Standard.al

Shesin pa cilësi/ Emrat e 61 pikave të karburantit që abuzojnë me cilësinë e naftës dhe benzinës

Driçim Çaka

 karburant8Në listë, emra karburantesh që kanë probleme me dokumentacionin dhe përqindjen e squfurit tej normave të lejuara

Inspektorati Qendror Teknik ka gjobitur 61 karburante, të cilat nuk kanë përqindjen e lejuar të përmbajtjes së squfurit dhe pikës së flakërimit si dhe kanë mungesë të dokumentacionit. Janë 23 subjekte që tregtojnë naftë dhe benzinë, të cilët janë nën normat e lejuara për sa i përket cilësisë dhe 38 pika të tjera, të cilat kanë probleme me dokumentacionin. Inspektorati Qendror Teknik thekson se mungesa e dokumentacionit lejon hapësira që karburantet të abuzojnë me naftën dhe cilësinë. “Gjatë muajit nëntor 2014, Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit ka vendosur masën e gjobës për 43 subjekte tregtimi. Gjatë kontrollit në këtë muaj, në 31 prej këtyre subjekteve janë konstatuar mungesa ose mangësi të dokumentacionit tekniko-ligjor ndërsa për 12 raste ka pasur probleme me standardin e pikës së flakërimit apo përqindjes së squfurit”, – thuhet në një njoftim të IQT-së.

 

Gjobat në dhjetor

“Gjatë muajit dhjetor 2014, pas kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit janë vendosur 18 gjoba. Gjatë kontrollit në këtë muaj në 11 raste u konstatua mungesë e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe në shtatë raste probleme me treguesit e pikës së flakërimit dhe përqindjen e squfurit. Inspektorati Qendror Teknik garanton opinionin publik se është i vendosur të ushtrojë detyrën e tij për monitorimin e të gjitha subjekteve sa i takon respektimin e ligjit dhe do të ndëshkojë çdo rast abuziv”, – përfundon njoftimi i Inspektoratit Qendror Teknik.

 

Vlera e gjobave

Vlera e gjobave varion nga 1 milion lekë (të vjetra) deri në 20 milionë lekë. Për karburantet, të cilat kanë mungesë së dokumentit teknik ligjor janë vendosur gjobat më të ulëta nga 1 milion deri në 2 milionë lekë. Ndërsa për karburantet, të cilat kanë pasur probleme me cilësinë vlera e gjobës është 15 milionë lekë ose 20 milionë lekë.

 

 Shqipëri-Gjermani/ Nisin bisedimet për njohjen e kontributeve shoqërore

Grupet teknike të Shqipërisë dhe Gjermanisë kanë nisur bisedimet për njohjen e kontributeve shoqërore. “Fillojnë bisedimet për marrëveshjen dypalëshe për mbrojtjen shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Prej datës 20 janar, grupet teknike të të dy vendeve kanë nisur bisedimet e raundit të parë për realizimin e marrëveshjes e cila do të mundësojë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të derdhura nga qytetarët shqiptarë në këtë shtet dhe anasjelltas. Këto bisedime, që do të vazhdojnë deri ditën e sotme, janë hapi i parë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve”, – thuhet në një njoftim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 19 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

 

Comments are closed.