Legalizimet në Kavajë/ Rama: S’ka më shaka me pronën e tjetrit dhe atë të shtetit

0
146

Gëzim Saliu

 rama kavajeKryeministri rikonfirmon kandidaturën e Roshit në Kavajë: Ndryshimin do ta shihni vit pas viti në çdo rrugë e në çdo shesh

Në shpërndarjen e 500 lejeve të legalizimit në Kavajë, Kryeministri Edi Rama tha dje se në 8 vite, PD dha për këtë qytet vetëm 461 legalizime. Për kreun e qeverisë shpërndarja e këtyre tapive përbën një akt të merituar për të gjithë ata që i përfitojnë duke marrë, sipas tij, atë që i takon dhe falas. “Ne sot bëjmë 500 legalizime që janë rezultat i një pune të më pak sesa të një viti të vetëm. E jo vetëm kaq, por si kudo tjetër edhe në Kavajë e njëjta histori; nga ato 461 legalizime, 80% ishin hotele, restorante, motele e ku e di unë se çfarë tjetër, por jo shtëpi. Ndërkohë që të 500 legalizimet tona sot janë shtëpi për ata që kanë sakrifikuar”, – u shpreh Rama në ceremoninë e djeshme ku merrnin pjesë edhe ministrja e Zhvillimit Urban, Gjermeni; drejtori i ALUIZN-it, Artan Lame, si edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi.

 

Legalizimi

Në takimin e djeshëm, Kryeministri nënvizoi se me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal tani ndërtimet pa leje nuk do të ndëshkohen më me gjobë, porse me dënim me burg. “Kemi përcaktuar qartë në ligj që pas kësaj nuk ka më asnjë shaka me ligjin. Nuk ka më asnjë shaka me pronën e tjetrit, nuk ka më asnjë shaka me pronën e shtetit, nuk ka më asnjë shaka as me pronën tënde sepse vendosja e një tulle të vetme pa leje, konsiderohet vepër penale dhe ndëshkohet nga Kodi Penal. Kështu që, të gjithë duhet ta kenë mirë parasysh këtë gjë, që ky është fundi i lumtur i një rrumpalle, që zgjati 20 vjet dhe që mbaron përfundimisht me afatin e skadimit të vetëdeklarimeve”, – u shpreh Rama. Ndërkaq me procesin e legalizimit, sipas kreut të qeverisë bëhet e mundur kthimi i shtëpisë në një pasuri. “Duke ju dhënë mundësinë që juve të mund ta përdorni këtë pasuri për të shkuar në bankë dhe për të marrë kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të çuar me studime djalin apo vajzën, për të blerë një makinë etj. Pra, nga një strehë pa leje, pa asnjë vlerë që nuk e njihte askush, sot keni një pronë të patundshme që e njeh shteti dhe e njeh dhe çdo bankë që ju do të doni të hyni në marrëdhënie. Ky është një ndryshim i rëndësishëm historik. Ky ndryshim do të sjellë të mira për ekonominë tonë kombëtare dhe për ekonominë familjare të të gjithë atyre njerëzve që kanë derdhur të gjithë paratë e kursimeve të tyre për të ndërtuar ato mure”, – theksoi Kryeministri. Nga ana tjetër, në fjalën e tij, Rama nuk kurseu lëvdatat për kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, duke nënkuptuar rikandidimin e sigurt të tij në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. “Pas 25 vjetësh po bëhet më në fund me sheshin evropian mesdhetar që u takon qytetarëve të vet dhe që do të jetë pa asnjë dyshim një nga hapësirat më të bukura publike të Shqipërisë. I jam mirënjohës dhe falënderues kryetarit të Bashkisë, i cili u ka qëndruar punëve në kokë, jo si në shtëpi të huaj, por si në shtëpinë e vet dhe i ka shërbyer me një përkushtim për t’u marrë shembull këtij komuniteti, këtij qyteti. Ne jemi të vendosur që atë që ju po shikoni dita-ditës, duke filluar nga qendra e Kavajës, ta shikoni muaj pas muaji dhe vit pas viti në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo hapësirë, ku ju jetoni si banorë të këtij qyteti”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

 Të hënën në 11, protesta/ PD: Politika fiskale e qeverisë ndaj naftës tregon pse çmimi nuk bie në Shqipëri

Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku, shpjegoi dje barrën e taksave që paguajnë shqiptarët për qeverinë në një litër karburant, duke e bërë çmimin më të lartë në rajon e në Evropë. Sipas demokratëve, ndonëse çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka 6 muaj që ka filluar të bjerë me ritme galopante, shqiptarët paguajnë më shtrenjtë sesa fqinjët e tyre çmimin për një litër naftë. “Nga korriku i vitit të kaluar deri më sot çmimi ka zbritur nga 110 USD për fuçi në 48 USD për fuçi, duke rënë 120%. Për të shpjeguar se përse sot çmimi në Shqipëri nuk bie, duhet të shohim politikën fiskale që qeveria ka ndërmarrë ndaj naftës në këto dy vite qeverisje. Në vitin e parë të qeverisjes, me gjithë kundërshtimin tonë, qeveria rriti taksën e qarkullimit nga 7 lekë për litër në 17 lekë për litër, pra shqiptarët paguan 12 lekë për litër me TVSH më shumë në të gjitha pikat e karburantit për gjithë vitin 2014. Vetëm kjo rritje ishte 56 milionë USD më shumë nga xhepat e shqiptarëve”, – u shpreh Tabaku. Më tej, deputetja e PD-së theksoi: “Në janar të këtij viti, qeveria ka filluar të aplikojë një regjim edhe më të rënduar taksash. Duke përfshirë edhe një rritje prej 17 në 27 lekë për litër, duke e çuar kështu taksën 24 lekë me TVSH për litër dhe duke marrë 56 milionë USD të tjera nga xhepat e shqiptarëve. Sot, qytetarët kur blejnë naftë në pikat e karburantit paguajnë; 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 25 lekë TVSH, 3.8 lekë taksë doganore, 5 lekë taksa ngjyrosje dhe portuale duke e shndërruar kështu peshën e taksave në çmimin përfundimtar në masën 60%”.

 

Partitë komuniste/ Dajti: Qeveria të tërhiqet nga futja në burg e njerëzve për energjinë, ndryshe do ta rrëzojmë

Fronti i Majtë, i përbërë nga grupet komuniste shqiptare, dënoi dje praktikën e ndjekur nga qeveria për burgosjen e atyre që nuk kanë paguar energjinë elektrike. Sipas kreut të Frontit, Marko Dajti, qeveria duhet të tërhiqet nga ky akt, pasi ndryshe do të përballet me bashkimin e shqiptarëve kundër pagesës së energjisë e deri në rrëzimin e ekzekutivit. “Fronti i Majtë e konsideron një akt barbar dhe totalisht të papërgjegjshëm të qeverisë shqiptare aksionin për burgosjen e debitorëve të energjisë elektrike. Ne i premtuam elektoratit shqiptar se do të ulim çmimin e energjisë elektrike. Por premtimet u tradhtuan. Nëse qeveria nuk tërhiqet nga ky akt i paprecedent, ne do t’u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të ndershëm, pa asnjë dallim, të refuzojnë në mënyrë kolektive pagesën e faturave të energjisë elektrike si akti i parë i mosbindjes civile, si deklaratë për fillimin e një beteje për të rrëzuar këtë qeveri edhe më të papërgjegjshme se ajo që rrëzuam më 23 qershor”, – u shpreh Dajti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency