Letër pensionistëve/ Rama: Nxitni fëmijët të paguajnë kontributet e sigurimit shoqëror

0
134

Erneta Shevroja

edi rama image“Viti 2015 do të sjellë shtrirjen e betejës sonë me paligjshmërinë e informalitetin në fushën e sigurimeve shoqërore dhe kundër skllavërisë së punës së zezë”

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me letër të gjithë pensionistëve, në të cilën i njofton se duke filluar nga ky muaj, do të nisë një etapë të re për ta. Etapa e re, së cilës i referohet kreu i qeverisë, ka të bëjë me pensionet, që, sipas tij, do të ndryshojnë thelbësisht jetën e atyre që paguajnë sot për të përfituar nesër. “Viti 2015 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për skemën e pensioneve, sepse me vitin e ri nis të zbatohet edhe reforma e pensioneve që qeveria miratoi këtë vit, pas 20 vitesh zvarritje në kurrizin tuaj. Skema e re e pensioneve, – shkruante Rama në letër, – do të ndryshojë dhe përmirësojë thelbësisht të ardhmen e çdokujt që punon sot për të pasur nesër një pension të denjë”. Sipas Ramës, reforma në pensione nuk prek “asnjë nga të drejtat të fituara. Ju do të vazhdoni të merrni të paprekur pensionin tuaj, njësoj si deri më sot”. Ndërkohë, ai premtoi se qeveria “do të punojë me mish e me shpirt që t’u rrisë vijimësisht pensionin”. Formula e re e pensioneve do të nisë të zbatohet duke filluar me ata që kanë dalë në pension më datën 1 janar të këtij viti dhe garanton një pension më të lartë për të gjithë ata që kanë më shumë vite të siguruara në varësi të shumës që kanë kontribuar. Bazuar në këtë arsyetim, Rama u kërkon pensionistëve: “Të nxitni fëmijët, nipat, mbesat apo të afërmit tuaj, që të mos shohim vetëm sot për sot, duke punuar në të zezë, por të paguajnë kontributet e sigurimit shoqëror”. Pagesa e kontributeve, sipas Kryeministrit, jo vetëm që do të sigurojë një pension të lartë, por do të krijojë mundësinë reale për të rritur më shumë pensionin. “Viti 2015 do të sjellë shtrirjen e betejës sonë me paligjshmërinë e informalitetin në fushën e sigurimeve shoqërore dhe kundër skllavërisë së punës së zezë. Gropa e hapur gjatë këtyre viteve pa shtet, në dëm të së ardhmes së çdo punonjësi të pasiguruar, është qindra milionë dollarë”, – shkruante Kryeministri në letrën drejtuar të gjithë pensionistëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency