Zgjedhjet lokale/ PD-PS në sfidë, Basha zotim: 1 në 5 kandidatë  do të jetë grua

0
160

Erneta Shevroja

Basha zotimVokshi: Është hera e parë që një parti bën këtë hap, në 20% të bashkive nga sa është numri i përgjithshëm, do të jenë gra, gara duhet të jetë e barabartë

Edhe pse ende nuk ka një vendim të prerë nëse demokratët do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit,  një gjë e kanë të qartë: prezencë më të madhe të gruas në parti. Në zgjedhjet për pushtetin vendor, 1 në 5 gra do të jetë kandidate për kryetare bashkie. Ky është zotimi i kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që u bë i ditur dje nga deputetja Albana Vokshi në një tyrezë ku merrnin pjesë deputete të të dyja partive politike, PS dhe PD. Prezenca më e madhe e grave në pushtetin vendor nuk është vetëm një iniciativë e demokratëve, por edhe socialistët kanë premtuar shtim të femrave në Këshillat Bashkiak. Para dy ditësh kryeministri Rama gjatë një aktiviteti, deklaroi se në zgjedhjet lokale të 2015-ës, Këshillat Bashkiak do të kenë përfaqësi të barabartë, 50% gra e 50 % meshkuj.  Ndërsa Partia Demokratike hedh edhe një hap më të madh, pasi përveç prezencës së 50 për qind të grave në Këshillat Bashkiak, femrat do të jenë edhe më pjesëmarëse në drejtimin e bashkiave. Siç bëri të ditur Vokshi, 1 në 5 kandidatë për pushtetin vendor do të jetë femër. Nëse këto premtime do të zbatohen apo jo, kjo ngelet për t’u vërtetuar brenda këtyre muajve.

 

Zotimi i Bashës

Deklaratat u bënë dje gjatë një aktiviteti që u mbajtë për çështje të barzisë dhe përfshirjes së grave në sferën politike dhe sociale, në formunin e hapur “Gruaja dhe rinia shqiptare sa larg dhe afër Evropës”, forum që u përshëndet dhe nga kryetarja e Forumit të Gruas së Partive Popullore europaine, Doris Pack. Në këtë aktivitet  ishin të prenishme gra-deputete të të dyja kampeve politike, të PS-së dhe të PD-së. Deputetja demokrate, Albana Vokshi tha se Partia Socialiste ka kopjuar platformën e PD-së për shtim të grave në Këshillat Bashkiak në 50 për qind, siç edhe deklaroi kryeministri Edi Rama. Por përveç këtij fakti, Vokshi shtoi se Partia Demokratike do të shtojë numrin e grave kandidate për kryetare të bashkive në zgjedhet lokale. Ajo tha se 20 për qind të kuotave për drejtues të bashkive do të jenë gra. “Rama duke kopjuar paltformën tonë gjinore kur tha që do ishin 50% gra në këshillat bashkiakë. Sfida jonë shkon edhe më tej se ne zotohemi për 50, është zotim i kryetarit Basha më ka autorizuar që të them që PD-ja do të ketë jo më pak se 1 në 5 gra si kandidate për bashkitë. Nuk duket shifër e madhe por është hera e parë që një parti bën këtë hap, në 20% të bashkive nga sa është numri i përgjithshëm (minimum 20 %) do të jenë gra, gara duhet të jetë e barabartë”, – deklaroi Vokshi. Ndërkaq, deputetja Majlinda Bregu deklaroi se përfaqësimi i grave në politikë deri tani ka qenë diçka e mohuar. “Nuk kam ndërmend ti them falemnderit asnjë prej lidërve të partive për një prej përpjekjeve që është tërrësisht e grave për të vendosur dhe për të kuptuar për statusin të cilin e ka pasur për vite e vite të vonuar”, – tha deputetja demokrate.

 

Kuotat gjinore

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e bëri fakt të detyruar respektimin e kuotave të përfaqësimit të grave. Në të kundërt, ajo tha se partitë do të jenë të detyruara të përjashtohen nga zgjedhjet lokale. Këto kuota duhet të nisin nga 30 për qind dhe të vijojë aq shumë sa vendosin vetë partitë. “Do të doja që asnjë nga partitë politike të mos lejohej të merrte pjesë në zgjedhje nëse nuk plotësojnë kuotën e 30, 40, 50 për qind, ose sado që ta vendosin ato”, – tha Gjosha. Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani u shpreh për rritjen e kuotave edhe të femrave në parlament. Ai tha se këto kuota duhet të shkojnë në 70 deputete, nga 140 deputetë që e përbëjnë parlamentin.

 

Rëndësia

Kryetarja e Forumit të Gruas së Partive Popullore europaine, Doris Pack theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në politik. “Gratë duhet të punojnë së bashku se kjo është në interest të së ardhmes së fëmijëve të tyre. Jam e interesuar për Shqipërinë dhe dua të ndihmoj, dua të ndihmojë dhe të dëgjoj për t’i bërë kolegët e mi të vetëdijshëm ndaj problemeve tuaja dhe ndaj Shqipërisë”, – tha Doris Pack.

 

Dekriminalizimi/ Bylykbashi: Ligji do të bllokojë kandidimin e personave me precedentë penalë

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka bërë të qartë se ndryshimet kryesore ligjore për të sjellë në jetë ligjin për dekriminalizimin e parlamentit do të jenë së pari ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, duke vendosur rregulla të qarta dhe strikte për të ndaluar kandidimin e personave me precedentë kriminalë. Tashmë PD-ja ka depozituar një kërkesë në Kuvend për të ngritur një komision për dekriminalizimin e parlamentit, i cili në përbërje do të jetë bipartizan, me të njëjtin numër anëtarësh, dhe me të drejtën e vetos nga të dyja subjektet politike, për të garantuar kështu konsensusin. “Ligji të vendosë instrumente, jo vetëm parime ndaluese por instrumente të qartë që do të bllokojë që në fazën e kandidimit apo që në fazën e konkurrimit në administratë të personave që kanë këtë problem. Me instrumente të qartë dhe pasoja të qarta”, tha Bylykbashi për “A1 Report”. Por çfarë do të ndodhë nëse ndryshimet në kod nuk do të zbatohen nga subjektet politike? “Rrënija, humbja e mandatit, largimi nga pozicioni ashtu siç ne kemi vënë kriteret të forta në lidhje me, ta zëmë kuotën gjinore, aq më të forta do të jenë për këtë”, deklaroi deputeti i PD-së. I pyetur nëse opozita do të ushtrojë trysni politike drejt mazhorancës duke përdorur ligjin për dekriminalizimin dhe rezolutën e 24 dhjetorit, në të mirë të bashkëpunimit dhe konsensusit për reformën në drejtësi, Bylykbashi u përgjigj: “Reforma në drejtësi do të përfitonte po themi nga forcimi i aspekteve dekriminazuese sepse qartasi do të tregonte një qëllim qoftë dhe politikën penale të shtetit shqiptar dhe kriminalizimi nënkupton edhe luftën ndaj blerjes së votës në mënyrë që personat që nuk zgjidhen me votën e lirë dhe të ndershme, të fshehtë por që e blejnë votën apo e dhunojnë në forma të tjera, ata nuk kanë vend në parlament”, deklaroi Bylykbashi.

 

 Kontributet nga shteti/ PD do të kërkojë të vërtetën, “shifra e ministrit Veliaj është bombastike”

Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, do të jenë demokratët që do të kërkojnë zbardhjen e të vërtetës mbi kontributet që kryeministri dhe ministri Veliaj thonë se nuk u janë hedhur punonëjsve të shtetit gjatë qeverisjes “Berisha”. Këtë e bëri të ditur deputetja demokrate, Jorida Tabaku. “Ne jemi të interesuar që të hedhim dritë mbi këtë çështje, dhe do të jetë një çështje që ne do ta vazhdojmë me insistim gjatë nisjes së seancës parlamentare”, -tha Tabaku dje. Deputetja theksoi se nuk ka asnjë mundësi që personave që paga u kalon përmes thesarit të shtetit të mos u derdhet kontributi. Administrata që la Partia Demokratike ishte ndjeshëm më e ulët në numër nga shifrat e ministrit: 87 është më e vogël se 250. Deputetja Tabaku tha se, kjo mund të ndodhë në institucionet që kanë llogari jashtë thesarit dhe ato që ka përmendur ministri Veliaj nuk rezultojnë të tilla.  “Mund të ndodhë në një rast kur në institucion varësie, por bëhet fjalë vetëm për ato që punojnë me të ardhurat e veta dhe kanë llogari jashtë thesarit mund të ndodhë që të marrin punonjës me konratë. Por të kenë 250 mijë persona të tillë është akuzë shumë e rëndë dhe do të ishte në interesin e ministrit të hidhte dritë mbi çështjen, pasi kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë shifra të tilla bombastike”,- u shpreh deputetja. Sipas opinionit të Tabakut, ministri Veliaj ka marrë përsipër shumë përgjegjësi. “Ministria e tij ndodhet në vëshirësi sepse reforma e pensioneve sapo ka hyrë në fuqi dhe një pjesë e madhe, sidomos zona rurale, do të penalizohet nga kjo reformë pensioni. Është momeni kur çmimi i energjisë është rritur dhe ministria e tij është përgjegjëse për kompensimin e të gjitha shtresave që janë në nevojë”- tha Tabaku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency