Reforma në drejtësi/ Kushti i PD-së për pjesëmarrjen në komision: Të zhbëhen ligjet që prekën sistemin

0
123

Gëzim Saliu

 komsioni per drejtesineBylykbashi: Ligji për Gjykatën e Lartë, ai për KLD-në, ligji për pezullimin e gjyqtarëve dhe Shkolla e Magjistraturës synojnë kontrollin e sistemit të drejtësisë, duhen zhbërë

Për pjesëmarrjen e saj në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Partia Demokratike kërkon zhbërjen e të gjitha ligjeve që kanë prekur sistemin. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi, deklaroi se reforma në drejtësi është mjaft e rëndësishme dhe kryerja e saj duhet të jetë në interes të qytetarëve dhe jo të qeverisë apo Kryeministrit. Sipas ligjvënësit demokrat, deri më tani, paketa e ligjeve e miratuar nga mazhoranca që lidhet me sistemin e drejtësisë ka pasur si synim kryesor kapjen dhe kontrollin e këtij sistemi. Nisur nga kjo, Bylykbashi e cilësoi si të domosdoshme zhbërjen e këtyre ligjeve, për t’i hapur rrugën më pas konsensusit mes palëve për një reformë reale dhe me ekspertizë ndërkombëtare. “Zhbërja e këtyre ligjeve është shumë e rëndësishme. Apo zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në këtë domen është shumë i rëndësishëm. Ajo që duhet të jetë prioriteti ynë është prioriteti për një reformë në drejtësi sipas të gjithë parametrave që presin shqiptarët dhe BE. Jo interesi i Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit apo kujtdo personi në enturazhin e tyre që kërkojnë të kapin kontrollin e drejtësisë. Dhe këto që kanë bërë deri më sot, qoftë ligji për Gjykatën e Lartë, qoftë ligji për KLD, ligji për pezullimin e gjyqtarëve, shkolla e Magjistraturës apo edhe këshilluesve të ndihmësve ligjorë të Gjykatës Administrative janë vetëm me një emërues të përbashkët. Emrat konkret të personave që do të emërohen do të shkarkohen në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo do të thotë kërkesë për kontroll”, – u shpreh deputeti i PD-së.

 

Reforma

Për Partinë Demokratike ndryshimet e bëra nga mazhoranca në paketën e ligjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë bien ndesh me pavarësinë që duhet të gëzojnë këto institucione. Sipas Bylykbashit, i gjithë procesi për reformën është i nisur keq, pasi ka munguar pikë së pari konsensusi politik. “Një sistem gjyqësor që nuk është i pavarur është po aq i keq sa një sistem që është i korruptuar. Të dyja këto të këqija ne duhet t’i luftojmë, por duhet t’i luftojmë së bashku, jo njëherë një pjesë që i intereson Edi Ramës dhe më pas shohim për pjesën tjetër”, – tha ai. Ndërkaq, demokratët kanë kërkuar me ngulm që reforma në drejtësi të ketë ndërhyrje tërësore përmes ekspertizën së ndërkombëtarëve si edhe gjithëpërfshirje, jo vetëm të aktorëve politikë por kryesisht ekspertëve të fushës. Nga ana e saj mazhoranca e ka cilësuar reformën në drejtësi si kryereformën e këtij sesioni, duke vendosur theksin tek domosdoshmëria e kryerjes së saj. Vetëm pak javë më parë nisi punën me mbledhjen e parë komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, ku në atë kohë opozita ishte ende në periudhë bojkoti. Kreu i këtij komisioni ka bërë të ditur se do të pritet nga Ministria e Drejtësisë projekt-dokumenti nga duhet të nisë reforma si edhe nga institucionet e drejtësisë emrat e ekspertëve që do asistojnë procesin. Komisioni për reformën në drejtësi përbëhet nga 11 anëtarë, ku përkatësisht 6 prej tyre janë të mazhorancës; Fatmir Xhafaj, Armando Subashi, Pandeli Majko; Vasilika Hysi; Ulsi Manja dhe Spartak Braho. Ndërkaq opozitës i takojnë pesë anëtarë; tre PD-ja, një PDIU si dhe një PR.

 

Vendimi/Kushtetuesja rrëzon PD-në: Kuvendi propozon emrin e kreut të ILDKP-së

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen të papajtueshëm me ligjin themeltar të shtetit ndryshimet në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive” . PD kishte kundërshtuar ndryshimet e propozuara nga mazhoranca, të cilat i hoqën kompetencën Presidentit, për të propozuar emrin për kreun e Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, duke ia kaluar parlamentit. Sipas PD-së, ndryshimet ishin antikushtetuese dhe revansh i radhës i qeverisë drejt shtetit oligarkik, duke kapur dhe nënshtruar politikisht çdo institucion. “Gjykata në fund të seancës, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, me vendimin e datës 22.1.2015, bazuar në nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi rrëzimin e kësaj kërkese”, – thuhej në vendimin e gjykatës Kushtetuese. Kundër këtij ligji nuk ishte vetëm opozita por dhe presidenti Bujar Nishani, i cili e refuzoi me dekret, duke u cilësuar si jo kushtetues dhe cenues për kompetencat e tij.

 

 Asambleja e Aleancës së Grave/ Deputetet, sensibilizim për dhunën ndaj gruas. Bregu: Të fshihen komentet fyese në mediat online

Deputetet e Parlamentit shqiptar nisën dje një fushatë sensibilizuese kundër dhunës ndaj gruas. Edhe pse në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së Aleancës së grave, deputetet nuk ishin në konsensus për çdo gjë, u ra dakord që duhej të bëhej më shumë për të mbështetur gratë që dhunohen. Por ndërkaq nuk mungoi edhe një incident i vogël lidhur me këtë mbledhje, pasi ishin pikërisht burrat e Komisionit të Ekonomisë që i detyruan të shtynin dhe të zhvendosnin mbledhjen në një tjetër ambient. Ndërkaq, deputetja Majlinda Bregu njoftoi edhe nismën për ndryshime ligjore në kodin civil,që do të detyroje mediat online të fshijnë komentet denigruese për femrat. “Kam depozituar sot kërkesën në kuvend kryetarit të Kuvendit për dy nisma ligjore, ndryshime. E para ka të bëjë me shqetësimin e vazhdueshëm që secila nga ne që është figurë publike, por jo vetëm çdo grua dhe vajzë ka mbi raportimet dhe komentet që bëhen në faqet e mediave online. Është shkelje, cenim i dinjitetit, personalitetit dhe imazhit të një gruaje, ndaj ka propozuar sot ndryshimin për Kodin Civil, që do të thotë se në media online është e detyruar ose do jetë e detyruar të fshijë komentet denigruese për gratë dhe vajzat në faqet e tyre”, – tha Bregu. Nisma e Aleancës u mbështet edhe nga Presidenti Nishani, i cili i ftoi deputetet në një takim konsultues.

 

 Ambasadori i SHBA-së/ Rama takon Donald Lunë: Shqipëria, rol në koalicionin global kundër ISIS-it

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim pune me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, ku në qendër të tij ishte miqësia e ngushtë mes dy vendeve dhe bashkëpunimi në kuadër të aleancës në NATO. K Rama e njohu ambasadorin Lu me prioritetet e qeverisë shqiptare dhe e siguroi atë për rolin e vazhdueshëm që Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, do të luajë në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Roli i Shqipërisë në koalicionin global kundër ISIS-it dhe promovimi i harmonisë fetare në vendin tonë ishin gjithashtu çështje të rëndësishme të diskutimit. Kreu i qeverisë e falënderoi Ambasadorin amerikan për kontributin e vyer që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për shqiptarët dhe Shqipërinë si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane ndaj integrimit evropian të vendit tonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency