dhe Gëzim Voja 44 vjeç, në banesën e të cilit u gjet edhe lënda eksplozive.

 

Energjia/ Policia: Në tre ditë 13 persona të arrestuar për vjedhje të energjisë

Policia e Shtetit  publikon të dhënat zyrtare të operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, organizuar në 72 orë. Sipas të dhënave të policisë në të gjithë vendin  janë vënë para drejtësisë autorë të vjedhjes së energjisë elektrike, ndërkohë nga ana tjetër, OSHEE ka vazhduar me ndërprerjen e energjisë ndaj atyre familjeve që kanë kryer lidhje të paligjshme. Në  të gjithë vendin gjatë tre ditëve të fundit  kanë vepruar  95 grupe të përbashkëta  Polici – OSHEE, çdo ditë. Janë kryer kontrolle   të përbashkëta Polici –  OSHEE në 4245 raste. Policia thotë se si rezultat i kontrolleve të kryera në terren  në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar  43 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me  43  autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë  13 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike . Janë  shpallur në kërkim  22 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 8 persona. Gjithashtu  janë ndërprerë 2.654 lidhje të abonentëve debitorë dhe 43 lidhje të paligjshme. Si dhe  janë kontrolluar 221 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina. Policia e Shtetit dhe OSHEE  janë të vendosur ta çojnë  deri në fund punën e nisur ,  deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur  me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

 

Mashtrim/ Bëri kallëzim të rrem kundër vëllezërve, dënohet me gjobë nga Gjykata

Prokuroria e Tiranë si kërkoi gjykatës  deklarimin fajtor dhe dënimin me gjobë të shtetasit Lulzim Alla, akuzuar për veprën penale të kallëzim i rrem. Në përfundim të gjykimit, Gjykata shprehet se ka gjetur fajtor të pandehurin dhe e ka gjobitur për veprën e mësipërme penale me 250 mijë lekë gjobë. Sipas Gjykatës të gjitha aktet e paraqitura nga akuza si dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve kanë treguar se i pandehuri ka bërë kallëzim të rrem kundër dy vëllezërve të tij. Bëhet fjalë për një kontratë shitje të një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Mëzes, ku vëllezërit Alla kishin rënë dakord para noteres për ta ndarë paqësisht . Por në përfundim të  gjithë procesit njëri prej vëllezërve dhe pikërisht Lulzimi, ka akuzuar vëllezërit e tjerë se i kishin falsifikuar  firmën në momentin e finalizimit të dokumenteve. Hetimi gjyqësor,  thotë gjykata tregoi se i pandehuri ka mashtruar dhe ka bërë një kallëzim të rrem pranë organeve kompetente. Pagimi i gjobës konsiston të paguhet nga i pandehuri Lulzim Alla në favor të shtetit brenda 6-të muajve me marrjen formë të prerë të vendimit.  Shpenzimet proceduriale dhe gjyqësore i ngarkohen të pandehurit .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency