Intervista/ Berisha: Duhet drejtësi e plotë për 21 Janarin, Rama fajtor për 4 të vrarët

0
117

sali berisha“Kam denoncuar në atë kohë të gjithë autorët e këtij puçi dhe nuk i heq asnjë presje atij qëndrimi të asokohe. Në atë përpjekje për të marrë me dhunë pushtetin, u sollën njerëz të paguar, u sollën të tjerë jo të paguar, me një motiv, “do rrëzojmë Sali Berishën”

 Ish-kryeministri Sali Berisha nuk tërhiqet në asnjë prej deklaratave të tij të bëra para 4 vitesh për 21 Janarin e 2011-ës. Ajo ngjarje ishte një “puç i krijuar për të kundër institucioneve kushtetuese”. Sipas tij, është jetike të vendoset drejtësia, e për Sali Berishën, ka vetëm një fajtor, Edi Rama. Kjo, pasi, siç arsyeton ish-kryeministri, ka qenë kreu i qeverisë që i ka sjellë dhe i ka organizuar njerëzit për ta rrëzuar atë me dhunë nga pushteti. “Një hetim i gjithanshëm është absolutisht i domosdoshëm”, – tha Berisha në një intervistë për “ABC News”, por, sipas tij, është vetë Edi Rama që në bashkëpunim me ish-prokuroren e Përgjithshme e bllokuan hetimin.

 

21 Janari

“Në rrafshin historik, e kam theksuar në Parlamentin shqiptar dhe e theksoj prapë se pas 80 e ca vitesh, ajo ishte dita më e shëmtuar në historinë e shtetit shqiptar, kur politikanë të papërgjegjshëm menduan të rrëzonin me dhunë një kryetar qeverie, një qeveri të zgjedhur me votat e shqiptarëve. Në këtë kontekst, ky akt regjistrohet në histori si një puç i mirëfilltë kundër institucioneve kushtetuese. Kam denoncuar në atë kohë të gjithë autorët e këtij puçi dhe nuk i heq asnjë presje atij qëndrimi të asokohe. Në atë përpjekje për të marrë me dhunë pushtetin, u sollën njerëz të paguar, u sollën të tjerë jo të paguar, me një motiv, “do rrëzojmë Sali Berishën”. Ajo që kërkoj unë nga ju dhe nga mediat, le të shkojmë të marrim intervistën. Çfarë u tha i ndjeri Ziver vëllait dhe familjes së tij se përse e sollën nga Greqia dhe unë shfrytëzoj rastin t’u shpreh edhe një herë ngushëllimet familjeve. ‘Nga Greqia, – tha, – më sollën për të rrëzuar Sali Berishën, më thanë do rrëzojmë Sali Berishën’. Të njëjtën gjë u thanë atyre që sollën dhe rrethuan Kryeministrinë. Një gjë është për t’u theksuar. Nuk ka gjë më të rëndë sesa të të qajnë ata që të vranë. Dhe kjo po ndodh!”, – tha ish-kryeministri.
Drejtësia

Njeriu që ka qenë më i interesuar për t’u bërë drejtësia ka qenë ai që u rrethua në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe Kushtetutën e vendit për 5 orë të tëra vetëm e vetëm për ta larguar me dhunë nga zyra. Shqiptarët e dinë mirë se çfarë u thanë atyre që i sollën për të rrëzuar Kryeministrin, shqiptarët e dinë mirë se cilat qenë parullat antikushtetuese, mbi të cilat u ngjiz kjo lëvizje, shqiptarët e dinë mirë se Edi Rama kishte bërë gati fjalimin për të folur nga ballkoni i zyrës sime. Shqiptarët i dinë të gjitha këto. Pati 4 viktima. Fatkeqësi. Por e kam thënë edhe atëherë dhe e them edhe tani se kurrë një institucion i dalë nga vota e lirë nuk mund të merret. Duke thënë këtë absolutisht e konsideroj absolutisht të domosdoshme e jetike drejtësinë. Por problem është se drejtësia s’mund të bëhet, sepse kreu i këtij akti është Edi Rama, i cili i solli njerëzit, siç kanë dëshmuar vetë familjarët e tyre, për të rrëzuar një qeveri me dhunë. Se i implikuar në të është ish-kreu i shtetit, i cili kishte bërë marrëveshje t’i zgjatej mandati apo prokurorja e Përgjithshme që kërkonte me çdo kusht që të dominonte Edi Rama. Kush e bllokoi hetimin? Hetimi nisi dhe me specialistë ndërkombëtarë. Po s’pranohej të thirrej Edi Rama, nuk shkonte Edi Rama për të deponuar, sepse me Ina Ramën dhe ata e bllokuan. Një hetim i gjithanshëm është absolutisht i domosdoshëm. Çfarë ndodhi para Kryeministrisë? U hodhën mijëra gurë, dinamit, plumba në dritare, u dërrmuan forcat e rendit dhe policia. Sa e shkeli Garda ligjin? Garda ka një ligj. Pse s’e ndryshuan ligjin këta zotërinjtë? Thanë do ta ndryshojnë, ligji është i tyre, s’është yni, rastësi që atë ligj s’e kemi bërë ne, e ka bërë PS. Pra, të gjitha këto janë thjesht një hipokrizi, është një nekropolitikë primitive e neveritshme. Kam edhe një herë mirëkuptim të plotë për dhimbjen e familjarëve për kërkesën e tyre për drejtësi, kam disrespekt të plotë për ata të cilët përdorin viktimat e tyre për qëllime politike. Nuk më impresionojnë, kjo nuk më impresionon! Drejtësia është drejtësi dhe për çdo shqiptar përgjegjës kryesor është Edi Rama që donte të ulej në karrigen time të asokohe, në karrigen e kryeministrit, pa vota”, – u shpreh Berisha. “A filloi kjo dhunë dhe kjo revoltë për bllokun e Ilir Metës? A u detyruan ata vetë të thoshin se e kishin montuar videon për Sali Berishën, se nuk është e vërtetë. A është Ilir Meta sot shumë më i rëndësishëm se ç’ishte në atë kohë në qeverinë e Edi Ramës? Ilir Meta sot është numri dy i Shqipërisë, në protokoll më i rëndësishëm se Edi Rama. Atëherë i them Edi Ramës: Mos shkelmo mbi lotët e familjarëve, viktimave, se këto janë qëndrime makbethiane. Nëse ka njëri që është përgjegjës moral dhe ligjor, numri një është ai”, – deklaroi ish-kreu i demokratëve.

 

Shpenzimet/ Fond prej 1.5 miliardë lekësh për shpronësimet, 1.5 mln për KESH-in, PD: Ekonomia në koma

Procesi i shpronësimeve do të marrë një fond prej 1.5 miliardë lekësh nga buxheti i investimeve të parealizuara gjatë vitit që kaloi. Kështu deklaroi ministri i Financave Shkëlqim Cani në Komisionin e Ekonomisë, ditën e djeshme gjatë diskutimeve për investimet e parealizuara në buxhetin e vitit 2014. Ndërkohë një fond prej 1.5 miliardë lekësh do të shkojë për investime në sektorin energjetik, ku një pjesë do të shkojë për shlyerjen e detyrimet ndaj biznesit privat sidomos hidrocentraleve të vegjël. “Akti normativ ka 3 objektiva. Së pari, objektiv rialokimi i fondeve për të krijuar fondin e shpronësimeve. Së dyti, objektiv mbështetjen e sektorit të energjisë. Së treti, objektiv rialokimin e fondeve në plane dhe projekte”, – tha Cani në Komision. Ky akt nuk u mbështet nga deputetët e opozitës, të cilët shprehën rezerva në mënyrën e shpërndarjes së buxhetit. Në emër të deputetëve, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se opozita nuk mbështet këtë akt normativ. “Ekonomia po vazhdon të ndrydhet dhe të gjitha sinjalet i keni të qarta. Rënia e përmuajshme e inflacionit ka çuar që në muajin dhjetor ekonomia të jetë në koma, 0.9 për qind. Janë prekur shtresa të gjera, pikërisht nga kjo situatë ekonomike. Nuk është fjala për të varfrit që janë bërë të mjerë, por është fjala për ata që kanë pasur një aktivitet ekonomik dhe një burim të ardhurash që janë bërë të varfër. Bujqësia është braktisur tërësisht. Për të gjitha këto arsye ne e konsiderojmë këtë të panevojshëm dhe si opozitë nuk do ta miratojmë këtë akt normativ. Jemi kundër një veprimi të tillë i cili nuk ka të bëjë aspekt, as me ato dy argumente që shënohen në relacionin”, – tha Bode. Në total kanë qenë 865 milionë lekë nga investimet publike të parealizuara gjatë vitit që shkoi. Për këto para, ditën e djeshme opozita kërkoi listën se cilat ministri nuk kanë realizuara objektive dhe në cilat ministri kaluan këto para. Ky akt normativ kaloi me vetëm votat e deputetëve të mazhorancës.

 

Bumçi: Skandali diplomatik, ministri Bushati shokon partnerët, duke refuzuar drejtimin e komitetit të OSBE-së

 Deputeti Bumçi denoncoi edhe një herë faktin që ministri i Jashtëm ka refuzuar kërkesën e ndërkombëtarëve për të drejtuar komitetin e OSBE-së. Shqipëria, sipas tij, ka humbur shansin për të balancuar Presidencën serbe dhe për të fituar rol ndërkombëtar në kohën e zhvillimeve të rëndësishme në Evropë. “Ministri i Jashtëm ka refuzuar kryesimin nga Shqipëria të një nga tri komitetet e OSBE-së, duke kryer një akt të paprecedent në historinë e diplomacisë sonë. Duke refuzuar drejtimin e komitetit, ka humbur një shans unik për të balancuar presidencën serbe të OSBE-së dhe për të rritur rolin ndërkombëtar në këtë kohë zhvillimesh të rëndësishme në Evropë”, – tha Bumçi. Sipas deputetit, “është e padëgjuar që vendet më të rëndësishme partnere dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së të angazhohen në interes të Shqipërisë dhe të jetë ministri i Jashtëm i vendit, Bushati që të dalë kundër interesit të vendit të tij dhe shqiptarëve”, – u shpreh deputeti. Ndërkohë, në reagimin e Ministrisë së Jashtme u theksua se “Ministria kërkoi që të drejtonte një nga dy të parat, atë të sigurisë, ose për të drejtat e njeriut dhe kërkesa jonë është e nisur nga eksperiencat dhe kontributet dhe objektivat kombëtare. Ndërsa nga OSBE-ja na është ofruar vetëm drejtimi i Komitetit të Ekonomisë”, – reagoi MPJ-ja.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency