Standard.al

Sulmi ndaj Skuqit/ PD: Rama dhunon lirinë e fjalës, do regjimin e fshehjes. MB: denoncimi u mor

telnis skuqiSqarimet e gazetarit: Policia pranoi kallëzimin tim, vetëm pasi PD-ja denoncoi dhunën fizike ndaj meje

 “Teksa Edi Rama bën gjithçka që të shesë si demokratik konceptin e tij të lirisë së shprehjes në Paris, këtu në vendin që ai qeveris, fjala e lirë goditet, gazetari dhunohet në derën e komisariatit”. Ky ishte reagimi i Partisë Demokratike ndaj dhunimit të një gazetari në Gjirokastër nga një 60-vjeçar, për shkak të profesionit. Ngjarja ndodhi në orët e paradites në qytetin jugor të Gjirokastrës, ndërsa fakti që shkaktoi reagime ka të bëjë me vonesën e pranimit të kallëzimit nga ana e gazetarit të Drejtorinë e Policisë. Këtë fakt Partia Demokratike e cilësoi si shkelje të lirisë së shprehjes, pasi dhuna ndaj gazetarit Telnis Skuqi u shkaktua për arsye profesionale. Deklaratat e PD-së, në reagimin e saj, Ministria e Brendshme i konsideroi shpifje, pasi, sipas këtij institucioni, policia kishte shqyrtuar rastin. Ndërkaq, ishte vetë gazetari që sqaroi se policia pranoi t’i merrte kallëzimin, vetëm pasi Partia Demokratike akuzoi policinë për mosveprim.

 

Liria e fjalës

Sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma, dënoi sulmin fizik ndaj gazetarit investigues dje në Gjirokastër, në orët e mesditës, 50 metra larg komisariatit. Sipas Dumës: “Dhunimi i gazetarit Telnis Skuqi sot në mesditë 50 metra larg komisariatit të Gjirokastrës, është një këmbanë alarmi për dhunimin e fjalës së lirë, për kërcënimin e lirisë së shprehjes. Gazetari Skuqi është i njohur për qëndrimet e tij kritike e për investigimin e korrupsionit e të trafikut të drogës. Nuk është aspak rastësi goditja e tij në mes të ditës dhe fare pranë zyrave të shtetit. Nuk është rastësi, dhe këtë e vërteton qartazi fakti që komisariati i Gjirokastrës disa orë pas ngjarjes vazhdonte të mos pranonte kallëzimin e tij me pretekste të papranueshme”, – tha Duma, teksa bëri përgjegjës kreun e qeverisë, Edi Rama. “Revanshi agresiv ndaj fjalës ka burim frymëzimi kryeministrin e vendit. Duke kërcënuar opozitën, duke organizuar skenarin e dhunës në parlament, duke mos dënuar e duke mos u distancuar nga kërcënimi i Kryetarit të opozitës, Edi Rama ka dhënë miratimin e tij për goditjen e fjalës së lirë. Këto janë simptomat e regjimit të fshehjes dhe mbylljes së gojës, që Edi Rama dhe oligarkia e tij po ndërtojnë në çdo instancë. Partia Demokratike e dënon ashpër goditjen e gazetarit Skuqi, dhe i kërkon Policisë të reagojë menjëherë e të vërë para ligjit agresorin e tij”, – bëri thirrje sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma.

 

Reagimi i MB-së

Ministria e Brendshme i quajti “shpifje absurde” deklaratat e PD-së, që akuzoi policinë për mosbërje të detyrës së saj në rastin e dhunimit të gazetarit. “Për të disatën herë me radhë në këtë fushatë intensive shpifjesh nga më absurdet, PD akuzoi sot përsëri Policinë e Shtetit me variantin sipas të cilin nuk i është marrë denoncim një shtetasi, konkretisht shtetasit Telnis Skuqi. Sqarojmë opinionin se asnjë qytetari nuk i është refuzuar e drejta ligjore për të depozituar kallëzim në polici, për cilëndo ngjarje, pa dallim. Policia e Gjirokastrës ka qenë tërësisht në dispozicion të shtetasit Telnis Skuqi për të marrë denoncimin e tij, ashtu sikurse është në krye të detyrës në çdo moment për t’i shërbyer çdo qytetari që ka nevojë për ndihmën e policisë. Vetë shtetasi Skuqi në denoncimin e bërë në Polici është shprehur: “Dua të theksoj se nga ana e policisë, pas denoncimit që unë kam bërë janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk kam asnjë ankesë në adresë të tyre, pasi janë përgjigjur në kohë dhe në mënyrë profesionale”. Ftojmë Partinë Demokratike të heqë dorë nga gjuha e baltës dhe mashtrimit.‎ Pushteti i shpifjes pa hesap që përdor opozita, nuk mund të jetë instrument për politikë dite”, – reagoi zyra e shtypit të Ministrisë së Brendshme. “Ripërsërisim domosdoshmërinë për të lënë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën. Kjo është më e lehtë edhe për vetë opozitën, sesa të shpikë lloj-lloj mashtrimesh që nuk i beson dot më askush”, – mbylli reagimin ministria.

 

Sqarimi i gazetarit

Ndërkaq, vetë gazetari reagoi ndaj akuzave të dy partive. Ai sqaroi se ishte e vërtetë që Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës bëri kallëzim, por kjo ndodhi vetëm pasi Partia Demokratike dënoi sulmin fizik ndaj tij. “Është e vërtetë që unë kam deklaruar në denoncimin tim sot në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës se “dua të theksoj se nga ana e policisë, pas denoncimit që unë kam bërë janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk kam asnjë ankesë në adresë të tyre, pasi janë përgjigjur në kohë dhe në mënyrë korrekte”, por kjo deklaratë është kryer pasi sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma, dënoi sulmin fizik ndaj gazetarit investigues. “Po, i vërtetë është fakti, se pas incidentit të shëmtuar që ndodhi sot, jo më shumë se 50 metra larg Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, unë kam shkuar personalisht të denoncoj veprim të paligjshëm që u ushtrua ndaj meje, ndërsa oficeri i rojes vetëm sa ka shënuar emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendbanimin, si dhe numrin tim të celularit. Pas reagimit të Partisë Demokratike, policia lokale ka vepruar me shpejtësi dhe korrektësi për të ndaluar agresorin, si dhe ka marrë denoncimin tim. Po e vërtetë është fakti se unë kam shkëmbyer mesazh me zëdhënësin e Policisë së Shtetit, si dhe kam telefonuar personalisht inspektorin e zonës ku unë banoj.
Deklarata e papërgjegjshme e Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, është dashakeq, pasi deklarata ime i është ndryshuar tërësisht konteksti i ngjarjes.
Si babai i dy fëmijëve, distancohem totalisht nga veprimet e papërgjegjshme të ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe i bëj thirrje që deklaratën time të mos e deformoj sipas qejfit të qeveriut”, – sqaroi gazetari Telnis Skuqi.

 

Si dhe nga kush u dhunua gazetari

Gazetari Telnis Skuqi është dhunuar nga një 60-vjeçar, mbasi ai ka pasur një bisedë disaminutëshe. Siç pretendon vetë gazetari, 60-vjeçari, ish-ushtarak, militant i Partisë Socialiste, pati një debat me Skuqin në lidhje me shkrimet kritike që ka publikuar ky i fundit. Mbas një bisede që ka zgjatur rreth 5 minuta, ish-ushtaraku ka dhunuar fizikisht gazetarin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15 dje në lagjen “18 Shtatori”, rreth 50 metra larg Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës. “Personalisht dua t’ju falënderoj një nga një, madje edhe agresorin, rreth 60 vjeç, ish-ushtarak, sot në pension. Atij nuk i pëlqente fytyra dhe shkrimet e mia, që kam publikuar kohët e fundit. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:15, në bulevardin e lagjes “18 Shtatori”, në qytetin e Gjirokastrës, rreth 50 metra larg Drejtorisë së Policisë, përballë Gjykatës së Shkallës së Parë. Fatmirësisht, sulmi i tij fizik ndaj meje u neutralizua me gjakftohtësi dhe tashmë policia lokale ka nisur një procedurë ligjore për të vënë përpara drejtësisë agresorin. Sinqerisht nuk kam asnjë mëri me këtë person, pasi gjatë debatit që zgjati mbi 5 minuta, kuptova se ai nuk ishte i kënaqur me punën time si gazetar. Ishte një fans i çmendur i Partisë Socialiste. Pavarësisht sulmit që ndërmori një militant partie, ju garantoj se kurrë nuk do të tërhiqem nga misioni im që kam nisur këtu e 17 vite më parë, si dhe nuk do të lejoj asnjë “mace” të më detyrojë të ndryshoj editorialin tim. Ju garantoj se kurrë nuk do të pushoj së denoncuari, derisa dikush të guxojë të më marrë jetën time”, – u shpreh Skuqi.

 

Berisha, Ramës: Hiq dorë nga kërcënimet e dhunimet e gazetarëve, do të përballesh me pasojat

Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi kreun e qeverisë “armik të lirisë së mediave”. Ai i bëri thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga kërcënimet dhe presionet ndaj medias. “Dua t’i them Edi Ramës: Hiq dorë nga metodat, kërcënimet e presionet e të gjitha llojeve, me të cilat në një afat kohe rekord ke sterilizuar dhe nënshtruar në tërësi, me ndonjë përjashtim, mediat e shkruara dhe elektronike të vendit, ke mbyllur emisione të tëra që nxirrnin në shesh të palarat e qeverisë tënde. Dua të paralajmëroj Edi Ramën, këtë armik të lirisë së medieve, se për çdo kërcënim, çdo dhunim të gazetarëve kritikë në tërësi dhe ndaj gazetarit Telnis Skuqi në veçanti, që po heton aferat e tij të pista dhe pushtetarëve të tjerë makutë, do të konsiderohesh si autor direkt, si përgjegjës direkt dhe do përballesh me të gjitha pasojat e tyre”, – reagoi ish-kryeministri për dhunimin e gazetarit në Gjirokastër.

Comments are closed.