25-vjetori i demonstratës antikomuniste/ Basha: Shkodranët rrëzuan Stalinin, do të rrëzojmë edhe bustin e inkriminimit të Rama-Metës

0
95

Erneta Shevroja

 Basha ne ShkoderKryedemokrati prezanton projektin “Drejt Lirisë”: Rikthimi i brezit të ri në gjurmët e sakrificave dhe heroizmit antikomunist

Kryetari i Partisë Demokratike prezantoi projektin “Drejt Lirisë” nga qyteti i Shkodrës, aty ku 25 vjet më parë u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste në vend, pikërisht më 14 janar të vitit 1990. Po në Shkodër, që Basha e cilësoi si qyteti i lirisë, kryedemokrati tha se vendi sot ndodhet në të njëjtat kushte si në periudhën e komunizmit, për shkak të drejtimit “oligarkik” të dy drejtuesve të qeverisë, Rama-Meta. Kryedemokrati u shpreh se kjo qeveri po tenton të instalojë “një shtatore të mynxyrshme dhe të rrezikshme sa ajo e Stalinit”, që u rrëzua nga shkodranët në vitin 1990. “Por e dimë mirë se vlerat tona, ajo ç’ka përfaqësojmë, ky bashkim yni sot, por edhe bashkimi i protestës së përditshme të qytetarëve të vendit nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës, i kallin datën kësaj oligarkie, i fusin të dridhurat. Ndaj ora e 14 janarit është zembereku i artë që nuk ndalet e nuk do të ndalet kurrë”, – vijoi kreu i opozitës.

 

Basha

Lidhjen e politikës me krimin Basha e vlerëson si elementin më të keq që mund të ndodhë në një vend. E për këtë arsye, sipas tij, një qeverisje e tillë nuk duhet të drejtoj vendin. Ai tha dje nga Shkodra, në përkujtimin e 25-vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste ku u rrëzua shtatorja e Stalinit se sot po ndërtohet po e njëjta shtatore, “e mynxyrshme dhe e rrezikshme”. “Një shtatore të re, njësoj të mynxyrshme po tenton të vendosë qeveria dhe dyshja Rama-Meta, në Shkodër e kudo. Është po aq e rrezikshme sa ajo e Stalinit. Është instalimi i qeverisjes më të inkriminuar, është instalimi i qeverisjes me banditë. Nuk ka rrezik më të madh për lirinë, për një demokraci e qytetërim si i juaji, si i joni, si i Shkodrës, se sa lidhja e politikës me krimin, promovimi i krimit, kthimi i krimit në model”, – tha kryedemokrati. “Ky qytet që hodhi regjimin gjakatar të Sigurimit të Shtetit, nuk do të lejojë një regjim të ri, oligarkik, të korruptuar që ka një gjë të përbashkët me të kaluarën e errët, urrejtjen për lirinë, urrejtjen për fjalën e liri dhe urrejtjen për kundërshtarin politik”, – vijoi kreu i opozitës. Basha tha se sot njerëzit ndodhen në protestë të vazhdueshme. “Por e dimë mirë se vlerat tona, ajo çka përfaqësojmë, ky bashkim i joni sot, por edhe bashkimi i protestës së përditshme të qytetarëve të vendit nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës, i kallin datën kësaj oligarkie, i fusin të dridhurat. Ndaj ora e 14 janarit është zembereku i artë që nuk ndalet e nuk do të ndalet kurrë”, – theksoi kryedemokrati.

 

 Ligji i lustracionit

Ndërsa kreu një vizitë në Muzeun e Krimeve të Komunizmit, Basha komentoi edhe projektligjin e propozuar nga ministri Veliaj për hapjen e dosjeve. Kryedemokrati e cilësoi show projektligjin e qeverisë, ndërsa u shpreh se e djathta ka qenë gjithmonë pro ligjit të lustracionit. “Momenti i duhur për hapjen e dosjeve ka kaluar prej 22 vitesh është e vonuar transparenca, por ju ftoj të merrni protagonistët e 14 janarit që t’ua përcillni përmes medias qytetarëve. Nuk duhet të harrojmë sakrificën, sidomos qytetarët e Shkodrës për lirinë e të drejtave, një pjesë e të cilave merren të mirëqena, por nuk kanë qenë të tilla. Përgjegjësitë për krimet e komunizmit do t’i kemi vlerë të aksionit tonë politik”, – tha Basha.

 

 Projekti “Drejt Lirisë”

I shoqëruar nga grupi parlamentar dhe protagonistë të 14 janarit 1990, kreu i opozitës prezantoi në 25-vjetorin e demonstratës së parë antikomuniste, projektin “Drejt Lirisë”. “Ky vit është 25-vjetori i kësaj ngjarjeje nga më madhoret në historinë e Shqipërisë. Për ta përkujtuar me nderimet e merituara ne kemi shpallur projektin tonë “Drejt Lirisë” që është rikthimi ynë dhe i brezit të ri në gjurmët e përpjekjeve, sakrificave dhe heroizmit më të spikatur, udhëtimi ynë simbolik në vijën e këtyre ngjarjeve për të njohur më mirë veprën e paraardhësve tanë, për t’u lidhur fort me themelet tona, për ta bërë historinë pjesë organike të formimit dhe vetëdijes të rinisë shqiptare, të për ta ngritur kurajon në lartësinë e një virtyti popullor të çmuar”, – tha Basha.

 

PD: Rama tenton të pengojë dekriminalizimin, mashtrimi i Ndreut presion drejtësisë‏

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, e konsideroi mashtrim të pashembullt deklaratën e të pandehurit Ndreu në derën e Gjykatës, i cili akuzohet për goditje për shkak të detyrës. “Është qesharake dhe mund të regjistrohet si një nga mashtrimet më të paturpshme, ajo që bëri i pandehuri Pjerin Ndreu në derën e Gjykatës së Lartë, kur tha se ai vetëm e ka prekur deputetin Strazimiri. Pamjet filmike janë prova që i kanë parë të gjithë qytetarët dhe që i kanë të gjitha mediat vizive. Në dëshpërim, i pandehuri i thotë publikut se kjo dhunë primitive, pas krahëve, qenka një prekje. Ne i kërkojmë Gjykatës të mos ndikohet nga shantazhet e njeriut të Edi Ramës, por ta çojë çështjen deri në fund e të bëjë drejtësi. Partia Demokratike nuk do të ndalet derisa dekriminalizimi të bëhet, dhe çlirimi i parlamentit dhe i politikës nga të inkriminuarit, do të bëhet, pavarësisht pengesave që po nxjerr Edi Rama”, – tha Spaho

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency