Standard.al

Krimi makabër/ 53-vjeçari para Gjykatës: Gruan e vrava se më kishte shpenzuar paratë

Alma Çuka

 Arben Muho, njeriu qe vrau gruan fier_40Arben Muho rikthehet në qelinë e lënë bosh vetëm pesë ditë para krimit makabër. Braktiset në sallën e gjyqit nga të gjithë familjarët. Mungonin edhe tre djemtë

Rikthehet në qelinë e lënë bosh pesë ditë para se të vriste bashkëshorten, Arben Muho. Vendimi u dha dje paradite nga Gjykata e Fierit. I veshur me rroba që në pamje të parë të jepnin përshtypjen e një njeriu me probleme ekonomike, me kapele në kokë dhe pranga në duar, Arben Muho u paraqit para gjyqtarit të gatshëm për të mësuar fatin e tij tashmë të vendosur nga vetë ai. Në sallën e gjyqit, ku mediat u lejuan vetëm pak minuta, i pandehuri Muho nuk kishte asnjë prej të afërmve të tij. Krimi që kreu katër ditë më parë ka tronditur jo vetëm familjarët, por edhe banorët e qytetit të Fierit dhe lagjes Sheq. Për vrasësin e gruas, i cili pranoi krimin duke u munduar të justifikohej se nuk kishte pasur si qëllim vdekjen e saj, Gjykata vendosi masën e arresti me burg, ndërsa e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tij.

 

Deklarata

“Nuk kisha si qëllim ta vrisja. E qëllova pasi mësova se më kishte shpenzuar paratë që unë i kisha fituar gjatë kohës që punoja si taksist”. Kështu mësohet se është mbrojtur para gjyqtarit të gatshëm i pandehuri Arben Muho, autor i vrasjes së bashkëshortes së tij mëngjesin e datës 19 janar. Por fjalët e thëna prej tij nuk patën asnjë ndikim tek Gjykata, e cila pranoi kërkesën e prokurorit të gatshëm për ta lënë në arrest me burg. 53-vjeçari ishte braktisur nga të gjithë të afërmit. Madje, as tre djemtë e tij nuk ndodheshin në sallë apo jashtë saj për të mësuar rreth fatit të babait të tyre. Për të gjithë qytetarët kjo ka vetëm një shpjegim. Njeriu që i mori jetën nënës së tre djemve, duhet lënë në duart e drejtësisë.

 

Ngjarja

Arben Muho mëngjesin e datës 19 janar rrahu për vdekje bashkëshorten e tij. Fqinjët pas ngjarjes së rëndë treguan se kishin dëgjuar britmat e gruas që kërkonte ndihmë por nuk kishin mundur të afroheshin nga frika. Bashkëshortja ndërroi jetë pasi burri i saj i dha goditjen fatale me dru në kokë. Ndërkohë, tre djemtë e saj në momentin e krimit nuk gjendeshin në banesë. Arben Muho e kreu krimin pesë ditë pasi kishte lënë qelitë e burgut. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me tri vite burg për veprën penale të plagosjes me dashje. Por pas apelimit nga avokati mbrojtës, Gjykata e Apelit e uli masën e dënimit nga tri vite në tetë muaj, duke i dhënë të drejtë babait të tre fëmijëve të kthehej në shtëpi. Pas krimit makabër reagoi edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ministri i Brendshëm bënte fajtor drejtësinë, konkretisht gjyqtarët, Presidentin dhe KLD. Ndërkohë pas seancës për dhënien e masës së sigurimit, i pandehuri pritet t’i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Masa e dënimit që rrezikon i pandehuri Muho është 36 vjet deri në burgim të përjetshëm. Por pas pranimit të gjykimit të shkurtuar ai mund t’i shpëtoi burgimit të përjetshëm duke vuajtur 25 vite burg.

 

 Tiranë/ Operacioni “Aplikimi” vë në pranga katër persona, falsifikuan dokumentet për pasaporta

Katër persona të cilët kanë falsifikuar letërnjoftime e pasaporta, janë arrestuar ditën e djeshme në kryeqytet. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Aplikimi”, janë arrestuar në flagrancë Agron Beqaj, 37 vjeç, 23-vjeçari Blendi Beqaj, 38-vjeçari Faik Letaj, të tre të lindur në Rrajcë të Kosovës si dhe 53-vjeçarja nga Tirana, Hajrie Breçani. Arrestimi i të sipërpërmendurve është bërë pasi dyshohet që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë aplikuar për dokument letërnjoftimi në gjendjen civile të Bashkisë Vorë, duke përdorur certifikata me gjeneralitete të rreme dhe me shtetësi shqiptare, të cilat dyshohet se ishin të siguruara nga Breçani. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa pasaporta kosovare dhe karta identiteti, tre aparate telefoni celular, një automjete tip “Citroen” me targa 03 448 EA, formularë aplikimi të kompanisë Aleat si dhe disa certifikata familjare dhe dy personale të lëshuara nga gjendja civile e bashkisë Vorë. Materialet procedurale do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”.

 

 Tiranë/ Drogë dhe prostitucion në lokale, arrestohet tutori dhe vajzat

Katër persona janë vënë në prangat e policisë së kryeqytetit të akuzuar për prostitucion dhe kokainë. Nga Seksioni kundër Trafiqeve të Paligjshme u bë arrestimi në flagrancë i 44-vjeçarit Kujtim Karamuça, banues në Yrshek të Tiranës dhe i tre femrave C. O., 36 vjeç, i C. M., 28 vjeç, i K. G., 25 vjeç si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për të miturën Xh. M. Nga hetimi i uniformave blu ka rezultuar se Kujtim Karamuça ka shfrytëzuar femrat e sipërpërmendura duke i rekrutuar dhe përfituar shuma parash nga ushtrimi i prostitucionit përreth dhjetë muaj në këtë aktivitet të paligjshëm. Gjatë arrestimit Karamuçës iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë, të cilën dyshohet se e shpërndante. Në ngarkim të tij materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shfrytëzimit të prostitucionit”.

 

Delvinë/ Ngacmon seksualisht moshataren, arrestohet 63-vjeçari

Një 63-vjeçar është arrestuar dje nga policia e Delvinës, pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një 62-vjeçare për një kohë të gjatë. Në prangat e policisë ka rënë Agron Alushi, 63 vjeç, nën akuzën e ngacmimit seksual. Arrestimi i Alushit është bërë pasi ai dyshohet se për një kohë të gjatë ka ngacmuar seksualisht shtetasen D. R., 62 vjeç. Si Alushi ashtu edhe shtetasja D. R. janë banues në Delvinë. Pas një periudhe të gjatë ngacmimesh 62-vjeçarja i është drejtuar policisë së Delvinës ku ka bërë edhe kallëzimin.

Comments are closed.