Topi i Artë/ Ronaldo ngjitet sërish në majën e futbollit

0
171

Jurges Veizaj

10917047_899819170064546_4570308515984448778_nPortugezi ka fituar për të dytin vit radhazi Topin e Artë, duke e çuar në tre numrin e këtij trofeu për lojtarit më të mirë në botë

Një mbrëmje magjike, e cila do të mbetet gjatë në mendjen e Kristiano Ronaldos. Kjo, pasi portugezi është shpallur futbollisti më i mirë për vitin 2014, duke fituar kështu çmimin prestigjioz “FIFA Topi i Artë”. Galaktiku i Realit të Madridit ishte favoriti kryesor për t’u shpallur më i miri në botë, falë paraqitjeve mbresëlënëse me “Los Blancos” në vitin që lamë pas dhe ashtu ndodhi – ai u shpall më i miri. Makineria golashënuese i ndihmoi Realit që të triumfonte në Kupën e Mbretit, Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Botës për Klube. Ai theu shumë rekorde në vitin 2014, të cilin e kurorëzon me çmimin më të madh individual që i jepet një lojtari. Konkurrentë të Ronaldos këtë vit ishin portieri gjerman i Bajernit të Mynihut, Manuel Nojer dhe superylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Mesi. Konkurrentë të Ronaldos që morri 37.66% të votave ylli argjentinas i Barcelonës, Mesi morri 15.76% të votave ndërsa gardiani gjerman i Bajernit mori 15.72% të votave. Lojtari ishte mjaft i emocionuar gjatë marrjes së çmimit, pasi për të është një rekord shumë domethënës, duke parë dhe ambiciet e lojtarit. “Dua të falënderoj presidentin e klubit tim, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë që më kanë ndihmuar të arrij këtu. Siç kam thënë gjithmonë, unë dua gjithmonë të përmirësohem dhe te bëhem më i mirë për çdo ditë që kalon. Dua t’u them të gjithë portugezëve se nuk kam menduar që do ta fitoj këtë trofe tri herë. Unë dua të bëhem një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Shpresoj që të hyj në mesin e tyre”, – ka deklaruar 29-vjeçar. Lojtari në fund e mbylli fjalimin me një mënyrë të çuditshme, duke bërë një ovacion si në rastet kur shënohet gol për të çliruar kështu edhe emocionet e shumta. Është hera e tretë në karrierë që CR7 shpallet më i miri në botë dhe e dyta radhazi, ai tashmë është vetëm një trofe prapa Leo Mesit. Dueli midis dy lojtarëve duket se do të vazhdoi, pasi ka akoma rrugë të gjatë deri në përfundim të sezonit dhe u duhet shumë punë për të arritur te trofetë.

 

Goli i Rodrigezit shpallet më i bukuri

Golin më të bukur në vitin 2014 e ka shënuar Xhejms Rodrigez, duke fituar kështu çmimin “Pushkash”. Mesfushori kolumbian i Realit të Madridit shënoi një gol mahnitës kundër Uruguait në Kampionatin Botëror. “Dua t’i falënderoj të gjithë që votuan për mua. Ishte një moment shumë i veçantë për mua dhe të gjithë në Kolumbi. Jam shumë i lumtur”, – ka thënë Xhejmsi. Në konkurrencë për golin më të bukur ishin edhe holandezi i Mançester Junajtidit, Robin van Persi, me golin e tij kundër Spanjës dhe irlandezja Stefani Roshe me golin e shënuar me ish-klubin e saj, Pimaunt Junajtid.

 

11-shja më e mirë e FIFA-s, surprizë David Luiz

23.383 vota nga lojtarë profesionistë nga 60 vende të ndryshme për skuadrën më të mirë të vitit 2014, ku surpriza më e madhe është mbrojtësi i Paris Sent Zhermenit, David Luiz. 4-3-3 është skema ideale për skuadrën ideale të FIFA-s dhe FIFPro ku Manuel Nojer ruan katërkëndëshin pas suksesit në Botëror dhe formës së shkëlqyer të treguar me Bajernin e Mynihut gjatë vitit të shkuar. Gardiani gjerman nuk kishte konkurrentë në rolin e tij. Në mbrojtje, përveç surprizës Luiz, në qendër të mbrojtjes rreshtohet braziliani tjetër Tiago Silva ndërsa krahët i mbulojnë Filip Lam dhe Serxho Ramos. Ky është viti i pestë që spanjolli vendoset në formacionin më të mirë. Dominimi në formacionin e vitit te FIFPro ka nuanca bavareze dhe madrilene pasi në treshen e mesfushës rreshtohen Angel di Maria, tashmë te Mançester Junaitid, Andres Iniesta dhe Toni Kros ku ky i fundi pas disa sezoneve stratosferike me Bajernin e Mynihut zgjodhi eksperiencën spanjolle me Realin e Madridit. Gjigantët e Bundesligës e furnizojnë formacionin e vitit me një tjetër emër. Ai është holandezi Arjen Roben që shoqëron të përhershmit Kristiano Ronalo dhe Lionel Mesi. Në total, Reali dhe Bajerni përfaqësohen me nga tre futbollistë, ndërsa Barcelona me dy. FIFA dhe FIFPro e caktojnë ekipin më të mirë të vitit në bazë të një votimi që bëhet nga futbollistët profesionistë në të gjithë botën. Lista paraprake përbëhej nga 55 kandidatura me 5 portierë, 20 mbrojtës, 15 mesfushorë dhe po kaq sulmues.

 

Lëv zgjidhet trajneri më i mirë

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Hoakim Lëv, ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë të vitit. Strategu gjerman e udhëhoqi kombëtaren e tij drejt triumfit në Kampionatin Botëror “Brazili 2014” dhe në këtë mënyrë arriti të shpallej më i miri. Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti dhe ai i Atletiko Madridit, Diego Simeone, ishin konkurrentët e Lëvit. “Është një nder i madh pas atij viti të suksesshëm. Është qershia mbi tortë – torta është pa dyshim Kupa e Botës. Po e marr çmimin në emër të të gjithëve që e kanë dërguar këtë skuadër aty ku është”, – ka deklaruar trajneri më i mirë i vitit 2014.

 

Ronaldo: Do të doja të luaja me Mesin

Ata janë dy rivalët kryesorë në futbollin modern, mirëpo Kristiano Ronaldo do të dëshironte që të luante në të njëjtën skuadër me Lionel Mesin. E njëjta gjë vlen edhe për kundërshtarin tjetër për çmimin “FIFA Topi i Artë”, Manuel Nojer. “Futbolli ka të bëjë me të tashmen. Më e rëndësishmja është e tashmja. Në të kaluarën ka pasur lojtarë të shkëlqyer, por për mua do të ishte interesante që të luaja me këta dy që janë këtu me mua”, – ka theksuar portugezi. Ndërkohë, i pyetur nëse do ta pranonte ofertën e 29-vjeçarit një ditë, Mesi është përgjigjur: “Gjithmonë më pëlqen të luaj me futbollistët më të mirë. Do të ishte e vështirë për shkak të klubeve ku luajmë, por unë dua të luaj me më të mirët dhe ai është një prej tyre”.

 

Ikardi: Shpresoj të shënoj 20 gola

Sulmuesi i Interit, Mauro Ikardi, shpreson të arrijë shifrën e 20 golave në Serinë A këtë sezon, pasi arriti numër dyshifror në fitoren 3-1 ndaj Xhenoas në fundjavë. Argjentinasi shënoi golin e 10-të dhe është optimist se do t’i dyfishojë ato deri në fund të sezonit, pas ardhjes së Lukas Podolskit dhe Xherdan Shaqirit. “Nëse topi vjen te unë në ajër, duhet ta gjej rrjetën”, – ka thënë Ikardi. “Ne kemi nënshkruar me lojtarë të cilët japin kualitet në kornizën e golit dhe shpresoj të shënoj edhe 10 të tjera, nëse jo më shumë. Podolski dhe Shaqiri kanë ardhur dhe ne kemi fituar ritmin në sulm. Ne duhet të japim gjithçka dhe të sigurohemi se San Siro gjithmonë të festojë. Ne duhet të vazhdojmë”, – ka deklaruar Ikardi.

 

 Riberi: Bajerni, më i frikshëm këtë sezon

Francezi i bavarezëve, Frank Riberi, beson se Bajerni i Mynihut duhet të ketë mësuar nga gabimet e sezonit të kaluar dhe se ata mund ta fitojnë tripletën sërish këtë sezon. Bavarezët fituan titullin në kohë rekorde vitin e kaluar, por rënia në intensitet u kushtoi atyre me eliminimin nga Reali i Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Do të jetë vështirë, por kjo skuadër mund të fitojë gjithçka”, – ka thënë francezi për faqen zyrtare të klubit. “Gjithmonë ka shumë presion te Bajerni. Ne duhet gjithmonë të fitojmë. Kjo është mënyra se si janë gjërat te Bajerni. Ju gjithmonë duhet të fitoni tituj. Mendoj se ne kemi mësuar nga ajo çfarë ndodhi vitin e kaluar. Ne fituam titullin e Bundesligës shumë herët dhe disa lojtarë pastaj fituan më pak kohë loje dhe e humbën ritmin ca. Ndoshta ne i morëm gjërat më lehtë në stërvitje”, – ka shtuar Riberi.

 

 Venger: Na nevojitet një mbrojtës

Arsen Venger thotë se Arsenali është “i mangët” në qendër të mbrojtjes, pasi Matjë  Debyshi ka pësuar një lëndim në shpatull në fitoren 3-0 të klubit nga Stok Sitit. Francezi u tërhoq nga fusha pas vetëm 13 minutash pasi u përplas në një dërrasë reklamash në rrethojat e stadiumit “Emirates”, duke iu bashkuar kështu dy mbrojtësve tjerë të lënduar, Kieran Gibs dhe Kalum Çambers. “Jo aq shumë pasi ne ishim në treg edhe ashtu”, – ka thënë Venger, i pyetur nëse lëndimi i Debyshisë do të ndryshojë planet transferuese të klubit. “Monreal dhe Debushi mund të luajnë në qendër të mbrojtjes, por nëse Gibs nuk është aty, Monreal nuk mund të luajë në qendër dhe, nëse Debushi nuk është, ai nuk mund të luajë në qendër”. “Kjo është një pozitë ku ne jemi të mangët”, – ka thënë Venger.

 

 Avdijaj do të largohet nga Shalke 04

Donis Avdijaj si duket do të largohet nga Shalke 04, për të gjetur hapësirat e duhura për t’u zhvilluar edhe më shumë. Lojtari i cili ka klauzolë prej 50 milionë eurove nga Shalke 04, Donis Avdijaj, do të largohet nga ekipi bardhekaltër për t’u huazuar në Bundesligën austriake. Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, për 18-vjeçarin ka ardhur ofertë për huazim nga ekipi Sturm Gracit, të cilët e donë të vetin kosovarin për një vit e gjysmë. Ende nuk dihet nëse Shalke do ta lejojë Avdijajn të largohet apo jo, mirëpo për të kanë ardhur edhe oferta nga Bundesliga 2 e Gjermanisë, ku më favoritët për t’i fituar shërbimet e tij mbetën ekipet Sandhausen dhe Alen.

 

 Spanja, destinacioni i mundshëm i Rojsit

Mesfushori i Borusias së Dortmundit, Marko Rojs, ka nxitur spekulime se destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë Spanja. Rojs është cak i Real Madridit, derisa u raportua se kampionët Atletiko Madrid kishin siguruar një parakontratë me të për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, gjermani është duke u rikuperuar nga lëndimi në gju dhe po kalon rehabilitimin në Murcia, qytet në Spanjë. Prania e Rojsit në Spanjë vetëm sa i shton spekulimet se ai do të luajë në La Liga sezonin e ardhshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency