Rezoluta e përbashkët/ Përballja, Islami: : Nëse dështon dekriminalizimi, vendi me fatin e Ukrainës. Lutaj: PS i qëndron marrëveshjeve.

0
118

Intervistoi Erneta Shevroja

kastriot-islamiKstriot Islami: Pa konsensus për ndarjen territoriale, nuk parandalohet dekriminalizimi i politikës

 “Rama mund ta minojë Dekriminalizimin dhe me marifete. Dy janë rrugët: përballja oligarki – oligarki ose  përplasja “demokraci (dekriminalizim) – oligarki (banditizëm)”

Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami komenton në një intevistë për “standard” mundësitë e bashkëpunimit me mazhorancën për të konkretizuar rezolutën e dhjetorit, ku shpreh pasigurinë për sjelljen në vazhdimësi të së majtës. Po ashtu ai e cilëson si një çështje parësore dekriminalizimin e politikës, duke theksuar se pa konsensus për ndarjen e re territoriale, ky proces nuk mund të parandalohet. Nga ana tjetër ligjvënësi demokrat bën të ditur se nëse procesi i dekriminalizimit nuk do të realizohet vendi ka gjasë të ndjekë skenarin e Ukrainës.

 

Rezoluta për dekiminalizimin e Kuvendit, u votua pa asnjë votë kundër dhe të themi në mënyrë të shpejtë. Mendoni se në vijim, procesi për dekiminalizimin e Kuvendit, do të pësojë kundërshti nga ana e mazhorancës dhe të cfarë natyre mendoni se do të jenë?

Opozita ka meritën që për 6 muaj ne bojkot, në komunikim me qytetarët e partnerët nderkombetare, këtë cështje ta kthjejë në një cështje ndërkombëtare. Një cështje që ndoshta BE do ta kthejë në model për të luftuar e crrënjosur “korrupsionin politik në formën e oligarkisë e të banditizmit” edhe në vende te tjera. Marrëveshja e 24 dhjetorit 2014 midis Maxhorancës e Opozitës, në frymë, përmbajtje dhe në cdo gërmë të saj i referohet procesit të Dekriminalizimit të Politikës. Sensibilizimi i kësaj cështje nga opozita shqiptare në Bruksel dhe disa vënde të BE ka mjaftuar që PE të merret seriozisht me këtë shqetësim madhor, të ngritur fillimisht nga Sekretari Amerikan John Kerry në shkurt 2014 në Samitin e Sigurisë Globale në Mynih të Gjermanisë për vëndet e Europës Qëndrore e Lindore dhe të Ballkanit. Do të kishte qënë e pamundur, që për cdo shqetësim tjetër të demokracisë në Shqipëri, të dy grupet kryesore të PE, PPE dhe PSD të bashkoheshin e të vepronin në unitet të plotë, në një kohë kur BE i duhet të përballet me sfida të brëndshme por mbi të gjitha i duhet të mbetet një aktore e rëndësishme në menaxhimin e një numër krizash globale.  Gjasat janë që Rama ta minojë Dekriminalizimin dhe me marifete, arrogancë e kokëfortësi ta shtrijë e thellojë këtë dukuri edhe në nivel rajonal. Në këtë rast, mbeten dy “mundësi” për të dalë nga kjo situatë:  i) përballja “oligarki (banditizëm) – oligarki (banditizëm)” ose ii) përplasja “demokraci (dekriminalizim) – oligarki (banditizëm)”. Opsioni i parë do të conte në një rregjim total oligarkik. Opsioni i dytë, në varësi të raportit të forcave mund të conte 1) në eleminim të demokracisë pra në një rregjim oligarkik, 2) në crrënjosjen e “butë” të oligarkisë dhe 3) në “shporrjen” e egër të oligarkisë e banditizmit përmes protestave popullore.

 

 Sfida më e madhe mbetet zbatimi i Rezolutës. Cfarë hapash do të ndiqen për zbatimin e saj?

Ky proces do të synojë të “pastrojë” Kuvendin e Administratën në të tashmen por edhe të parandalojë Kriminalizimin në të ardhmen. Ky do të jetë një proces që do të “godasë” emra konkretë por që edhe do të prodhojë edhe legjislacion. Disa nga elementët themelorë të procesit të DEKRIMINALIZIMIT të Kuvendit e të Adminstratës Publike do të ishin:

 

1) “Delegjitimi” i maxhorancës së cilësuar për shkak të natyrës së saj oligarkike; 2) ngritja e komisioneve hetimore për të bërë transparente situatën e Kriminalizimit në të gjithë nivelet e qeverisjes;  3) rishikimi/shfuqizimi i të gjithë akteve të miratuara nga maxhoranca oligarke e hartimi e miratimi i tyre me konsensusin substancial të opozitës me pjesën e pastër të maxhorancës;  4) shfuqizimi i Ndarjes Territoriale të miratuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca oligarke dhe gjetja e një zgjidhjeje përmes një projekti konsensual për Ndarjen Territoriale për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të lira e të ndershme; 5) testi i drogës për politikanët e gazetarët, 6) ngritja e skemave ligjore e institucionale që realizojnë detyrimisht Dekriminalizimin e Kuvendit aktual e të Administratës Publike dhe parandalojnë këtë dukuri në të ardhmen.

 

Cila mendoni se do të jetë pasoja me pozitive në afat afatshkurtër, po afat gjatë te kësaj rezolute?

Shqipëria është në udhëkryq, mes Dekriminalizimit nga njëra anë dhe Mbretërimit e Shtrirjes së Oligarkisë nga ana tjetër. Një nga mënyrat e Shtrirjes së kësaj Mbretërie në nivel rajonal do të lidhej me zhvillimin e zgjedhjeve vendore me Ndarjen Territoriale aktuale. Prandaj në Planin e Veprimit për Dekriminalizimin e Politikës duhet detyrimisht të përfshihet ridiskutimi e vendimarrja, me konsensus e pa përdorim të maxhorancës prej 3/5 i Ndarjes Terrioriale. Pa rivendosur në normalitet këtë cështje, jo vetëm nuk do të mund të parandalohej Kriminalizimi i Politikës në nivel rajonal por edhe do të minohej zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore, “të lira e të ndershme”. Dy mund të ishin rrugët për Dekriminalizimin e Politikës: i) rruga e “butë” përmes përmes hartimit e miratimit të “skemave ligjore e institucionale” për korrigjimin e të gjithë “deformimeve” të miratuara nga maxhoranca oligarke dhe parandalimin në të ardhmen e kësaj dukurie, ose ii) rruga e protestave dhe “mosbindjes civile”. Rruga e parë për të garantuar sukses kërkon angazhim të fuqishëm të partnerëve ndërkombëtarë. Rruga e dytë do të aplikohej nëse Rama, përmes marifeteve do të pengonte Dekriminalizmin. Gjasat janë që ky proces të nisë sipas rrugës së parë, të vijojë si një kombinim i dy rrugëve dhe të përfundojë në rrugën e dytë. Nëse Shqipëria do të kryejë me sukses DEKRIMINALIZIMIN atëhere vendi do të futet përfundimisht në rrugën e një Demokracie Europiane Liberale.

 

Sa e rëndësishme është kjo Rezolutë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në një kohë kur vendi e mori statusin e kandidatit pa një kërkesë të tillë?

Cështja e Oligarkisë dhe Banditizmit nuk është ngritur fillimisht nga Shqipëria. Fillimisht kjo cështje është ngritur nga Sekretari Amerikan John Kerry në shkurt 2014 në Samitin e Sigurisë Globale në Mynih të Gjermanisë për vëndet e Europës Qëndrore e Lindore dhe të Ballkanit. Më tej këtë cështje e ka rimarrë Presidenti i PPE eurodeputeti francez Josph Daul i cili ka thënë se “në vëndet e Ballkanit mbretërojnë Korrupsioni, Oligarkia dhe Banditizmi” dhe ka shtuar se “nëse në këto vënde nuk vendoset shteti ligjor, revolucioni është i pashmangshëm….”. Pra kuptohet qartë rëndësia që ka procesdi i DEKRIMINALIZIMIT dhe kjo shpjegon përse PE u angazhua seriozisht për këtë cështje.  Nëse ky proces do të dështojë, gjasat janë që Shqipëria të ketë fatin e Ukrainës, ndonëse ky “parashikim” i fortë mundet disave ti dukej i ekzagjeruar.

 

Gëzim Saliu

Flet deputeti i PS-së/ Lutaj: PS ka treguar se i qëndron marrëveshjeve. Për dekriminalizimin duhet parë krahu i PD-së

Kundërshtitë e opozitës për ndryshimet e kodit, Lutaj: PD mundohet të gjejë elementë për t’iu kundërvënë zgjedhjeve të 21 qershorit, do “shpërblehen” sërish për atë që iu kanë bërë shqiptarëve

Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Lutaj deklaroi në një prononcim për gazetën “standard” se forca më e madhe në pozitë do ti qëndrojë marrëveshjes së lidhur me opozitën, duke theksuar se çështja e dekriminalizimit i përket më shumë Partisë Demokratike. “Partia Socialiste ka treguar që është shumë korrekte në idetë e bashkëpunimit, të krijimit të normalitetit të ecurisë së vendit. Edhe kjo është pjesë e normalitetit të PS-së dhe të mazhorancës aktuale. Sa i përket dekriminalizimit për mazhorancën nuk ka asnjë problem. Është thënë që dekriminalizimi duhet të fillojë nga të kriminalizuarit realë dhe të kriminalizuari realë që njeh gjithë publiku ju siguroj që në pjesën dërrmuese nuk ndodhen në krahun e mazhorancës, por në krahun e opozitës. Kjo është një çështje që i përket më shumë opozitës se sa mazhorancës. Ne kemi dhënë ok-in që asnjë i kriminalizuar, i tipit të vrasësve të 21 janarit dhe të një elementi tjetër, të mos jetë në parlament”, u shpreh ai. I pyetur lidhur me formën se si do rezilohet ky dekriminalizim, duke marrë parasysh deklaratat e deritanishme për mundësinë e prekjes së Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, Lutaj theksoi se,: “Çështja e ndryshimeve Kushtetuese është një problem i madh për të cilin duhet menduar, duhet gjykuar, duhet bashkëpunuar dhe duhet vendosur në kushtet të qeta dhe në një moment të formuar dhe jo si pasojë e një elementi momental”.

 

Sesioni i ri, zgjedhjet dhe Kodi

Ndërkaq Lutaj foli edhe për nisjen e sesionit të ri parlamentar, ku theksoi se,: “Nuk ka ndonjë problem për ne, është një gjë normale. Sipas rregullores së Kuvendit të hënën e tretë të janarit nis sesioni i dimrit i Kuvendit dhe vetëm kaq. Personalisht nuk ndjej asnjë ndryshim me rikthimin e opozitës në Parlament”. Lidhur me ndryshimet e propozuar nga mazhoranca për kodin zgjedhor lidhur me adaptimin e reformës zgjedhore, ligjvënësi socialist tha se  pretendimet e opozitës për shkeljen të marrëveshjes me këto ndryshime janë thjesht justifikime. “Një nga arritjet më të mëdhaja të parlamentit pas viteve 90 është ndarja territoriale e votuar para pak kohësh. Kështu që kjo ndarje territoriale sigurisht duhet pasohet edhe nga elementë të tjetër për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të gjithëpranuueshme nga të gjithë aktorët. Opozita nuk është se ka pretendime për këtë gjë, por duke u gjendur në një situatë mjerane mundohet të gjejë elementë për të kundërvënë zgjedhjeve normale të 21 qershorit. Ato do të zhvillohen dhe të paktën edhe në këto zgjedhje opozita do të shpërblehet për cfarë iu ka bërë shqiptarëve”, deklaroi deputeti Pirro Lutaj. Më 24 dhejtor të vitit të kaluar, mazhoranca dhe opozita miratuan me 126 vota rezolutën e përbashkët, e cila përmbantë katër pika kryesore: I) rikthimi i opozitës në parlament me të gjithë funksionet e saj si edhe fakti që mazhoranca nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur; II) dialogu politik dhe respektimi e zbatimi i vendimeve të gjykatave, si ehde funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare; III) bashjkëpunimi për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike; IV) mbështetja e përfaqësuesve të grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, socialdemokratëve dhe Partisë Popullore Europiane për marrëveshjen.

 

PD ngre grup pune pë rezolutën, parësor dekriminalizimi

Për konkretizimin e rezolutës së përbashkët të votuar në seancën e fundit të vitit të kaluar, e cila bëri të mundur rikthimin e opozitës në Parlament, Partia Demokratike ka ngritur një grup pune. Nisur nga fakti se tri pikat e rezolutës do të duan të përkthehen në nisma ligjore, në këtë grup pune janë përfshirë anëtarë demokratë të Komisionit të Ligjeve, si edhe ekspertë ligjorë të forcës më të madhe opozitare, të cilët do të paraqesin në fund variantet e tyre për këtë çështje. Më pas, së bashku me propozimet e socialistëve, si edhe me ekspertizën ndërkombëtare, kryesisht atë të Komisionit të Venecias, në bazë edhe të marrëveshjes së firmosur mes palëve, rezoluta e përbashkët duhet të jetë përmbushur brenda 30 qershorit. Ndër pikat kryesore të kësaj rezolute mbetet ajo për dekriminalizimin, e cila pritet edhe të hasë debate mes palëve për mënyrën e konkretizimit të pikës në draft ligjor. Për demokratët, me rëndësi parësore është që në poste publike të mos ketë më individë me të shkuar kriminale, kjo duke nisur të zbatohet që nga zgjedhjet e ardhshme vendore e deri tek ato të përgjithshme parlamentare të vitit 2017

 

Rezoluta e përbashkët për deriminalizimin

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.

 

Tatimet dhe administrata/ Komisionet hetimore, dy çështje që ndezin debatin  politik

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, mazhoranca dhe opozita do të përballen me dy ëështje që lidhen me komisionet hetimore parlamentare, në të cilat Pod ka vendosur tashmë të marrë pjesë. Komisinet e ngritura vetëm me votat e mazhorancës në atë kohë, ëpr shkak se opozita ishte në bojkot, kanë të bëjnë me ndërhyrjet në të dhënat e serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve  si edhe ai me emërimet në administratën shtetërore. Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, komisionet do të nisin punë, ku për demokratët sekretari i përgjithshëm Arben Ristanin do udhëheqë  hetimin e ndërhyrjeve në serverin tatimor ndërsa Genc Pollo për emërimet në administratë. Lidhur me këtë të fundit, PD ka shprehur me kohë akuzta e saj, duke theksuar se deri më tani janë larguar pa të drejtë nga administrata më shumë se 7 mijë persona. Komisioni hetimorë parlamentarë  do të kalojë në sitë  të gjithë personat e emëruar nga shtatori i vitit 2013 në administratën shtetëtore, për të parë jo vetëm ligjshmërinë e procesit por dhe të kaluarën e tyre, pasi demokratët publikisht kanë denocuar se adminsitrata shtetërore është kthyer në strehë për personat e inkriminuar. Ndërkohë që komisioni hetimor për tatimet do të përqëndrohet në sqarimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nga administrata tatimore për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore, identifikimin e përgjegjësive për ndërhyrjen në sistemet tatimore dhe mosfunksionimin e tyre për disa ditë nga organet apo personat zyrtarë përkatës, si dhe analizimin e gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency