Ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri/ Lu: Bashkëpunim kundër terrorizmit, jo luftëtarëve në Siri

0
126

Gëzim Saliu

 donald luTri përparësitë: Mbështetje e reformave drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, zhvillimi i vendit si një aleat më i fuqishëm i NATO-s dhe ndihma për të forcuar institucionet demokratike

Në daljen publike si ambasador i SHBA-së pas dorëzimit të letrave kredenciale tek kreu i shtetit, Donald Lu bëri të ditur dje para mediave porositë e Uashingtonit lidhur me detyrën e tij. Sipas kryediplomatit amerikan në vend, SHBA do të japë mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e vendit në BE, për zhvillimin e Shqipërisë si një aleat më i fuqishëm i NATO-s dhe, së treti, ndihmë në forcimin e institucioneve demokratike. Por si kryeprioritet Lu përcaktoi në detyrën e tij bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. “Një nga fushat e qarta për bashkëpunim më të madh me partnerët nëpër botë është antiterrorizmi dhe lufta kundër ekstremizmit. Sulmi ndaj “Charlie Hebdo”-së në Paris nuk ishte vetëm një sulm ndaj njerëzve të pafajshëm. Ishte kundër vlerave demokratike dhe asaj mënyre jetese që SHBA dhe Franca punojnë së bashku për t’i promovuar kudo në botë. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për luftëtarët e huaj që marrin pjesë në konfliktin në Siri dhe kërcënimin që paraqesin kur kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ne po punojmë me Shqipërinë dhe me shumë partnerë të tjerë, me të cilët ndajmë partneritete të forta në luftën kundër terrorizmit për të bashkërenduar përpjekjet për ta zbutur këtë kërcënim”, – u shpreh ambasadori amerikan.

 

Deklarata

Duke u ndaluar në konferencën e tij në prioritetet e integrimit, ambasadori Lu vuri theksin tek forcimi i luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Uroj Shqipërinë për marrjen e statusit të BE-së është arritje e madhe. Luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. SHBA, bashkëpunim në fushën e reformës në drejtësi. Bashkëpunim dhe në zhvillimin e sektorit të OJQ-ve në Shqipëri. Shqipëria duhet të jetë një aleat i fuqishëm i NATO-s. Misione të tjera pas reduktimit të forcave të NATO-s në Afganistan. Ushtria shqiptare të përgatitet për misionet e saj të reja në NATO”, – tha ai. Më tej ai bëri të ditur: “Nga Uashingtoni më janë dhënë tri prioritete: Mbështetje e reformave drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Prioriteti i dytë zhvillimi i Shqipërisë si një aleat më i fuqishëm i NATO-s. Prioriteti i tretë ndihma për të forcuar institucionet demokratike”. Ndërkaq, pasi vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Lu deklaroi se do të punojë për të çuar para raportet e forta mes SHBA-së dhe Shqipërisë. “Ju e dini që ambasadorët amerikanë ndryshojnë, normalisht, por politika e SHBA-së nuk ndryshon. Kam respekt të madh për paraardhësit e mi – ambasadorët Arvizu, Withers dhe Ries. Ajo që ka ndryshuar dhe është bërë më e pjekur është marrëdhënia jonë. Si aleatë në NATO, po punojmë krah për krah në Afganistan, në koalicionin global kundër ISIS-it dhe për të parandaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë në Siri. Ky nivel partneriteti ka qenë i paimagjinueshëm vetëm njëzetë vjet më parë”, – u shpreh ai. Në fund të deklaratës së tij, ambasadori i SHBA-së theksoi se ai do të punojë që të çojë më para raportet mes vendit që ai përfaqëson dhe Shqipërisë. “Shqiptarët presin shume nga ambasada dhe ambasadori amerikan, për shkak të miqësisë jetëgjatë e lidhjeve tona historike. Do të vazhdojmë të jemi miq të vërtetë e të sinqertë të të gjithë shqiptarëve. Shpreh respekt të madh për paraardhësit e mi në Shqipëri. Ka ndryshuar marrëdhënia mes vendeve tona, është më e pjekur”, – deklaroi Lu.

 

 Italia mbyll Presidencën e BE-së/ Renzi: Në Evropë s’mund të bëjmë pa Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë. Rama: Të mos frymëzohet më frika

Në përfundim të mandatit 6-mujor të Presidencës së BE-së, Italia, përmes Kryeministrit Metteo Renzi, dha një mbështetje të fortë për Shqipërinë dhe vendet e rajonit në kuadër të integrimit evropian. Në Parlamentin Evropian, Renzi deklaroi se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të Ballkanit, Malin e Zi dhe Serbinë. Shefi i qeverisë italiane u përcolli një mesazh edhe të gjitha atyre shteteve që janë kundër zgjerimit të Unionit, duke deklaruar se procesi nuk duhet të diskutohet nga frika. “Sot tregojmë se Evropa është gati të ndryshojë. Me ndryshimin duhet të kthejmë sytë nga politika e zgjerimit. Politika e re do të thotë vëmendje ndaj Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së. Në Evropë, nuk mund të bëjmë pa Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe nuk mund të lejojmë që ky diskutim të diktohet nga frika. Sot Evropa është vendi i vërtetë i sfidës së të nesërmes. Do të punojmë për Evropën e popullit, dhe jo të burokracisë”, – u shpreh kreu i qeverisë italiane. Deklaratën e homologut italian Kryeministri Edi Rama e përshëndeti menjëherë përmes një postimi në “Twitter”, ku falënderonte Matteo Renzin për diskutimin e madh në Strasburg. “Evropa duhet të ndalet së frymëzuari frikë para se të jetë shumë vonë”, – shkruante kreu i qeverisë shqiptare. PE u mblodh dje për herë të parë në Strasburg pas sulmeve në Paris, ku europarlamentarët i ishin bashkuar motos “Je suis Charlie”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency