Standard.al

Më punove qindin dhe të dua përsëri…

egon schiele woman with black hatPoezi/ Ndjeshmëria e shkrimtarit të dënuar në diktaturë, Astrit Delvinës, në librin “Dhe e bukura nuk u zgjua”, prej të cilit kemi shkëputur poezitë e mëposhtme: lirik, rebel, i dashuruar deri në egoizëm, u jepet ndjenjave për ta ribërë fjalën shpirtërisht

 Astrit Delvina

                Sytë e Olit

Sy ngjyrë nate, buzë korale

As më thua dy-tri

Pse s’më do dhe pse të dua

Kush je ti vallë për mua?

 

Je hyri e dalë prej detit

O parfum prej xhenetit.

Mos je ëndërr a magji

Moj syshkruara mavi!

 

Je hyri përrallash indiane

Moj gushbardha kapedane

Apo pjellë e mendjes sime,

Që lulëzon nëpër ëndërrime.

 

                   Oli në plazh

Sylfide olimpike me sy prej zafiri,

Nimfë e mrekullueshme, rusalkë përrallore

Kur shëtit bregdetit vezullim floriri,

Porsi nuse dielli, bukuri rrezore

Dhe kur përqafohesh me valë të shkumëzuara

Dhe rrëshqet në ujë porsi një perri

Në një kënd i trishtëm mendoj i vetmuar

Lumturinë e ëmbël po të më dojë ti.

 

Oli qau

Kur lotët kaltëroshe të rrjedhin mbi faqe

Oli bukuroshe për mua s’ka paqe.

S’janë lot për mua, për një tjetër janë,

Oli, unë të dua sytë e mi të panë.

Lëndina dhe aroma e natës, qielli kanë erë dielli

Vjen e bukura natë plot yje dhe hije

Hapet një derë dhe ti lëshon erë dashurie.

 

                 Yjet fantoma!

Ti lule pranvere dikur,

u bëre lule nate q’ushqehet me errësirë.

Dashurinë e shtrive në qivur

Vetë fantoma, që shket nëpër mugëtirë

Midis miliona yjesh që xixëllojnë në pafundësi.

Zgjodha vetëm ty, të ëmbël si mjaltë

Në shpirt nuk kishe dritë e zemër-baltë

Të shkreptinte bukuria, po s’kishe dashuri.

 

Ti shkëlqeje, po prej kohësh kishe vdekur,

Si yjet fantoma që dukën të ndriçuar,

Po prej qindra vjetësh ato janë shuar.

Në kohën kur u shohin dritën e mekur

Ato kanë mbaruar.

 

Shkëlqe tani sa të duash

Me dritën gënjeshtare,

Zemrën s’ma mposht dot magjia hireplotë

O Çirçe ogurzezë, përkëdhelëse, ledhatore.

Zhduku shtrigë, s’je e kësaj bote.

 

   De profundis!

Nga thellësia ngre zërin t’im,

Që qan për mua e për ty

Dhe kjo thirrje e zemrës së munduar

Në retë e zeza përplaset me furi

Dhe si top llastiku mbrapsht e kthejnë ato

Atë zë që kërkonte kaltërsi

Dhe liri.

 

 Të thashë të dua!

Të thashë të dua,

Më the të dua.

Dhe një ditë ti ike andej

Dhe unë këtej

U ndanë të dy

Pa lot në sy!

 

   Zemër e çmendur!

Më punove qindin dhe të dua përsëri,

Për ty harbon kjo zemër e marrë,

Thuamë, ç’është kjo çmenduri

Dashuri e parë?

Më merr me të mirë e harroj çdo gjë

Dhe kujtoj se kështu do t’jesh gjithmonë

Dhe ti më pëshpërit me të butin zë:

S’ka si dashuria jonë

 

Po në krah të një tjetri të pashë një herë,

Dhe të t’urreja s’pata fuqi,

Si re do të zhytem në skëterrë,

Të mbledh zemërim, vrer e furi.

 

Zemrën e dobët të mbushë me egërsi,

O fuqi e valëve të egërsuara

Pushtoje shpirtin tim të sfilitur,

Tallaze, shkreptima, forca të tërbuara

Vërshoni me vrull në zemrën e ronitur.

Zemra u thërrmua e s’të fal më kurrë,

O perëndeshë e magjishme zemërgur.

 

  Seks a dashuri?

Të pashë një ditë pranvere

Nga kurmi yt rrezatonte bukuria.

Sytë lëshonin aroma ëndrre,

Flokët t’i dallgëzonte puhia,

Që frynte me ëmbëlsi

Dhe në zemër më lindi

Çfarë?! Unë nuk e di!

Seks apo dashuri?

Seksi është dëshirë e zjarrtë,

Epsh i fortë për çdo bukuri,

Po ç’i mbetet të jetë dashuria?

Admirim, adhurim

I bukurive q’i sheh çdo sy,

Po dhe zbulim

I të fshehtave bukuri,

Që rrinë të heshtura në thellësi,

Që i sheh vetëm një

I dashuruari sy!

 

 Kur nuk të shoh!

Kur nuk të shoh ty,

Shikoj ëndrrat e mia,

Që të rrethojnë

Si një kurorë

Dhe më shtohet dashuria.

 

Kur ti vjen pranë meje

e veshur në të kaltërt,

Sikur ke prerë një copë qiell.

S’di pse zemra më nguroset

Kur nuk je, je më e bukur

Hidhërimi që ndjej kur s’të kam pranë

Më i madh është se gëzimi

Kur ti vërvitesh në krahët e mia.

Kur vjen tek unë thuamë pse,

Pse i harrova ëndrrat për ty?

Trup-Stolisur e shpirt zhveshur.

Pse?

Ëndrrat e mia për ty o vashë,

Veshja e shpirtit janë ato.

Dhe kur vjen tek unë

Merri me vete, mos i harro

Letër kredencialet e dashurisë.

 

       Omne trinum non est semper perfectum

Vuaj nga uria,

Vuajtje fizike numur një

Unë i miri nuk kam të ha

Në një botë ku ujqërit hanë

Dhe që kanë dhe atë që s’kanë.

Vuaj nga dashuria,

Vuajtje shpirtërore numur dy

Se ëndrrat e mia,

Si bënin as asaj e as ty

Se ti s’do ëndrra,

Por flori

Se ajo s’desh dashuri,

Por flori.

Seks, seks, muzikë batërdi

Dhe së treti, kjo është ç’është

Ndjej në zemër një angushti

Siç e ka ndjerë,

Që kur ka lerë,

Që kur bota është botë,

Që jetoi dhe voi kot

Urinë e madhe

Për liri.

Po kur vallë

Do të kënaqen këto tri uri?

 

                 A dëgjon e dashur

A dëgjon e dashur

Si gjëmon n’largësi,

Stuhija po afrohet

Do bjeri borë dhe shi,

Ndërsa unë dhe ti

Në dhomë të vetmuar,

Rrimë shtrënguar.

N’mes rrebeshit të dashurisë,

Me shkrepëtima në sy

Dhe me zemrat bubullima

Shtrengomë i dashur, shtrëngomë

Gjer në dhembje

Sa të bërtas,

Se jam e gjallë e jo fantomë

Me sytë plot jetë e gaz.

Stuhija kaloi,

Ne puthemi akoma,

Dëshira e dashuria

S’kënaqen me fantoma.

 

                   Letra dashurie

Një nga një i hedh në zjarr

Letrat e verdha të dashurisë,

Stuhia jashtë ka shpërthyer,

Brenda meje ka pushuar.

Fjalë të bukura përpin flaka,

Si një auto-da Fe

I inkuizicionit shtazarak,

Në zjarr u dogjën premtimet,

Betimet,

Në zemër u dogjën ndjenjat

E përrallat e jetës.

 

                Vajza e lopëve

Njomëzake je, trupin si selvi

Me tezgë mban jonxhën e bleruar

Lopëve qumështore u çon ushqim.

E palodhur natë e ditë,

Punon e pleh bie erë,

Po në sy i shkëlqen dëshira,

Zjarri i rinisë të përvëlon.

Je e bukur dhe ashtu e ndotur,

M’e freskët se një vajzë qyteti

Bleron si bari në pranverë

Paçka se pleh bie erë.

Një banjë dhe era zhduket,

rë ndrit më shumë bukuria

Në sy t’mbetet gjithmonë,

Dashuria.

 

                 Ka dashuri?

Ka dashuri apo s’ka,

Ka thotë poeti,

Ka apo s’ka dashuri,

Nuk ka thotë laneti.

A ka? Pyes vajzën e dashuruar,

Po ka – është ai,

Që se ndërroj me asgjë në botë

Pa të do mbytesha në lot

E për të do bëhesha fli.

 

                       Thonë se

Thonë se është keq t’shkosh lule më lule

Dhe se duhet të dashurosh vetëm një

Dhe këtij mendimi s’ke si t’i shpëtosh

Keq e ke po nuk iu përule,

Po kur mbaron dashuria

Dhe ka ikur bukuria

Si mund të rrish mor i uruar,

një tjetër pa dashuruar.

Vajza tjetër për mua është e re,

Unë për të jam një tip i ri,

Për gruan e parë isha një i pa fre,

Për tjetrën unë jam një hyjni

Po ashtu dhe ajo për burrin ish

një shtrigë,

E neveritshme dhe e ligë

Ndërsa, e dini se ç’është ajo për mua?

Një perëndeshë, oh sa e dua.

Pra, ne nuk shkojmë lule më lule,

Lule m’lule shkon dashuria

Dhe në heshtje e pa zë obobo,

Ne shkojmë nga shkon ajo.

 

          Thonë se…

Thonë se vetmia është heroike,

Ajri i shpirtit është liria,

Sonte m’kujtohen sytë e tu mike

Dhe e vrullshme kthehet dashuria

 

Pas 30 vjetësh

Sa e bukur ishe atëherë

Kur të desha dhe më doje,

Pa ty s’rroj asnjë çast të thashë,

Gënjeva.

Pa ty s’më duhet jeta,

më the,

Gënjeve.

Por i besonim ato që thonim.

Kanë kaluar tridhjetë vjet,

Po tridhjetë vjet kanë kaluar,

Të pashë një ditë të dhjamur

E të trashë,

Mbaje dy shporta në duar,

Si është e mundur thashë,

Që ta kem dashuruar?

Dhe ti mund t’thoje me zë të molisur,

Oh, si qenke katandisur.

 

                   Mos i bëj tjetrit atë që s’do të të bëjë ai

Mos i shpif e mos e shaj,

Mos ia kthe gëzimin n’vaj,

Mos e gënje mos e mashtro,

Gruan mos ia rrëmbe,

Mos e fut të gjallë në dhe,

Mos e përbuz e mos e rrih,

Ç’e bukur poezi.

Demoni, qesh në skëterrë,

Nxjerr nga goja zjarr e vrerë

Dhe thotë me zë të prerë:

Bëji tjetrit o njeri,

Atë që të bën ai ty,

Se po të kesh ti një sy

Dhe atë ai ta merr,

Ndonëse vet ai ka dy.

Duaje gruan po deshe shumë,

Natën ajo të vret në gjumë.

Maskaranë mbaje mirë,

Të të vjedhë që pa gdhirë

Shpirt skllavin bëje të lirë

Dhe ti pështyje në fytyrë.

Thuaj gjithmonë të vërteta,

Që ta kesh bosh kuletën

E të humbasësh edhe jetën

Asgjë nuk humb kurrë, nderi mbetet

Kërma jonë n’dhe do tretet.

Comments are closed.