Ligji i ri për ushtarakët/ Dëmshpërblim për medaljet, pezullim nëse marrin pjesë në fushata politike

0

ushtarakët“Shkelje disiplinore të rënda janë kryerja e riteve fetare me uniformë, në institucionet fetare, jashtë ambienteve të Forcave të Armatosura. Organizimi, nxitja apo pjesëmarrja në grevë dhe përdorimi i substancave të paligjshme dhe lëndëve narkotike, kur nuk përbën vepër penale, janë shkelje shumë të rënda”

Ushtarakët që do të marrin medalje do të përfitojnë edhe shpërblim financiar. Ligji i ri për ushtarakët parashikon njohjen e kontributit dhe përkushtimit të personelit ushtarak dhe civil, që shërben në ushtrinë shqiptare. Subjekt i projektligjit janë ushtarakët aktivë, në rezervë, lirim ose në pension, personeli civil, repartet e Forcave të Armatosura, si dhe ushtarakët e huaj që shquhen për merita dhe kontribute të veçanta në ushtri. Medaljet do të shoqërohen dhe nga një certifikatë, modeli i së cilës do të përcaktohet nga ministri i Mbrojtjes. Përveç medaljeve që do të jepen sipas ligjit të ri, ushtarakët aktivë, në rezervë, në lirim ose në pension, si dhe punonjësit civilë të Forcave të Armatosura, do të gëzojnë të drejtën të mbajnë edhe medalje, dekorata, apo tituj nderi të dhëna nga institucione dhe autoritete të tjera publike, si dhe nga institucione dhe autoritete të shteteve të tjera. Por përveç medaljeve ligji i ri parashikon pezullim të ushtarakëve në rast të shkeljeve. Në ligj shkeljet ndahen të lehta, shkelje të rënda dhe shumë të rënda.

 

Shkeljet disiplinore të lehta

Shkelje disiplinore të lehta janë disa duke filluar nga veprimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për ruajtjen e administrimin e dokumenteve apo materialeve shkresore, elektronike dhe filmime. Mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit. Pranimi i dhuratave ose ndonjë përfitimi nga vartësit apo personave të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak. Mosrespektimi i rregullave të nderimit, sipas shkallës hierarkike. Moszbatimi i detyrave të dhëna nga eprori i drejtpërdrejtë ose jo. Veprime me dashje, të cilat çojnë në paaftësi fizike të vetë ushtarakut, me qëllim shmangien nga detyrat e ngarkuara. Mosdeklarimi i përdorimit të medikamenteve për arsye mjekësore, që krijojnë efekte në sjelljen ose aftësitë fizike të tij. Publikimi në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak. Mosrespektimi i orarit të punës ose prishja e qetësisë në njësi ose reparte ushtarake, kur nuk përbën vepër penale. Përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura për qëllime private gjatë apo pas kryerjes së detyrës, përjashtuar rastet kur është i autorizuar për këtë gjë. Përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura pa dokumentacionin përkatës dh përdorimi i paautorizuar i sendeve personale dhe ushtarake të ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura. Përdorimi dhe shfrytëzimi i korrespondencës zyrtare për qëllime private. Mosdhënia e ndihmës ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura gjatë ushtrimit të detyrës, kur vlerëson se ato kanë nevojë për ndihmë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet.

 

Shkelje disiplinore të rënda

Shkelje disiplinore të rënda janë kryerja e riteve fetare me uniformë, në institucionet fetare, jashtë ambienteve të Forcave të Armatosura. Publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e Forcave të Armatosura, si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Dhënia ose mundësimi i dhënies së informacioneve me karakter ushtarak, për të cilat ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës ose edhe jashtë saj në mënyrë të rastësishme, personave të paautorizuar ose medias, kur nuk përbën vepër penale. Përdorimi i pajisjeve elektronike për regjistrimin dhe/ose filmimin e bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre, kur nuk përbën vepër penale dhe përveç rasteve të parashikuara me ligj. Shprehja e kritikave publike ndaj Forcave të Armatosura, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura. Fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike. Dhënia me dashje e informacionit të gabuar, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Shkelja e rregullave të mbajtjes dhe përdorimit të teknikës e pajisjeve të Forcave të Armatosura dhe mbajtja dhe përdorimi i armës nga ushtaraku i Forcave të Armatosura në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Mbajtja e armëve individuale private, me leje, në ambientet ushtarake si dhe veprime, qëndrime apo shfaqje diskriminuese në bazë etnie, fetare, race, krahine, bindjeje politike, fetare a filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore. Përdorimi i pijeve alkoolike gjatë punës/shërbimit apo në rastet kur është me uniformë, me përjashtim të aktiviteteve zyrtare dhe dhënia e uniformës me shenjat dhe simbolet dalluese ushtarake, dokumentit të Forcave të Armatosura ose pajisjeve të tjera ushtarake personave të tjerë. Mbajtja e uniformës ushtarake në lokale nate, kazino, lojëra fati dhe në ambiente të tjera të ngjashme me këto dhe mbajtja në mënyrë të parregullt, ndryshimi ose keqpërdorimi i uniformës dhe shenjave ushtarake. Mungesa, mosparaqitja në shërbim/punë apo largimi nga vendi i shërbimit/punës, pa arsye të justifikuara deri në 5 ditë, për ushtarët dhe deri në 7 ditë, për oficerët dhe nënoficerët dhe mosparaqitja në punë apo shërbim jashtë orarit të përcaktuar, kur i kërkohet nga eprorët e tij, pa arsye të justifikuara. Ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune ndaj një personi tjetër, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari. Ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera gjatë ose jashtë orarit të punës. Lëvizja e gabuar nga pakujdesia e teknikës ose mjetit tokësor, detar, ajror nga ushtaraku, kur nuk përbën vepër penale. Shkelja e rregullave të shërbimit, kur nuk përbën vepër penale. Përdorimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale. Rezistenca ndaj procedimit disiplinor ose refuzimi i kryerjes së masave disiplinore dhe dëshmia e rreme gjatë procedimit disiplinor. Përkrahja apo ndihma në kryerjen e një shkeljeje të përcaktuar në këtë ligj ose pengimi apo parandalimi për kapjen, gjykimin a dënimin e ushtarakut, i cili ka kryer një shkelje të dënueshme nga ky ligj si dhe mosmarrja e masave të nevojshme për ndërprerjen e shkeljes disiplinore që po kryhet nga vartësit e tij dhe/ose për parandalimin e pasojave të mëtejshme që mund të vijnë prej saj. Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe kryerja e shkeljes së tretë disiplinore brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet shumë të rënda, sipas nenit 13 të këtij ligji.

 

Shkelje disiplinore shumë të rënda

Shkelje disiplinore shumë të rënda janë mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike apo e një anëtari të një partie politike ose të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht a financiarisht. Ndihma, përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike, fetare ose jofitimprurëse, gjatë orarit të punës, në vendin e punës ose në mjetet ushtarake, si dhe në rastet kur mban uniformën ushtarake ose shenja të saj. Lejimi i personave nga organizata politike, fetare apo çdo organizatë tjetër jofitimprurëse të bëjnë propagandë në ambientet e Forcave të Armatosura dhe në mjetet që ato disponojnë. Përdorimi, shpërndarja apo vendosja në mjetet ose në ambientet ku shërbejnë Forcat e Armatosura e simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore, me përjashtim të atyre me karakter humanitar. Ushtrimi i funksioneve i ndikuar nga bindjet e tij politike ose nga interesat personalë ose shoqërorë. Organizimi, nxitja apo pjesëmarrja në grevë dhe përdorimi i substancave të paligjshme dhe lëndëve narkotike, kur nuk përbën vepër penale.