Debati në bazat e majta/ Kryekomunari i PS-së: Rama, vetëm fjalë të bukura në fushatë, tani po hamë grurë e spinaq

0
137

Gëzim Saliu

 cervanaku...Kreu i Komunës Frakull, Çervanaku: Dibra e ministrit të Hoxhës, më shumë fonde për investime se Fieri

 “Nga 50 drejtorë që ka Fieri, 40 janë me shkollë false. Neve, kryekomunarëve s’na pj… njeri”

Aksionet e qeverisë si edhe masat për shkurtime të pagave në administratë nuk janë mirëpritur jo vetëm nga opozita e djathtë, por edhe nga brenda radhëve të së majtës. Në mjaft qytete janë shfaqur pakënaqësi të përfaqësuesve të njësive vendore, të cilët kanë vënë theksin tek rritja e papunësisë. Kështu, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Qarkut Fier, kryetari i Komunës Frakull, përfaqësuesi socialist Viktor Çervanaku, u shpreh kundër uljes së pagave me 10% për administratën dhe anëtarët e Këshillit të Qarkut, duke vënë në dukje se në listë nuk ishte i përfshirë asnjë drejtor. Në këtë kontekst, ai nuk ngurroi të shprehte kritikën e tij për Kryeministrin Rama, i cili, sipas tij, nuk ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. “Ata dy këshilltarë që unë kam, e duan pagën e tyre. Ti hymë pak me seriozitet, se është buxhet i qarkut, nuk është as imi as yti, po është i qarkut. Ti si kryetar nuk ke futur asnjë nga drejtorët që bredhin lirisht rrugëve si gangsterë sot, se ne kryetarëve të komunave nuk na pjerdh njeri fare, as kryetarët e bashkive. Tani ne këtu kemi ardhur të qajmë hallin e atij populli që na ka zgjedhur se në qoftë se kemi ardhur për atë 100-mijëlekëshin, më mirë e mbyllim mbledhjen. Tani edhe hajdutë jemi bërë, çdo gjë jemi bërë, tani të paktën të bëjmë një gjë, se i gënjyem. E dëgjove ça i thoshte ai që u bë Kryeministër, fjalët më të bukura, po sa u bë Kryeministër na futi grepin të tërëve. Është mirë që ato gënjeshtra t’i kthejë e të bëjë ndonjë gjë”, – u shpreh Çervenaku, duke iu drejtuar kreut të Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreko.

 

Deklarata

Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Qarkut, kryekomunari i Frakullit, duke debatuar lidhur me uljen e pagave, shprehu kundërshti për ndarjen e fondeve të investimeve nga ana e qeverisë. Sipas tij, nuk mund të marrë më shumë fonde qarku i Dibrës sesa ai i Fierit, i cili, sipas Çervanakut, është qarku i parë në territorin e Shqipërisë, duke mos llogaritur Tiranën. “Ne jemi këtu për të bërë një buxhet serioz, kush të jep të drejtën ty të heqësh 70 veta nga puna? E vendosim ne këtu me votë, do hiqen në qoftë se e meritojnë, në qoftë se jo, nuk ke të drejtë t’i heqësh… Se qenka qarku i Dibrës, se është ministri nga Dibra dhe vlen 1 miliard e gjys lekë investime dhe Fieri që është “kryeqyteti” i socialistëve në fushatë merr 78 milionë lekë. Po ne s’jemi të vdekur këtu. Fieri është 16 deputetë, pavarësisht se janë të majtë dhe të djathtë, e pe si u puthën me njëri-tjetrin. Këtu zihemi ne, pastaj dalim bashkë për kafe, hamë e pimë bashkë. Mirë është t’ia bësh të qartë atij ministrit të Enver Hoxhës që qarku i Fierit është qarku më i madh në Republikë”, – nënvizoi ai. Më tej, Çervanaku pohoi se situata aktuale e vendit është shumë e vështirë, duke vënë në dukje papunësinë dhe nivelin e ulët të ekonomisë familjare, ku, sipas tij, qytetarët u janë rikthyer blerjeve me listë për ushqimet e tryezës. Në kritikat e drejtuar nga qeveria, kryekomunari socialist rëndoi edhe gjuhën e përdorur, duke theksuar se e situata në të cilën ndodhet përkatësisht komuna që ai drejton është mjaft e vështirë. “Ce do i shkurtosh administratën, po ne për një vend pune po zihemi. Vijmë këtu, nuk na pjerdh njeri, me këtë gjuhë po flas, këta 96 burra ta firmosin dhe t’ia çojmë Kryeministrit, po ne nuk jemi për t’u tallur. Ce ke bërë ti në komunë, jo ti Vangjel, se kemi me ty, më thuaj një investim që ke bërë, një investim në Frakull. Tërë drejtorët janë me shkollë false, nga 50 që ka Fieri, 40 janë me shkollë false, të mos i nxjerr emrat, se këtu i kam. Ne kemi 6 muaj pa marrë rrogën, ce të japë unë taksë. Po me ato ligje që po bën ai populli po ngelet pa spinaq, jo të japë lekë. Populli është zhveshur, janë pa pantallona. Po hanë misër, po hanë me listë”, – tha ai.

 

Kryekomunari i Kolonjës

“Në një kohë që qeveria pohon se do të rrisë pagat, do të rrisë investimet ne këtu në këtë mbledhje po miratojmë uljen e pagave tona me 10% dhe po miratojmë uljen e grandit për investime me 70%. Jam i mendimit që të mos i shikojmë gjërat politikisht, por të flasim me këmbë në tokë, t’i shikojmë gjërat në mënyrë reale, që t’u themi qytetarëve tanë se me këto forma nuk mund të ecet dhe nuk mund të punohet”.

 

 Akuzat e PD-së/ Kapurani: S’kam asnjë faturë të papaguar të energjisë. Me demokratët do përballem në Gjykatë

Pas akuzave të Partisë Demokratike për mospagesë të energjisë, reagoi dje deputeti i LSI-së, Pirro Kapurani, i cili i hodhi poshtë ato, duke theksuar se me deklaratat e PD-së do të përballet në Gjykatë. “Për sa u përket deklaratave të PD-së, deklaratave të gënjeshtërta, dua të deklaroj se nuk kam asnjë faturë të papaguar për sa i përket energjisë elektrike. Deklaratat e PD-së janë thjesht një shpifje dhe një mashtrim me qëllim politik. Përgjigjja ime për sa u përket deklaratave të PD-së, është se do të përballem vetëm me Gjykatën, duke e çuar deri në fund të gjithë procesin, me qëllim që emrin tim ta shpie atje ku duhet. Këto deklarata janë deklarata për të përbaltur ose për të mposhtur mua si figurë politike dhe forcën time politike. Mesazhi im është për të gjithë politikën: larg mashtrimeve dhe shpifjeve politike! Shumë shpejt unë do të marr avokatin tim dhe do të vete në Gjykatë”, – deklaroi Kapurani. Dy ditë më parë, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, paraqiti para publikut një faturë energjie, e cila, sipas saj, i përket deputetit biznesmen Pirro Kapurani, i njohur si pronar i një fabrike tjegullash e tullash. Sipas demokratëve, deputeti Kapurani nuk preket nga policia, edhe pse ka 205 mln lekë energji të papaguar.

 

 Objektivat për 2015-ën/ Gjosha: Reforma në drejtësi, kyçe për hapjen e negociatave. Duhet Këshilli për Integrimin

 Në shpallje të objektivave të Ministrisë së Integrimit për vitin 2015, ministrja Klajda Gjosha deklaroi dje se reforma në drejtësi do të jetë çelësi i artë për të çelur negociatat për integrimin e Shqipërisë në BE. Sipas ministres, procesi i hapjes së negociatave po ecën në rrugën e duhur, ndërsa nënvizoi se reforma në drejtësi mbetet prioritet kyç për hapjen e negociatave. “Procesi i hapjes së negociatave po ecën në rrugën e duhur, nuk ka një datë, nuk mund të ketë një datë. Por procesi i integrimit evropian po ecën në hapat e duhur. Reforma në drejtësi është një ndër reformat kyçe nga e cila do të varet hapja e negociatave. Ne do të vazhdojmë takimet me homologët ndërkombëtarë. I bëj thirrje Komisionit të Integrimit, për ngritjen e këtij Këshilli dhe jemi të hapur të negociojmë çdo lloj oferte që do të na vijë nga ata”, – u shpreh Gjosha, e cila bëri të ditur nga ana tjetër se në fund të shkurtit, komisioneri i Zgjerimit, Johanes Hahn, do të jetë në Tiranë si pjesë e tryezës së nivelit të lartë Shqipëri-BE.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency