Me pagën neto/ Leja e lindjes, llogaritja e pagesës me formulën e re. Cila pagë merret si referencë

0

Leja e lindjes“Është bërë një ndryshim, që nuk do të merren për referencë pagat e vitit të mëparshëm kalendarik, po të vitit të fundit nga momenti që i lind e drejta”

Loading...

Skema e re e pensioneve penalizon të gjitha gratë që do të përfitojnë lejen e lindjes, duke filluar nga janari 2015. Sipas ndryshimeve në ligj, kush do të përfitojë leje lindjeje do të marrë një pagesë më të ulët, pasi shuma tashmë do të llogaritet në bazë të pagës neto, dhe jo bruto, dhe jo me pagën e një viti më parë. Reforma e re e pensioneve ka ndryshuar edhe masën e përfitimit për gratë që përfitojnë leje lindje. Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë shpjegojnë risitë që sjell kjo skemë për mënyrën e re të llogaritjes së shumës që përfiton një grua e siguruar me leje lindjeje. “Nëse më parë një nënë lindte fëmijën ne vitin 2014, llogaritja e të ardhurave për barrëlindje bëhej me pagat e vitit 2013. Pavarësisht nëse të lindte e drejta në janar, shkurt apo dhjetor, për bazë llogaritje merrej paga e një viti më parë. Ndërsa tashmë është bërë një ndryshim dhe pozitiv, që nuk do të merren pagat e vitit të mëparshëm kalendarik,po vitit të fundit nga momenti që i lind e drejta. Ka një ndryshim sepse është bërë jo paga bruto, por neto që do të jetë si bazë për llogaritjet e të ardhurës për barrëlindje”, – thotë Solida Dibra, drejtore e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Risitë nga skema e re, që po zbatohet, lidhen edhe me zgjatjen e periudhës së lehonisë. Sipas autoriteteve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të drejtën për leje pas lindjes së fëmijës e përfitojnë edhe burrat, por pas 63 ditëve. “E drejta për të përfituar barrëlindjen ose të ardhurat është një e drejtë që i takon jo vetëm nënës, po dhe babait. Nëna duhet të jetë e siguruar minimalisht një vit për të përfituar lejen e lindjes, duhet të jetë e siguruar në momentin që i lind e drejta për të përfituar që është 35 ditë para lindjes së fëmijës dhe një ndryshim ligjor është rritja e afatit nga 42 ditë në 63 ditë pas lindjes së fëmijës, që është periudha e lehonisë”, – shpjegon Dibra. Për periudhën e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes, për gruan e punësuar masa e përfitimit është 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar. Për gruan e punësuar, për periudhën tjetër në vazhdim deri sa të plotësojë 12 muaj gjithsej sipas kushteve të përfitimit është 50% e mesatares ditore.

 

Ligji

E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve. E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:

– 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;

– 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.

E ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet me formulën e re. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë së 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë.

 

 Sigurimet shoqërore/ Veliaj, letër subjekteve: Paguani sigurimet, afat deri në 15 shkurt!

 Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka dërguar të gjitha subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore të punonjësve të tyre, duke u bërë thirrje që të mbyllin debinë e tyre brenda 15 shkurtit ose, në të kundërt, do të përballen me ligjin. Në letrën e tij, e cila u është dërguar të gjitha subjekteve debitore, ministri Veliaj thekson vendosmërinë e qeverisë për të mbledhur të gjitha detyrimet ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dhe rakordimi të ketë përfunduar brenda afatit të paralajmëruar nga qeveria: më 15 shkurt të këtij viti, fillimisht për principalin e detyrimit. Në shumat e papaguara llogariten Kontributet e papaguara, gjobat si dhe interesat. Ministri nënvizon se kjo vlen si për subjektet shtetërore, të cilat përbëjnë 1/5 e rasteve të tilla, ashtu edhe për ato private, ndërsa letra u është dërguar të gjitha atyre subjekteve që nga verifikimi kanë rezultuar se nuk kanë paguar sigurimet për punonjësit e tyre. Dhe duke e gjykuar mos pagesën e sigurimeve shoqërore si një shkelje të rëndë administrative, ashtu siç parashikon ligji, Veliaj u bën thirrje të gjitha subjekteve debitore të paguajnë pagesat e prapambetura brenda afatit të përcaktuar. Në të kundërt, atëherë për subjektet që nuk respektojnë ligjin, gjatë aksionit për mbledhjen e sigurimeve që do të marrë qeveria pas 15 shkurtit, do të ketë sanksione të rënda, siç është sanksionuar në Kodin Penal.

 

 Ministria e Arsimit/ Studentët në protestë: Nuk na njihen diplomat

Studentët e degës “Ekspertë në proceset e informimit” në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Durrësit kanë protestuar përpara Ministrisë së Arsimit, për shkak se nuk u njihet diploma. Sipas studentëve, janë 800 të rinj të këtij programi në Universitetin “Aleksandër Muisiu” në Durrës që penalizohen edhe nëse kanë diplomë të nivelit të parë apo master. Ata thonë se shteti nuk njeh diplomën që lëshon Universiteti publik dhe se prej 4 muajsh nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Përpjekja e tyre për të marrë përgjigje zyrtare ka vazhduar për orë të tëra. Studentët arritën të hynin në ambientet e brendshme të Ministrisë dhe gjatë takimit që patën me autoritetet e kësaj Ministrie u është thënë që diplomat njihen nga institucionet shtetërore. Në vijimësi të protestës studentët u ulën në ambientet brenda Ministrisë. Ministria e Arsimit shpjegon se pretendimi i studentëve nuk qëndron, sepse programi i tyre është i licencuar dhe i njohur nga Ministria. MAS thotë gjithashtu se studentët u pritën në takim nga sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca dhe se Ministria do të ketë një qëndrim zyrtar pas disa ditësh. Edhe pse qëndrimet në këtë rast janë të ndryshme, pritet të gjendet një zgjidhje, sepse ky program vijon të jetë i hapur dhe të presë në një vit akademikë rreth 100 studentë të rinj.

 

Loading...