Gara për Bashkinë e Tiranës/ Kandidati i majtë do t’i takojë PS-së, emrat potencialë. Kryemadhi: Nuk do të kandidoj

0
127

Gëzim Saliu

bashkia tiraneTek PD nuk përjashtohet rikandidimi i Bashës. Fatos Nano, kandidat i pavarur për Tiranën?!

Kandidati i së majtës në garën për Bashkinë e Tiranës do t’i takojë Partisë Socialiste. Një ndër emrat më të përfolur këto kohë në media dhe mjediset e selive partiake për të kandiduar për postin e |Bashkisë së kryeqytetit, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, bëri të ditur dje se nuk do të marrë pjesë në këtë garë. “Po përfitoj nga rasti edhe për herë të parë të prononcohem për këtë gjë. Ka shumë djem dhe vajza të tjera, shumë të mirë, që mund të kontribuojnë për Bashkinë e Tiranës. Sigurisht që unë jam deputete e qarkut të Lezhës dhe ajo që duhet të them është që Tirana meriton shumë vajza dhe djem të tjerë. Nuk do kandidoj për Bashkinë e kryeqytetit absolutisht”, – tha Kryemadhi në emisionin “Wake Up” në “TCH”. Duke sqaruar arsyet se pse nuk do të kandidojë për këtë post, Kryemadhi tha se kryeqyteti më shumë s sa për një politikan, ka nevojë për një administrator të mirë. “Jo se nuk e marr përsipër, por unë mendoj që u duhet dhënë mundësia edhe të tjerëve. Nuk ka nevojë të njihet Monika. Unë mendoj që Tirana ka nevojë për një figurë që të njihet dhe që të jetë një administrator shumë i mirë i Tiranës. Bashkia e Tiranës nuk ka nevojë për politikanë. Bashkia e Tiranës ka nevojë për administrator të mirë, që ta bëjë Tiranën ashtu siç e meriton, ta kthejë në një qendër ballkanike për kulturën, artin dhe shumë gjëra të tjera”, – tha Kryemadhi. Me këtë deklaratë, deputetja e LSI-së, bashkëshortja e kreut të kësaj force, Ilir Meta, u dha fund zërave që e shikonin atë si përfaqësuesen e koalicionit PS-LSI për kryeqytetin.

 

Emrat nga PS-ja

Muaj më parë, përmes një sondazhi, Partia Socialiste pyeti qytetarët e Tiranës lidhur me tri kandidatura të mundshme për garën e Tiranës. Ato ishin: Mimi Kodheli, Saimir Tahiri dhe Pandeli Majko. Dy të parët kanë mohuar kandidimin e tyre në këtë post. Përkatësisht ministrja e Mbrojtjes është shprehur: “Besoj se e kam dhënë kontributin tim për qytetin. Kam në dorë dhe jam duke menaxhuar një ndër portofolat më të rëndësishëm të qeverisë. Kam bërë një betim dhe kam marrë një angazhim që, reformën që kam nisur ta çoj deri në fund. Besoj se do të vazhdoj të jem ministre e Mbrojtjes. Ka një logjikë kur kjo gjë bëhet”, – shtoi Kodheli. Ndërkohë, edhe ministri i Brendshëm po ashtu ka bërë të ditur mospjesëmarrjen e tij në këtë garë, edhe pse në përgjigjen e tij nuk përjashtohet kandidimi. “As e kam ndërmend, as e mendoj. Jam shumë i fokusuar te puna që bëj”, – ka thënë Tahiri. Në këto kushte, deputeti socialist që kryeson listën e qarkut të Tiranës, ish-kryeministri Pandali Majko, mbetet një ndër kandidaturat kryesore të së majtës për garën e Tiranës. Po ashtu ndër emrat që janë përfolur deri më tani ka qenë edhe ai i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, apo edhe i ish-nënkryetarit tjetër të kësaj Bashkie, deputetit Eduard Shalsi. Po ashtu edhe deputet i PS-së dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, i pyetur pak kohë më parë nëse do të pranonte të ishte kandidat i PS-së për kryetar Bashkie në Tiranë theksoi: “Po, por për punë. Jo për ofiq”. Ndërkaq, së fundmi në korridoret e qeverisë, por edhe të PS-së është përfolur po ashtu edhe emri i Artan Lames, kreut aktual të ALUIZN-it.

 

PD-ja

Partia Demokratike deri më tani është përqendruar në betejën e saj kundër mazhorancës qeverisëse lidhur me reformën territoriale-administrative, duke bërë të ditur se me këtë hartë nuk mund të ketë zgjedhje. Pas rrëzimit të padisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e vetmja mundësi e demokratëve tashmë mbeten referendumet lokale, ku edhe pse Kolegji rrëzoi KQZ-në, mbetet sipas ekspertëve të PD-së mundësia e dërgimit të 70 mijë firmave tek Presidenti i Republikës në respekt të procedurës ligjore. Por në këtë mes nuk kanë munguar as tek PD zërat për kandidatët e mundshëm për Bashkinë më të madhe në vend. Kryedemokrati Basha, i cili drejton aktualisht Bashkinë e Tiranës, ka bërë ditur se nuk e përjashton mundësinë e rikandidimit, duke theksuar se vendimi do të shqyrtohet me partinë dhe aleatët. I pyetur pak ditë para protestës së madhe të PD-së në 22 nëntor të vitit të kaluar, Basha tha në emisionin “Opinion” se nuk e përjashtonte mundësinë e rikandidimit. “Ky është një vendim që do merret brenda një kohe të shkurtër, do merret vendimi mbi bazën e konsultimit me forcën politike dhe aleatët. Nuk e përjashtoj mundësinë që të rikandidoj sërish”. Ndërkaq, tek forca më e madhe opozitare janë përfolur edhe disa emra të tjerë, për të cilët nuk ka ende asnjë zhvillim, përderisa vetë kreu i PD-së nuk ka shpallur vendimin e tij nëse do të rikandidojë ose jo për Bashkinë më të madhe në vend.

 

Fatos Nano

Ndërkohë, ditët e fundit po përflitet edhe një rikthim i mundshëm në jetën politike aktive të ish-kryeministrit dhe liderit historik të së majtës, Fatos Nano. Përmes faqes në rrjetin social FB, për të cilën ende nuk dihet autorësia zyrtare, pra nëse realisht kontrollohet nga ish-kreu i qeverisë shqiptare, Nano është vetëshpallur kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në këtë adresë, përmes një sondazhi, kërkohet mendimi i qytetarëve nëse duhet Fatos Nano të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Ndonëse rikthimet e Nanos në jetën politike në këto vitet e fundit kanë pasur në qendër të tyre dëshirën e marrjes së postit të Presidentit të Republikës, më 2007 në fillim dhe në 2012-ën sërish, mundësitë e rikandidimit të ish-kryeministrit të majtë në Bashkinë më të madhe të vendit janë aty.

 

Emrat e mundshëm kandidatë të PS-së

Pandeli Majko

Saimir Tahiri

Lindita Nikolla

Eduard Shalsi

Erjon Braçe

 

PS-LSI, kandidatë të përbashkët në 21 qershor

Në 23-vjetorin e Forumit Rinor Euro-Socialist të zhvilluar pak ditë më parë, Kryeministri Rama bëri të ditur se në 21 qershor, të 61 kandidatët për kryetarë bashkish do të përzgjidhen nga PS e LSI dhe çdo kandidaturë do të marrë pëlqimin e të dyja forcave aleate. “E them fare sinqerisht, nuk do të jenë as ata që kandidojnë, – dhe ne do t’i mbështesim së bashku, Partia Socialiste dhe LSI, si dy parti, por si një fuqi e vetme e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, – por do të jeni ju të rejat dhe të rinjtë, nxënës apo studentë, së bashku me prindërit tuaj, së bashku me fqinjët tuaj, të gjithë bashkë në komunitetet tuaja sepse këto zgjedhje ne nuk do të zgjedhim 61 kryetarë bashkish, as 61 trupa këshilltarësh bashkiakë, por do të zgjedhim një model të ri qeverisjeje edhe në nivelin vendor”, – u shpreh Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency