Flet kreu i grupit të PD-së/ Ja pse nuk kemi bërë publikë 19 emrat e deputetëve me rekorde kriminale

0
126

Intervistoi: Erneta Shevroja

 palokaPaloka zbardh “sezonin e protestave”: Që qeveria të shkojë në shtëpi, duhet reagim qytetar

“Të kesh në dorë të dhëna tatimore të gjithë biznesit, e para mund t’u bësh atyre presion, e dyta mund t’i përdorësh këto të dhëna për interesat e tua financiare, mjaftojnë këto të dyja, që janë në shkelje të ligjit”

Çmimet e larta, që sipas demokratëve, janë pasojë e drejtpërdrejtë e taksave të larta që ka vënë qeveria, do të jenë në objektivin e PD-së në javët në vijim. Aksioni i sotëm, me ndalimin e makinave për 5 minuta, do të jetë vetëm një pikë që paralajmëron një protestë në javët në vijim. Të paktën kjo është ajo që paralajmëroi kreu i grupit parlamentar i PD-së, Edi Paloka, gjatë një interviste për gazetën “Standard”. Sipas Palokës, shqiptarët janë shumë të revoltuar, për shkak të shtrenjtimit të jetës dhe thellimit të varfërisë. Pjesëmarrja e tyre në protestë bëhet vetëm me një qëllim: largimin e kësaj qeverie që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama. Nënkryetari i Partisë Demokratike bën të ditur arsyet përse e djathta nuk ka bërë të ditur emrat e 19 deputetëve të mazhorancës, që janë përfshirë në akte kriminale. Si pritet të jetë sezoni i ri parlamentar, do të ketë debate? Të çfarë natyre do të jenë ato? Cili është objektivi që opozita kërkon të realizojë deri në nisje të zgjedhjeve lokale?! Për këto dhe pyetje të tjera, përgjigjet më poshtë të nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

 

Opozita u ka bërë thirrje qytetarëve për një aksion ditën e hënë për çmimin e lartë të naftës. Ky do të jetë i vetmi aksion apo do të pasojnë edhe të tjera?

Të hënën në orën 11:00, siç e dini, ne u kemi bërë thirrje qytetarëve që në shenjë proteste për çmimin e lartë të naftës, të ndalin makinat e tyre, atu ku do të ndodhen, për 5 minuta, pra në formë simbolike, për t’i treguar qeverisë se qytetarët shqiptarë nuk janë aspak dakord dhe nuk janë aspak të lumtur që paguajnë më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë, qoftë të rajonit, qoftë të Evropës, apo botës për naftën. Për më tepër që Shqipëria është edhe vend prodhues i naftës. Rama është përpjekur ta justifikojë këtë me batutat e tij tashmë bajate, nga ato vajmedetet e tij.

 

Në fakt, Kryeministri Rama është shprehur se këtë vit nafta është 20 për qind më e lirë krahasuar me vitin e kaluar?

Kjo është e vërtetë që çmimi është më i ulët nga sa ka qenë vjet, por është shumë më i lartë sesa duhet të jetë. Dhe ne për këtë do të protestojmë, qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë, sepse realisht çmimi botëror i naftës për fuçi ka rënë në 60 për qind dhe realisht në të gjitha vendet e tjera, të zhvilluara apo jo, çmimi që shitet për qytetarët, në pikat e benzinës ka rënë në 50 për qind nga çka ka qenë. Rama justifikohet me faktin se edhe tek ne ka rënë çmimi i naftës, pra nuk ka pse të mërzitet as opozita, as qytetari. Për çfarë do të ndodhë nesër? Duke pasur parasysh që çmimi i naftës, ai që blejnë qytetarët, përbëhet nga dy pjesë, një pjesë e këtij çmimi janë taksat, akcizat dhe taksat që vendos qeveria dhe pjesa tjetër është kostoja e lëngut, pra e naftës dhe fitimi që merr tregtari. Realisht pse çmimi në Shqipëri është ky që është, sepse ndërkohë që kostoja e naftës është ulur, paralelisht me të qeveria ka rritur taksat, pra çmimi ka mbetur pak a shumë i pandryshueshëm, ndërkohë që duhet të ishte ulur, e përsëris edhe një herë, me 50 për qind, duke pasur parasysh që kostoja dhe çmimi i naftës në botë, në vendet prodhuese është ulur në 60 për qind. Dhe çfarë do të ndodhë nesër me këtë çmim që kemi ne sot dhe me arsyet që kemi këtë çmim, që janë taksat? Se janë disa taksa: akciza, taksa mbi qarkullimin, taksa e karboni, është dogana. Të gjitha këto janë rritur nga qeveria “Rama” në vetëm një vit e gjysmë.

 

Si qëndron argumenti i deputetit Braçe që shprehet se çmimi i naftës është i lartë për shkak të monopolit, pra janë 2-3 kompani ato që furnizojnë gjithë tregun me karburant?

Ne e kemi parë edhe këtë si opsion, por fakti është që në të gjithë botën nuk janë më të shumta kompanitë që shesin naftën. Kjo natyrisht që mund të jetë një nga arsyet, por në logjikën e thjeshtë dhe me një vëzhgim fare sipërfaqësor, kuptohet se cila është arsyeja; është rritja e vazhdueshme e taksave. E fundit, ajo e qarkullimit, u rrit sërish në fundvit dhe sot qytetarët shqiptarë paguajnë 1 mijë lekë për çdo litër naftë, dhe këto janë vetëm nga taksat e qeverisë. Çfarë do të ndodh nesër me këtë? Kur çmimi, sepse realisht sot jemi në çmimin më të ulët të naftës në botë, dhe çmimi do të fillojë të rritet, do të shkojë prapë në nivelet që kanë qenë, pra kjo është sa u përket tregjeve në botë. Në momentin që çmimi i lëngut në botë do të fillojë të rritet, ne me këto taksa që kemi, do të rritet dhe çmimi i naftës dhe çmimi në Shqipëri do të shkojë në stratosferë. Do të jetë shumë më i lartë sesa në vendet e tjera të zhvilluara ose jo. Pra, Rama sot fshihet pas uljes së çmimit dhe me këtë pretendon që të jetë dhe ai një fakt pozitiv, me këtë ulje çmimi, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Për këtë arsye, dhe jo vetëm për këtë, ne do të protestojmë dhe u kemi bërë thirrje qytetarëve që e ndiejnë se duhet protestuar ndaj kësaj qeverisë, ndaj masave represive që ka ndaj qytetarëve të saj jo vetëm ndaj çmimin e naftës, jo vetëm me rritjen e taksave dhe me rritjen e çmimit të energjisë, por edhe me terrorin që ushtron ndaj qytetarëve të saj çdo ditë, atëherë duhet të protestojnë. Të hënën do të jetë aksioni i parë. Ky është vetëm fillimi i protestave, sezoni i protestave për këtë vit, do të vazhdojmë me forma të ndryshme për t’i treguar kësaj qeveria se është krejtësisht në rrugën e gabuar, për ne kjo qeveri i ka mbyllur ditët e saj, Rama duhet të shkojë në shtëpi përndryshe gjërat do të shkojnë gjithnjë e më keq. Shqiptarët janë varfëruar deri në ekstrem, jemi rikthyer të jemi prapë vendi më i varfër i botës dhe nëse ecet kështu nuk shohim asnjë dritë në fund të tunelit të errët. Prandaj, kjo qeveri, ai që e drejton duhet të shkojë në shtëpi. Qytetarët janë bërë koshient për këtë gjë, por nuk mund të presin që vetëm opozita, 40 apo 50 deputetët e saj, të përmbysin një qeveri, nëse nuk reagohet atëherë është e kotë të ankohesh, është e kotë të kërkosh që gjërat të ndryshojnë.

 

Do të jenë aksione vetëm të kësaj forme apo do të jetë një protestë të madhe si vjet më 20 shkurt, me rastin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës?

Ne kemi përdorur disa forma protestash, ato kanë qenë demonstrime të mëdha qoftë ajo e 20 shkurtit, qoftë ajo e 22 nëntorit që ka pasur rritje progresive të pjesëmarrësve, apo ato të vogla siç i përmendët edhe ju. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së pakënaqësisë dhe revoltës së qytetarëve. Sigurisht nuk është një formë e përjashtuar por duke qëndruar besnik qëndrimit tonë, atij që ne kemi thënë, që ne do të kërkojmë që kjo qeveri të reagojë për çështjet që prekin interesat e qytetarëve. Për ndryshe nuk mund të jetë më një qeveri që drejton qytetarët, e ka marrë mandatin për të qeverisur, për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe jo për të shkatërruar këtë vend. Ne nuk do ta lejojmë që kjo qeveri të shkojë aty ku është nisur të shkojë.

 

Janë formuar dy komisione hetimore për serverin e tatimeve dhe administratën shtetërore. Çfarë do të kërkoni ju konkretisht nëpërmjet këtyre dy komisioneve?

Ne kemi paraqitur që në objektet e këtyre dy komisioneve hetimore kërkesat tona, kemi të bëjmë në rastin e serverit të tatimeve me një skandal që tashmë është publik edhe me video, është parë sesi është ndërhyrë në serverin e tatimeve që është një objekt absolutisht sekret dhe personat që mund të ndërhyjnë aty janë të caktuar qartazi. Ne kemi parë të shkojnë aty përfaqësues të Kryeministrit Rama pa asnjë autorizim dhe të drejtë për t’u futur në serverin e tatimeve dhe deputetë të mazhorancës. Mjafton kaq për të qenë një skandal dhe prokuroria vërtetë që po heton por kaq shumë kohë dhe nuk po shohim ende një rezultat për atë që ka ndodhur, pra duhet të reagonte dhe çështja të merrte zgjidhje. Ne nuk kemi kompetencat e sigurisë, ne veprojmë politikisht për të sqaruar për opinionin atë që ne tashmë e kemi të qartë që këtu është ndërhyrë për interesa të qeverisë, mazhorancës, Kryeministrit.

 

Të çfarë natyre janë interesat?

Të kesh në dorë të dhëna tatimore të gjithë biznesit, e para mund t’u bësh atyre presion, e dyta mund t’i përdorësh këto të dhëna për interesat e tua financiare, mjaftojnë këto të dyja, që janë në shkelje të ligjit, për të kuptuar se cilat kanë qenë interesat e tyre. Çfarë pune kanë këshilltarët e Kryeministrit për të ndërhyrë në serverin e tatimeve. Pra, kuptohet që kemi të bëjmë me një ndërhyrje me një qëllim të caktuar dhe aspak legal dhe pozitiv. Komisioni tjetër ka të bëjë me emërimet në administratë të personave me precedentë penalë. Ne kemi denoncuar vazhdimisht me fakte nga rastet kur njerëz të dënuar për krime të rënda sot janë në drejtimin e kësaj administrate në poste të rëndësishme dhe janë persona që drejtojnë qytetarët e ndershëm sot. Kjo është absolutisht e papranueshme, jo vetëm për vendet e Evropës, por edhe për Shqipërinë. Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri që të kemi një masë të tille njerëzisht të inkriminuar në administratë, duke filluar nga Parlamenti shqiptar. Pra, është një situatë që kërkon një zgjidhje të domosdoshme. Dhe komisioni për këtë çështje është vetëm hapi i parë nga ana jonë. Siç e dini, ne kemi rënë të paktën formalisht dakord dhe me mazhorancën për shqyrtimin e dekriminalizimit të Parlamentit dhe administratës shqiptare dhe ne presim që të ngrihet dhe një komision tjetër “ad hoc” midis dy palëve, një komision i përkohshëm që do të funksionojë për të përgatitur aspektin ligjor dhe për ta arritur qëllimin që ne kemi, dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Ne do të kërkojnë largimin e të gjithë personave që janë të lidhur me krimin. Ata nuk duhet të ishin aty ku janë dhe të kërkosh largimin e tyre, kjo është gjëja më minimale.

 

Sa të mundshëm e shikoni realizimin e dekriminalizimit?

Nëse ka vullnet politik nga mazhoranca, absolutisht që kjo është e mundshme. Unë e përsëris që këta persona duhet të ishin larguar dhe jo të mbroheshin, siç ka ndodhur herë pas herë nga kryeministri. Ne shpresojmë, prandaj kërkuam dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, se nuk kishim besim tek Rama. Kemi ndërhyrjen e tyre, është premtuar monitorimi i këtij procesi. Të shpresojmë që jo prej dëshirës dhe vullnetit të Kryeministrit, i cili është autori i inkriminimit të administratës dhe politikës në Shqipëri, por nën ndikimin, nën presionin e ndërkombëtarëve një proces i tillë të zhvillohet.

 

Sa persona mund të jenë të inkriminuar? Keni një shifër të përafërt?

Unë nuk mund të them se sa persona janë. Ne kemi denoncuar rastet që kemi pasur në dorë, në mos gaboj janë rreth 30 apo 40 raste të drejtorëve të lartë në administratë që ne i kemi denoncuar me fakte. Kemi deklaruar praninë e 19 deputetëve që kanë rekorde kriminale.

 

Cilët janë këta deputetë, të cilëve ju u adresoheni?

Ne i kemi thënë dhe sigurisht kur të nxirren emrat e të gjithëve, ne do të kemi fakte për ta, prandaj dhe po zhvillohet dhe ky proces që gjithçka të jetë e qartë, për ne dhe për mazhorancën.

 

Nëse thoni se janë 19 deputetë, kjo do të thotë se ju keni dijeni për ta apo… Mbi çfarë bazash ju i keni denoncuar pikërisht këta të 19-të dhe jo më shumë apo më pak?

Kur them që janë 19, edhe pse ne nuk i kemi provat direkte në dorë, kjo sepse në opinionin publik njihen shumë mirë se kush janë këta deputetë. Njihen rekordet e tyre kriminale, absolutisht në vendet ku ata janë zgjedhur, ku banojnë njihen shumë mirë, pavarësisht se janë mbrojtur nga Kryeministri. Bile janë futur edhe duke eliminuar të tjerë kandidatë për t’i futur këta njerëz që janë në Parlament. Pra, publikisht dihen, botërisht njihen këta elementë nga qytetarët shqiptarë dhe problem është të gjenden provat, meqë Rama deklaron se ai nuk i ka ditur të dhënat kriminale të këtyre deputetëve të tij dhe kërkon prova. Kjo është e vetmja arsye pse deri më sot ne nuk kemi publikuar shumicën e emrave të tyre, por absolutisht ata njihen shumë mirë në vendet ku banojnë nga qytetarët.

 

Cilët do të jenë objektivat që kërkon të arrijë opozita në Parlament deri në qershor, para zhvillimit të zgjedhjeve lokale më 21 qershor?

Për ne objektivi kryesor-madhor është dekriminalizimi. E kemi bërë të qartë që ditën që ne hymë në Parlament dhe absolutisht mbetet objektivi ynë kryesor. Dekriminalizimi i Parlamentit dhe administratës shtetërore.

 

Në emër të opozitës, deputeti Bylykbashi është shprehur që ligjet e deritanishme të miratuara nga mazhoranca sa i përket reformës në drejtësi të zhbëhen. Çfarë nënkupton kjo?

Një pjesë e atyre ligjeve që janë miratuar nga mazhoranca thjesht kanë të bëjnë me marrjen e kompetencave të atyre që janë pjesë e sistemit të drejtësisë, duke filluar edhe nga kryetari i KLD-së, që është Presidenti i Republikës, nga KLD-janë, pra janë në një farë mënyrë ligje antireformë, antidrejtësi. Pikërisht për këto ligje ne i kemi kërkuar mazhorancës që të tregojë vullnetin e saj se është gati të bashkëpunojë për një reformë të qenësishme në drejtësi dhe të tregojë vullnetin e saj dhe të kthejë mbrapsht apo të diskutojë me opozitën këto projektligje, duke filluar që nga dekreti i parë i Presidentit, që ka rikthyer ligjin për Gjykatën e Lartë e me radhë.

 

Ky është një kusht nga ana juaj si opozitë?

Sigurisht, nëse mazhoranca sa për sy e faqe thotë që jemi gati të bisedojmë, të bashkëpunojmë dhe ndërkohë që vazhdon rrugën që ka nisur që është krejtësisht e gabuar dhe vetëm në favor të drejtësisë që nuk është, atëherë ne nuk mund të bëhemi pjesë e një loje hipokrite që në vend që t’i zgjidhë problemet thjesht i rëndon edhe më shumë.

 

Si e shikoni propozimin që duhet t’i jepet pak më shumë forcë institucionit të Presidentit?

Presidenti mjafton që t’i mbajë kompetencat që ka, kompetenca që kjo mazhorancë ia merr. Nuk kemi kërkuar që t’i rriten kompetencat Presidentit. Ne thjesht kërkojmë që t’i jepen kompetencat Presidentit që ia jep Kushtetuta, gjë që po ndodh realisht. Pra, jemi më se normalë në kërkesën tonë, siç ishin kërkesat për të arritur në një marrëveshje me mazhorancën ku kërkonim thjesht zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ngritjen e komisioneve hetimore. Në këtë rast ne nuk kërkojmë asgjë, vetëm kërkojmë zbatimin e ligjeve të Kushtetutës së vendit. Duket absurde t’i kërkosh qeverisë marrëveshje që të zbatojë ligjin, por në këto kushte jemi. Jemi në kushte absurde dhe duket sikur kemi kërkesa absurde.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency