Atentati/ Tritoli në makinën e drejtorit të burgut, ekspertët administrojnë provat e para

0
110

Alma Çuka

 foto nga spitali e drejtorit te burgut te fushe krujes Arben Soloj sulojGjenden pjesë të kartës telefonike që aktivizoi tritolin. Identifikohet edhe kompania celulare ku është blerë. Drejtori Arben Suloj niset drejt Italisë për mjekim më të specializuar

Kur kanë kaluar pak ditë nga atentati ndaj drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj, ekspertët e Policisë Shkencore duket se kanë në dorë një prej provave, nga shpresojnë se do të shkojnë deri tek burimi dhe gjetja e emrave konkretë. Bëhet fjalë për një pjesë të kartës telefonike të sekuestruar në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes. Burime nga Policia Shkencore bëjnë me dije se ekspertët e saj kanë arritur të kenë në dorë një kartë, pjesët e së cilës u bashkuan pas sekuestrimit në vendin e ngjarjes. Përmes kësaj karte mendohet se është bërë edhe aktivizimi i eksplozivit të vendosur poshtë makinës së drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj. Të njëjtat burime pohuan se ekspertët kanë arritur të identifikojnë edhe kompaninë celulare që i përket karta e gjetur në vendin e ngjarjes. Për të pasur më shumë sukses në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes, ekspertët janë të rezervuar në dhënien e informacioneve të detajuara. Pas këtij hapi ata shpresojnë të gjejnë vendin ku është blerë karta dhe emrin e personit që e ka poseduar atë.

 

Hetimet

Aktualisht, Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se po vazhdojnë hetimet në mënyrë intensive. Por nuk thuhet e njëjta gjë për gjurmët e këtij krimi dhe shkakun që çoi atentatorët të ndërmerrnin aktin e rëndë. Ndonëse jo zyrtarisht, organi i Prokurorisë shprehet se ka arritur deri diku të afrohet në gjurmët e personave të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Pra, dyshohet se ka arritur të gjejë emrat e personave që porositën atentatin, ndërkohë që nuk thuhet e njëjta gjë për atentatorët. Një pistë hetimi është ajo e përfshirjes në këtë akt e personave të dënuar që vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë Fushë-Krujë. Por nuk përjashtohen edhe pista të tjera që lidhen me jetën e drejtorit jashtë zyrës së punës. Dyshimet janë të shumta, por primare për akuzën është detyra e tij.

 

Dyshimet

Kohët e fundit, për shkak të ngjarjeve të rënda që po ndodhin në të gjithë vendin, drejtori i burgut të Fushë-Krujës kishte vendosur të ndërpriste dhënien e lejeve shpërblyese. Ky mendohet të jetë një nga shkaqet. Të dënuarit, sipas të dhënave, nuk po përfitonin leje shpërblyese ashtu si më parë, duke anashkaluar procedurat ligjore që kanë të bëjnë konkretisht me marrjen e një leje pa plotësuar kriteret e përcaktuara në rregulloren e burgjeve. Por, me gjithë afrimin e pistave, Prokuroria shprehet përsëri se ka shumë punë për të kryer.

 

Mjekimi

Nga ana tjetër, mëngjesin e së mërkurës, Arben Suloj ka udhëtuar nga aeroporti i Rinasit drejt Italisë me një avion të posaçëm mjekësor për të marrë mjekim në një klinikë të specializuar në Milano. Burimet thanë se familja e drejtorit Suloj ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit, ndërsa shërbimi shëndetësor do të mbulohet nga qeveria. Sipas mjekëve të Spitalit të Traumës, Suloj ka dëmtime të theksuara në dy gjymtyrët e poshtme të trupit dhe i është prekur edhe shtylla kurrizore. Ngjarja ku mbeti i plagosur rëndë drejtori i burgut Arben Suloj ndodhi mëngjesin e së hënës në rrugën e portit në Durrës, që ky i fundit e përdorte për të shmangur trafikun drejt Fushë Krujës. Ndërsa bëhej gati për tu nisur drejt Italisë, drejtori Suloj ka shkruar në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”: “Jam mirë. Faleminderit për mbështetjen të gjithëve!”

 

Lezhë/ Qyteti nën “terrorin” e hajdutëve të makinave, policia asnjë në pranga

Policia e Lezhës për çdo ditë njofton grabitjen e automjeteve të ndryshme. Situata bëhet më shqetësuese kur njoftimet e publikuara mbeten vetëm në letër. Fenomeni i grabitjes së makinave në këtë qytet është bërë tepër i shpeshtë, por policia nuk njofton për asnjë të arrestuar. Madje shumë qytetar të cilët i drejtohen sporteleve të policisë për ndihmë ndihen të shqetësuar, pasi nuk marrin atë që prisnin. Burime të policisë për çdo ditë njoftojnë se në këtë qytet grabiten makina të parkuara poshtë pallateve apo lokaleve. Hajdutët i piketojnë makinat dhe në orët e vona të mbrëmjes bëjnë grabitjen e tyre. Pas këtij akti hajdutët i dërgojnë makinat për çmontim në serviset e kontaktuara më parë. Çdo natë në policinë e Lezhës raportohen vjedhje. Hajdutet sulmojnë lagje të qytetit dhe fshatra. Vetëm në ditët e fundit, në lagjen “Gurra” u vodhën 4 automjete, në bllokun e pallateve pranë stadiumit 2 dhe në lagjen “Besëlidhja” 2 të tjera. Për këto ngjarje asnjë autor nuk është vënë në pranga.

 

Aksidentet/ Ministri Tahiri, fushatë ndërgjegjësimi me qytetarët për aksidentet rrugore

 Aksidentet rrugore mbeten një problem shqetësues për Shqipërinë, ndërsa me futjen në fuqi të Kodit të ri Rrugor, Ministria e Brendshme ka prezantuar këtë të martë fushatën e ndërgjegjësimit për parandalimin e aksidenteve. Sipas ministrit të Brendshëm, siguria në rrugë është sfidë e përbashkët, por në fjalën e tij ai pati dhe një mesazh për prindërit të cilët nuk tregojnë kujdesen teksa fëmijët e tyre drejtojnë mjetet në rrugë. Më mirë djali pa patentë në shtëpi se sa patenta pa djali u shpreh në fjalën e tij ministri, duke rikujtuar në këtë mënyrë se shkelësit e rrugës do të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi. Statistikat flasin për 150 aksidente më pak krahasuar me vitin 2013, por sërish bilanci i aksidenteve në rrugët shqiptare mbetet i lartë, fakt ky i vënë në dukje dhe nga ministri Tahiri, i cili u shpreh se në aksidente humbin jetën më shumë njerëz sesa në ngjarje kriminale.

 

Kukës/ Theu masën e Gjykatës, rikthehet në burg biznesmeni që iu vu tritol, Ardian Trota

Ardian Trota, biznesmeni që i shpëtoi mrekullisht atentatit me tritol në 19 janar, rikthehet në qelitë e burgut, pasi theu vendimin e Gjykatës për të qëndruar në arrest shtëpie. Në seancën e zhvilluar dje, Gjykata ka vendosur të lërë në burg Trotën, pasi kishte shkelur masën e arrestit me më 12 janar. Sipas avokates mbrojtëse Aurora Guska, kjo masë do të ankimohet, pasi i akuzuari Trota, që i shpëtoi mëngjesin e së shtunës një atentati me shpërthim të telekomanduar ka shkuar në qytetin e Durrësit për të vizituar fëmijët e tij, pasi ata kanë qenë shumë të sëmurë. Për këtë ajo i ka paraqitur Gjykatës edhe raportet mjekësore nga mjekët e spitalit. Masa e sigurisë, “Arrest shtëpie”, e dhënë pak kohe me parë nga Gjykata e Kukës, sipas avokates Guska nuk ka qenë e drejtë, pasi për akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike, ajo nuk qëndron, ajo e mbajtjes së 4 fishekëve është kundërvajtje penale, ndërkohë që ajo e dhunës në familje, tashmë marrëdhëniet me bashkëshorten janë normalizuar, gjë që faktohet me një deklaratë noteriale të bërë nga gruaja e Trotës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency