Standard.al

Rezoluta PD-PS/ Ndërhyrje në Kod dhe Kushtetutë: Jo kandidatë me dosje penale në zgjedhje

Gëzim Saliu

seanca-parlamentareBylykbashi: Legjislacioni e ka boshllëkun, i cili lejon që njerëz që sapo mbarojnë dënimin zgjidhen deputetë. Do ketë filtra ligjorë që do largojnë maksimalisht fenomenin

Për konkretizimin e rezolutës së përbashkët të votuar në seancën e fundit të vitit të kaluar, e cila bëri të mundur rikthimin e opozitës në Parlament, Partia Demokratike ka ngritur një grup pune. Nisur nga fakti se tri pikat e rezolutës do të duan të përkthehen në nisma ligjore, në këtë grup pune janë përfshirë anëtarë demokratë të Komisionit të Ligjeve, si edhe ekspertë ligjorë të forcës më të madhe opozitare, të cilët do të paraqesin në fund variantet e tyre për këtë çështje. Më pas, së bashku me propozimet e socialistëve, si edhe me ekspertizën ndërkombëtare, kryesisht atë të Komisionit të Venecias, në bazë edhe të marrëveshjes së firmosur mes palëve, rezoluta e përbashkët duhet të jetë përmbushur brenda 30 qershorit. Ndër pikat kryesore të kësaj rezolute mbetet ajo për dekriminalizimin, e cila pritet edhe të hasë debate mes palëve për mënyrën e konkretizimit të pikës në draft ligjor. Për demokratët, me rëndësi parësore është që në poste publike të mos ketë më individë me të shkuar kriminale, kjo duke nisur të zbatohet që nga zgjedhjet e ardhshme vendore e deri tek ato të përgjithshme parlamentare të vitit 2017. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, i cili është ngarkuar të propozojë zgjidhjet për këtë çështje, dekriminalizimi mbetet pika kryesore e rezolutës. “Në aspektin e dekriminalizimit do të shihet si aspekti i tanishëm, siç thotë edhe rezoluta, ata që mbajnë funksione publike, por edhe në të ardhmen, duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme lokale, por mbi të gjitha nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke vazhduar me administratën publike. Ne do të vendosim ata filtra ligjorë që do të bëjnë të mundur dekriminalizimin, duke larguar maksimalisht këtë fenomen negativ apo duke i prerë rrugën”, – tha Bylykbashi për “TCH”.

 

Dekriminalizimi

Për të bërë të mundur dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës publike, PD nuk përjashton ndërhyrje në Kushtetutën e vendit si edhe në Kodin Zgjedhor. Sipas demokratëve, nëse këto ndërhyrje do të jenë të domosdoshme për të mënjanuar përfshirjen e personave me rekorde kriminale në politikë, do të kryhen. “Nëse do të jetë e nevojshme, siç ju thashë, ne mendojmë se ka nevojë të ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Është e nevojshme të ndërhyhet në rregulloren e Parlamentit, mund të jetë i nevojshëm hartimi i legjislacionit të ri, ashtu siç do të jetë e nevojshme të ndërhyhet në Kodin Zgjedhor për t’i vënë fre mundësisë, që njerëz me të kaluar kriminale të kandidojnë për poste të larta, siç është ai i deputetit apo i të zgjedhurit vendor”, – u shpreh Bylykbashi. Duke mbetur në këtë çështje, deputeti demokrat theksoi se në legjislacionin aktual shqiptar ka disa mangësi të cilat, përmes ndryshimeve që do të vijnë falë përshtatjes ligjore të rezolutës, do të mundësojnë që të mos ketë më njerëz me rekorde kriminale që marrin poste publike. “Ne kemi njerëz të cilët ditën që mbarojnë dënimin penal në burg, po atë ditë kandidojnë për t’u zgjedhur deputetë dhe brenda një muaji mund të zgjidhen deputetë dhe më vonë mund të emërohen edhe ministra. Imagjinoni dikë që është dënuar për krime të rënda të mbajë një post ministri vetëm për faktin se nuk është më në burg. Legjislacioni shqiptar sot e ka këtë boshllëk që, me sa duket, është shfrytëzuar maksimalisht në një marrëveshje mes Kryeministrit Rama dhe atyre që i shërbyen për të marrë pushtetin më 23 qershor”, – theksoi ai.

 

Çfarë parashikon rezoluta për dekriminalizimin

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.

 

Qëndrimi i mazhorancës për dekriminalizimin

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili ishte edhe një ndër firmëtarët e marrëveshje mes negociatorëve të dy palëve, deklaroi pak kohë më parë se për çështjen e dekriminalizimit do të ndiqet praktika më e mirë vendase edhe ajo e PE-së. “Nuk kemi asnjë paragjykim për formën e zgjidhjes së saj, pra a duhet të kemi patjetër një ligj, rezolutë, por kemi një vullnet të shprehur për çështjen, por në parlament do të dakordësohet se si ky problem merr zgjidhje, se si ky problem merr një mënyrë që i qetëson të gjithë. Palët do të veprojnë ngushtësisht me Këshillin e Evropës, pasi i duhet dhënë fund gërmimit në të kaluarën e përfaqësuesve politikë”, – ka deklaruar ai.

 

 Deputetja e PD-së zbardh 7 pika/ Doda: Duhet ndryshim radikal në politikë: Dekriminalizim, lista të hapura, President nga populli

Deputetja e PD-së, Mesila Doda, ka shtruar dje nevojën e ndryshimit radikal në sistemin politik shqiptar. Sipas ligjvënëses së demokratëve, është e domosdoshme të ndërmerret një paketë me shtatë pika, si: dekriminalizimi i politikës, ndryshimi i sistemit zgjedhor, zgjedhja e presidentit nga populli, dënimi ekstrem i korrupsionit dhe rritja e nivelit të demokracisë etj. “Dekriminalizimi i politikës, drejtësisë dhe administratës nga krimi i djeshëm dhe i sotëm, nga krimi politik dhe ordiner, ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe infrastrukturës zgjedhore, krijimi i mundësisë për votimin e listave të hapura për kandidatët për deputet dhe përmirësim rrënjësor i teknologjisë në administrim dhe numërim, zgjedhja e presidentit nga populli, reformë jopolitike në sistemin e drejtësisë, dënim ekstrem korrupsionit dhe krimit, veçanërisht në sferat e larta të vendimmarrjes etj. Po ashtu, kërkohet rritja e përfaqësimit të gruas në politike jo më pak se 40%, rritje e nivelit të demokracisë direkte nëpërmjet krijimit të një tradite të kryerjes së referendumeve për çështje të rëndësishme për popullsinë lokale dhe në nivel kombëtar”, – shkruante Doda në rrjetin social “FB”.

 

Comments are closed.