Flet Dashamir Shehi/ “Duhet Kushtetutë e re dhe Senat, s’mund të qeverisemi nga 5 individë në Kushtetuese”

0
122

Intervistoi Erneta Shevroja

 Flet Dashamir ShehiKreu i LZHK-së: Reforma territoriale është politike, nga 60 njësi duhej të ishin 90. Paskuqani s’mund të lihej jashtë Tiranës

 “Dosjet hapen që ata që janë zullumqarë të kohës së vjetër, të mos bëhen zullum edhe tani”

 Qeveria e majtë ka pasur një shans që nuk e ka pasur më parë asnjë qeveri tjetër, e megjithatë këtë e shpërdoron. Opozita nga ana tjetër nuk duhet të bëjë politikë sot për nesër e të merret me çfarë thotë Kryeministri sot apo maksimumi pas një jave. Këtë gjykim ka sot aleati i Partisë Demokratike, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Ai tregon se shumë punë të nisura janë thjeshë arnime. Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, thotë ai, ndërsa është për një Kushtetutë të re. Ai thotë se sot vendi nuk mund të qeveriset nga 5 persona, ndërsa gjykon që Presidenti duhet të ketë më shumë fuqi mbi Parlamentin; ta arrijë të kontrollojë atë. Dosjet nuk janë hapur në 24 vjet. Kjo, sipas tij, ka ndodhur për një arsye shumë të thjeshtë: janë shumë persona të asaj kohe në politikë. Si arritjen më të madhe të qeverisë e konsideron aksionin në Lazarat dhe përmirësimi i imazhit të vendit në sy të botës. Dështimet më të mëdha janë në ekonomi. Ai flet për një administratë shumë të dobët, e korruptuar dhe e paaftë. Sa i përket opozitës, Shehi shprehet se duhet të ngrejë më shumë zërin dhe të funksionojë në bazë të një plani afatgjatë.

 

Ju ishit për hyrjen e opozitës në Parlament pa miratimin e rezolutës për dekriminalizimin e Kuvendit. Sot çfarë mendimi keni? Besoni se pas kësaj, opozita ka dalë më e fortë në sytë e qytetarëve?

Unë gjykoj që opozita doli e fortë, por nëse do të më kishte dëgjuar mua, do të kishte dalë edhe më e fortë. Unë e kam thënë edhe më parë, sikur opozita të kishte hyrë ditën e nesërme të mitingut/protestës së madhe në Tiranë, do të ishte absolutisht edhe më e fortë.

 

Çfarë do të kishte arritur, nëse do të kishte hyrë më parë?

Gjithë ato që i arriti. Unë po i numëroj edhe një herë se çfarë ka arritur opozita. Së pari pasi kulmoi me protestën popullore, e cila u bë nën frymën e bojkotit, u krijua ambient i duhur. Kjo është e para. E dyta, mbërriti të themi një prezencë ndërkombëtare për problematikën në fjalë, një njohje nga komuniteti evropian dhe nga Partitë Popullore Evropiane, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. E treta, fitoi disa të drejta parlamentarizmi, të flasë mbas Kryeministrit direkt, të ngrejë komisione, të drejta që nuk i kishte pasur më parë. Dhe e fundit fare. Ndodhën dhe disa probleme të brendshme, brenda kampit opozitar. Dua të them që priti shumë kohë. Çdo zgjatje përtej kësaj periudhe fillon të prodhojë reaksion negativ. Fillon që në sytë e opinionit të radikalizohet, të krijohet absurditet në sy të botës. E dyta mund të krijonte probleme me grupin parlamentar.

 

Ka pasur shumë kundërshtime brenda grupit sa i përket bojkotit?

Absolutisht! Ka pasur shumë kundërshtime dhe kjo është një gjë normale.

 

Kush kundërshtonte më fort?

Kishte plot, ata që janë edhe sot. E fundit që unë do të përmendja, është humbja e kohës së vlefshme përpara zgjedhjeve lokale. Gjykoj që nëse do të vazhdonim të humbnim kohën, do të ishte zgjatje e pavlefshme dhe humbje e një kohe shumë të vlefshme.

 

Çfarë komenti keni për faktin që rezoluta për dekriminalizimin e Kuvendit u votua unanimisht nga të gjithë deputetët, nuk pasi asnjë votë kundër?

Unë shpresoj që kjo të mos jetë një nga “përkëdhelitë reciproke” që i bëjnë njëri-tjetrit. Shpresoj që të jetë marrë seriozisht dhe të prodhojë një produkt politik. Sipas marrëveshjeve, besoj që brenda një ose dy muajve, do të ngrihet komisioni dhe unë rri me shpresën që do të japë efekt përpara zgjedhjeve lokale. Ky debat duhet të hapet para zgjedhjeve lokale, të ketë njëfarë vlere praktike për këto zgjedhje që janë shumë afër për t’u zhvilluar.

 

Çfarë komenti keni për opozitën?

Sikur ta kemi projektin pak më afatgjatë, t’i kemi të përcaktuara piketat tona kryesore dhe të mos na marrë përpara politika e ditës, se çfarë ka bërë Edi Rama sot, se çfarë do të bëjë nesër. Kjo, mendoj unë, nuk është aspak serioze. Gjykoj që deri më tani është operuar me skemën “çfarë ndodh nesër, maksimumi një javë”. Është gjykuar me “prit se çfarë gabimi ka bërë pala që është përballë”. Ne duhet të kemi axhendën tonë politike, e cila ka afatet, targetet e veta të lidhura me zgjedhjet. Mbas 6 muajsh kemi zgjedhjet lokale, mbas 2 vjetësh kemi zgjedhjet e përgjithshme. Ne duhet të mendojmë se cilat do të jenë rezultatet që do të marrim, cilët do të jenë personat që do të përfshihen, pse duhet të presim fitore, cili është program politik, me të cilin i afrohemi qytetarit. Këto duhet të na shqetësojnë ne, dhe jo çfarë bën Rama.

 

Deri tani kjo përgatitje që përmendët ju nuk ka nisur?

Fatkeqësisht deri më sot ne jemi si opozitë që kemi operuar për të mbrojtur ishujt e pushtetit që janë trashëguar në 8 vjet. Ndërsa unë them që detyra jonë është të shikojmë si të marrim “kodrën politike”, ne nuk mund të vazhdojmë të qahemi se po humbim ndonjë nga ngastrat që kishim përpara. Këto janë rregulla të demokracisë. Kush ka qenë në pushtet, do të largohet. Ne duhet të shohim kur do të vijë pushteti i ri, jo të shohim çfarë humbëm.

 

Në zgjedhjet lokale do të dilni bashkë me Partinë Demokratike apo veç?

Besoj që po, nëse do të ndjekim këtë logjikë që unë e thashë më parë.

 

Po nëse Partia Demokratike ndjek rrugën e moshyrjes në zgjedhje lokale me këtë hartë, siç janë shprehur deri tani?

Kjo, brenda Partisë Demokratike mund të shikohet si diçka revolucionare që do të ndodhë.

 

Në çfarë kuptimi revolucionare?

Në kuptimin që kanë shpresë në armë ose rrugë të tjera. Unë jam i natyrës së vjetër tradicionale. Unë besoj në votë. Kjo është liria më e madhe që ne kemi arritur. Nëse dikush shprehet për të bojkotuar zgjedhjet, unë nuk jam i këtij mendimi. Jam për zgjedhje, jo për bojkot, siç nuk kam qenë për bojkot të Parlamentit. Unë gjykoj se ka ardhur koha të mendojmë seriozisht për zgjedhjet. Këtë e them edhe për faktin se çfarë mund të korrigjojmë brenda kësaj harte elektorale dhe çfarë marrëveshjesh të reja mund të bëjmë brenda PD-së.

 

 Ju mendoni se harta territoriale ka elemente për t’i korrigjuar?

Unë do ta kisha korrigjuar plotësisht, nga fillimi deri në fund.

 

Çfarë konkretisht duhet të bëhet?

Minimumi nga 60 njësi duhen bërë 90. Së dyti, do të mbështesja edhe reduktimin e numrit të qarqeve. Nuk mund të jenë më 12 qarqe. E treta, për qarkun e Tiranës nuk do të lija jashtë territore të mëdha, si Paskuqani, të ndërtuara sipas një modeli elektoral. Tri komuna i kanë bashkuar, komunën e katërt, që rrethon Tiranën, nuk e kanë bashkuar. Unë do të kisha bërë shumë gjëra, nëse e majta shqiptare sot do të tregohej më tolerante, ka shans për t’i bërë. Por jo, kërkon që edhe nëse e djathta shqiptare të tregohet më realiste, më pragmatiste. Nuk mund të shtysh çdo lloj propozimi në funksion të zgjedhjeve.

 

Ju mendoni se kjo hartë territoriale është ndërtuar në bazë të interesave politike, siç janë shprehur demokratët?

Absolutisht po! Unë gjykoj që është një hartë jo e mirë për Shqipërinë. Unë gjykoj që me hyrjen në Parlament puna e parë që duhet të bëjmë është të ndryshojmë këtë hartë. Kjo është puna më kryesore. Kjo, jo për zgjedhjet që po afrohen, por sepse Shqipëria duhet të ketë një ligj të mirë të administrimit të pushtetit vendor.

 

Reforma territoriale, e shikoni të mundshme dhe të shpejtë bërjen e reformës, e konsideruar si më e rëndësishmja ndër reformat?

Kështu siç kanë filluar këta, nuk e shoh të mundshme. Unë shoh për një reformë më të madhe, që është reforma kushtetuese. Brenda reformës kushtetuese unë jam për ndryshim komplet të Kushtetutës dhe brenda kësaj të bëhet reforma në drejtësi. Nëse ne do ta arnojmë nga jashtë reformën në drejtësi, siç ka filluar kjo mazhorancë sot, është e sigurt se nuk do të bëjmë asnjë tjetër, veç asaj që bënë paraardhësit. Unë nuk shikoj asnjë përmirësim deri tani. Në këtë mes, unë e shikoj reformën në drejtësi të bëhet si pjesë integrale e ndryshimeve kushtetuese.

 

Deri tani pothuajse të gjithë janë shprehur për ndryshime në Kushtetutë. Pyetja që shtrohet është: sa të thella duhen të jenë këto ndryshime?

Unë jam për thellësinë maksimale, jam për një Kushtetutë të re.

 

Çfarë konkretisht?

Ideja ime është se ka ardhur dita që të krijojmë një Senat. Nuk mund të vazhdohet më që çdo ligj të kalojë në Gjykatë Kushtetuese. Kushtetuta ka 9 persona, mjaftojnë 5 prej tyre që të aprovohet apo hidhet poshtë një ligj. Ne nga 5 individë nuk mund të qeverisemi. E dyta, të ringremë të drejtat e Presidentit, të ketë mundësi ta kontrollojë Parlamentin, se sot, kush e kontrollon Parlamentin? E kontrollojnë partitë. Atëherë cilat janë institucionet që duhet t’u thonë “ndal” abuzimeve parlamentare? Unë jam për t’i dhënë Presidentit më shumë forcë mbi institucionet. Jam edhe për ta zgjedhur nga populli. Por, edhe nëse nuk e zgjedhim nga populli, të pakën ta zgjedhim nga dy e treta e Parlamentit. Kjo është ideja ime bazë. Ne duhet të bëjmë ndryshime maksimale kushtetuese. A ka mundësi të bëjmë një Kushtetutë të re, të rithemelojmë “Republikën e Dytë Shqiptare”. Kjo, sepse punët janë aq keq, saqë mendoj se me arnime, siç po ndodh tani, nuk përmirësohet asgjë.

 

Qeveria ka hedhur iniciativën për hapjen e dosjeve. Beson se kjo do të ndodhë dhe nëse po, cilët janë përfituesit dhe cilët humbësit?

Nëse i hap qeveria, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nëse do të bëheshin, siç unë e kam mbështetur, që ky proces duhej të bëhej nga shoqëria civile. Kjo është një tezë që duhet ta mbrojë opozita, nëse bën kaq shumë zhurmë se një polic hiqet nga puna, duhet të bëjë shumë zhurmë që të hiqen edhe disa spiunë që janë aktivë në politikë. Ne kemi detyrim moral ta pastrojmë administratën. Unë jam për t’i hapur dosjet me qëllimin e mirë, që ta mbyllim një herë e mirë këtë proces. Dosjet hapen që ata që janë zullumqarë të kohës së vjetër, të mos bëjnë zullum edhe tani. Kjo është e para. E dyta, kjo do të ishte një shpërblesë morale për ata që e kanë vuajtur këtë periudhë. Dhe e treta, është një detyrim për brezat e ardhshëm që të gjejnë një ambient të paktën më të pastër moralisht.

 

Ky proces ka dështuar për 24 vjet…

Kjo ka ndodhur se gjithnjë nga këta persona ka në politikë. Gjithnjë hapja e dosjeve u prish punë, sepse mund t’i dëmtojë ata personalisht, sepse shpeshherë dosjet i kanë përdorur si peng ndaj këtyre zullumqarëve. I përdor për t’u mbyllur gojën, për t’i trembur, për t’i korruptuar e arsye të tjera me radhë.

 

Çfarë opinioni keni për qeverisjen e majtë?

Unë mendoj që kjo qeveri ka pasur një shans shumë të madh që po e shpërdoron. Ka pasur një mazhorancë që nuk e ka pasur asnjë më parë. Mund të bënte shumë punë që nuk i ka bërë. Edhe nga kjo pikëpamje, unë them që nuk është ndonjë shkëlqim i madh. Ka dështuar në shumë gjëra.

 

Ku ka dështuar?

Në radhë të parë në fushën e ekonomisë, se akoma nuk është kapur 2-përqindëshi i rritjes, kur duhet të shkojë në 5-6 për qind. Detyra kryesore e qeverisë është ta nxjerrë popullin nga varfëria.

 

Të majtët argumentojnë se kanë shumë borxhe nga qeveria e kaluar…

Nuk e mohoj që ka pasur borxhe apo keqqeverisje, se nga kjo i erdhi dhe humbja e thellë në zgjedhjet. Por unë gjykoj se përtej kësaj, qeveria e majtë nuk ka instrumentet e duhura dhe njerëzit e duhur për të bërë përpara. Udhëhiqet nga të tjera principe sesa nga këto që kanë të bëjnë me punë serioze, ringritja ekonomike. Unë gjykoj se këtu fillon të dominojë një zhurmnaja, një propagandë, një togfjalësh i pafund në vend që të dominojë puna, efiçenca, thjeshtësia… unë gjykoj që në Shqipëri mund të bëheshin shumë punë të mirë. Së pari, nuk duhet të ishin ngritur taksat, sepse nga këto taksa grumbullon 100 milionë më shumë dhe hedh 300-400 milionë të tjera. Në një ekonomi kaq informale, është e mjaftueshme të ulet informalitieti dhe nuk është e nevojshme të ngrihen as taksat, as çmimet.

 

Çfarë është bërë mirë sipas gjykimit tuaj?

Dëshira për të vënë nën kontroll territorin me ndërtimet pa leje. E dyta është Lazarati. Gjykoj që dhe në raport me ndërkombëtarët kemi një situatë më pozitive. Shqipërisë i është dhënë një pozicion i mirë edhe në rajon nga Kancelarja Merkel. Tani varet se çfarë do të bëjë qeveria në këtë hapësirë. Por për pjesën e brendshme, të administrimit të brendshëm, unë jam shumë skeptik. E para, administrata ka filluar të japë shenja të hapura korrupsioni, paaftësi, dominohet nga fanatikë partiakë, nga personazhe, të cilët nuk kanë asnjë lloj merite, përveçse grumbullimit të votave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency