Standard.al

Reforma në drejtësi/ Opozita s’merr pjesë në mbledhje, do kthimet e ligjeve. Xhafaj: Ka afat, nuk rrimë dot në pritje

Gëzim Saliu

 komisioni per refomen ne drejtesinePresidenti i Komisionit të Venecias në Tiranë të martën, takime për të afruar palët lidhur me reformën. Komisioni i posaçëm zgjedh grupin e ekspertëve të lartë për reformën, ja emrat

Pavarësisht miratimit të rezolutës së përbashkët dhe rikthimit në Parlament, opozita nuk ndryshon qëndrimin e saj sa i përket reformës në drejtësi, duke mos marrë pjesë në mbledhjet e komisionit të posaçëm parlamentar. Sipas demokratëve, paraprakisht, mazhoranca duhet të zhbëjë disa nga ligjet e miratuara në formë të njëanshme që prekin drejtpërsëdrejti sistemin e drejtësisë, duke iu referuar veçanërisht ndryshimeve të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë si edhe atyre për emërimet në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq në mbledhjen e djeshme, komisioni i posaçëm, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço, kreu i tij socialisti Fatmir Xhafaj deklaroi se nuk ka më arsye për mungesën e opozitës. Sipas tij koha është e limituar dhe PD duhet ti bashkohet sa më parë komisionit. “Besoj që opozita shumë shpejt do të jetë këtu, nuk ka asnjë arsye që të mos jetë. Por edhe çfarë hapash janë ndërmarrë deri tani janë hapa organizative që i japin mundësi edhe prezencës së opozitës, edhe fillimit të procesit, por natyrisht edhe nevojës që ne kemi për të ecur më shpejt në këtë proces, sepse ka një afat të limituar, nuk mund të rrimë pa fund në pritje”, – tha ai. Në të njëjtën linjë edhe ministri i Drejtësisë theksoi në fjalën e tij në komision ftesën për opozitën, duke pohuar: “Jemi dakord të gjithë që drejtësia nuk funksionon. Gjykata e Lartë ka sjellë specialistët. Gjithashtu i kanë sjellë Prokuroria e Përgjithshme. KLD etj. Kemi përgatitur një dokument analitik që do ja u bëjmë publik javës tjetër. Aty janë të gjitha tezat që kanë dalë nga takimet e nivelit të lartë. Ne po punojmë së bashku me Euralius, që do të kemi mënyrën si do vlerësojnë gjyqtarët. Strategjia e Ministrisë së Drejtësisë për drejtësinë shumë shpejt gati. Do të flitet për reformën në drejtësi dhe atashimin e Komisionit të Venecias për këtë reformë”, – u shpreh ai.

 

Mbledhja

Ndërkaq në mbledhjen e djeshme, komisioni miratoi grupin e ekspertëve të lartë që do të merren me hartimin e reformës, grup që përfshin përfaqësues nga institucionet e linjës por dhe përfaqësitë ndërkombëtare. Gjithashtu komisioni miratoi programin e punës për periudhën janar-qershor i cili në fazën e parë parashikon analizën e gjendjes së sistemit në drejtësi e ndërsa në fazën e dytë pritet ngritja e grupit të ekspertëve që do ta asistojnë atë. Komisioni do t’i drejtohet për ofrimin e kontributit misioneve ndërkombëtare, me rëndësi të veçantë komisionit të Venecias. Ndërkaq ngritja e sekretariatit teknik është faza e katërt, e cila do të bëjë finalizimin e propozimeve, duke i shndërruar në drafte konkrete. Mbledhja e djeshme e Komisionit të posaçëm ishte e dyta në radhë pas asaj të parës së zhvilluar në fund të vitit të kaluar, ku sërish munguan deputetët e opozitës, të cilët në atë kohë ishin në marrëdhënie bojkoti me Kuvendin. Ndërkohë qëndrimin e demokratëve për këtë reformën e bëri të ditur dy ditë më parë nënkryetari i komisionit të ligjeve Oerd Bylykbashi, i cili tha se paketa e ligjeve të miratuara nga mazhoranca që lidhet me sistemin e drejtësisë duhet zhbërë. Vetëm pas këtij hapi sipas PD-së do të mund të niset më pas me konsensus reforma në drejtësisë, ku rol parësor do të duhet të luajë ekspertiza ndërkombëtare.

 

Grupi i ekspertëve të lartë për reformën në drejtësi

Ardjan Gorani – Gjykata e Lartë

Ardjan Nuni – Gjykata e Lartë

Sokol Sadushi – Shkolla e Magjistraturës

Marjana Senini – Shkolla e Magjistraturës

Arben Rakipi – Shkolla e Magjistraturës

Artur Selami – Prokuroria e Përgjithshme

Enrik Ligori – Prokuroria e Përgjithshme

Maksim Haxhia – Dhoma Kombëtare e Avokatisë

Ardian Vishaj – Dhoma Kombëtare e Avokatisë

Altin Shegani – Universiteti i Tiranës

Aurela Anastasi -Universiteti i Tiranës

Artan Hoxha – Universiteti i Tiranës

Gent Ibrahimi – Ministria e Drejtësisë

Ilir Panda – Ministria e Drejtësisë

Artan Hajdari – Ministria e Drejtësisë

Euralius

OPDAT

USAID

OSBE

 

 Në krah të Neritan Cekës e Sequit/ Bushati me Gentilonin: Mbledhje e përbashkët qeverie mes Shqipërisë dhe Italisë

Brenda vitit 2015, qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë pritet të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët për të intensifikuar me tej marrëdhëniet dypalëshe. Kështu u shpreh vullneti dje në takimin e përbashkët në Romë mes ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe atij italian Paolo Gentiloni, ku palët vlerësuan po ashtu dialogun intensiv mes dy vendeve. “Ka ardhur momenti për një prani me të madhe të biznesit italian në vendin tonë, sidomos për praninë e kompanive të mëdha si dhe për investime italiane në sektorët strategjikë. Ndërkohë, është e nevojshme të mos humbim kohë për të konkretizuar gatishmërinë e qeverisë dhe angazhimin e Kryeministrit Renzi për njohjen e pensioneve si dhe për zgjidhjen e çështjes së taksës rrugore për auto transportuesit shqiptarë që udhëtojnë drejt Italisë”, – tha Bushati, në takimin dy palësh, ministri i jashtëm shqiptar shoqërohej nga ambasadori në Romë, Neritan Ceka, i cili dy vite më parë pati një debat të hapur me kryeministrin Rama lidhur me çështjen e famshme të “tërheqjes së veshit” të djalit të tij Egin Ceka. Po ashtu në këtë takim në krahun përballë në krah të ministrit të Jashtëm italian ishte një njohje “e vjetër” e Shqipërisë, ish-ambasadori i BE-së Ettore Sequi, i cili tashmë punon pranë qeverisë në Romë. Ndërkohë në takim dy ministrat e jashtëm shprehën shqetësimin e përbashkët për aktet e rënda e të shëmtuara terroriste që tronditën Francën dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe vendosmërinë për dënimin më të ashpër të këtyre akteve. Dy Ministrat shprehën kënaqësinë për krijimin së shpejti të grupit të përbashkët të punës për luftën kundër terrorizmit, për më tepër që kjo tematikë do të marrë një trajtim të veçantë gjatë kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Më parë të dy ministrat së bashku me kryediplomatin serb Daçiç zhvilluan një takim të përbashkët në kuadër të një nisme të Italisë për të nxitur dialogun në Ballkan, ku kryediplomatët e Tiranës dhe Beogradit vlerësuan se palët duhet të çojnë përpara bashkëpunimin.

 

Comments are closed.