Një shkrimtar në marrëzinë klinike të shqiptarëve

0
239

Enton Bido

honore daumier cooplesKritikë/Mbi romanin Baronesha Shenteben të shkrimtarit Viktor Canosinaj

Romani më i fundit i shkrimtarit Viktor Canosinaj “Baronesha Sheneteben” të sjell kënaqësinë e tekstit letrar pasi rrjedh nga një:

– Njohje e mirë e antropologjisë shqiptare, mendësi, zakone, tradita, kostume, kanunit; vaji i grave si në tragjeditë greke, gjama e burrave – unike kjo, sikundër koncepti i besës, pothuajse i pamundur për t’u kuptuar deri në fund nga të huajt, një se më gati e papërkthyeshme në gjuhët e tjera; lidhjet here të hapura dhe here të fshehta të ligjit të maleve me shtetin shqiptar në sapo nisur, në shpërgenj; përjashtimi nga “dispozitat” kanunore, ujditë, të pastra e të pista, pagesa nëndorë, nëndora(= ryshfeti), tipike shqiptare e të prejardhura gjithashtu nga supershteti perandorak, etj. Nga ana tjetër, kemi edhe përbërës jo tipikë, si: konkubinat, homoseksualizmi, etj. Gjithë kjo arkitekturë pajiset mandej me mjeshtërinë e të rrëfyerit dhe stilin origjinal, tashmë të mëvetshëm të romancierit.

-Ilustrimi me vargje popullore të spikatura nga melosi e ka bërë më lirik, por, deri diku, edhe më erotik romanin. Sensi i masës ruhet mire përgjithësisht, çka nuk është e re për një prozator me përvojë të gjatë të mësuar me narrative romanore. Ruajtja e drejtpeshimeve në rrëfim

(-përshkrim-dialog-histori e rrëfyer); gdhendja dhe tipizimi i karaktereve të vërteta, reale dhe jo më të idealizuara, por edhe të përgjithësuar, pra, heqja dorë nga idealizimi romantik dhe ardhja në realizëm magjik, përmes kriticizmit.

– Prapambetja, varfëria, besëtytnitë, padija dhe naiviteti (në ndjekjen e shfaqjes së “Medeas”), ose zemërimi dhe gati kacafytja në dasmë për pendët e laraskës, praktika e përgjimit të tjetrit gjatë dashurisë, thashethemet e zakonet, vese të tjera primitive, kalimi nga ironik a te sarkastikja, një qesëndi e hapur dhe therëse ndaj bashkëvendëseve tanë të fillim shekullit në dekadat e para të tij e shtojnë larminë e mozaikut shqiptar të romanit.

 

Personazhi qendror, Vilma. Ndershmëria dhe fisnikëria e Vilmës fiton mbi kërkesën e nënës dhe të së kushërirës për flirt. Qenia gay e të shoqit, për të cilën nuk ftillohet që në fillim e bëjnë këtë grua të vuajë dyfish, edhe pamundësinë e shtatzënisë, por edhe mospraninë fizike të të shoqit. Hipokrizia e një martese gati të paqenë, mungesa e fëmijës dhe e raportit seksual, vetmia shpirtërore dhe ajo trupore e sfilisin moralisht Vilmën. Në ëndrrat e mundimshme të kryepersonazhit vështrimi psikanalitik do të zbulonte nënshtresa më të thella të psikës në këtë rast do të bënte shumë punë. Edhe flirti me djaloshin e panjohur malësor, marrëdhëniet e fshehta idilike ngjanin, siç thoshte dashnori shqiptar “si me nji shtojzovalle”. Incesti dhe çmendja, marrëzia klinike prej tij (f. 131) është e re në prozën e gjatë të autorit.

Vërejtje. Paragrafë të caktuar mund të shmangeshin, megjithëse janë pak të rëndësishëm në raport me tërësinë e veprës. Ndonjëherë do të hasen edhe teprime, por në veprat letrare kërkimi i përsosmërisë në çdo kapitull duket pretendim i paarritshëm.

Një këshillë e vlefshme mendojmë se do të qe, që romanit t’i lihej titulli i parë i autorit: “Hëna mbi kështjellë”. Kështu do të lihej mbase si nën titull aktual, që ngjan i zakonshëm.

Si përfundim, prozatori V. Canosinaj ndodhet në pikën e pjekurinë të stilit shkrimor dhe të filozofisë që përcjell; ringjallja, rishpirtëzimi, veti këto të tipologjisë së realizmit fantastik, apo magjik tek dy romanet mëparshëm, tek “Baronesha Shenteben” ruhen më pak duke marrë trajta më të forta të realizmit gati kritik. Psikologjizmi ka hyrë mire në psikën e personazheve dhe, më e rëndësishmja, zbulimi dhe trajtimi i homoseksualizmit të z. Shenteben përbëjnë një risi për t’u nënvizuar.

Rritja e dozës së erotizmit në marrëdhëniet heteroseksuale nuk kthehet në prirje të qëllimtë, por bëhet funksional edhe nuk e prish estetikën e romanit.

Ravijëzimi i një personazhi krijon edhe etnotipin shqiptar, të shfaqur në fillim e shek. XX, mjaft i ngjashëm me atë të romaneve të mëparshëm, si: “Mallkimi i grave”, “Jetë të marra peng”, apo etnotipi i sjellë në shekullin që mbyllëm tek romani “I pafund ishte oqeani”. Në rastin e romanit në analize, ky etnotip përballet me evropianët e ardhur në Shqipëri dhe, me gjithë simpatinë e moskuptinmin, habinë që shqiptari /shqiptarja i ngjallin, personazhi qendror është si i lidhur prej providencës me njerëzit e atij kombi. Epilogu i romanit, në kreun 35 është kuptimplotë:

Ishte një pasdite nga fundi i dimrit dhe Vilma po dremiste pranë vatrës së madhe, kur shërbëtorja e njoftoi se te dera ndodhej një zotëri.

Si quhet?

Thotë se është shqiptar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency