Standard.al

Bumçi e Dade kundër/ Refuzimi i komitetit PD: Ministri Bushati dëmtoi interesat e shqiptarëve

Gëzim Saliu

Komisioni JashtemDeputeti i PD-së: A ka marrë masë paraprake Shqipëria në rastin e daljes së Greqisë nga zona Euro? Ndikohemi si vend fqinj, në rast të këtij skenari

Edhe pse në kundërshti të hapur me projektligjin e ri për shërbimin e jashtëm, mazhoranca dhe opozita janë shprehur kritike dje ndaj ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, pas vendimit për të refuzuar drejtimin e Komitetit të Ekonomisë në OSBE. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, kryetarja socialiste Arta Dade si edhe zv.kryetari demokrat Aldo Bumçi nuk e kanë mirëpritur këtë vendimmarrje. Fillimisht, ishte deputeti i PD-së që ngriti shqetësimin në mbledhje, duke e cilësuar refuzimin e Komitetit në OSBE si një dëm që kryediplomati Bushati u bën shqiptarëve në rajon. Kjo bëhet më e rëndë, sipas Bumçit, nëse merr parasysh se në 2015-ën Presidencën e OSBE-së do ta ketë Serbia dhe nga ana e saj Shqipëria po lobon për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Ky qëndrim i deputetit demokrat u cilësua legjitim nga ana e kryetares së Komisionit, deputetes Arta Dade, e cila theksoi nga ana tjetër se refuzimi nuk është kategorik.

 

Refuzimi

Sipas deputetit demokrat, refuzimi i Shqipërisë për të drejtuar një komision të OSBE-së përbën skandal. “Ministri i Jashtëm i ka bërë dëm pozitës së Shqipërisë, sidomos në kohën kur Presidencën e OSBE-së do ta kryesojë Serbia”, – tha Bumçi. Duke mbështetur shqetësimin e kolegut demokrat, drejtuesja e Komisionit Parlamentar të Jashtëm, socialistja Dade, tha se vendimi për refuzimin e këtij Komiteti ka shkaktuar shqetësim tek Prezenca e OSBE-së në Tiranë. Por, nga ana tjetër, ajo bëri të ditur se në dijeninë e saj Shqipëria ka dashur të marrë drejtimin e Komitetit për Çështjet e Sigurisë. Në këtë kontekst, për të kuptuar arsyet e vërteta të këtij vendimi, Komisioni i Jashtëm vendosi të thërriste në një seancë sqaruese kryediplomatin Bushati. “Anëtarësimi i Kosovës në OSBE është një çështje e hapur që pa dyshim do një vëmendje parësore, në mënyrë të veçantë gjatë 2015-ës, kur Serbia do të marrë Presidencën e OSBE-së. Personalisht mendoja që do të kishte një ekuilibër, nëse Shqipëria do të drejtonte një nga komitetet e OSBE-së, arsyet pse është refuzuar kjo mund të jenë, sipas mendimit tim, që Shqipëria ka kërkuar të drejtojë Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe duke qenë atje, kemi luajtur një rol. Nuk besoj që është refuzuar kategorikisht, por ne kemi kërkuar dhe kemi dashur të drejtojmë Komitetin për Sigurinë. Megjithatë, i mbetet ministrit që të vijë e të japë shpjegime lidhur me këtë çështje, besoj se do të jetë i gatshëm. Ne nuk e kemi diskutuar në mënyrë shteruese këtë çështje. Në përgjigje të interesit tim, ministri më ka thënë se Shqipëria ka kërkuar komisionin e parë atë të Sigurisë, duke menduar që atje mund të luante edhe një rol më të madh”, – tha Dade.

 

Situata e Greqisë

Ndërkohë, pas miratimit me konsensus të kalendarit të punimeve, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, kërkoi të dinte nëse ka marrë masa paraprake qeveria dhe institucionet përkatëse, në rast të një skenari sipas të cilit Greqia do të dilte nga zona Euro. “Zhvillimet në Greqi janë shumë shqetësuese, sepse sipas shumë parashikimeve mund të jetë edhe dalja e Greqisë nga Euroja. Kjo nuk varet nga ne, por nëse kjo ndodh, ne jemi një vend që e kemi Greqinë një nga partnerët kryesorë ekonomikë, kemi banka greke, shkëmbime tregtare, investime dhe janë 600-700 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi. A është ngritur ky shqetësim nga Ministria e Jashtme, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë? A janë ndërtuar alternativa, nëse kjo ndodh? Diçka që është ngritur nga Gjermania, ku Kancelarja Merkel ka folur lidhur me këtë. Kjo është jashtë vullnetit tonë, por a ka skenarë që ne mund të zbusim pasojat e zhvillimeve në Greqi?”, – u shpreh Bumçi. Duke shprehur miratim për këtë pjesë, kryetarja e Komisionit, Arta Dade, kërkoi nga deputeti demokrat që të përgatiste një shkresë lidhur me këtë pjesë, duke kërkuar angazhimin e Ministrisë së Jashtme. “Sigurisht ne mund të marrim vetëm një informacion, sepse zhvillimet atje janë zhvillime të brendshme dhe u takojnë vetë aktorëve kryesore të Greqisë. Ne nuk është se nuk i kemi ndjekur dhe ne thjesht mund të marrim një informacion për të pasur një panoramë më të qartë. Jam dakord ta përfshijmë në axhendë që të marrim një informacion”, – tha ajo.

 

 Ligj i ri për shërbimin e jashtëm/ Ndryshimet për emërimet, Dade kundër Bushatit. PD: Hidhet poshtë sistemi i karrierës

Projektligji i ri i qeverisë për shërbimin e jashtëm parashikon që Presidentit të Republikës t’i kufizohet koha e dhënies së pëlqimit për kandidatët për ambasadorë, nga e pacaktuar, në 20 ditë. Po ashtu, ligji i ri gjithashtu kufizon në tre vjet shërbimin e një ambasadori në një shtet, kufizon moshën deri në 65 vjeç, detyron njohjen e gjuhës angleze dhe një gjuhë tjetër të huaj, përcakton si bëhet vlerësimi i gradave diplomatike, ndërsa hiqet përcaktimi i ligjit të vjetër për emërimin e tyre: 80 për qind nga sistemi diplomatik dhe 20 për qind kandidatura politike, duke e lënë të hapur për ata që plotësojnë një sërë kriteresh që janë shkruar në këtë ligj. Këto ndryshime janë kundërshtuar dje nga demokratët në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ku deputeti Kastriot Islami tha: “Në përgjithësi është munduar të preket, si të thuash, fryma e ligjit të mëparshëm që do të krijohet një sistem për të bërë sistem karriere, me këtë ligj i largohemi kësaj gjëje”. Demokratet kundërshtuan edhe një tjetër pikë të ligjit, atë të shmangies së seancave dëgjimore me Komisionin e Jashtëm të kandidateve për ambasadorë, duke e zhvendosur atë pas shprehjes së Presidentit. Ndërkohë, edhe kryetarja e Komisionit, Arta Dade, duket se nuk ishte plotësisht dakord me ndryshimet e ligjit, duke theksuar se ai aktuali garanton konsolidimin e shërbimit diplomatik. Në këtë kontekst, Dade bëri të ditur se për këtë projektligj do të ketë një konsultim të gjerë me ish-ministra të Jashtëm e diplomatë karriere. “Unë mendoj se ligji ekzistues garantonte një konsolidim të shërbimit diplomatik, por gjithashtu lejonte që qeveritë, sipas rasteve, që marrin pushtetin, kanë mundësi që për vendet ku mendojnë se janë përparësore në marrëdhëniet dypalëshe, të emërojnë ambasadorë nga jashtë sistemit. Sigurisht edhe në këtë rast nuk mund të emërohen individë që nuk kanë asnjë lidhje me shërbimin diplomatik apo me politikën e jashtme, por ligji duhet të parashikojë që të kenë ato pika takimi me shërbimin dhe politikën e jashtme”, – pohoi Dade.

 

Ligjet miratojnë kalendarin 3-javor/ Bylykbashi: Të shtyhet dekreti për Gjykatën e Lartë. Xhafaj: Respektojmë vendimin e seancës

Komisioni i Ligjeve miratoi dje kalendarin e punimeve të Komisionit për periudhën 19 janar–5 shkurt 2015 si edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen në programin e Unionit “FISCALIS 2020”. Lidhur me kalendarin e punimeve parlamentare, nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, tha se një nga pikat e parashikuara, dekreti i Presidenti të Republikës për kthimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për funksionin e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë të ndryshuar”, duhet të hiqej nga kalendari i punimeve të Komisionit për një kohë të dytë. “Hapësirat janë dhe përsëri kërkoj mirëkuptimin që data 22 është shumë afër. Seanca është e datës 29, deri atëherë kemi kohë të ulemi të diskutojmë, por është më mirë që të bëjmë një diskutim të pjekur dhe të biem dakord për këtë çështje”, – tha z. Bylykbashi. Ndërsa kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, theksoi se Komisioni ka një kalendar të miratuar në seancë plenare dhe duhet ta zbatojë atë. “Është e drejta dhe detyra e këtij Komisioni të respektojë vendimin e seancës plenare. Pastaj, ne këtu jemi, ka praktika. Nëse ka vend për të diskutuar më gjatë, për të marrë vendime të tjera apo për të kërkuar kohë, jemi këtu”, – u shpreh Xhafaj.

 

Comments are closed.