Miratohet kalendari 3-javor i punimeve/ PD çon dy kërkesa në Kuvend: Komision për dekriminalizimin dhe vendimet e Kushtetueses

0
122

Gëzim Saliu

Konferenca e Kryetareve Komisionet hetimore, PD vendos kryetar Arben Ristanin te serveri i tatimeve dhe Genc Pollon te administrata. Demokratët pranë uljes në tryezë për reformën në drejtësi, kërkojnë modalitetet

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesat për ngritjen e komisioneve ad-hoc, një për dekriminalizimin e Kuvendit dhe tjetrin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Duke u mbështetur në marrëveshjen e arritur mes palëve dhjetorin e vitit të kaluar dhe të votuar me konsensus në formën e rezolutës në Parlament, opozita e cilëson si çështje parësore ngritjen e këtyre dy komisioneve. “Sot nuk patëm një përgjigje nga mazhoranca, pasi ka një periudhë prej 10 ditësh që duhet shqyrtuar kjo kërkesë, por unë besoj që nuk do të ketë kundërshtime, pasi është gjëja më normale, në të kundërt do të kishim një shprehje të një vullneti kundër marrëveshjes”, – tha kryetari i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka.

 

Mbledhja

Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve u përcaktua kalendari trejavor i punimeve të Kuvendit, ku mësohet se nuk është prekur çështja e ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor, për të cilën deri më tani palët kanë shprehur kundërshti ndaj njëra-tjetrës. Ndërkohë, duket se çështja e reformës në drejtësi është prekur në mbledhjen e djeshme, ku edhe PD ka ndryshuar qëndrimin e saj fillestar. Edhe pse do të pritet vendimi që do të marrë PD, demokratët përmes Edi Palokës i kanë kërkuar mazhorancës për t’u ulur në diskutime, në mënyrë që të gjenden modalitetet mbi të cilat do të kalojë reforma në drejtësi. “Kjo është çështje që do ta diskutojmë, nuk kemi një vendim për këtë, por duke pasur parasysh që edhe reforma në drejtësi është një çështje madhore sot, i kemi kërkuar mazhorancës që jo vetëm për këtë, por edhe për ato projektligje që janë parashikuar në kalendar, siç është një projektligji për ndryshimin e ligjit e pushtetit lokal, edhe për këto projektligje të ulemi dhe të diskutojmë në frymën e marrëveshjes që kërkojnë që këto raste të kemi konsensus, midis forcave politike”, – u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat. Nga ana tjetër, PD ka vendosur që të behet pjesë e dy komisioneve hetimore të kërkuara prej tyre, por që u votuan vetëm me votat e mazhorancës, për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës. Në mbledhjen e Kryesisë së dy ditëve më parë janë vendosur edhe emrat që do të drejtojnë komisionet hetimore, ku për emërimet në administratën shtetërore do të jetë në krye deputeti Genc Pollo, ndërsa komisioni hetimor për ndërhyrjet në serverin e tatimeve do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm Arben Ristani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency