Rasti në Kuvend/ Qeveria sjell ligj të ri vetëm me një ndryshim fjale, deputetët: S’jemi për korrektim teksti

0
121

Gëzim Saliu

 veprimtaria prodhuese..Moratoriumi për gjuetinë, deputetët e PD e PS: Po shkelet hapur, më së shumti nga italianët

Sjellja nga qeveria në Kuvend e ndryshimit të ligjit për rregullat dhe procedurat e tregtimit të faunës dhe florës së egër me vetëm një pikë të re në draft ka sjellë reagimin kundërshtues të deputetëve të të dyja palëve në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Përkatësisht ndryshimi i ligjit i sjellë nga Ministria e Mjedisit ka si qëllim të korrigjojë një gabim në zbardhjen e tekstit të ligjit nr. 9867, datë 31.1.2008, gjë që nuk është mirëpritur nga deputetët. “Ngre shqetësimin që mblidhemi si komision për të ndryshuar një fjalë të cilën ju e argumentoni në faqen 2 të relacionit si evidentim i problematikës së krijuar nga redaktimi. Po ta shohësh ju bëni ndryshimin e fjalës “lëshohet nga autoriteti shkencor kur…” me “lëshohet vetëm nga autoriteti shkencor…”. Në qoftë se në ligjin e kaluar përveç autoriteti shkencor kanë qenë edhe instanca të tjera, ato duhej të ishin. Në qoftë se nuk ka pasur të tillë, ky është problem vetëm interpretimi. Të mblidhet një komision për një fjalë që në thelb s’ka ndryshuar asgjë. Jemi mbledh për këtë projektligj, por nuk shoh se ka pas autoritet tjetër për të lëshuar leje për import, pasi po të kishte pasur do të thuhej në projektligjin e ri”, – u shpreh deputeti Namik Kopliku. Po ashtu edhe kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, duke iu referua kritikës së Koplikut, pyeti përfaqësuesin e ministrisë duke pohuar: “Bëhet fjala për një lapsus kur është shkruar dhe sot kemi ardhur të korrektojmë lapsusin. Lapsusi ka prodhuar pasojë apo jo, mund të prodhojë pasoja në ekzekutim, këtë moment duhet ta sqaroni mirë, në mënyrë që të jemi të qartë”. Nga ana e saj Elvana Ramaj, kryesuesja e Drejtorisë së Biodiversitetit në Ministrisë e Mjedisit pranoi se ndryshimet në ligj lidhen vetëm me këtë korrigjim. “Ndryshimi përforcon faktin që vetëm pasi shprehet autoriteti shkencor, vetëm atëherë autoriteti menaxhues mund të japë OK për tregtinë. Deri më tani nuk ka prodhuar pasoja por për të qenë 100% në përputhje me tekstin e konventës, e cila citon vetëm “kur autoriteti shkencor jepet me shkrim… Lapsusi është gabim njerëzor”, – tha ajo. Ndërkaq, e pyetur nga Shalsi se pse kjo gjë nuk ishte vënë re më parë që prej 2008-ës, përfaqësuesja tha se gabimi ishte kuptuar që në botimin në fletoren zyrtare, porse konventat e radhës dhe aplikimi i tyre e la pas këtë pjesë.

 

Gjuetia e paligjshme

Ndërkaq, në diskutimin e ligjit, deputetët ngritën shqetësimi për moszbatimin e moratoriumit të vendosur nga Ministria e Mjedisit për ndalimin e gjuetisë, duke i bërë apel qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë në penalizimin e abuzuesve. Deputeti demokrat Kozma Dashi pyeti përfaqësuesen e Ministrisë nëse kishte dijeni për kundërvajtësit e shkeljes së moratoriumit dhe për masat që janë marrë. “E dyta kryetari i PD-së Lushnjë ka ngritur një shqetësim për tregtinë e pakontrolluar në Lagunën e Karavastasë, ju keni ndonjë përgjigje për këtë problem?”, – pyeti ai. Në përgjigje të këtij shqetësimi, Ramaj tha: “Për kundërvajtësit kuptohet që ka pasur masa ndërkohë që është kompetencë e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit të Pyjeve dhe Ujërave kjo pjesë. Ndërkohë, lidhur me parkun kombëtar, në këtë zonë është e ndalur gjuetia, edhe kur nuk ishte moratorium”. Në ndërhyrjen e dytë deputeti demokrat bëri të ditur një denoncim të gjuetarëve për gjueti të paligjshme edhe pas vendosjes së moratoriumit. “Shqetësimi im vjen që anëtarë të Shoqatës së Gjahtarëve të Fierit dhe Mallakastrës, ku shprehin shqetësim për shkeljen e moratoriumit, njerëz gjuajnë natën, lepuj etj. dhe vetëm gjahtarët e ndershëm nuk gjuajnë. Kemi pasur denoncime thonë dhe ato janë kthyer mbrapsht”, – u shpreh ai. Në të njëjtën linjë, deputeti socialist Besnik Baraj theksoi se shtetas shqiptarë, por në veçanti, gjuetarë italianë vijnë në Shqipëri dhe nuk respektojnë kriteret për ndalimin e gjuetisë. “Bashkohem me shqetësimin e kolegut në lidhje me moratoriumit, sikurse ka shumicë gjuetarësh të ndershëm që e respektojnë. Po kështu ka zona dhe gjuetarë të paligjshëm që nuk e respektojnë. Edhe unë kam mesazh për në Bogovë, ku edhe hotelin japin, ku ka edhe gjuetarë italianë, ende sot gjejnë dhe vijnë në këto grupe që do t’i quaja po aq kriminale si problemet e tjera të krimit që veprojnë”, – u shpreh Baraj.

 

 Për ligjin e Gjykatës së Lartë/ Shtyhet shqyrtimi i dekretit të Presidentit. Halimi, debat me Finon: Rama del para Parlamentit

Dekreti i Presidentit Bujar Nishani që kthen ligjin për Gjykatën e Lartë për rishqyrtim në Kuvend do të shtyhet. Kështu bëri të ditur dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, kryetari i tij, Fatmir Xhafaj, duke theksuar se diskutimi do të shtyhet për ditën e hënë. “Nesër nuk do të ketë mbledhje të Komisionit, për shkak të diskutimit që u bë lidhur me kalendarin, çështja që ishte për shqyrtim ditën e premte do të shqyrtohet ditën e hënë”, – tha Xhafaj. Ndërkaq, dy ditë më parë demokratët përmes deputeti Bylykbashi kërkuan shtyrjen e diskutimit për këtë dekret, duke kërkuar më shumë kohë në kuadër të gjetjes së dakordësisë mes palëve për një ligj të miratuar me konsensus të gjerë mes palëve. Nga ana tjetër në mbledhjen e djeshme, e cila nuk zgjati më shumë se 15 minuta, nuk munguan debatet mes palëve politike. Projektligji “Për një ndryshim në aktin normativ me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve” hasi në diskutim mes deputetëve të majtë e të djathtë. “Ajo që më bën përshtypje është se për shkak se Kryeministri nxjerr një urdhër ne detyrohemi të ndryshojmë ligjin. Në fakt, duhej të ishte e kundërta. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje afatgjatë, që të mos kemi nevojë që sa herë që Kryeministri nxjerr një urdhër, të ndryshohet ligji. Është Parlamenti që vendos dhe zbaton Kryeministri”, – u shpreh Bylykbashi. Në përgjigje të tij, deputeti Bashkim Fino tha: “Kryeministri dhe ministrat kanë të drejtë për të bërë ndryshime strukturore dhe kur bëhet një ndryshim i tillë, nuk mund të merret parasysh që ligji ka kaluar. Këtu nuk mund të bëjmë me faj, vetëm se jemi në opozitë Kryeministrin pse ndryshoi strukturën e Ministrisë së Financave. Kjo është një gjë teknike”, – tha Fino. Ndërhyrja e Finos ka shërbyer për reagimin e demokratit tjetër Eduard Halimi, i cili ka theksuar se Kryeministri kërkon të mbajë të gjitha pushtetet. “Ky ndryshim në ligj që po bëjmë vjen, sepse në dhjetor Kryeministri ka ndryshuar strukturën, pra meqenëse Kryeministri ndryshoi strukturën, atëherë hajde t’i vëmë mbas fillit dhe Parlamenti të ndryshojë dhe ligjin. Nuk e pengonte gjë Kryeministrin të priste, të bëheshin ndryshimet ligjore dhe pastaj të kishte ndryshime strukturore, por Kryeministri do të jetë edhe Kryeparlamentar, edhe kryegjykatës, edhe kryeprokuror, kështu e ka ai”.

 

 Vakanca/ Mazhoranca, gati emrat për plotësimin e KQZ-së

Mazhoranca ka gati 3 kandidaturat që do të plotësojnë vendet bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, deklaroi dje se shumë shpejt emrat e anëtarëve të rinj, për të cilët theksoi se janë figura me integritet, do t’i çohen Parlamentit për miratim. Nga ana tjetër ai pohoi se nuk do të ndryshojë kompozimi aktual i KQZ-së. “Sigurisht që mazhoranca ka menduar edhe për këtë, nuk është momenti për t’u bërë publike, por shumë shpejt do të dalin. Ka edhe arsye ligjore kur shkarkohen anëtarët e KQZ-së, por gjëja më e rëndësishme është plotësimi i vakancave të KQZ-së”, – u shpreh ministri. Ndërkaq, më parë është mësuar se Denar Biba dhe Ilirian Muho do të jenë dy nga tre emrat e mazhorancës që do të ulen sërish ne karriget e institucionit më të rëndësishëm zgjedhor. Kështu, Muho, i cili pritet të rikthehet në KQZ si anëtar i saj, do të japë së shpejti dorëheqjen nga drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave. Nga ana e tij, Denar Biba ka dhënë dorëheqjen dy muaj më parë nga posti i kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike e ndërsa tani pritet të rikthehet në KQZ.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency