Standard.al

Detyrimet nga 2015/ Rregulla të reja për taksat, ja si do të paguajë biznesi i vogël

Ervin Kaduku

taksat per fasonet–  Rriten vështirësitë për firmat private, Ministria e Financave përcakton edhe radhën e detyrimeve ndaj shtetit, në qoftë se nuk mund të paguhen të gjitha në të njëjtën kohë

Sistemi i ri i tatimeve, nga dhjetori 2014 e në vazhdim, do të gjenerojë një urdhër-pagesë për çdo listë-pagesë që do të dorëzojë biznesi i vogël. Ndryshe nga sa është vepruar deri tani në kuadrin e sistemit të vjetër për biznesin e vogël, nuk do të gjenerohet urdhër-pagesa 3-mujore.

Për sa u përket muajve tetor dhe nëntor 2014, sistemi do të gjenerojë një urdhër-pagesë për të dy muajt.

Gjenerimi i urdhër-pagesës nga sistemi do të jetë i mundshëm brenda afateve të caktuara, siguron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

 

Më poshtë shpjegohen hapat që do të ndiqen për dorëzimin e listëpagesës për biznesin e vogël:

  1. Logimi në sistem me kredencialet. Username: NIPT. Password: ********** (të paktën 8 karaktere, të përmbajë të paktën një numër dhe një gërmë të madhe kapitale dhe jokapitale)
  1. Në ndërfaqen kryesore klikojmë në menynë Listëpagesat. Në qoftë se nuk ka për të plotësuar një ESIG 027 për tetorin 2014, klikojmë te nënmenyja e Listpagesave ESIG025.
  1. Në ndërfaqen e shfaqur klikojmë mbi butonin “Krijo Listëpagesën e ardhshme që mungon”. Kushti: Nuk mund të krijoni një listëpagese të re, në qoftë se nuk keni dorëzuar listëpagesat e tjera të mëparshme.
  1. Sistemi automatikishit gjeneron listëpagesën e muajt tetor 2014. Pasi të plotësoni listëpagesën (emri dhe mbiemri i deklaruesit është fushë e detyrueshme); ju mund ta ruani për ta rishikuar më vonë, duke klikuar në butonin “Ruaj për rishikim” ose mund ta dorëzoni, duke klikuar në butonin “Dorëzo”.
  1. Në qoftë se klikojmë në butonin dorëzo, listëpagesa është dorëzuar dhe do të shfaqet në nënmenynë “Listëpagesat e dorëzuara”.
  1. Pasi dorëzojmë listëpagesën e tetor 2014 (1410), duhet të plotësojmë listëpagesën nëntor 2014 (1411). Pasi të plotësoni listëpagesën (emri dhe mbiemri i deklaruesit është fushë e detyrueshme), mund ta ruani për ta rishikuar më vonë, duke klikuar në butonin “Ruaj për rishikim” ose mund ta dorëzoni, duke klikuar në butonin “Dorëzo”.
  1. Në qoftë se klikojmë në butonin “dorëzo”, listëpagesa 1411 është dorëzuar dhe do të shfaqet në nënmenynë “Listëpagesat e dorëzuara”
  1. Në nënmenynë listëpagesa të dorëzuara do të shfaqen listëpagesat që ju do të keni dorëzuar, si dhe butoni “krijo FDP”. Automatikisht do të krijohen 2 FDP, një për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore e tetorit dhe nëntorit 2014 dhe një për TAP për periudhën tetor dhe nëntor 2014. Pasi klikoni butonin, sistemi automatikisht do t’uu gjenerojë FDP-në përkatëse, të cilën ju do ta plotësoni manualisht për periudhat tetor dhe nëntor 2014 në fushat përkatëse me vlerat përkatëse të këtyre muajve.

Pasi të plotësohen, duhet të klikoni në butonin “dorëzo”, për të dyja FDP-të. Mbas dorëzimit të tyre, printohet një urdhërpagesë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore për periudhën tetor dhe nëntor 2014 dhe një urdhërpagesë për TAP-in për periudhën tetor, nëntor 2014, në qoftë se ka.

  1. Në ndërfaqen e Listëpagesave të Padorëzuara, klikojmë mbi butonin “Krijo Listëpagesën e ardhshme që mungon”.

  1. Sistemi automatikishit gjeneron listëpagesën e muajit dhjetor 2014 (1412). Pasi të plotësoni listëpagesën (emri dhe mbiemri i deklaruesit është fushë e detyrueshme), mund ta ruani për ta rishikuar më vonë, duke klikuar në butonin “Ruaj për rishikim” ose mund ta dorëzoni, duke klikuar në butonin “Dorëzo”.
  1. Në qoftë se klikojmë në butonin “dorëzo”, listëpagesa 1412 është dorëzuar dhe do të shfaqet në nënmenynë “Listëpagesat e dorëzuara”. Gjithashtu, në këtë ndërfaqe do të shfaqet butoni “Printo Urdhërpagesë”, ku do të mund të printohet urdhërpagesa për dhjetorin 2014.
  1. Pas ndjekjes së këtyre hapave: Për periudhat në vazhdim, pas dhjetorit 2014, do t’ju duhet vetëm të gjeneroni listëpagesat, pasi nuk do të ketë më në përdorim FDP për Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore, si dhe për Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi. Këto FDP tashmë i zëvendësojnë vetëm listëpagesat mujore. Për çdo muaj do të duhet të gjeneroni, plotësoni dhe dorëzoni listëpagesat, për të cilat përkatësisht për çdo muaj do të duhet t’i printoni Urdhërpagesat.

Urdhërpagesat paguhen vetëm në Banka të nivelit të dytë dhe jo në zyrat e shërbimit postar, deri në një lajmërim të dytë.

 

Biznesi në vështirësi? Ja radha e taksave që duhet të paguajnë

Ministria e Financave ka përcaktuar një radhë të re pagesash ndaj tatimpaguesve në rast se, për arsye të ndryshme, ata hasin vështirësi në pagesa dhe, për rrjedhojë, krijojnë edhe detyrime fiskale ndaj shtetit. Me përcaktimet e reja, Financat konsiderojnë si më emergjente pagesat e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore. Sipas Ministrisë së Financave, shumat e paguara duhet të mbulojnë detyrimet e papaguara sipas radhës së mëposhtme:

1-Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore

2-Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit

3-Kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore

4-Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit

5-Tatimet

6-Kamatëvonesat

7-Gjobat

8-Kostot administrative.

Financat sqarojnë më tej se, në rastet kur një tatimpagues, për çfarëdo arsye, rezulton me mbipagesë të një detyrimi tatimor apo të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, shuma e mbipagesës kalon për pagesën e detyrimeve të papaguara sipas radhës së mësipërme të pagesave.

Kjo radhë pagesash zbatohet edhe në çdo rast pagese të paidentifikuar të kryer nga tatimpaguesi.

Ministria e Financave sqaron se, për efekt të llogaritjes së penaliteteve përkatëse, konsiderohen detyrime tatimore apo kontribute të sigurimeve të papaguara në afat, diferenca ndërmjet detyrimit tatimor apo detyrimit për kontributet e sigurimeve që duhet paguar dhe shumës së paguar të tyre.

 

Rritja e taksave s’lejon uljen reale të çmimit të naftës

Çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë pësuar një rënie të vlerës gjatë kësaj periudhe. Kjo situatë vjen si pasojë e rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Nafta Brent e Londrës është tregtuar me rreth 50 dollarë për fuçi, si pasojë e rënies së kërkesës evropiane dhe Kinës për konsum, vendimit të vendeve prodhuese të grupuara në organizatën OPEC për mosulje të prodhimit të naftës dhe futjes në treg të naftës argjilore amerikane.

Megjithatë, ulja e çmimit të karburantit në vendin tonë është reflektuar me vonesë dhe jo në atë shkallë që ka pësuar çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare. Arsyeja kryesore se përse vazhdojmë të kemi çmime të larta për karburantin e tregtuar me pakicë është sistemi i taksave të vendosura nga qeveria shqiptare. Shteti mban rreth 90 lekë për çdo litër karburant të tregtuar në vendin tonë, duke bërë që niveli i çmimeve të jetë i lartë, si për naftën, ashtu edhe për benzinën.

Pjesën më të lartë të vlerës në çmimin e naftës e zë akciza me 20%, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit që është rritur me 12 lekë duke filluar nga ky vit.

Taksat e larta bëjnë që të reflektohet pak ulja e çmimit dhe duhet të marrim në konsideratë edhe faktin që sektori ka më shumë taksa nga të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Arsyeja e dytë e uljes së ngadalësuar të çmimit është niveli i lartë i rezervave që janë të detyruar me ligj të mbajnë tregtarët me shumicë. Sipas legjislacionit shqiptar, subjektet janë të detyruara që të mbajnë rezerva hidrokarburesh për një periudhë kohore që zgjat deri në tre muaj. Kështu, çmimi real i karburantit vështirë se mund të reflektohet, ndërsa kjo praktikë lë vend për abuzime të shumta nga ana e tregtarëve në dëm të konsumatorëve.

 

Shqipëria, vendi me më shumë kredi të keqe në rajon

Sistemi bankar në Shqipëri edhe për vitin 2014 mbajti nivelin më të lartë të kredive me problem në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave krahasuese nga Banka e Shqipërisë dhe nga Banka Botërore, në fund të vitit 2014 niveli i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar ishte 24.2%, ndërsa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte rreth 16.6%. Pas Shqipërisë, nivelin më të lartë të kredive me probleme e ka Serbia me 23%, e ndjekur nga Mali i Zi me 17.2%. Vendet ku shkalla e kredive me probleme është më e ulët se mesatarja rajonale janë Bosnje-Hercegovina me 15.5%, Maqedonia me 11.3%, ndërsa vendi me nivelin më të ulët të kredive me problem në rajon është Kosova me 8.2%. Nivelet rekord të kredive me probleme në Evropë vazhdojnë t’i mbajnë shtetet që u goditën ashpër nga kriza financiare, duke filluar nga Qipro dhe Greqia, ku kreditë me probleme janë mbi nivelin 30%. Nivele të larta të kredive me probleme kanë edhe Irlanda me 25.3%, Rumania me 22.3% dhe Hungaria, Italia dhe Kroacia me rreth 16%.

 

Kredia, më shumë në lekë

Ringritja e kreditimi të ekonomisë po udhëhiqet nga leku. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, pothuajse e gjithë rritja e kredisë për ekonominë, deri në fund të nëntorit 2014, ka ardhur nga kredia në monedhën vendase. Kredia në lekë është rritur me afro 20 miliardë lekë ose 10% me bazë vjetore, ndërsa kredia në valutë ka qëndruar në të njëjtat vlera krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Në fund të muajit nëntor, kredia në valutë zinte 59.4% të totalit të huasë për ekonominë, nga 61.6% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tashmë leku përbën mbi 40% të kredisë për ekonominë, ndërkohë që në fillimet e krizës, në vitin 2009, nuk zinte më shumë se 30%. Ulja e kreditimit në valutë është prej vitesh një objektiv i Bankës Qendrore, me qëllim uljen e ekspozimit të sistemit bankar ndaj rrezikut të tërthortë të kursit të këmbimit.

Që nga viti 2009, kredia në valutë për huamarrësit me të ardhura në lekë llogaritet me koeficientë më të lartë rreziku për bankat.

 

Frenohet rritja e sektorit bujqësor

Ritmet e rritjes së prodhimit bujqësor janë frenuar në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it për vlerën e shtuar të tremujorit të tretë, bujqësia është rritur me vetëm 1.19 për qind, nga rreth 3 për qind që është mesatarja e rritjes së sektorit. Aktiviteti Bujqësor në tremujorin e dytë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 3.18%.

Burimet në ministrinë e Bujqësisë pohuan se për periudhën në fjalë prodhimi bujqësor, sidomos pemëtaria nuk është favorizuar nga kushtet klimaterike. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e pazakonta që shoqëria pranverën e këtij viti deri në fund të qershorit dëmtuan disa kultura bujqësore sidomos, pemëtarinë kryesisht rrushin dhe ullinjtë.

Shqipëria me kushtet e saj klimatike, pozitën gjeografike si dhe traditën shumëvjeçarë në kultivimin e perimeve dhe patates, ka mundësi potenciale për kultivimin e mbi 60 specieve perimore.

Bujqësia zë 18 për qind të peshës në rritjen ekonomike, ndaj dhe frenimi i rritjes së sektorit e ndikon rritjen ekonomike më shumë se të gjithë sektorët e tjerë.

 

OSHEE ofron bashkëpunim për pagesat problematike me Postën

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) informoi dje opinionin publik se, në kuadër të punës për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë, është ndeshur me raste kur klientë të kompanisë pretendojnë t’i kenë kryer pagesat përmes shërbimit të Postës Shqiptare, por ato nuk janë të reflektuara në sistem. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, përmes një grupi të përbashkët pune me Postën Shqiptare, është duke u kryer një proces tërësor rakordimi të dhënash për periudhën 2010-2014. Deri më tani, njofton Operatori, pranë zyrave të OSHEE-së rezultojnë 5.833 ankesa të abonentëve për këtë fenomen, ndërsa u është dhënë zgjidhje 2.034 prej tyre.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike fton qytetarët që konstatojnë këtë problem, të tërheqin pranë Postës Shqiptare një kopje të mandatit të arkëtimit që kanë bërë dhe të paraqiten në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë. Për rastet kur qytetarët kanë kryer pagesën, por ajo nuk është përcjellë drejt kompanisë së shpërndarjes, OSHEE do ta kërkojë këtë shumë financiare nga Posta Shqiptare. Në rastet kur shuma mund të jetë derdhur, por nuk është pasqyruar në sistem, korrigjimi do të kryhet nga vetë OSHEE.

OSHEE garanton qytetarët se asnjë abonent që arrin të provojë se e ka kryer pagesën përmes shërbimit të Postës nuk do të penalizohet dhe as detyrohet të ripaguajë faturat. Ndërkaq, për ata abonentë që, me mandatin e arkëtimit, provojnë se kanë paguar brenda afateve kohore faturat përmes shërbimit të Postës Shqiptare, por rezultojnë me kamatë në sistemin e OSHEE, kjo kamatë do të fshihet dhe qytetarët nuk do të figurojnë në listat e debitorëve.

Comments are closed.