Kokaina/ Merren në pyetje të pandehurit, hetuesit përqendrohen tek mikesha e Hysenit

0
125

Alma Çuka

 droga ne xibrakeKundërshtojnë njohjen me njëri-tjetrin. Të vetmit që kanë pohuar bashkëpunimin në trafik janë kolumbianët. Prokuroria, në kërkim të vajzës, e cila dyshohet se është pjesë e rrjetit

Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga super-operacioni “Xibraka”, Prokuroria e Krimeve të Rënda përshpejton hetimet, me qëllim zbardhjen e skemës së trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë ditëve të fundit kanë arritur të marrin në pyetje të nëntë të pandehurit e arrestuar mbrëmjen e 14 janarit në disa qytete të vendit. Të njëjtat burime jozyrtare bëjnë me dije se hetimi për këtë çështje është tepër i ndërlikuar dhe për pasojë do të dojë shumë kohë. Në këtë hetim është përfshirë edhe policia gjermane, e cila ka dhënë sinjalet e para për ekzistencën e një laboratori të përpunimit të kokainës në Fushë-Labinot, Elbasan, pikërisht në fshatin Xibrakë. Aktualisht organi i akuzës është përqendruar në verifikimin e pasurive të gjithë të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së tyre, kjo mbështetur në ligjin “Antimafia”. Ndërkohë, nuk ka mbetur pas edhe verifikimi i të dhënave për vajzën e identifikuar tashmë me emrin Pranvera Ebeling. Kjo vajzë njihet tashmë si shoqe me të pandehurin Ilir Hyseni, identifikuar përmes përgjimeve ambientale si një prej organizatorëve të trafikut.

 

Deklarimet

Burime nga grupi i hetimit pranë krimeve të rënda bëjnë me dije se deri në këto momente asnjë prej të pandehurve nuk ka pranuar të flasë hapur për këtë trafik të organizuar dhe të jap emra të tjerë personash të dyshuar si të përfshirë në të. Ndonëse janë përgjuar duke komunikuar me njëri-tjetrin, Ilir Hyseni, Ermal Hoxha dhe Kastriot Imeri, bëhet me dije se gjatë marrjes në pyetje ata kanë refuzuar në mënyrë kategorike përfshirjen në trafik. Të vetmit që kanë dhënë pak hollësi për veprimtarinë që kryenin në laborator janë dy kolumbianët, të cilët janë filmuar duke u futur në magazina të shoqëruar nga nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Ermal Hoxha është shprehur se nuk ka lidhje me trafikun, duke pretenduar se ka kryer punën e taksistit me qëllim përfitimin e të ardhurave nga dy kolumbianët. Ndërkohë të pandehurit e tjetër janë shprehur se kanë thjeshtë shoqëri dhe nuk kanë dijeni për se bëhet fjalë.

 

Vajza

Pranvera Ebeling figuron në dosjen e prokurorisë si vajza që ka sjellë në Tiranë makinën, e cila pasi të modifikohej do të përdorej për të dërguar drogën në Gjermani. Vajza është futur me makinë përmes portit të Durrësit me makinën e saj dhe më pas është kthyer në Gjermani nga aeroporti i Rinasit. Nga të dhënat paraprake dhe pas arrestimit të 9 personave, prokuroria ende nuk ka arritur të provoj ndonjë veprim konkret të vajzës që solli makinën e saj nëpërmjet portit të Durrësit në mes të muajt dhjetor dhe më pas u largua me datë 3 janar drejt shtetit gjerman nga Rinasi. Janë autoritetet Gjermane ato që po hetojnë aktivitetin e vajzës në Gjermani si dhe bashkëpunimin e saj me shtetasin Ilir Hyseni. Sipas prokurorisë, nga hetimet është provuar se Hyseni kishte kontakte të vazhdueshme me Kastriot Imerin dhe Ermal Hoxhën nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha. Ky komunikim ka nisur që nga Gjermania për të vazhduar në Tiranë me takime të ndryshme. Hetuesit thanë se gjatë vëzhgimit dhe ndjekjes së Hysenit janë identifikuar edhe personat e tjerë, mes tyre të arrestuarit Arjan Dalipi dhe Klement Dalipi që për hetuesit ka qenë më aktivë gjatë bisedave dhe lëvizjeve nga Elbasani në Tiranë. Ndërkohë, i dyshuari si një nga organizatorët e rrjetit Gentjan Gjonaj për hetuesit është edhe personi që mendohet se kishte kontaktet e vazhdueshme me të gjithë të dyshuarit e tjerë që tashmë janë prangosur. Në bazë të ligjit “Antimafia” Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar nga të gjithë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme evidentimin dhe bllokimin e pasurive të regjistruar në emër të personave të arrestuar apo të afërmve të tyre.

 

 Tiranë/ Plagosi të riun nga Memaliajt, shpallet në kërkim miku i ngushtë i Shullazit

Policia e Shtetit shpall në kërkim shtetasin Gilmando Dani, mikun e ngushtë të Emiljano Shullazi, dyshuar për plagosje të rëndë me dashje. 37-vjeçari Dani akuzohet për plagosjen e 24-vjeçarit Valter Pelivani, nga Memaliajt, mesditën e së shtunës, në 17 janar, në Rrugën e Kavajës. Këtij të fundit i është bërë pritë, por fatmirësisht ka mundur të shpëtojë vetëm me plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më 5 janar, Gilmando Dani dhe Emiljano Shullazi u bënë objekt i një atentati me armë nga ku mundën të shpëtonin. Gilmando Dani, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare për shkak të precedentëve të mëparshëm kriminalë, por edhe lidhjeve me të shumëpërfolurin Emiljano Shullazi.

 

Arrestohen tre të rinj në Fier, keqtrajtuan një të mitur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Fierit. Tre djem të rinj kanë keqtrajtuar një të mitur për motive banale. Ka qenë një zënkë mes djemve të cilët dyshonin se i mituri kishte ngacmuar të dashurën e njërit prej tyre. Tre persona janë arrestuar në qytetin e Fierit, pasi kanë keqtrajtuar një të mitur. Burime nga policia e këtij qyteti bëjnë me dije se në pranga kanë rënë 20-jeçari Mirens Bibo, 25-vjeçari Andi Turku dhe 24-vjeçari Bruno Rrapushi, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë marrë me forcë 17-vjeçarin me iniciale K. M., e kanë lidhur me natriban pranë një kabine elektrike. Në vijim, tre të arrestuarit kanë keqtrajtuar dhe kanë filmuar të miturin gjatë momenteve që ushtronin dhunë me të. Ngjarja është raportuar në polici nga një qytetar që ka parë gjithçka ka ndodhur. Bibo, Turku dhe Rrapushi akuzohen për heqje të paligjshme të lirisë. Pas sinjalizimit në polici nga ana e qytetarit, blutë e këtij qyteti kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë arrestuar tre autorët.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency