Raporti i BE: Ekonomia shqiptare nuk e arriti objektivin e parashikuar prej 2 përqind

0

 Ervin Kaduku

biznes industri –  Dështojnë premtimet qeveritare, reformat nuk arritën të ndryshonin shpejtësinë e ekonomisë, që u mbajt me “patericat” e borxhit publik në rritje të shpejtë

Kanë dështuar reformat qeveritare për të arritur rritjen 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këtë e lajmëron Drejtoria e Përgjithshme Ekonomike e Komisionit Evropian në Bruksel, sipas të cilës shifra mund të arrijë jo më shumë se 1.8%

Raporti i tremujorit të katërt të Komisionit Evropiane për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për në BE, i publikuar dje, pret që rritja ekonomike në 2014-ën të ketë qenë rreth 1.8%, më e ulët se parashikimi i qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare prej 2%.

Shqipëria pritet të ketë pasur rritjen më të ulët, në raport me vendet e tjera, përveç Serbisë, ekonomia e të cilës është reduktuar me 2% në 2014-ën. Maqedonia vlerësohet të jetë rritur 3.9%, Mali i Zi me 2% dhe Turqia 2.8%.

Në raportin, që botohet çdo tre muaj, analizohen ekonomitë e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Turqisë dhe Islandës.

Për Shqipërinë, raporti vlerëson rikthimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë me 3.3% me bazë vjetore, e udhëhequr nga tregtia e shërbimet, ndërtimi dhe më pak industria.

Sipas raportit, të dhënat, të mbështetura nga treguesit e tregtisë me pakicë, konfirmojnë se fuqizimi i konsumit privat vazhdon dhe ka një ndikim të ndjeshëm në përshpejtimin e rritjes.

Raporti vlerëson se pavarësisht se kredia është gjallëruar, niveli i huave me probleme (NPL) është rritur më tej. Në tremujorin e tretë, NPL-të përbënin 24.9% të huave totale, në rritje nga 24.1% në tremujorin e mëparshëm. Kjo sugjeron se procesi në vazhdim i kthimit të detyrimeve të prapambetura nuk ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe kërkohen më shumë përpjekje për të pastruar bilancet e bankave në një mënyrë të qëndrueshme.

Raporti vlerëson rritjen e të ardhurave buxhetore, me 12.6% me bazë vjetore për 11 mujorin, megjithëse 0.7% më pak se plani i rishikuar, por thekson se ulja e deficitit buxhetor ka ardhur më të shumti nga rënia e shpenzimeve për investime.

 

Shqipëria, e parafundit në rajon me portofolin e kredive bankare

Vetëm një pjesë modeste e shqiptarëve përdorin kredinë bankare. Sipas të dhënave nga regjistri i kredive, vetëm rreth 16.7% e shqiptarëve në moshë madhore figurojnë të jenë pjesë e këtij regjistri, që përmban të dhëna për kreditë aktive, ato të pashlyera apo historikun e ripagesës së kredive. Kjo shifër në vitet e fundit paraqitet në rënie, në reflektim edhe të zbehjes së kreditimit për ekonominë.

Vlera më e lartë është regjistruar në vitin 2012, kur 19.7% e popullsisë në moshë madhore rezultonte si pjesë e regjistrit të kredive. Sidoqoftë, edhe me të dhënat më të mira historike, Shqipëria është ndjeshëm më mbrapa vendeve të tjera dhe sidomos atyre të rajonit. Në Kosovë rreth 23% e popullsisë së rritur është pjesë e regjistrit të kredive, në Mal të Zi 26%, në Maqedoni mbi 36% dhe në Bosnje afro 40%.

Këto statistika tregojnë se Shqipëria ka ende një depërtim të ulët të kreditimit në popullsi krahasuar me vendet e tjerë. Me gjithë përmirësimin e kulturës financiare, Shqipëria ngelet ende një ekonomi e nënkredituar, qoftë në terma të numrit të kredimarrësve, qoftë në vlerën monetare të stokut të kredisë për sektorin privat ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Edhe në këtë klasifikim, Shqipëria është pranë vendit të fundit në Rajon, me një portofol kredie sa 38% e Prodhimit Kombëtar. Më poshtë qëndron vetëm Kosova, me 35%, vend që po arrin nivelet e Shqipërisë, ndonëse me një stad më të hershëm të zhvillimit të ekonomisë, institucioneve dhe sistemit financiar. Në ekonomitë e zhvilluara kredia zë një peshë ndaj prodhimit kombëtar që fillon nga 90% deri në mbi 200%, në raste të veçanta.

 

Përkeqësohet mbrojtja ligjore

Mbrojtja ligjore në kreditim në vitet e fundit rezulton e përkeqësuar, të paktën mbështetur në indekset e vlerësimit të Bankës Botërore. Sipas të dhënave më të fundit, Shqipëria duket se ka bërë hapa mbrapa në indeksin e të drejtave ligjore, që mat shkallën në të cilën legjislacioni për kolateralin dhe falimentin mbron të drejtat e huadhënësve dhe huamarrësve, duke lehtësuar rrjedhimisht kreditimin. Ky indeks ka një shkallë nga 0 deri në 12, ku sa më e lartë të jetë shifra, aq më e mirë vlerësohet mbrojtja ligjore për palët në kreditim. Në vitin 2014, Shqipëria regjistroi nivelin 7 të indeksit, në përkeqësim për të dytin vit radhazi.

Deri në vitin 2012, Shqipëria kishte qenë në nivelin 9, çka tregon se në këtë drejtim po bëhen hapa mbrapa. Në nivel krahasues me vendet e tjera të Rajonit, Shqipëria ndodhet në pozicionon mesatar. Mbrojtjen më të mirë ligjore në kreditim vlerësohet se e ofron Mali i Zi, me një indeks 12 nga 12 shkallë të mundshme.

Sipas Bankës Botërore, Kosova ofron gjithashtu një mbrojtje më të mirë me një indeks në shkallën 8. Shqipëria dhe Bosnja ndodhen të dyja në nivelin 7, ndërsa më poshtë vijojnë Maqedonia me 6 dhe Serbia me 5. Më shumë se pozicioni krahasues, më problematike është se Shqipëria, së bashku me Serbinë, po bën hapa mbrapa në këtë indeks.

Ky është një zhvillim negativ në raport me vendet, me të cilat Shqipëria konkurron për tërheqjen e investimeve. Të paktën mbi bazën e vlerësimit të Bankës Botërore, ndryshimet ligjore për të lehtësuar ekzekutimin e kolateralit nuk duket të ketë sjellë efekte pozitive për Shqipërinë, ndërsa kuadri ligjor për falimentin historikisht nuk ka qënë funksional.

 

Shteti e ka humbur “betejën për ujin”

Ndërkohë që çdo vit Enti Rregullator i Ujit merr vendime për rritjen e çmimit të ujit në qytete të ndryshme, bazuar në performancën e shoqërive, duket se kjo performancë nuk po pasqyrohet me ndryshime. Referuar të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, niveli i ujit pa të ardhura ka pësuar rritje gjatë vitit 2013, krahasuar me vitin 2012, çka do të thotë se gropa financiare vjen gjithnjë e në përkeqësim.

Gjatë vitit 2013 rezultonte që rreth 67 për qind e ujit të pijshëm nuk faturohej dhe pjesa më e madhe shkaktohet nga keqmenaxhimi i kompanive, lidhjet e paligjshme, pasaktësia në matje në prodhim dhe tek konsumatorët. Një tjetër shkak janë humbjet teknike që vijnë si pasojë e amortizimit të sistemeve, pra humbje uji në depo, rrjetin transmetues dhe shpërndarës të tij.

Por ky nivel humbjesh vijon të jetë edhe në vitin 2014 gjë që evidentohet në raportin vjetor të ERRU­së, i cili së shpejti pritet të dorëzohet në Kuvend.

Nga ana tjetër, përveç këtyre humbjeve, edhe norma mesatare e arkëtimit nga ana e Shoqërive Ujësjellës-Kanalizime ka rënë nga viti në vit. Kështu për vitin 2013, norma e arkëtimit pësoi rënie të fortë në 82 për qind, nga 91 për qind që ishte në vitin 2012, çka tregon sërish perfomancë të dobët të këtyre kompanive. Referuar këtyre të dhënave qeveria, pas aksionit në sektorin e energjisë elektrike, me qëllim që çdo qytetar ta paguajë atë, pritet të ndërmarrë edhe një reformë të thellë në sektorin e ujit.

Për këtë vit, në buxhetin e Ministrisë së Transporteve prioritet u është dhënë investimeve në sektorin e ujësjellës­kanalizimeve, të parashikuara në një vlerë prej 2.5 miliardë lekësh.

 

Çmimi i naftës bie nën nivelin e 45 dollarëve për fuçi

Nafta bruto amerikane WTI ra nën nivelin e 45 dollarëve për fuçi, për të parën herë që prej muajit prill të vitit 2009. Kuotimet e “arit të zi” kanë rënë kështu me 60% që prej mesit të muajit qershor të vitit të shkuar. Aktualisht, çmimi i një fuçie llogaritet në 44.50 dollarë.

Kërkesa e dobët globale për naftë si dhe prodhimi i naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dy faktorët kryesorë që qëndrojnë prapa kësaj rënie dramatike të çmimeve në bursë. Faktori i tretë, i cili i dha goditjen përfundimtare çmimeve ka qenë vendimi i vendeve të OPEC për të mos ndryshuar strategjinë e tyre të prodhimit.

Ndërkohë, ministri i Naftës i Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se çmimi pritet të stabilizohet vetëm në një periudhë dy ose trevjeçare.