Territori me 61 njësi/ Kolegji rrëzon KQZ-në, s’ka referendum kundër hartës së re

0
126

Gëzim Saliu

 kolegji zgjedhorPS: KQZ s’bëri asnjë vlerësim për kërkesat, asnjë hetim për çështjen. KQZ: Verifikuam ligjshmërinë e kërkuesit

Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që pajiste me formular tip njësitë vendore nismëtare për mbajtjen e referendumeve kundër reformës territoriale. Gjykata vendosi të pranonte kërkesën e Partisë Socialiste, gjë që është cilësuar nga demokratët si një presion i drejtpërdrejtë i politikës ndaj gjyqësorit. Por, sipas PD-së, me këtë vendim të Kolegjit, çështja e referendumeve nuk merr fund këtu, pasi theksoi Oerd Bylykbashi, 70 mijë firmat e mbledhura do të drejtohen tek Presidenti i Republikës. “Është një vendim i Kolegjit mbi një vendim të KQZ-së që ka ezauruar efektet e tij, por nuk mund të zhbëjë 10% firma për çdo njësi, në total janë 70 mijë firma. Këto kërkesa që do t’i drejtohen Presidentit të Republikës, siç parashikohet në Kodin Zgjedhor. Janë ende për t’u shqyrtuar dhe më pas do të procedohet më tej. Nëse do të ketë ndonjë pretendim tjetër nga PS-ja për të anuluar të drejtën kushtetuese të këtyre komunitete, ashtu siç nuk i dëgjoi përpara hartës, t’ua mbyllë gojën dhe t’u mohojë çdo të drejtë, sigurisht janë në shkelje të Kushtetutës”, – tha ai.

 

Pretendimet

Gjatë shqyrtimit të çështjes nga Kolegjit, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kërkuan shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së, duke arsyetuar se ato janë marrë në kundërshtim me ligjin, pasi kërkesat e njësive nismëtare për referendum nuk janë vlerësuar dhe hetuar administrativisht. Sipas Koli Beles, ligji nuk e lejon mbajtjen e referendumeve për qëllime të tilla, duke theksuar se kërkesat e grupeve nismëtare kanë thjesht efektet e një sondazhi, ndërsa kërkoi të zbatohej vendimi i Kushtetueses për ndarjen e re territoriale. “KQZ nuk ka bërë asnjë vlerësim nëse kërkesa e komunave është në përputhje me Kodin Zgjedhor apo Kushtetutën. KQZ nuk ka bërë një hetim të plotë dhe administrativ të çështjes. Ligji për hartën territoriale është shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe është gjetur kushtetues. Kërkojmë shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së”, – tha Bele. Ndërkaq drejtorja juridike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se ky institucion, ka për detyrë të verifikojë vetëm numrin e kërkuesve për referendum dhe nëse janë banorë të zonës, pasi, theksoi ajo, është Gjykata Kushtetuese që vlerëson ligjshmërinë e kërkesave. “Një grup nismëtarësh paraqitën kërkesën për referendum vendor duke u mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë. Ne verifikuam nismëtarët që ishin zgjedhës të komunës përkatëse. KQZ ka për kompetencë vetëm verifikimin e legjitimitetit të kërkuesit, pra nëse janë 12 kërkues dhe nëse janë banorë të asaj njësie vendore. Pretendimet e Partisë Socialiste janë të pabazuara dhe në kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, – u shpreh Dëshira Pasko. Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor i PD-së, Spiro Dodbiba, tha se padisë së PS i mungon baza ligjore. Pasi dëgjoi palë, Kolegji Zgjedhor mori vendimin të pranojë kërkesën e PS-së duke rrëzua kështu vendimin e marrë nga KQZ që pajiste me formular tip njësitë vendore nismëtare për mbajtjen e referendumeve kundër reformës territoriale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency