Kokaina/ Ekspertët: Laboratori i Xibrakës dyshohet të jetë ngritur një muaj më parë

0
122

Alma Çuka

 Laboratori i Xibrakës2Të pandehurit të arrestuar rezultojnë pa llogari bankare. Prokuroria, dyshime për fshehjen e të ardhurave në emër të personave të tjerë. Prova e vetme, përgjimi ambiental dhe filmimi

Pas operacionit të datës 14 janar, i cili u finalizua me arrestimin e nëntë personave të dyshuar si të përfshirë në trafikun e kokainës nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës Perëndimore, kryesisht Gjermaninë, Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se ndodhet përballë vështirësive hetimore. Dosja voluminoze i është besuar një grupi prokurorësh nën drejtimin e Olsjan Çelës. Menjëherë pas dhënies së masës së arrestit nga Gjykata, prokurorët, me ndihmën e oficerëve të policisë, kanë filluar verifikimet e para, gjurmët e të cilave do t’i çojnë tek e vërteta që besojnë. Kështu, mësohet se veprimi i parë që ka kryer organi i akuzës është ai i verifikimit të llogarive bankare për secilin nga nëntë të pandehurit si dhe regjistrimi i ndonjë pasurie të paluajtshme në emër të tyre. Prokurorët gjithashtu janë duke kryer veprime, me anë të të cilave të përcaktojnë qartë ditën kur ky grup kriminal ka nisur veprimtarinë në Xibrakë si dhe ditën kur ka hyrë sasia e parë e lëndës narkotike kokainë, e cila përpunohej në laboratorin e ngritur me kujdes. Po kështu një tjetër dyshim pas këqyrjes së laboratorit është edhe koha kur mund të ketë filluar të ngrihej dhe dita kur ka marrë jetë përpunimi i sasisë së parë të lëndës narkotike.

 

Hetimi

Regjistrimi penal për çështjen “Kokaina” u krye në 18 dhjetor të vitit të kaluar. Ky regjistrim u bë pas marrjes së informacionit nga autoritetet gjermane, ndërkohë që brenda një muaji në dosje janë administruar shumë pak prova. Gjermanët sollën fillimisht dosjen me emrat e Ilir Hysenit, një prej të dyshuarve kryesorë si organizator i grupit “Kokaina” dhe vajzës me emrin Pranvera Ebeling, e cila njihet si dhe shoqëruesja e tij. Por hetuesit thonë se nuk kanë arritur të provojnë ardhjen e kokainës në Shqipëri. Gjatë hetimeve, prokurorët thonë se kanë arritur që vetëm në një rast të përgjimit ambiental të dyshuarit kanë folur për drogën e ardhur në Shqipëri të shkrirë në rroba fëmijësh dhe solucionin e përpunimit të lëkurës. Pas kësaj faze ata janë përgjuar sërish, ku kanë folur për mënyrën e nxjerrjes së mallit nga Shqipëria me anë të një kompanie mineralesh, por në asnjë rast nuk është arritur të vërtetohet se cili është emri i kompanisë që do të bënte këtë punë. Personat e përgjuar gjatë bisedave të tyre janë Ilir Hyseni, Ermal Hoxha dhe Kastriot Imeri. Të tjerët kishin pseudonime dhe shkurtesa emrash. Në biseda, ata thirreshin si “Keli”, “Tulja” apo “Kinezi”. Në momentin e arrestimit janë zbardhur identitetet e vërteta te tyre që ishin Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi apo Saimir Batku.

 

Laboratori

Oficerë të policisë gjermane janë futur gjatë paradites së djeshme në laboratorin e përpunimit të drogës në Xibrakë. Ky laborator mbahet nën ruajtje nga forcat speciale të policisë. Pas zbardhjes se bisedave mes Ilir Hysenit dhe shokut të tij Kastriot Imeri, mësohet se ai i kërkonte ndihmën e vëllait që punonte në një servis të bëhej modifikimi i makinës “Mercedes-Benz”, sjellë prej Hysenit për Pranvera Ebeling për të cilën po vazhdojnë hetimet për implikimin e saj në këtë rrjet të trafikut dhe roli i saj në këtë rrjet të përpunimit të kokainës dhe trafikimit të kokainës së bllokuar në Xibrakë të Elbasanit.

 

Llogaritë bankare

Gjatë ditës së djeshme, mësohet se Prokuroria për Krime Prokuroria, bazuar në ligjin “Antimafia”, ka kërkuar sekuestrimin e llogarive bankare, pronave dhe pasurive të shtatë të arrestuar dhe familjarëve të tyre, gjatë operacionit për bllokimin e laboratorit të kokainës në Xibrakë. Në vazhdën e këtij hetimi pasuror, me ndihmën e Drejtorisë së Pastrimit të Parave, grupi hetimor ka administruar zbardhjen në mënyrë analitike të llogarive bankare të tyre dhe familjarëve. Ajo që bie në sy, thonë hetuesit, është fakti se të 7 shqiptarët nuk kanë depozita të konsiderueshme në llogaritë e tyre bankare. Kjo hedh dyshime se investimi është kryer me të hollat e të tjerëve. Edhe veprimet dhe lëvizjet bankare dyshohet se janë bërë me emra personash të tjerë.
Nipi i diktatorit
Prokurorët kanë vërtetuar se nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha nuk ka asnjë pasuri në emrin e tij, madje asnjë llogari bankare. Nga verifikimi ka rezultuar se Ermal Hoxha banon në një apartament me qira prej 100 metrash katrorë në zonën e Unazës së Re. Po kështu, rezulton se Ermal Hoxha ka aplikuar për marrjen e një kredie me qëllim rikonstruksionin e kësaj shtëpie banimi të marrë me qira. Prokurorët hedhin dyshimin se shtëpia mund të jetë e të pandehurit dhe e regjistruar në emër të ndonjë personi tjetër, me qëllim fshehjen e të ardhurave. Ky dyshim bazohet tek fakti i marrjes së një kredie që duket e pabesueshme dhe e tepërt për të rikonstruktuar një banesë të marrë me qira. Megjithatë, hetuesit thonë se veprimet do të vazhdojnë më tej, me qëllim zbërthimin e veprimtarisë së këtij grupi kriminal. Verifikime i janë bërë edhe pasurisë së bashkëshortes së Ermal Hoxhës, këngëtares Rezarta Shkurta. Rezulton se bashkëshortja e Hoxhës, këngëtarja Rezarta Shkurta, ka lëvizje nga llogaritë e saj bankare, shuma të vogla të cilat lidhen më biznesin e saj me emrin “Hera Company” e që rezulton të jetë bashkortake me një person nga Fieri me inicialet D. P. Edhe të pandehurit e tjerë, Ilir Hyseni, Saimir Batku apo Gentian Gjonaj, nuk rezultojnë të kenë pasur lëvizje të shumave të mëdha në llogari bankare. Sipas verifikimeve të kryera, rezulton se Gentian Gjonaj ka lëvizur shuma parash kur kishte aktivitet biznesi, së bashku me dhëndrin e Enver Hoxhës, shtetasin Klement Kolaneci. Kompania e tyre ka dështuar dhe është bllokuar nga zyra përmbarimore. Në ditët në vazhdim, hetuesit thonë se do të zbardhin edhe aktivitetet e tjera që mund të ketë Gjonaj apo të afërmit e tij. Ndërkaq, vëllezërit Kelmend dhe Arjan Dalipi, njëherazi pronarë të magazinës, rezultojnë se kanë pasur lëvizje parash në banka, por në emër të kompanive me të cilat operojnë në qytetin e Elbasanit. Edhe këto shuma nuk justifikojnë investimin e kryer në magazinë apo blerjen e kokainës dhe pajisjet laboratorike të prodhimit të kokainës. Sipas Prokurorisë, në ditët në vazhdim pritet që zrat e Hipotekës të zbardhin të gjithë pronat e mundshme të personave të arrestuar dhe të afërmve të tyre, të cilat pritet të sekuestrohen deri në një vendim tjetër.

 

 Fier/ Krimi në familje, gruaja humbi jetën nga goditjet me dru

 Një ditë pas ngjarjes tragjike ndodhur në lagjen Sheq të Fierit, ku bashkëshorti goditi për vdekje gruan e tij, ekspertët publikojnë edhe raportin mjekoligjor që përcakton shkakun e vdekjes. Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe fqinj të së ndjerës kanë treguar për momentet e fundit të gruas fatkeqe dhe britmat e saj. Fqinjët thonë se gruaja iu lut e iu përgjërua të shoqit të mos e godiste. Thirrjet dhe britmat e 51-vjeçares Teuta Muhaj i dëgjuan edhe fqinjët në Sheq të Fierit, por Arben Muhaj nuk ndaloi derisa i dha goditjen vdekjeprurëse. Prokuroria e Fierit është në pritje të raportit mjekoligjor, por paraprakisht burime nga ky institucion tregojnë se nëna e tre fëmijëve humbi jetën nga traumat e brendshme të shkaktuara prej shkopit të drurit. Fqinjët i treguan policisë për ulërimat e gruas që dhunohej, por nga frika nuk kishin mundur t’i jepnin ndihmë. Vetë 53-vjeçari i tha policisë se nuk donte të vriste gruan e tij, por vetëm ta rrihte, pasi ajo kishte dalë nga shtëpia në kohën kur ky ishte në burg. Arben Muhaj ishte i dhunshëm në familje, jo vetëm me gruan, por edhe me djemtë, dy prej të cilëve, edhe pse të mitur, njihen nga policia si autorë vjedhjesh. Pak ditë më parë ai ishte lënë i lirë, pas disa muajsh burg për plagosje të lehtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency