Takimi i Romës

0

Alba Kepi

Loading...

 Takimi itali serbi shqiperi“Nuk është se dje ishim djaj e sot jemi engjëj, – u shpreh ministri Bushati në takimin trepalësh Itali-Serbi-Shqipëri. – Nëse sot në Ballkan nuk ka gjakderdhje e paqartësi, sjell me fakte se perspektiva e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”.

Për ministrin e Jashtëm Ivica Dacic ngjarja në fushën e sportit në Beograd ngjante me një lojë mes dy kundërshtarëve, që kur arbitri nuk shikonte, përpiqeshin t’i vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit. E kaluara duhet të na mësoj të jemi më të arsyeshëm e të ndjekim një rrugë bashkëpunimi të përbashkët. Sa herë që Serbia e Shqipëria takohen duhet të flasin për gjëra të rëndësishme”.

Ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni e konsideroj takimin e Romës Itali-Serbi-Shqipëri “si një mesazh i qartë politik për Evropën e Brukselin”.

U zhvillua më 23 janar në Romë, në rezidencën qeveritare Vila Madama, takimi i shumëpritur trepalësh Itali-Shqipëri-Serbi nën nismën e shtetin italian e me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të tri vendeve pjesëmarrëse: z. Ditmir Bushati, z. Paolo Gentiloni e z. Ivica Dacic. Për ministrin italian, Serbia e Shqipëria janë dy vende kyçe në Ballkanin Qendror e territori i tyre është zona më e rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik e politik në të gjithë Ballkanin. “Ky takim trepalësh, – u shpreh ministri Gentiloni, – është një mesazh i hapur politik ndaj Evropës, me qëllimin e shprehjes se Italia do të kontribuojë me të gjitha forcat në integrimin e Shqipërisë e Serbisë në Bashkimin Evropian”. Politika e jashtme italiane ka një impenjim strategjik kryesisht për tri vende në Ballkan: Shqipëri, Serbi e Mali i e ky takim i sotëm është një fillim i mirë për të gjithë. Për ministrin e jashtëm italian takim i parë trepalësh i pari në llojin e tij do ndihmoj shumë dhe në rrugën drejt përmirësimit të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës e i paraprin një tjetër takimi të rëndësishëm midis këtyre dy vendeve në fund të muajit shkurt në institucionet evropiane. “Dua të nënvizoj, – u shpreh ministri i jashtëm italian-se çka nisëm sot duhet të ketë vazhdimësi, duke synuar që mos të mbetet vetëm një episod diplomatik e politik”. Për Italinë Ballkani e Mesdheu është zona më e rëndësishme për afërsi e lidhje historike, ekonomike e kulturore.

Për ministrin serb Ivica Dacic iniciativa italiane për të pasur bashkë në një tavoline pune si Shqipërinë dhe Serbinë është një nismë që duhet përshëndetur, një lajm i mirë dhe për Evropën. Ka mbështetjen e plotë të shtetit serb e padyshim do të ndikoj pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve prej 136 vitesh mes Italisë e Serbisë e prej 101 vitesh mes Italisë e Shqipërisë.

Ministri i jashtëm shqiptar z. Ditmir Bushati konfirmoj në konferencën e përbashkët për shtyp se përveç takimit trepalësh Itali-Serbi-Shqipëri, ka zhvilluar në Romë dhe një bashkëbisedim dypalësh me ministrin italian Paolo Gentiloni ku kanë diskutuar mbi mbështetjen strategjike të Italisë në rrugën evropiane të Shqipërisë, mbi kontributin gjithnjë e më pozitiv të komunitetit të madh shqiptar në Itali si dhe për një sërë iniciativash në të ardhmen ekonomike, energjetike e tregtare mes dy vendeve. “Falënderoj mikun Gentiloni, – u shpreh Bushati për mikpritjen e idenë e këtij takimi, për këtë mesazh politik e vullnetin e mirë në përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi. Dy vendet tona kanë një peshë specifike në rajon e takimi i sotëm është një perspektivë e qartë e Ballkanit në të ardhmen evropiane”.

Gjatë konferencës për shtyp mediat italiane shprehën interesimin mbi rolin e takimit të Romës në të ruajtjen e stabilitetit politik në Ballkan duke kujtuar faktin se si Shqipëria e Serbia janë dy vende që kanë pasur një të kaluar të vështirë politike, pa harruar situatën e vështirë aktualisht në Libi e problematikat e emigracionit. Për ministrin Bushati “nuk është se dje ishim djaj e sot jemi të gjithë engjëj, deri sa aktualisht në Ballkan nuk ka gjakderdhje e paqartësi, ky fakt është konfirmimi i impenjimit të çdo vendi për të qenë pjesë e integrueshme e Evropës”.

Mediat serbe nuk harruan të preknin në këtë konferencën shtypi butonin e nxehtë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Për ministrin serb Ivica Dacic “nuk duhet të rikthehemi fakteve të së shkuarës e sa herë që të jepet rasti t’i analizojmë. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nuk janë as drone e as lojëra e as lojtarë futbolli”. Por Ivica Dacic nuk harroi të komentonte se “ngjarja në fushën e sportit në Beograd ngjante me një lojë ku dy kundërshtarët, kur arbitri nuk shikonte, përpiqeshin t’i vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit. E kaluara duhet të na mësojë të jemi më të arsyeshëm e të ndjekim një rrugë bashkëpunimi të përbashkët”.

Gazetarët shqiptarë shprehën interesimin për rrugën e konkretizimit të qëllimit më të rëndësishëm të Shqipërisë në politikën e jashtme, pra nisja e negociatave për pranimin në Bashkimin Evropian. Ministri Bushati kujtoi rolin e padiskutueshëm të Italisë në këtë drejtim e në qëllimin e qeverisë shqiptare për vendosjen sa më të shpejtë në axhendën evropiane të hapjes së këtyre negociatave. “Por, – nënvizoi ministri shqiptar, – ne nuk duhet të harrojmë se na takon të kryejmë ato detyrat e shtëpisë që Evropa na ka ngarkuar e që janë objektivi ynë më i afërt”.

Loading...