Replika/ Rama: Sot nafta paguhet 20% më pak se vjet. Basha: Bojatisja e gënjeshtrave nuk pi më ujë

0
154

Erneta Shevroja

 karburantÇmimi i lartë i naftës, reagime dhe kundërreagime, PD thirrje qytetarëve në aksionin e 26 janarit

Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, kanë replikuar në largësi për çminim e naftës, që, sipas demokratëve, është më i lartë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Këto reagime erdhën pas lajmërimit të dy ditëve më parë të aksionit të Partisë Demokratike kundër çmimit të lartë të naftës, që, sipas tyre, mbahet i tillë, për shkak të taksave dhe klientelizimit që ka krijuar qeveria. Ditën e hënë, më 26 janar, Partia Demokratike u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që disponojnë një makinë, ta ndalin atë për 5 minuta në shenjë proteste ndaj çmimit të lartë të karburantit. Por, Kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale, gjatë ditës së djeshme hodhi poshtë deklaratat e Partisë Demokratike, duke u shprehur se “nuk po thotë që çmimin e uli qeveria, po vetëm që çmimi nuk u rrit po u ul dhe ky është fakt! Pra sot, naftën në Shqipëri e paguajmë 20% më pak se një vit më parë”.

 

Rama

Deklaratat e Partisë Demokratike Kryeministri Rama i vlerëson si “komente qorrazi”. Kjo, pasi, sipas tij, sot nafta në vend paguhet 20 për qind më pak se vitin e kaluar. Synimet e opozitës janë që të “mërzisin sa të munden”. “Askush nuk po thotë që çmimin e uli qeveria, po vetëm që çmimi nuk u rrit po u ul dhe ky është fakt! Pra sot, naftën në Shqipëri e paguajmë 20% më pak se një vit më parë”, – shkroi Kryeministri. Shefi i qeverisë bëri një koment edhe për krahasimet e ekonomisë sonë me ato të vendeve të Evropës Perëndimore. “Krahasimet me Gjermaninë e me Anglinë dhe me ekonomitë e forta të Evropës ua kemi lënë atyre që ikën. Kush bën të tilla krahasime nuk do që të kuptojë se ekonomia shqiptare sapo ka nisur të dalë nga gropa e madhe e para një viti dhe nuk mund të rimëkëmbet siç duam, përveçse me kontributin e të gjithëve! E treta, që të arrimë të krahasohemi me vendet normale as nuk duhet ta çojmë nëpër mend dhe jo më ta presim nga qeveria të bëjë politika badjahava me fatin e vendit e të fëmijëve të këtij vendi”, – komentoi Rama. Sipas, tij, qeveria e majtë nuk është për të gënjyer popullin, por për të bërë që të gjithë të respektojnë ligjin dhe të gjithë të paguajnë detyrimet ndaj shtetit. “Kjo qeveri nuk është krijuar për të vazhduar t’i tregojë popullit përrallën e gomarit që kur po e hante ujku mbyllte sytë dhe thoshte “O Zot ishalla jam në ëndërr!” Kjo qeveri është krijuar për të bërë shtet, për të siguruar që të gjithë respektojnë ligjin dhe paguajnë detyrimet e tyre, ashtu siç u takon; që nga dritat deri tek taksat sipas të ardhurave që kanë. Të tjerat janë politikë e vjetër ose muhabete që s’na nxjerrin asgjëkundi”, – vijoi Kryeministri. Akuzat e PD-së Rama i vlerësoi si plagë që i kanë hapur vetë demokratët në 8 vjet qeverisje. Në një koment të dytë Rama shkroi: “Ju thanë që çmimi do rritet si askund në botë. Që veturat, kamionët, anijet, madje edhe furrat e bukës do ndalen. Tani ju thonë pse nuk ulet më shumë se kudo në botë. Sepse kanë vetëm një dëshirë; T’ju mërzisin sa të munden! Vetëm një punë: T’ju gënjejnë sa të munden! Vetëm një qëllim: T’ju përdorin si të munden! Për një arsye të vetme: Pushtetin e tyre të humbur! Ngrenë gishtin dhe akuzojnë përditë për plagët e panumërta që hapen vetë. Për borxhet e mëdha. Për gropën e energjisë. Për kancerin e korrupsionit në arsim e shëndetësi. Madje kanë kurajon të na akuzojnë deri edhe për drogën e për krimin që i mbollën dhe rritën në prehrin e pushtetit të tyre. Janë i mbyturi që mbyt kë i vete pas”, – komentoi Kryeministri Edi Rama.

 

Basha

Basha i cilësoi reagimet e Kryeministrit si gënjeshtra, propagandë dhe mashtrime. “Vendimet e qeverisë, – u shpreh Basha dje, – vetë qytetarët i ndiejnë në kurrizin e tyre, ndërsa mazhoranca nuk ka përmbushur asnjë prej premtimeve të veta gjatë fushatës elektorale. Vajmedeti nuk del dot nga bunkeri i mashtrimit dhe propagandës. E ka kuptuar që bojatisja e gënjeshtrave nuk pi më ujë, ndaj është rikthyer te sporti i tij i vjetër: Ia hedh fajin kujt të mundet, por vetë nuk pranon asnjë përgjegjësi. E ka kot! Nuk mashtrohet më askush nga ky Nastradin. Shqiptarët po i provojnë në kurriz bëmat e tij”, – deklaroi lideri i demokratëve. Basha rikujtoi premtimet e Kryeministrit gjatë fushatës. Premtoi 300 mijë vende pune, por, sipas Bashës, punësoi vetëm persona të bandave të kriminalizuara “të lidhura kokë e këmbë me të”. “Premtoi ulje të çmimit të energjisë, por e rriti; premtoi ulje dhe subvencionim për naftën, por e rriti në nivelin më të lartë në Ballkan dhe Evropë; premtoi shëndetësi falas, por i ktheu spitalet në kuplara; premtoi reformë në arsim, por i ktheu drejtoritë arsimore në motele për pushtetarët; premtoi 300 mijë vende pune, por shpunësoi mijëra kryefamiljarë, të rinj e të reja. Punësoi vetëm Riformatot, kolumbianët dhe bandat e lidhura kokë e këmbë me të, që e kthyen Shqipërinë në Kolumbi të Evropës. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Durimit të njerëzve i ka ardhur fundi”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kryedemokrati Basha ripërsëriti thirrjen për protestën e 26 janarit. “Të hënën, në orën 11:00, startojmë protestën e madhe qytetare. Ndalim 5 minuta qarkullimin në të gjithë vendin dhe nisim aksionin e madh qytetar kundër çmimit të naftës, kundër çmimit të energjisë, kundër çmimeve dhe taksave të larta, kundër papunësisë, varfërisë dhe padrejtësisë”, – bëri thirrje Basha. Ndërkohë, si partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike denoncoi dje taksat e larta e të përsëritura të qeverisë si shkaktaren kryesore të çmimit të lartë të karburantit që po varfëron shqiptarët duke rritur koston e jetesës. “Qytetarët e vendit janë sot të vendosur për të luftuar kundër tiranisë së çmimit të karburanteve. Nuk mund të pranohet që shqiptarët të jenë delja e zezë e Evropës me çmimin më të lartë të naftës dhe benzinës në gjithë rajonin e në gjithë kontinentin, vetëm sepse kështu ka vendosur Edi Rama me taksat e tij”, – tha deputetja demokrate, Voltana Ademi. “Shqiptarët do të protestojnë të hënën paradite në orën 11:00, sepse paguajnë më shtrenjtë çdo produkt vetëm si pasojë e rritjes se çmimit te karburantit. Dhe qeveria e Edi Ramës merr nga xhepat e qytetarëve çdo vit 56 milionë dollarë taksa vetëm nga nafta”- tha Ademi. Ndërkohë demokratët kanë paralajmëruar se aksioni i së hënës që vjen është vetëm hapi i parë i protestave kundër shtrenjtimit të jetës së shqiptarëve. “Ky është vetëm fillimi i një aksion qytetar që duhet të vërë në lëvizje secilin prej nesh. Partia Demokratike do të jetë në krah të shqiptarëve dhe kauzës së tyre të drejtë, derisa qeveria të marrë masa për uljen e taksave dhe uljen e çmimit të karburanteve”, – theksi deputetja demokrate.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency