PD nis aksionin/ Të hënën protesta për çmimin e naftës, zbardhet itenerari deri më 20 shkurt

0
118

Erneta Shevroja

lulzim basha ne korridorin e sakte ne kembeBasha: Të hënën drejtuesit fikin për 5 minuta makinat, ndezin motorët e protestës

 “U vodhi 200 euro për frymë shqiptarëve e pastaj u turr me kërbaç në dorë t’u marrë njerëzve kacidhen e fundit”

Ditën e hënë, datë 26 janar, demokratët do të nisin aksionin e parë të paralajmëruar kundër politikave të qeverisë që, sipas tyre, rëndojnë mbi shqiptarët. Lideri i demokratëve, Lulzim Basha, ka paralajmëruar aksionin e parë kundër çmimit të lartë të naftës, aksion që do të përshkallëzohet në protestë masive në javët në vijim. Kështu, aksioni i parë do të mbahet të hënën që vjen, më datë 26 janar, ora 11:00, kur të gjithë drejtuesve të makinave u bëhet thirrja që të fikin makinat për pesë minuta, në shenjë proteste kundër çmimit të lartë të naftës, çmim që, sipas përllogaritjeve, është më i larti në rajon, por edhe në Evropë.

 

Aksioni

Çmimi i lartë i karburantit do të jetë në fokus të aksionit të parë të demokratëve, aksion i paralajmëruar nga vetë kreu i opozitës ditën e hënë, në nisje të seancës së parë parlamentare për këtë vit. Aksioni i së hënës do të jetë hapi i parë, siç paralajmëroi Basha, i një vale protestash në javët në vijim. “Protesta e së hënës është refuzimi i çdo shqiptari për të shpenzuar dyfishin për naftën krahasuar me evropianët. Të hënën në orën 11:00, në të gjithë Shqipërinë drejtuesit e mjeteve do të fikin motorët e makinave për 5 minuta dhe do të ndezin motorët e protestës qytetare kundër çmimit të naftës, kundër çmimit të energjisë, kundër taksave dhe çmimeve të larta, kundër papunësisë, varfërisë dhe padrejtësisë”, – paralajmëroi kryedemokrati.

 

Taksat dhe klientelizmi

Sipas kryedemokratit, shqiptarët sot paguajnë më shumë se çdo vit tjetër për shërbimet që marrin. Dhe kjo ndodh, sipas Bashës, për shkak të politikave të papërshtatshme të kreut të qeverisë, Edi Rama. “Çmimi i lartë i naftës, – tha kryedemokrati, – është i tillë për shkak të taksave dhe klientelizmit të Kryeministrit Edi Rama. Vajmedeti fali dhe ndau 600 milionë euro detyrime të njohura CEZ-it. U vodhi 200 euro për frymë shqiptarëve e pastaj u turr me kërbaç në dorë t’u marrë njerëzve kacidhen e fundit. Nuk u mjaftua, por rriti edhe çmimin e energjisë, ndonëse ishte po ky Nastradin që premtoi ulje çmimi në fushatë, siç e mbajmë mend të gjithë. Tani krekoset si gjeli majë plehut, kur shqiptarët paguajnë naftën më shtrenjtë se çdo evropian, pikërisht prej taksave dhe klientelizmit të tij”, – deklaroi dje kreu i opozitës, Basha.

 

Arsyetimet

Qeveria po varfëron shqiptarët dhe po pasuron klientët pranë qeverisë. Kjo është deklarata e demokratëve, mbi të cilën arsyetojnë aksionin e së hënës kundër çmimit të lartë të karburantit. Në një deklaratë zyrtare nga selia blu, deputeti demokrat Florion Mima bëri të dikur aksionin e së hënës dhe u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të makinave që më datë 26 janar, të fikin motorët për 5 minuta për të shfuqizuar taksën e lartë të qarkullimit. “Partia Demokratike lajmëron aksionin e parë qytetar dhe i bën thirrje qeverisë për të shfuqizuar taksën e qarkullimit që e mban çmimin e karburantit në Shqipëri më të lartin në Evropë. Varfëron qytetarët e pasuron klientelën pranë Ramës. Qytetarët do të ndalin makinën për 5 minuta në shenjë proteste. Partia Demokratike do të vihet në krye të aksionit qytetar kundër varfërimit të shqiptarëve nga qeveria dhe pasurimit të klientëve pranë saj. Aksioni i parë nis të hënën e ardhshme, kur të gjithë qytetarët që kanë një makinë, në orën 11:00 paradite, do të ndalojnë për 5 minuta, në shenjë proteste ndaj çmimit më të shtrenjtë në Evropë të karburantit, në raport me të ardhurat, që është i tillë, sepse kështu ka vendosur qeveria”, – tha Mima. “112 milionë USD dalin nga xhepat e shqiptarëve si rezultat i rritjes së taksës së qarkullimit. Kemi përcjellë këto ditë shqetësimin qytetar për mosuljen e çmimit të karburantit në Shqipëri, duke denoncuar faktin që mbajmë shifrën rekord prej rreth 100 lekë taksa për litër karburant, por duke denoncuar edhe klientët e pushtetit që kontrollojnë tregun në fjalë”, – vijoi më tej deputeti. Sipas demokratëve, është taksa e lartë e qarkullimit që e mban të shtrenjtë çmimin e naftës. Deputeti Mima u shpreh se kjo është një strategji e qeverisë për të mbushur shpejt arkën e buxhetit të shtetit, edhe pse është një masë që varfëron më tej shqiptarët. “Rritja e taksës së qarkullimit është shkaku kryesor për mosuljen e çmimit të karburantit dhe për rëndimin e xhepave të qytetarëve. Rritja e taksës së qarkullimit ka qenë një strategji e qartë e qeverisë për të mbushur buxhetin e shtetit, paçka se duke u marrë frymën konsumatorëve”, – deklaroi deputeti demokrat nga selia blu.

 

Efekti në ekonomi

Sipas demokratëve, qeveria është treguar shumë kokëfortë me vendimet për rritjen e përgjithshme të taksave, pasi nuk ka marrë për bazë efektet negative në ekonomi. “Të gjithëve u kujtohet kur në mbrojtje të rritjes së kësaj takse Kryeministri shpalosi humor-politikën se kjo rritje i shërbente uljes së obezitetit dhe zhdukjes së përtacisë. Një ligjërim i denjë për çmimin e liderit më cinik në Evropë dhe më gjerë. Mazhoranca me kokëfortësinë e saj i ngriti taksat, duke i sjellë ekonomisë efektin negativ të uljes së rritjes ekonomike me 0.7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto”, – tha deputeti Florion Mima. Partia Demokratike i ka bërë dhe përllogaritjet se sa lekë u merren konsumatorëve nga taksa e qarkullimit. “Për dy vite me radhë, qeveria ka planifikuar të marrë, nga rritja e taksës së qarkullimit me 240 lekë të vjetra, nga 56 milionë USD çdo vit. Pra, në dy vjet, nga rritja e taksës së qarkullimit, qytetarët kanë paguar 112 milionë USD, nga xhepat e tyre. Kjo është vetëm taksa e drejtpërdrejtë, sepse në rastin e karburanteve efekti multiplikator indirekt është akoma dhe më shkatërrues për ekonomitë familjare”, – u shpreh Mima.

 

Thirrja

Partia Demokratike i ripërsërit qeverisë thirrjen e fundit për të marrë masa dhe për të shfuqizuar menjëherë taksat e rritura të qarkullimit dhe për t’u dhënë fund “efekteve shkatërruese të tyre në ekonominë e vendit”.

 

Rama: Vajmedet kush e dëgjon PD-në

Ndërkohë, siç edhe në reagime të tjera, Kryeministri Edi Rama ka përsëritur frazën e “vajmedetit të PD-së dhe të atyre që dëgjojnë PD-në. Sipas tij, demokratët gjithmonë ankohen sa i përket çmimit të naftës. “Deri dje thoshin do rritet çmimi i naftës në stratosferë sot thonë pse nuk është më i ulëti në botë! ‪#‎VajmedetPD e kush e dëgjon PD!”, – ishte reagimi i Kryeministrit Edi Rama në rrjetin social “Facebook”.

 

Pas së hënës nis vala e protestave të PD-së

Me protestën e ditës së hënë, e cila në mënyrë simbolike fton të gjithë qytetarët që të fikin makinat e tyre për 5 minuta kundër rritjes së çmimit të naftës, PD ka parashikuar të nisë një valë protestash kundër rritjes së taksave, kundër papunësisë si edhe situatës ekonomike në vend. Burime pranë selisë blu bën të ditur për gazetën se me protestën e së hënës do të nisë vala e protestave të cilat pritet të organizohen nga PD nën prirjen e qytetarëve. Sipas burimeve, në takimet e zhvilluara në qytetet e ndryshme të vendit, deputetët demokratë kanë hasur në kërkesat e shpeshta të qytetarëve për thirrjen e protestave popullore kundër qeverisë me synim kryesor kthimin e saj mbrapsht nga politikat e taksave të larta si edhe marrjen e masave për uljen e papunësisë. Ndërkaq mësohet se kjo valë protestash do të kulmojë më 20 shkurt ku flitet për një protestë të gjerë, ashtu si edhe një vit më parë. Ndërkaq edhe kryedemokrati Basha me statusin e djeshëm në rrjetin social edhe pse jo në formë të drejtpërdrejtë konfirmoi vazhdimësinë e protestave pas asaj të ditës së hënë. “Të hënën në orën 11:00, në të gjithë Shqipërinë drejtuesit e mjeteve do të fikin motorët e makinave për 5 minuta dhe do të ndezin motorët e protestës qytetare”, – theksoi ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency