Prioritetet e opozitës/ Basha: Qeveria braktisi premtimet, tur në çdo qytet. Dekriminalizimi, jetik për vendin

0
113

Erneta Shevroja

 pd bashaKryedemokrati: Modeli “bjeru qytetarëve, bjeri popullit”, model tipik pashallarësh dhe oligarkësh

Pak para nisjes së sezonit të ri parlamentar, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, bëri të ditur prioritetet e opozitës, ndërsa njoftoi si ai vetë dhe deputetët e PD-së do të nisin një tur për t’u njohur nga afër me problemet e qytetarëve. Ai u shpreh mjaft kritik në raport me qeverinë, duke deklaruar se politikat e saj nxisin krimin, ndërsa puna që dominon nga kjo mazhorancë është propaganda. Basha paralajmëroi një opozitë të fortë jo vetëm në sallën e Kuvendit, duke u shprehur se “opozita e fillon me mëngët përveshur këtë sesion parlamentar”. Dekriminalizimi i Kuvendit dhe i administratës, korrupsioni në administratë, gjendja e vështirë ekonomike, krimi dhe trafiku i lëndëve narkotike do të jenë disa prej prioriteteve që renditi kryedemokrati. “Opozitarizmi ynë duhet domosdoshmërisht t’i përgjigjet dorë për dorë, sy për sy dhe flakë për flakë përshkallëzimit të së keqes që ofrojnë për qytetarët kundërshtarët tanë në qeverisje. Ne duhet të jemi e do të jemi opozitë edhe më e fortë. Natyrisht, duke intensifikuar opozitarizmin në sallën e Kuvendit”, – tha Basha dje në një tryezë me deputetët demokratë në selinë blu.

 

Prioritetet

Basha tha se qeveria ka braktisur tërësisht qytetarët dhe ka harrur premtimet elektorale, një shembull prej të cilëve, tha kryedemokrati, është rritja e çmimit të energjisë elektrike. Ai e cilësoi qeverinë si cinike, gënjeshtare dhe mashtruese. “Kjo është qeveria që në një anë ka braktisur gjithë bllokun e premtimeve kryesore elektorale pa denjuar të japë shpjegime apo llogari para zgjedhësve; në anën tjetër ka përqafuar pseudozgjidhje dhe pseudoreforma që nuk i ka zënë fare në gojë e nuk i ka pasur gjëkundi pjesë të kontratës së saj me zgjedhësit. Nuk është mjaftuar të jetë gënjeshtare, mashtruese dhe e papërgjegjshme. Është edhe cinike, është edhe e pabesë dhe e pafytyrë me zgjedhësit”, – tha Basha. Në këto kushte, Basha premtoi një opozitë të fortë që do të luftojë deri në fund për problemet e qytetarëve.

 

Dekriminalizimi

“Dekriminalizimi i Kuvendit dhe i institucioneve të tjera të administratës shtetërore nga individët me rekorde kriminale apo kontingjente të krimit të organizuar është beteja dhe kauza jonë fisnike dhe jetike për sot dhe për nesër. Është kauza jonë jetike, sepse vendi nuk ka të ardhme, vendi do të shohë vetëm zi nëse krimi i organizuar lejohet të rehabilitohej e do të merrte timonin”, – tha kreu i opozitës ndërsa shtoi: “Ne nuk kemi iluzione se rruga do të jetë e shtruar me tapet. Përkundrazi. Kryeministri Edi Rama është kujdesur të mos e tregojë fytyrën si palë nënshkruese e rezolutës. Më tej, ai ka bërë çmos ta denigrojë atë me lloj-lloj formash e mënyrash, duke dashur t’u japë subjekteve të dekriminalizimit mesazhin se asgjë serioze nuk do të ndodhë”. Nëse prioriteti për dekriminalizimin e Kuvendit nuk realizohet, Basha u shpreh se ky do të ishte kapitullim para krimit të organizuar. Kjo do ta ndërlikonte betejën kombëtare dhe ndërkombëtare për dekriminalizimin.

 

Krimi

“Burgosja e qytetarëve që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, – tha Basha, – nuk është formë e luftës kundër krimit”. Ai kritikoi ashpër qeverinë se po u krijon të gjitha kushtet bandave të krimit që të operojnë. “Retorikës së famshme qeveritare të kontrollit të territorit i ka dalë boja”, – tha Basha. “Duke pritur e inkurajuar drejtësinë, ne akuzojmë sot politikisht qeverinë, Kryeministrin, strukturat përkatëse dhe ministrin e tij të Brendshëm se me politikat e tyre për rendin, me pseudoreformën e tyre në Policinë e Shtetit, me promovimin prej tyre të militantëve dhe klientelizmit duke larguar e dekurajuar profesionistët, me shndërrimin e policisë së shtetit në polici elektrike apo ndërtimore, i kanë hapur krahun krimit të organizuar që po livadhis”, – tha lideri i demokratëve. Ai vijoi duke u shprehur se retorika e qeverisë është në favor të operimit të bandave në vend. Për ta dëshmuar këtë, Basha solli shembullin e ngritjes së fabrikës së përpunimit të kokainës në Elbasan. “Duket qartë se e kanë pasur në favor retorikën qeveritare përderisa kanë guxuar që në kulmin e goditjeve të pretenduara nga qeveria të ideojnë dhe vënë në funksion të plotë jo një ahur apo një birucë, por një fabrikë të mirëfilltë të prodhimit të kokainës. Si në një parajsë të vërtetë të krimit. Si në Kolumbi. Krimi në këto përmasa dhe trajta është produkt i mënyrës, stilit, mendësisë së qeverisjes, i vetë qeverisjes Rama-Meta”, – vijoi akuzat kryedemokrati.

 

Ekonomia dhe punësimi

Sipas Bashës, sot ekonomia është më e vështirë se në 10 vitet e fundit. “Qeveria i ka rritur taksat, – tha Basha, – ndërsa destinacioni i parave nuk dihet. Sot më e keqe se dje dhe pardje, çdo ditë e më keqe, më e keqe se kurrë, së paku gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Është ku thërret qameti. Modeli “Rama-Meta” i taksave të larta e tarifave të rritura në kohë krize vazhdon t’i varfërojë qytetarët, vazhdon ta zhysë ekonominë. E kemi thënë dhe nuk do të pushojmë se nënvizuari se ky është model i paaftësisë dhe pashpirtësisë njëkohësisht, modeli i kollajtë, por edhe supercinik “bjeru qytetarëve, bjeri popullit”, model tipik pashallarësh dhe oligarkësh që mund të rrisë pasanikë në oborrin qeveritar, por zhvillim për vendin dhe qytetarët nuk prodhon kurrë. Përkundrazi, prodhon vetëm karantinë, mekje, falimentim dhe varfëri”, – tha kryeopozitari.

 

Korrupsioni me fondet publike

“Korrupsioni, – tha Basha, – është një betejë po aq e rëndësishme sa edhe prioritetet e tjera. Ku shkojnë paratë e shqiptarëve? Paratë e taksave të rritura, paratë e tarifave të rritura, paratë e rripit të shtrënguar në maksimum, paratë e mbijetesës së sipërmarrjes së ndershme. Ku shkojnë? Shqiptarët, viktima të taksimit të çmendur nga kjo qeveri, kanë minimalisht të drejtën të mësojnë pse po i bëjnë këto sakrifica, pse po shtrydhen në këtë gradë. Qeveria hesht ose mundohet të fshihet prapa mjegullës propagandistike. Për ne kjo është një çështje thelbësore. Partia Demokratike po flet e do të flasë çdo ditë ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Shkojnë për korrupsionin e qeveritarëve dhe klientëve të tyre. Kulla e Korçës përfaqëson simbolikën e korrupsionit të sotëm me fondet publike. Një objekt pa vlerë, i kritikuar ashpër nga urbanistë dhe estetë të njohur, nga vetë qytetarët korçarë, që ka kushtuar miliona euro. Projekte luksi me kosto shumë të lartë –  ky është stili, metoda, korrupsioni i ri që po gëlltit paratë taksapaguesve. Nuk janë vetëm investime luksi. Janë investime korrupsioni”, – u shpreh kryedemokrati.

 

Basha dhe deputetët, tur në qytete

 Ana tjetër e betejës së opozitës do të jetë jashtë Kuvendit për të identifikuar dhe për të dhënë alternativa zgjidhjeje për çdo padrejtësi dhe keqqeverisje të qytetarëve. Këtë e bëri të ditur kreu i opozitës, Basha. “Qeveria ka dizavantazhin e madh se është e detyruar ta prodhojë në zyrat e saj Shqipërinë e sukseseve virtuale; ne kemi qenë, jemi e do të jemi pranë njerëzve, mes tyre për të vërtetën. Qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje. Shqipëria reale është thirrja jonë”, – theksoi dje kreu i PD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency