Procesi/ Sherri në Parlament, Strazimiri në Gjykatë: U kërcënova me jetë

0
138

 Alma Çuka

gent strazimiri2Ballafaqohen në sallën e gjyqit në Gjykatën e Lartë deputetet e përfshirë në skandal. Pjerin Ndreu mohon akuzat, i cilëson deklaratat e Strazimirit mashtrim dhe të manipuluara

Videoja e publikuar nga organi i Prokurorisë, ku duket qartë dhuna e ushtruar nga dy deputetët e majtë, Pjerin Ndreru dhe Arben Ndoka, nuk i ka bindur këta të fundit për origjinalitetin e saj. Ndonëse është prova e vetme me pamje pas dëshmisë së deputetit të kërcënuar Gent Strazimiri, deputeti i majtë Pjerin Ndreu e ka quajtur të manipuluar. Por duket se e gjithë ngjarja e ndodhur në korridoret e Parlamentit në 10 korrik të vitit të kaluar është zbardhur para trupit gjykues nga vetë personi i goditur dhe i kërcënuar, Gent Strazimiri. Deputeti Gent Strazimiri i pohoi trupit gjykues se përveç dhunës fizike është kërcënuar edhe me vrasje nga dy deputetët e mazhorancës në hollin e Parlamentit të Shqipërisë. Në sallën e gjyqit të Gjykatës së Lartë, me cilësinë e të dëmtuarit, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka treguar me hollësi kërcënimet, ofendimet dhe dhunën fizike të ushtruar ndaj tij. Ai u tha gjyqtarëve se dhuna ndaj tij ka ardhur pas fjalës së mbajtur në Kuvend, ku ka kërkuar dekriminalizimin e Parlamentit shqiptar. Këtë kërkesë e përsëriti edhe pasi doli nga salla e gjyqit. Ky ishte edhe qëndrimi i deputetit Genc Pollo, pas daljes nga Gjykata, ku dëshmoi para Kolegjit Penal për dhunën dhe kërcënimet e deputetit Pjerin Ndreu ndaj kolegut Strazimiri. Ndërkohë, i pandehuri Pjerin Ndreu i cilësoi deklaratat e kolegut Strazimiri si kontradiktore dhe manipuluese. Gjykata e Lartë dëgjoi edhe dy gardistët e Kuvendit të Shqipërisë, Gentian Shulku dhe Erion Kolaveri, të cilët treguan momentet e ndërhyrjes së tyre për të shuar dhunën fizike ndaj deputetit Strazimiri.

 

Dëshmia e Strazimirit

Deputeti i opozitës, Gent Strazimiri, u shpreh edhe se sulmi ndaj tij me kërcënime e goditje është bërë me porosi të Kryeministrit Edi Rama, pasi ai kishte denoncuar 19 deputetë të inkriminuar që i përkasin mazhorancës. “Pasi më goditi më tha: ‘Unë heq dorë nga mandati i deputetit dhe të vras’”, – mësohet të jetë shprehur Strazimiri para Gjykatës. Në vijim ai tha për gazetarët se cilido qoftë vendimi i Gjykatës, nuk do të jetë zgjidhja përfundimtare e problemit, pasi shtoi se problemi nuk janë dy deputetët që iu përgjigjen urdhrit të Kryeministrit për të kryer dhunën ndaj opozitës, por 17 të tjerë që ende nuk e kanë bërë këtë veprim. Deklarata e tij është hedhur poshtë nga deputeti Ndreu, i cili deklaroi se nuk e ka goditur deputetin demokrat e jo më ta ketë kërcënuar me jetë. Duke folur për gazetarët në përfundim të seancës gjyqësore, deputeti socialist u shpreh: “Gjykata nuk mund të më gjejë fajtor. Nuk kam kryer veprime me goditje, e kam prekur dhe tërhequr vëmendjen. Nuk kam kërcënuar njeri”. Në vijim ai shtoi se dëshmia e Strazimirit ishte konfuze dhe se nuk mbante mend se çfarë ka thënë në Prokurori. Në këtë linjë Ndreu tha: “Herë kam ndier shtyrjen, herë prekje, herë jam urdhëruar nga Edi Rama, ishte një dëshmi jashtëzakonisht e paqartë, si duket edhe ai vetë nuk di çfarë të thotë. Ajo që më shqetëson është baza e të dhënave të rreme, mbi të cilën ndërtojnë alibinë e një grupi të inkriminuar në Partinë Socialiste. Është turp shumë i madh që një deputet apo grup parlamentar ngre pretendime për deputetë mbi bazën e të dhënave kuturu, të pavërtetuara”. Pas seancës së djeshme, ajo e radhës do të mbahet më 9 shkurt në të cilën pritet të dëshmojnë deputetët Paulin Stërkaj, Klodiana Spahiu, Oerd Bylykbashi, Parid Cara, Armando Prenga, Olta Xhaçka, Kozma Dashi. Sherri mes deputetëve u regjistrua më 10 korrik. Pas ngjarjes opozita bojkotoi Kuvendin për t’u rikthyer sërish vetëm në seancën e fundit të muajit dhjetor.

 

Tiranë/ Tentojnë të grabisin argjendarinë me pistoletë lodër

Dy persona të maskuar dhe të armatosur me pistoleta lodër kanë tentuar që të grabisin një argjendari pranë qendrës së kryeqytetit, në bulevardin “Zogu i Parë”. Është ende e paqartë rrjedhja e ngjarjes, por burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se pasi grabitësit kanë vënë re se janë diktuar nga ana e forcave të sigurisë, janë larguar pa përmbushur “misionin” e tyre. Madje, për njërin prej autorëve, jo vetëm grabitja ka mbetur në tentativë, por edhe largimi nga vendngjarja, pasi është kapur në flagrancë nga ana e njësisë “Shqiponja” vetëm 2 minuta pas ngjarjes. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se grabitësi i arrestuar është 17-vjeçari Mateo Th., ndërkohë theksohet se po vijojnë kërkimet për grabitësin tjetër. Pas ndalimit të njërit prej grabitësve u verifikua edhe se arma që ai zotëronte ishte një pistoletë çakmak, gjithashtu iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe maska, një palë dorashka dhe celulari.

 

Shkodër/ Digjet një banesë trekatëshe, shkak luhatjet e tensionit

Një banesë 3-katëshe është shkrumbuar nga flakët në orët e darkës së të dielës në lagjen “Parrucë” të qytetit të Shkodrës. Banesa në fjalë është pronë e shtetasit Berhan Leva.

Dyshohet se flakët e zjarrit janë provokuar nga një goditje tensioni. Zjarri është përhapur me shpejtësi në gjithë banesën. Një nga familjarët, Abdyl Leva, në përpjekje për të shuar flakët ka marrë disa lëndime të lehta dhe ndodhet në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën. Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka bërë të mundur izolimin e flakëve që rrezikonin banesat aty pranë. Policia ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet e rënies së zjarrit, ndërkohë që dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë i konsiderueshëm.

 

Durrës/ Plumba ndaj një automjeti, policia në kërkim të autorëve

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt një makine në Durrës. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti thanë se gjatë mesnatës së lënë pas persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 353 JM, në pronësi të 27 vjeçarit I. T., banues në Durrës. Mësohet se makina ishte e parkuar para banesës dhe në momentin e të shtënave nuk ka pasur persona brenda saj, çka ka bërë që të mos ketë të lënduar. Uniformat blu, të sinjalizuara për këtë ngjarje, po punojnë për të hedhur dritë rreth saj, si dhe po hetohet lidhur me konfliktet e mundshme që mund të ketë 27-vjeçari.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency