Lokalet e 21 qershorit/ PD shuan dyshimet, Basha: Zgjedhjet, referendum qytetar. Procesi të vëzhgohet nga Brukseli

0
118

Erneta Shevroja

LLUZLIM BAsHA Ne Be PE dhe PPE, mbështetje opozitës në betejën për dekriminalizimin, Basha: Qeveria, përgjegjëse për ngritjen e fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan

Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të parashikuara të mbahen më 21 qershor. Këtë  e bëri të ditur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Brukseli, ku ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Evropiane. Basha vazhdon të cilësojë hartën e re territoriale si të papranueshme, e për këtë arsye ai e ka konsideruar 21 qershorin, ditën e zgjedhjeve, si një referendum i madh qytetar, ku këta të fundit do të shprehen jo vetëm për kandidatët e opozitës, por edhe kundër kësaj ndarjeje të territorit. Dhe kjo, sipas Bashës, nuk do të vonojë edhe shumë, gjë që nënkupton se me ardhjen e demokratëve në pushtet, kjo hartë do të pësojë ndryshime. Gjatë punimeve të Asamblesë, kryedemokrati Basha është shprehur edhe për betejën e dekriminalizimit të Kuvendit. Sipas Bashës, drejtues të lartë të institucioneve të Parlamentit Evropian dhe të Partisë Popullore Evropiane kanë shprehur shqetësimin e madh për kthimin pas të Shqipërisë e në veçanti për forcimin e mafies, trafikut të drogës dhe lidhjet e tij me pushtetin.

 

Basha

Opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, por kërkesa e saj është që këto zgjedhje të vëzhgohen nga partnerët e Brukselit që, sipas Bashës, vota e shqiptarëve të mos deformohet. 21 qershorin Basha e konsideron si një referendum, ku qytetarët do të shprehen jo vetëm për kandidatët e opozitës, por edhe kundër ndarjes së re territoriale. “PD ka qenë dhe është e vendosur që sovranit, qytetarëve shqiptarë, të mos u mohohet kurrë e drejta për të vendosur për hartën territoriale. Harta aktuale ka qenë, është dhe do të mbetet e papranueshme për PD-në. Ajo bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë 21 qershorin një referendum të madh qytetar për t’u shprehur me votë, jo vetëm për kandidatët e opozitës, por edhe kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe për t’i hapur rrugë një procesi, i cili nuk do të vonojë, ku së bashku me qytetarët shqiptarë do të vendosim hartën territoriale që është në favorin e interesave të tyre”, – tha Basha nga Brukseli.

 

BE, monitorim zgjedhjeve

Basha ka marrë mbështetje dhe garanci nga BE-ja që në këto zgjedhje, votat e qytetarëve të mos deformohen. Sipas Bashës, qeveria ka dhënë prova të vjedhjes së votave dhe për këtë arsye është i domosdoshëm monitorimi i procesit të zgjedhjeve vendore nga institucionet e Brukselit. “Kërkova monitorim të plotë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh që qeveria “Rama-Meta” e ka dhënë provën e saj të përgjithshme të shitblerjes së votës në 23 qershor dhe e ka përsëritur para kamerave në zgjedhjet e Korçës, duke amnistuar nga ndjekja penale keqbërësit e këtij krimi penal dhe mora garanci se jo vetëm PPE, por të gjitha institucionet e BE-së do të jenë tërësisht të angazhuara për këtë kauzë madhore, që është kauza e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri”, – u shpreh Basha.

 

Dekriminalizimi i Kuvendit

Në këtë Asamble, zyrtarët e lartë të PE-së dhe të PPE-së kanë kërkuar  mbajtjen e qëndrimeve të vendosura kundër depërtimit të krimit në qeverisje dhe i kanë dhënë mbështetje të plotë opozitës në betejën kundër krimit. Kreu i opozitës thekson se drejtuesit e qeverisë janë përgjegjës për ngritjen e fabrikës së përpunimit të kokainës  në Elbasan. Sipas tij, Rama dhe Meta kanë dështuar tërësisht në luftën kundër krimit. “Problemi kryesor është problemi i krimit, krimi me lidhje në politikë, penetrimi i kriminelëve në postet drejtuese deri në Parlamentin Shqiptar, instalimi në Shqipëri i bandave më të rrezikshme në rajon. Së fundmi, siç u pa, janë përgjegjës edhe për ngritjen e fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan, në këto dymbëdhjetë muaj që përkon me kohën e qeverisjes “Rama-Meta”. Këto janë sinjalet dhe provat më të qarta se larg retorikës dhe propagandës boshe, qeveria “Rama-Meta” jo vetëm ka dështuar tërësisht në luftën kundër krimit, por është përgjegjësja kryesore për situatën e pasigurisë në vend, për lulëzimin si asnjëherë të trafiqeve dhe për gradimin e bandave e të banditëve me pushtet të mjaftueshëm, saqë të ndihen rehat për të ngritur një fabrikë kokaine, në të cilën u sekuestrua një sasi me vlerë rreth 1 miliard euro”, – ka thënë lideri i demokratëve në punimet e Asamblesë në Bruksel, duke vijuar se ky është edhe thelbi i rezolutës së arritur për dekriminalizimin e Kuvendit. “Ky, natyrisht, është thelbi i rezolutës parlamentare dhe angazhimeve dypalëshe për t’u marrë me këtë problem. Natyrisht, përsërita që opozita është e gatshme dhe kërkon të nisë menjëherë nga puna. Natyrisht, puna kërkon vullnet të të dyja palëve. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë prioritet tjetër për Shqipërinë, nëse krimi në vend që të ndodhet para drejtësisë dhe prapa hekurave, ndodhet në Parlament dhe bën bashkëqeverisjen. Padyshim që vullneti politik i Partisë Popullore Evropiane dhe institucioneve evropiane është dhe më i fuqishëm për të na mbështetur”, – u shpreh Basha për mediat pas takimit. Basha ka theksuar se opozita është e vendosur që ta çojë deri në fund betejën e cila ka të bëjë me pastrimin e Kuvendit nga elementët e inkriminuar. “Ne jemi të vendosur të punojmë për zbatimin e rezolutës. Unë kam besim të plotë se nëse ka vullnet politik për të mos penguar punën e përbashkët, ka plot burra dhe gra në Partinë Socialiste, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë gati të japin kontributin e tyre, jo për interesin e PS-së dhe as për interesin e PD-së, por për interesin e qytetarëve shqiptarë, që meritojnë dhe domosdoshmërisht duhet të kenë një Parlament të çliruar nga krimi”, – ka thënë kryeopozitari.

 

Paralajmërimet e Bashës për hartën

 Kreu i opozitës ka lënë të nënkuptohet se me ardhjen e të djathtëve në pushtet, harta e re territoriale, me 61 njësi bashkiake, do të ndryshohet. “Harta aktuale bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë 21 qershorin një referendum të madh qytetar për t’u shprehur me votë, jo vetëm për kandidatët e opozitës, por edhe kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe për t’i hapur rrugë një procesi, i cili nuk do të vonojë, ku së bashku me qytetarët shqiptarë do të vendosim hartën territoriale që është në favorin e interesave të tyre”, – ka thënë Basha. Kujtojmë se të dyja forcat politike janë shprehur për domosdoshmërinë e një reforme administrative-territoriale, që, siç mund të kuptohet, do ta ketë rrugën të gjatë deri në finalizimin e saj.

 

PD: Tahiri, i lidhur me krimin e organizuar. Ministri padit Palokën për shpifje

Partia Demokratike, nëpërmjet nënkryetarit Edi Paloka, ka dënuar ndërhyrjet e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në debatet televizive dhe presionin që, sipas tyre, ai ushtroi ndaj medias e ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë. Paloka, nga selia blu, akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me krimin dhe, sipas tij, dyshimet që lindin pas fabrikës së kokainës sjellin nervozizmin dhe deklaratat e papranueshme të tij. “Ministri i Brendshëm shantazhoi mbrëmë përfaqësuesit e medias dhe të Prokurorisë në një tur telefonatash në dy prej studiove televizive më në zë të vendit, ku debatohej dhe ngrihej shqetësimi për mungesën e rendit dhe të sigurisë në vend”, – tha Paloka. “Kanë dalë fare hapur në publik, dhe gjithkush e di sot, se Saimir Tahiri është i lidhur me krimin e organizuar, se është mik i Emiliano Shullazit. Ai vetë e pranoi mbrëmë, në fakt, në atë ndërhyrjen e tij halucinante. Pikëpyetjet që po ngrihen për lidhjet e tij me fabrikën e kokainës e bëjnë gjithashtu nervoz ministrin”, – tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Menjëherë pas kësaj deklarate, Ministria e Brendshme bëri të ditur se Tahiri ka ngritur një padi penale ndaj nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka, për shpifje. “Edi Palokën e njeh mirë çdo qytetar që ndjek jetën politike shqiptare dhe s’ka dyshim se jo vetëm mes qytetarëve pa dallime partiake, po edhe mes vetë kolegëve të tij partiakë ka konsensus të plotë për faktin se ky individ jeton me profesionin e shpifësit, por ka ardhur koha që Edi Paloka të provojë të kundërtën, duke i rrëfyer përpara një trupi gjykues faktet që ai disponon për dalldisjet e tij publike”, – u bë e ditur nga Ministria e Brendshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency