23-vjetori i FRESSH-it/ Kandidatë të përbashkët PS-LSI në 21 qershor. Rama: Fitojmë edhe në 2017-ën

0
120

Gëzim Saliu


Kryeministri Rama zgjodhi 23-vjetorin e Forumit Rinor Euro-SocialistMeta: FRESSH frenoi instalimin e një regjimi diktatorial në Shqipëri në emër të gjoja “antikomunizmit”. Rama: Zgjedhjet e para në Shqipëri, ku asnjë mësues apo rrogëtar i shtetit s’do të detyrohet të marrë pjesë me zor në miting

Kryeministri Rama zgjodhi 23-vjetorin e Forumit Rinor Euro-Socialist për të dhënë mesazhin e parë për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ato të përgjithshme. Duke bërë të ditur se në 21 qershor, të 61 kandidatët për kryetarë bashkie do të përzgjidhen nga PS e LSI dhe çdo kandidaturë do të marrë pëlqimin e të dyja forcave aleate, kreu i qeverisë theksoi se protagonistët do të jenë të rinjtë. “Për ne, këto zgjedhje nuk do të jenë një arsye dhe aq më pak një mundësi për të përshkallëzuar luftën politike, por mjeti për të ndërtuar një politikë të re, të komunitetit me komunitetin. E them fare sinqerisht, nuk do të jenë as ata që kandidojnë – dhe ne do t’i mbështesim së bashku, Partia Socialiste dhe LSI, si dy parti, por si një fuqi e vetme e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, – por, do të jeni ju të rejat dhe të rinjtë, nxënës apo studentë, së bashku me prindërit tuaj, së bashku me fqinjët tuaj, të gjithë bashkë në komunitetet tuaja sepse këto zgjedhje ne nuk do të zgjedhim 61 kryetarë bashkish, as 61 trupa këshilltarësh bashkiakë, por do të zgjedhim një model të ri qeverisjeje edhe në nivelin vendor”, – u shpreh Rama. Në këtë event, ku merrnin pjesë nismëtarë të FRESSH, mes tyre Pandeli Majko dhe Ilir Meta, kreu i qeverisë nuk ngurroi të shprehte besimin se edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare, mazhoranca e majtë do të dalë sërish fituese. “Ju të gjithë keni detyrën e bukur dhe shumë të vështirë, jo të fitojmë zgjedhjet e ardhshme vendore, por të rilindim komunitetin, sepse zgjedhjet e ardhshme vendore nuk janë beteja e radhës me kundërshtarin që mundëm në 23 qershor, me të cilin do të përballemi sërish dhe do ta mundim sërish në 2017, por janë stacioni i radhës në rrugën tonë të rilindjes shqiptare”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, kreu i forcës më të madhe politike në vend paralajmëroi barazi gjinore në këshillat bashkiakë, ku gratë do të kenë 50% të posteve. “Ne burrat e PS dhe të LSI do ta mbështesim kërkesën e grave të PS-së dhe të LSI-së për të pasur në këshillat e ardhshëm bashkiakë, barazi gjinore të plotë, 50% gra dhe vajza, 50% burra dhe djem, si një mishërim besnik i raporteve të çdo komuniteti”, – tha ai.

 

Meta

Edhe pse për katër vite me radhë nuk mori asnjë ftesë për të qenë pjesë e ditëlindjes së FRESSH-it, për shkak të bashkëpunimit në qeverisje mes PD-së dhe LSI-së, dje kryesocialisti Rama i kishte lejuar kreut të Kuvendit, Ilir Meta, mundësinë e hapjes së eventit të 23-vjetorit. Si një ndër themeluesit dhe kontribuuesit kryesorë në Forumin Rinor, së bashku me bashkëshorten, Meta theksoi në fjalën e tij rëndësinë e FRESSH-it. “Ne nuk mund të harrojmë se rinia eurosocialiste dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të frenuar instalimin e një regjimi diktatorial në Shqipëri në emër të gjoja ‘antikomunizmit’. Ishte një kohë tjetër atëherë kur të rinjtë eurosocialistë burgoseshin, dhunoheshin, gjakoseshin dhe përsëri luftonin të bindur se demokracia ishte ndryshe. Ishte ajo që sot përjetojnë të gjithë të rinjtë e Shqipërisë”, – tha ai.

 

 Batutat te festa e FRESSH-it/ Meta: 23 vite më parë Rama na quante të çmendur. Kreu i PS-së: Ashtu si edhe ju mua

 Në ditëlindjen e djeshme të FRESSH-it nuk munguan batutat mes dy aleatëve të koalicionit të majtë, kreut socialist Rama dhe kryetarit të LSI-së Meta. Ky i fundit në fjalën e tij përshëndetëse në fillim të aktivitetit tha se 23 vite më parë edhe Rama i ka cilësuar të rinjtë eurosocialistë si të çmendur. “Doja të përshëndesja edhe kryetarin e Partisë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama, i cili kam frikë se edhe ai para 23 vjetësh na ka marrë për të çmendur, dhe t’i uroj suksese në punën e tij dhe të qeverisë së tij, për të krijuar një perspektivë më të mirë për të gjithë qeverinë e Shqipërisë”, – tha Meta. E menjëhershme ka qenë përgjigjja me batutë e kreut të qeverisë, i cili që në nisje të fjalimit të tij theksoi: “Është e vërtetë që kur këta krijuan FRESSH-in m’u dukën si të çmendur, por është e vërtetë që në atë kohë këta dhe ata më merrnin për të çmendur. E rëndësishme është që më të çmendurit e gjetën njeri-tjetrin më në fund dhe Shqipëria filloi të ndërrojë faqen e vet, duke shpëtuar nga të çmendurit e vërtetë, jo nga ne”.

 

Detajet e ditëlindjes së FRESSH-it

Rama u kujton faturën e dritave, Majko s’merr fjalën. Veliaj falënderon Xhaçkën e Spiropalin

Në festën e 23-vjetorit të FRSSH-it nuk munguan batutat mes politikanëve të ftuar në këtë eveniment, duke filluar që nga krerët e partive kryesore të koalicionit të majtë. Kështu, pas batutave me kreun e LSI-së Meta, Rama nuk la jashtë vëmendjes edhe aksionin e qeverisë për energjinë elektrike. “I keni paguar dritat apo…? Se më tha Saimir Tahiri, po sikur t’i kontrollojmë faturat e energjisë kur të hyjnë, por kjo u konsiderua e tepërt për momentin, por me dritat kujdes”, – u shpreh Kryeministri me humor. Ndërkaq, në festën e djeshme të Forumit Rinor Eurosocialist vihej re se në rreshtin ku ishte vendosur Kryeministri Rama, pranë tij ishin ulur ministri i Mirëqenies Sociali dhe Rinisë Erion Veliaj, kryetarja aktuale e FRESSH Joleza Koka, ish-kryetarja Elisa Spiropali si edhe deputetët Balla në njërin krah dhe Subashi në krahun tjetër. Një rresht më sipër ishin vendosur protagonistët dhe kontribuuesit kryesorë të FRESSH-it, në krye me Pandeli Majkon dhe Musa Ulqinin. Fjalën në këtë aktivitet e morën kryetari i Kuvendit Meta, Kryeministri Rama, ministri Veliaj, kryetarja e FRESSH, ish-anëtarë të këtij forumi, si Olta Xhaçka, por ndërkaq mungoi fjalimi në podium i Majkos. Ndërkohë, në këtë aktivitet në fjalën e tij ministri Veliaj, i cili u fokusua tek pensioni, bëri humor me deputeten Xhaçka dhe drejtoren e Doganave, Spiropali. “Olta dhe Elisa po japin kontribut në skemën e re të pensioneve me dy bebet e reja që presin”, – u shpreh ai.

 

Reagimi/ PD: Të rinjtë, më të papunë se kurrë, u rritën tarifat e studimit dhe u ulën kuotat

Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama në aktivitetin e FRESSH-it, duke theksuar se qeveria nuk ka krijuar asnjë alternativë për të rinjtë. “Rilindja e hipokrizisë duket se nuk ka kufi, Edi Rama e vazhdoi edhe sot në përvjetorin e FRESSH-it me një ligjërate që fsheh problemet reale të rinisë në vend. Por që gabon me shumë se çdo herë tjetër, sepse nëse ka njerëz që e dallojnë qartë hipokrizinë dhe hipokritin, këta janë të rinjtë. Nuk u përmend nga Edi Rama fakti se sot të rinjtë janë më të papunë se kurrë ndonjëherë më parë”, – u shpreh deputeti demokrat Gerti Bogdani. Më tej ligjvënësi i PD-së tha se e vetmja alternativë që ai i ofron të rinjve shqiptare qeveria janë fjalët dhe premtimet boshe. “Harroi të fliste dhe të tregonte se blerja e votës është një nga armiqtë e demokracisë dhe kur kjo u imponohet të rinjve përbën një rrezik edhe për të ardhmen. Këtë bëri Rama në Korçë, ku duke blerë votën, tentoi t’u mbyllte zërin të rinjve korçarë. Ndaj, ai nuk i preferon dhe promovon të rinjtë shqiptarë, përkundrazi hapësirën që duhet të ishte e tyre e ka uzurpuar me shefa e drejtore që vijnë nga bota e trafikut dhe krimit, persona që i ka çuar deri në Parlament”, – u shpreh ai.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency