2015-2016/BB: parashikimi për rritjen ekonomike korrigjohet në ulje

0

global economy decreaseBanka Botërore ka ulur parashikimin e saj për rritjen ekonomike globale gjatë vitit aktual dhe atij të ardhshëm. Kjo ka ardhur kryesisht në sajë të perspektivës zhgënjyese të ekonomive të Eurozonës, Japonisë dhe disa ekonomive të tjera në zhvillim. Pavarësisht përfitimeve nga rënia e çmimeve të naftës, vlerësimet negative për ekonomitë e këtyre rajoneve tashmë ofrojnë një panoramë krejt tjetër të ekonomisë globale.

Loading...

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike globale për vitin 2015 do të jetë në nivelin e 3 përqindëve. Kjo shifër qëndron poshtë parashikimit të mëparshëm të muajit qershor 2014, për një nivel në 3.4%. Ndërsa për vitin 2016, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto global projektohet në 3.3%, poshtë pritshmërive të mëparshme për 3.5%.

Viti 2017 parashikohet përsëri në rënie, për të prekur shifrat 3.2%. Zyrtarë të lartë të Bankës Botërore shprehen se ekonomia globale gjendet në rrethana shqetësuese. Të dhënat e përgjithshme tregojnë për një ekonomi në ngadalësim në krahasim me pritshmëritë që prej krizës globale financiare të viteve 2007­2009. Banka Botërore vlerësoi një rritje të forte ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke i veçuar këto nga vendet e tjera të pasura si Eurozona dhe Japonia që po përballen me rritje anemike dhe frikë deflacioniste.

Kryeekonomisti i Bankës Botërore u shpreh se ekonomia globale po ecën me një motor të vetëm dhe se diçka e tillë nuk sjell një parashikim pozitiv për situatën globale. Po sipas tij, rritja ekonomike e Indisë do të jetë në të njëjtat ritme me ato të Kinës, në 7%, brenda vitit 2017.

Në uljen e parashikimit duket se kanë ndikuar mjaftueshëm edhe ekonomitë shqetësuese të vendeve në zhvillim si Kina apo Rusia.

Për sa i përket çmimit të ulët të naftës, Banka Botërore vlerëson se një gjë e tillë do të jetë pozitive për ekonominë globale, duke favorizuar vendet importuese. Rënia e çmimeve të “arit të zi” ka ndikuar vetëm me 0.1% në parashikimin e rritjes për 2015-ën.

 

 

Loading...